Mark Palnikaj zbulon dokumentet e Vatikanit: Gjuha shqipe është shkruar para Kongresit të Manastirit, klerikët hapën shkollat 800 vjet më parë /
Intervistoi: Eneida Jaçaj/
Mark Palnikaj është një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe, në arkivat e Vatikanit, Venecias, Napolit, etj. Palnikaj është mjaft i apasionuar dhe i palodhur, në zbulimin dhe studimin e dokumenteve të vjetra shqipe, përmes të cilave ka gjetur prurje të reja për gjuhën shqipe dhe ka realizuar mjaft shkrime e libra në lëmin e historiografisë . Studiuesi Mark Palnikaj ka zbuluar një sërë dokumente në gjuhën shqipe por edhe në gjuhë të huaj, në arkivat e bibliotekave perëndimore, dokumente të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës. Me gradë doktor i inxhinierisë mekanike, ku ka botuar një sërë librash edhe në këtë fushë, Mark Palnikaj e kalon kohën e tij duke shfletuar e studiuar dokumente të hershme, që do të shërbejnë si referencë edhe për studiues të tjerë. Me krenari duhet të pranojmë se në bibliotekat perëndimore gjenden dokumente të kahershme shqipe, që do të thotë sesa e vjetër është gjuha dhe ekzistenca e arbrit, dhe gjithashtu se jemi një popull me histori të vyer. Në një intervistë ekskluzive për gazetën Dielli, New York, Mark Palnikaj, deklaron se në bazë të kërkimeve që ka kryer, ka zbuluar se gjuha shqipe është shkruar para mbajtjes së Kongresit të Manastirit 1908, 49 vjet para zyrtarizimit të abetares së unifikuar. Zyrtarisht ne jemi të informuar se shkolla e pare shqipe është hapur në Korçë, por Palnikaj ka zbuluar se shkollat shqipe janë hapur 800 vjet më parë, nga klerikët. Dua të theksoj se Mark Palnikaj bën kërkime të vazhdueshme me karakter historik, në Arkivin e Shtetit në Venecia (Archivio di Stato di Venezia), në Arkivin e librave dhe dokumenteve antike në Padova (Biblioteca Antica del Seminario Vescovile di Padova), në Arkivin ASSC (Arkivi Historik dhe Biblioteka Shtëpia e Shenjtë) në Loreto, në Bibliotekën Komunale (Biblioteca Civica “Romolo Spezioli “) në qytetin e Fermos, në APF (Archivio Storico di Propaganda Fide) në Romë, në ARSI (Archivum Romanum Societatis Iesu) në Vatikan, ASV (Archivio Segreto Vaticano), në Bibliotekën Apostolike (Biblioteca Apostolica Vaticana), në Arkivi e Manastirit të Grotaferratës (Archivio monastico dell’Abbazia territoriale di Santa Maria di Grottaferrata), në Arkivin e Shtetit në qytetin e Napolit (Archivio di Stato di Napoli) dhe në BNL, arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Napoli (Biblioteca Nazionale di Napoli ). Ka kryer kërkime edhe në AQSH (Arkivi Qendror të Shtetit Shqiptar), në arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë dhe në disa arkiva kishtare dioqezane.
-Ju jeni një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe në bibliotekat perëndimore. A ka dokumente shqipe në sasi të konsiderueshme në arkivat e Vatikanit, Napolit, Venecias etj, atje ku ju kryeni studime?
Objekt i studimeve të mija, në arkivat italiane dhe austriake, ka qenë historia e Shqipërisë, nga mesjeta deri në ditët e sotme. Dokumentet, në masën më të madhe, janë të shkruara me dorë dhe në gjuhë të huaj, por vazhdimisht kam gjetur edhe shkrime në gjuhën shqipe. Nga fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek.XX, shkrime në gjuhën shqipe gjenden me shumicë në këto arkiva. Të rëndësishme janë shkrimet nga shek.XV deri XIX, të cilat janë në numër më të pakët, por ka vazhdimësi në shkrimet shqipe gjatë gjithë këtyre shekujve. Po ju përmend ato më të rëndësishmet:
-Formula e pagëzimit, shkruar nga Pal Ëngjëlli, në vitin 1462;
-Fjalorthi i Arnold Von Harfit i vitit 1497;
– Shkrimet e Lek Matrëngës, në vitin 1592;
–Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i shek.XV-fillimi shek.XVI);
-Poezi nga Pal Hasi para vitit 1618;
-Poezi nga Pjetër Budi, viti 1618;
-Fjalori i Frang Bardhit i vitit 1635;
-Gramatika e Ndre Bogdanit rreth vitit 1650;
– Çeta e Profetënve e Pjetër Bogdanit përfunduar në vitin 1675 dhe botuar në vitin 1685;
– Letra e Krenave të Gashit, shkruar nga Gjergj Toliqi, me datë 2 maj 1689;
-Fjalori i Françesko Marias nga Leçe i vitit 1702;
-Kongresi i Arbrit – përkthyer në gjuhë shqipe në vitin 1706;
– Fjalori anonim Italisht-Shqip i vitit 1710;
-Gramatika e Françesko Marias nga Leçe e vitit 1716;
– Dorëshkrimi i Kieutit (1736);
-Gjon Nikoll Kazazi (1743);
-Jul Variboba (1762);
-Dom Pal Zogaj Gramatika 1776.
Këto vitet e fundit kam gjetur dhe publikuar edhe tre shkrime të tjera në gjuhën shqipe:
-Një faqe e shkruar nga Frat Onofrio nga Bernarda e Basilikatës në gjuhën shqipe, në regjistrin e famullisë së Shalës, në vitin 1778.
-Një kontratë midis kishës dhe një besimtari në famullinë e Nikajve shkruar me datë 8 maj 1859.
-Një vendim i shkruar në fshatin Peraj të famullisë së Nikajve, shkruar në vitin 1881.
Këto tre shkrime të fundit i kam publikuar në gazetat e kohës, katër vitet e fundit.
Kërkesa për të shkruar në gjuhën shqipe nxiti patriotët që në harkun kohor të gjashtëdhjetë viteve u shkruan tetëmbëdhjetë tekste abetaresh si më poshtë:
-Naum Veqilharxhi: “Fare i shkurtër e i përdorçim Ëvetar shqip” (1844, 1845);
-Panajot Kupitori: “Abetare e gjuhës shqipe” (1860);
-Anastas Byku: Gramme për shqiptarë” (1861);
-Konstandin Kristoforidhi: “Abetare skip” (1867, 1869, 1872);
-Daut Boriçi: “Abetare shqip” (1869);
-Vasil Dhimitër Ruso: “Pellazgjika shqip alfavitar”, Bukuresht 1877;
-Jani Vreto: “Alfabetare e gjuhësë shqip”, Kostantinopojë 1879;
-Anastas Kullurioti: “Abavetar” (1882);
-Sami H. Frashëri: “Abetare e gjuhësë shqip”, (1886, 1888, 1900);
-Jovan Risto Tërova: “Abetarea shqipe”, Bukuresht 1887;
-Gaspër Benusi: “Abetare e gjuhësë shqyp”, Bukuresht 1886, 1890;
“Abetari i qitun pri shoqniet t`Bashkimit t`giuhes shqype”, Shkodër 1899
-Said Najdeni:“Abetare e gjuhës shqipe”, Sofje 1900;
-Shtjefën Gjeçovi: “Abetarja e Zymit” (1900);
-Ndre Mjeda:“Këndime për shkollë të para”, Vjenë 1904;
-Luigj Gurakuqi: “Abetari për mësoitore filltare t`Shqypnis”, Napoli 1905, Bukuresht 1906
“Abetare toskërisht, pas abecesë së vjetrë të Stambollit”, Sofje 1908
“Abetare gegërisht, pas abecesë së vjetrë të Stambollit”, Sofje 1908.
Botimi i këtyre abetareve, nën terrorin e sundimin turk, ka qënë një punë e sforcuar që atdhetarët tanë e kryen me sukses, në më të shumtën e rasteve, jashtë atdheut nga diaspora patriote.
