- NËSE SHQIPTARËT DO TË KISHIN MBAJTË PREMTIMET QË I DHANË CAMAJT DO TË KISHIM KATEDRËN E PËRHERSHME TË ALBANOLOGJISË NË NEW YORK/
- KOLIQI DHE CAMAJ NUK MUND TË RRËZOHEN NGA PANTEONI I KULTURËS KOMBËTARE AS ME DOSJET E TIRANËS AS TË BEOGRADIT/
- ERNEST KOLIQI DHE MARTIN CAMAJ, MIQ TË PËRHERSHËM TË VATRËS DHE DIELLIT-/
– GAZETA”DIELLI”, DËSHMI E PËRPJEKJEVE TË PALODHSHME TË PROF. CAMAJ PËR TË HAPË KATEDRËN E GJUHËS DHE KULURËS SHQIPTARE”GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU” NË NEW YORK NË VITET 1986-1989-
– DËSHMI EDHE NË GAZETËN AMERIKANE THE NEW YORK TIMES-
NGA DALIP GRECA
Fushata denigruse kundër dy korifejëve të Kulturës Kombëtare Shqiptare Prof. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj e nisur nga Auron Tare duket se ka për qëllim që të baltos dy kontributorët e mëdhenj në fushën e Letërsisë, Lingustikës dhe kulturës kombëtare në tërësi. Vatra e sheh këtë nismë të Tares, të promovuesëve të tij, dhe atyre që qëndrojnë pas, si vazhdimësi e ekspeditës antikombëtare për të rrëzuar nga Froni simbolet tona kombëtare. Vala e tërbuar që ka mbjellë shtypi i shkruar, portalet elektronike, media sociale në tërësi,si dhe media vizive në trojet kombëtare, ka vënë në shenjestër, me dosjerë policeskë të supozuara e të keqinterpretuar, dy personalitetet e shquara. Nëse Tare shkroi 37 faqe hamendësime në studimin e tij të dyshimtë, media i ka shumëfishuar ato, ndërsa studiot televizive, përfshirë edhe emisionet e atyre, që me emra sllavo-rusë, e kanë shpallë Heroin Kombëtar,antihero, tradhëtar të Kombit,- vazhdojnë t’i japin hapsirë pa limit për të endur rrjetën e shpifjeve me teori konspiracioni. Nuk është e para herë që ndodh një sulm i tillë në rrethana tepër kritike për Trojet e Arbërit. Kështu kanë bërë Taret me shokët e tij me Heroin Kombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu, me Shenjtëreshën Shqiptare Nënë Tereza, me At’ Gjergj Fishtën, me shkrimtarin Ismail Kadare, dhe të tjera figura simbol,që na identifikojnë në Botën Perëndimore.
Për Vatrën, si Ernes Koliqi, ashtu edhe Martin Camaj, mbeten figura të denja të Panteonit të Kulturës Kombëtare, të pazëvendësueshëm dhe të pa rrëzueshëm nga Taret me shokë.
Tares i ka ardhë në ndihmë për ekspeditën e tij ndëshkuese ndaj dy kolosëve të Kulturës Kombëtare edhe fakti se Politika shqiptare(Shteti politik) është treguar e pazonja për të vlerësuar Prof. Ernest Koliqin, Prof. Martin Camaj dhe shumë figura të tjera Kombëtare me kontribut në Kulturën e Kombit, për shkaqe politik-biografike, i kanë mbuluar me harresë dhe i kanë ndëshkuar dhe tash po i ndëshkon edhe Tare për motive të dyshimta.
Vatra ka pasë fatin e mirë që si Profesor Ernest Koliqin ashtu edhe Prof. Martin Camaj t’i ketë patur mysafirë dhe miq të nderuar, e bashkëpunëtorë të gazetës së saj DIELLI. Janë të shumtë shkrimet studimore, eseistike, analitike, letrare, të Prof. Camaj në faqet e Diellit, ashtu si nuk mungojnë as artikujt e Prof. Ernest Koliqit.Kolana e veprës së tyre letrare dhe studimore ndodhet e plotë në bibliotekën e Vatrës.
PROF. KOLIQI DHE PROF. CAMAJ, LIGJËRUS NË SEMINARIN NDËRKOMBËTAR TË 60 VJETORIT TË DIELLI
Të dy korifejtë e Kulturës Kombëtare ishin mysafirë në manifestimin e madh Kombëtar Mbarëshqiptar, që u organizua në Boston dhe në New York në 28-29-30 Nëntor 1969 me rastin e 60 Vjetorit të Gazetës DIELLI. Profesor Camaj, që në atë kohë drejtonte Katedrën e Studimeve Shqiptare në Universitetin Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, u paraqit në seminarin 3 ditor kushtuar Vatrës, Diellit, Historisë dhe Kulturës Kombëtare me ligjëratën“Mbi funksionin e Gjuhës së Nolit dhe të Konicës”. Ndërsa prof.Ernest Koliqi u paraqit me ligjëratën ” Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnisë shqiptare.” Në këtë manifestim të madh kombëtar ligjëruan figura të shquara të Kulturës Kombëtare si At Vincens Malaj, Prof. Zef Valentini, Giusepe Schiro Jr., Prof. Stefan Peters(Profesor në Universitetin Amerikan në Washnigton, ish funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Amerikane), Prof. Louis Solano, pranë Universitetit Cambridge në Harvard University,Dr. Dhimiter Berati, Vicky Kotelly, Profesoreshë e gjuhës frënge në Michigan, Hasan Dosti, juristi i njohur, ish Ministër i Drejtësisë, Kemal Vokopola, nëpunës në degën e Drejtësisë pranë Librarisë së Kongresit në Washington, Ragip Frashëri, në atë kohë përfaqësues në Romë i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara(ACEN), Papas Ignazio Parrino, Studiues dhe profesor në Universitetin e Palermos, ndihmësiI Prof. P.Zef Valentini, Refat Xh. Gurrazezi , ish editor i Gazetës Dielli për disa dekada, Nelo Drizari, ish editor i Diellit, shkrimtar, piktor, përkthyes, Dr. Hamdi Oruçi etj.
PROF. MARTIN CAMAJ DHE KATEDRA E GJUHËS & KULTURËS SQIPTARE NË UNIVESITETIN E NEW YORK-ut
Që kur ishte në manifestimin mbarëshqiptar të 60 vjetorit të Gazetës “DIELLI” e në vazhdimësi Prof. Camajt i lindi ideja për hapjen e një katedre të Gjuhës shqipe në New York. Ideja u bë e nxehtë në vitet 1986-89. Fillimisht bëri përpjekje në Columbia University, por kuotat e pagesës atje ishin më të larta, të papërballueshme nga komuniteti shqiptar. Shkoi dhe në disa universitete të tjerë, duke u përqëndruar në New York, ku jetonte një pjesë e madhe e shqiptarëve me mundësi financiare.
Disa gjurmë të përpjekjeve të tij këmbëngulse gjenden në shtypin e kohës. Gazeta “Dielli” e ka mbajtë lexuesin të informuar gjatë të gjithë kohës dhe ka ruajtë gjurmët e nismës të Prof. Camaj për Kulturën dhe gjuhen Kombëtare Shqipe. Vetëm gjatë vitit 1986 janë tre artikuj të tillë. Në numrin e 16 shtatorit 1986, