Drejtori nga Serbia arrestohet në Mitrovicën Veriore/Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u arrestua sot në Mitrovicën Veriore nga njësia intervenuese e Policisë kosovare pasi kishte hyrë në Kosovë pa marrë leje.
Forcat Policore të Kosovës e kanë sjellë të prangosur në Prishtinë në Stacinin e Policisë dhe më pas e dërgonë në gjykatë. Zyrtarin nga Beogradi pritet ta deportojnë në Serbi, prej nga kishte ardhur dhe sipas njoftimeve të fundit Policia e Kosovës janë duke e dërguar rrugës drejt vendkalimit kufitar në Merdar.Sipas medias serbe, situta në veri të Kosovës është e tensionuar.
POLICIA E KOSOVËS-KOMUNIKATË PËR MEDIA/
Prishtinë, 26 mars 2018 /Policia e Kosovës përmes rrugëve operative ka siguruar informacione se z.Marko Gjuriq dhe persona të tjerë, janë parë të jenë prezent në lokacionin ku kishin planifikuar të mbanin një takim me përfaqësues dhe qytetarë të veriut të Mitrovicës.Me qëllim të verifikimit të informacionit dhe zbatimit të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS), i cili ka ndaluar vizitën në Kosovë të disa zyrtarëve serbë duke përfshirë z.Vulin dhe z.Gjuriq, ka angazhuar njësi relevante policore për të vepruar në atë lokacion.
Njësitet kompetente policore gjatë hyrjes në atë lokacion me qëllim të verifikimit të informacionit të siguruar dhe për të zbatuar vendimin zyrtar të autoriteteve të shtetit, gjatë hyrjes kanë hasur në pengesa dhe rezistencë të disa personave që gjendeshin në atë lokacion.Edhe përkundër pengesave dhe rezistencës së shfaqur njësitet policore duke përdorur mjetet e nevojshme dhe të domosdoshme policore, kanë arritur ta verifikojnë informacionin dhe njëherit ta arrestojnë z.Gjuriq i cili ishte prezent në atë lokacion.Policia e Kosovës bazuar në refuzimin e hyrjes në RKS-ë, të njëjtin e ka larguar nga territori i Republikës së Kosovës.
PRESIDENTI THAÇI BËN THIRRJE PËR QETËSI
Prishtinë, 26 mars –Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.