Përveç shkrimeve të prezantuara më sipër, janë edhe një numër jo i vogël i shkrimeve shqipe në arkivat italiane dhe të vendeve të tjera, që besojmë t’i publikojmë më vonë.
–Një nga prurjet tuaja më të reja është libri “Skendërbeu, letërkëmbimi me sulltanët”. Ku konsiston ky libër, çfarë të reje keni sjellë në historinë mesjetare për heroin Gjergj Kastrioti Skëndërbeu?
Këtë libër e kam botuar me rastin e kremtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu, dhe e kam paraqitur në konkursin e organizuar me këtë rast, për librin anastatik më të mirë. Kam marrë në Arkivin Sekret të Vatikanit letërkëmbimin e Skendërbeut me sulltanët dhe letrën e Skendërbeut, dërguar Papës, nga Kepi i Rodonit, me datë 29 tetor 1462. Në ato letra shpalosen qartë aftësitë jo vetëm luftarake, por edhe diplomatike të Skendërbeut, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky libër është një shembull i mirë edhe sot për politikanët e rinj, për të marrë eksperienca se si duhet të jetë gjuha dhe komunikimi në marrëdhëniet ndërkombëtare midis shteteve.
-Gjuha shqipe, me bazë indoeuropiane, është një nga gjuhët më të vjetra, ndoshta e vetmja gjuhë më e vjetër e globit. Mendohet se pas themelimit të alfabetit në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ka nisur të shkruhet gjuha shqipe. Por, nga kërkimet tuaja, a jeni ndeshur me dokumente që faktojnë periudhën e saktë se kur është shkruar shqip?
Ka dokumente të pakundërshtueshme që edhe para vitit 1462 është shkruar në gjuhë shqipe, por me alfabetin latin. Shkrimi më i vjetër që është gjetur deri më sot i shkruar në gjuhën shqipe, është formula e pagëzimit e përmendur më sipër.
-Meshari i Gjon Buzukut i vitit 1555 zyrtarisht është libri i parë i njohur i përkthyer në gjuhën shqipe. Çfarë rëndësie ka ky libër në historinë e Shqipërisë?
Meshari i Gjon Buzukut është libri i parë i njohur i shkruar në gjuhën shqipe, por kjo nuk do të thotë që nuk ka patur edhe më parë libra të shkruar në gjuhë shqipe. Është jashtë llogjikës të pranohet që një prift në fshatin Bria të Krajës, të ketë marrë inisiativën e shkruarjes së librit të parë në gjuhën shqipe. Libri edhe ashtu siç është ka formë të rregullt dhe nuk mund të konfigurohej si i tillë po të mos ekzistonin modele edhe para tij. Besohet se motivi që e ka shtyrë Gjon Buzukun për shkrimin e këtij libri, ka qënë fryma e re e protestantizmit që po përhapej në Europën e shek.XVI, për të shkruar biblën në gjuhët nacionale të kombeve të ndryshme, pasi gjuha latine nuk kuptohej nga masat e gjera të besimtarëve. Edhe më vonë, klerikët e tjerë bënë çfarë ishte e mundur për të përhapur shkrimet shqipe dhe për të bërë të mundur mësimin e gjuhës së shkruar shqipe nga shqiptarët dhe të huajt, midis të tjerave, sepse duke mos njohur gjuhën shqipe, klerikët ishin të detyruar të merrnin një përkthyes për të dëgjuar rrëfimin e besimtarëve dhe fshehtësia e sekretit të rrëfimit nuk ishte e sigurt kur merrej vesh nga më shumë se një person. Rëndësia e dytë e këtij libri është që ne kemi në formë të dokumentuar gjuhën e folur në shekullin XVI, dhe është e mundur të studiohet në mënyrë shkencore leksiku i gjuhës shqipe të kohës. Ne nuk e dime se si e ka folur gjuhën shqipe heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu. Sot, gjuha ka ndryshuar shumë dhe nëse do të kishim një libër të shkruar në gjuhë shqipe të asaj kohe, ne do të mësonim shumë gjëra për të folurën e gjuhës shqipe.
-Shqipëria ka qenë nën sundimin osman 5 shekullor, ku Porta e Lartë e ka penguar gjuhën shqipe dhe hapjen e shkollave shqipe. Nga ana tjetër kemi edhe përpjekjet e mëdha të patriotëve, të cilët nuk kanë rreshtur së lobuari për çlirimin e vendit dhe kanë luftuar që gjuha shqipe të mos humbasë. A ekzistojne dokumente se kur janë hapur shkollat e para shqipe, dhe ne cilat qytete?
Shkollat e para në Arbëri dhe në zonat përreth, ka të dhëna se janë hapur në shekullin e trembëdhejtë dhe më parë, pra rreth 800 vjet më parë. Për këtë ka burime të shkruara të sigurta dhe flitet se kanë funksionuar edhe universitete në qytetin e Durrësit dhe në disa qytete të tjera të Ilirisë mesjetare. Në atë kohë, arsimi ishte privilegj i të pasurve dhe ishte me pagesë. Bazat e arsimit modern që kemi sot i vendosën priftërinjtë benediktin në fillim të shekullit XVI. Në vitin 1502, ata paraqitën platformën e tyre për arsimimin e popullsisë bazuar në tre parime:
-Arsimi fillestar duhet të ishte falas.
-Duhet të ishte i detyruar dhe për të gjithë fëmijët.
-Duhet të kishte programe unike për shkollat fillestare.
Bazuar në këto parime, ka të dhëna se shkolla e parë në gjuhën shqipe është hapur në komunën e Letnicës, në Stubëll në vitin 1584.
Më vonë, në vitin 1632, në fshatin Gallatë të Kurbinit është hapur shkolla nga Gjon Kolesi. Në këtë periudhë u hapën edhe në Mirditë shkolla e Velës dhe ajo e Oroshit. Në vitin 1675, në fshatin Rrjoll të Malësisë së Madhe, Pjetër Bogdani ka hapur shkollën shqipe me mësues Marin Gjini. Në vitin 1698 gjendet e hapur një shkollë shqipe në Shkodër nga Fra Filipi dhe rreth vitit 1750, shkolla e Topanasë në qytetin e Shkodrës. Nëse marrim parasysh faktin se Pali nga Hasi dhe Pjetër Budi kanë shkruar poezi në gjuhën shqipe qysh para vitit 1620, dhe Frang Bardhi ka shkruar fjalorin Latinisht-Shqip në vitin 1635, duhet të besojmë se ka patur edhe shkolla të tjera në gjuhën shqipe përveç atyre që u përmendën më sipër, por duhen kryer kërkime dhe studime këmbëngulëse për të gjetur dëshmitë e nevojshme për këtë. Mbas viti 1479, turqit kishin pushtuar pothuajse tërësisht Ilirinë dhe deri në shek.XVIII, hapja e shkollave në qytete ka qenë e ndaluar. Prandaj, ato u hapën kryesisht në kishat e famullive në zonat fshatare si Kurbini, Pllana, Velja, Oroshi, Rrjolli etj. Është me rëndësi dhe interes për t’u shënuar se në mesin e shek.XVII, rreth vitit 1650, në Janjevë ka patur shkollë shqipe e cila përgatiste kandidatë për të vazhduar studimet në Kolegjin Ilirik të Loretos, të Fermos dhe të Kolegjit Urban të Vatikanit. Në vitin 1675 rezulton që në këtë shkollë të jetë një klasë me 25 nxënës, tre nga të cilët nga familja Bogdani e Hasit.
-Ju thatë se shkollat e para janë hapur nga klerikët. Përveç mesimit të gjuhës shqipe, kjo ka ardhur që shpiptarët të mos konvertoheshin në besimin islam për shkak të sundimit otoman. Ju nga zbulimet tuaja, çfarë kanë gjetur?
Në mesjetë, deri në shek.XVIII, shkollat në të gjithë Europën janë hapur nga klerikët. Kjo ka ndodhur sepse vetëm ata kishin personel të arsimuar për të mundësuar hapjen e shkollave.
Në Shqipëri, edhe në shek.XX, shkollat në Gomsiqe, Theth, Gjonpepaj dhe shumë vende të tjera shkollat fillore i kanë hapur klerikët si Shtjefën Gjeçovi, atë Nikoll Kolaj etj. Mbas shpalljes së pavarësisë, nga viti 1916 deri në fund të vitit 1918, nën mbikqyrjen dhe me ndihmën e Perandorisë Autro-Hungareze, u hapën në Shqipëri 432 shkolla në gjuhën shqipe. Austrohungarezët, në kuadri e Kultprotectoratit, ose e thënë ndryshe në kuadrin e përkujdesjes për mbrojtjen e kulteve në trojet arbërore, u kujdesën gjatë tre shekujve për kultivimin e gjuhës dhe kulturës arbërore. Tri ngjarje me shumë rëndësi për gjuhën dhe kulturën shqipe, hapja e Kolegjit Saverian të Shkodrës në vitin 1877, Kongresi i Manastirit i vitit 1908 dhe Komisia Letrare e krijuar në Shkodër në vitin 1916, janë realizuar me ndihmën teknike dhe financiare të Perandorisë Austro-Hungareze. Hapja e shkollave të para në Arbëri dhe Dardani, kishin rol të madh në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, por zyrtarisht, ato nuk kanë patur qëllim për të frenuar islamizimin e shqiptarëve, edhe pse indirekt kanë patur një ndikim të tillë. Zyrtarisht, ato janë hapur për nevojat e shkollimit të klerikëve dhe për dhënien e liturgjisë në gjuhën shqipe, por, ato kanë patur ndikim të madh edhe në ruajtjen e identitetit dhe vetëdijes kombëtare. Rol shumë të madh në shkrimin dhe përpunimin e gjuhës shqipe, ka patur diaspora shqiptare dhe më së pari arbëreshët në Jugun e Italisë dhe në Siçili dhe më vonë, diaspora në Rumani, Egjypt dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Cilët ishin të parët që u bënë protagonistë në themelimin e gramatikës së gjuhës shqipe? Cili mbahet si babai i gramatikës së gjuhës shqipe?
Protaganistët e parë për hartimin e një gramatike të gjuhës shqipe në historinë mijëravjeçare të kombit tonë, janë dy klerikë nga Hasi, Ndre Bogdani nga fshati Gjonaj i Hasit, dhe Pal Zogaj nga fshati Bria i Hasit. Ka të dhëna të pakundërshtueshme se Ndre Bogdani e shkroi gramatikën e parë të gjuhës shqipe para vitit 1670 dhe Pal Zogaj e shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe në vitin 1776. Fatkeqësisht nuk kemi asnjë kopje të asnjërës nga këto dy gramatika, por besohet se Pjetër Bogdani kur ka shkruar librin Çeta e Profetënve, të cilin e ka botuar në vitin 1685 në kolona në dy gjuhë, italisht dhe shqip, është ndikuar nga gramatika e shkruar nga xhaxhai i tij, Ndre Bogdani dhe nga fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit. Babai i gramatikës së gjuhës shqipe duhet të konsiderohet frati italian, Françesko Maria nga Leçe, i cili ka shkruar dhe ka arritur të botojë gramatikën që mban emrin e tij në vitin 1716. Kjo gramatikë përmban 228 faqe dhe për nga niveli shkencor, konkuron me çdo libër gramatike të gjuhës shqipe të shekullit XXI.
-Meqenëse gjuha shqipe është shkruar më herët sipas dokumenteve të zbuluara, a ka ekzistuar alfabet para atij të Manastirit 1908?
Po, kanë ekzistuar disa alfabete. Gjuha shqipe ka një numër të madh tingujsh ose fonema siç i quajnë gjuhëtarët dhe e bën të vështirë shkrimin e saj pa një numër të madh germash. Gjuha latine shkruhet mjafueshëm me ndihmën e 28 germave, kurse për gjuhën shqipe nuk mjaftojnë kaq germa. Megjithëse gjuha shqipe ka filluar të shkruhet së paku 800 vjet më parë, ajo në fillimet e saj është shkruar duke përdorur alfabetin latin, me disa shtesa nga germa të huazuara nga gjuhë të tjera. Me këtë problem është marrë në mënyrë të hollësishme studiuesi Robert Elsie dhe ai ka identifikuar 10 alfabete të gjuhës shqipe të përdorur para alfabetit të Kongresit të Manastirit. Besoj se lexuesit tanë janë të njohur me punimet e Elsit, prandaj nuk e shoh me interes të zgjatem në këtë pikë.
-A mund të bëni një krahasim midis diasporës së hershme shqiptare dhe asaj të sotme? Çfarë i afron apo i veçon këto diaspora në kohë të ndryshme?
Për të shkruar për diasporën shqiptare do të duheshin volume të tëra me libra, sepse nuk ka vend në të gjithë botën ku nuk ka banorë të kombësisë shqiptare. Në historinë tonë kombëtare, ndikim të dukshëm ka patur diaspora shqiptare, nga shek.XVII deri në vitin 1920. Në këtë periudhë, shqiptarët e vendosur në Stamboll, në Egjypt, në Rumani dhe sidomos në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë dhënë një ndikim shumë të madh në ngritjen e vetëdijes dhe identitetit kombëtar. Ata kanë formuar shoqata të cilat kanë bërë botimet e para në gjuhën shqipe, kanë botuar gazeta të cilat patën ndikim shumë të madh për zgjimin kombëtar, kanë mundësuar shkollimin e një numri të madh shqiptarësh me arsim bashkëkohor. Personat e shkolluar patën ndikim të madh në drejtimin e lëvizjes për liri dhe pavarësi të shqiptarëve. Janë për t’u përmendur në atë kohë persona si Spiro Risto Dine në Egjypt, vëllezërit Frashëri në Kostandinopojë, familja Gjika në Bukuresht, Fan Noli, Faik Konica dhe atdhetarë të tjerë në Boston. Arbëreshët e Italisë, me Jeronim de Radën dhe, më vonë, Luigj Gurakuqi dhe shumë të tjerë, të cilët bënë punë të madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Terenc Toçi, në fillim të shek.XX punoi shumë për shpalljen e pavarësisë, i cili në prill të vitit 1911 formoi qeverinë e Kimzës në Mirditë dhe ngriti flamurin shqiptar. Preludi i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Deri në shpalljen e pavarësisë, qëllimi kryesor i diasporës shqiptare ka qenë krijimi i vetëdijes kombëtare dhe çlirimi i vendit.
Mbas krijimit të shtetit funksional shqiptar në Kongresin e Lushnjes në janar 1920, diaspora ka marrë një karakter tjetër. Tashmë problemi kombëtar ishte zgjidhur, kufijtë u vendosën dhe diaspora merr më tepër rolin e një opozite demokratike, me qëllim vendosjen e sundimit të tipit perëndimor në Shqipëri, larg diktaturave dhe pushtimeve. Këtë rol e ka luajtur emigracioni shqiptar në kohën e Zogut kryesisht në Jugosllavi, Austri dhe Amerikë. Në kohën e pushtimit fashist dhe nazist të Shqipërisë, roli i diasporës ka qënë deri diku i pandjeshëm. Me vendosjen e regjimit komunist në vendin tonë, diaspora në vendet e Europës Perëndimore dhe në Amerikë është mobilizuar për demokratizimin e Shqipërisë, dhe ka dhënë kontribute të mëdha.
Mbas vitit 1990, diaspora ka shkëlqyer përsa i përket problemit të bashkimit kombëtar. Për çlirimin e Kosovës kanë dhënë kontribut të pashoq dhe janë mbledhur fonde të mëdha financiare në ndihmë të luftës në Kosovë, të njohura si kontributi i 3 përqindëshit. Edhe ardhja e shqiptarëve nga emigracioni për të marrë pjesë në luftën çlirimtare të Kosovës, është një shfaqje brilante që do të mbetet e paharruar në historinë e saj. Krijimi i Bataljonit Atlantik me efektiv tërësisht nga diaspora i nderon në jetë të jetëve ata që lanë punën fitimprurëse dhe familjet në emigracion në vendet perëndimore dhe Amerikë, dhe u radhitën në luftë çlirimtare, ku shumë prej tyre dhanë edhe jetën. Kjo do jetë në jetë të jetëve, nderi i diasporës!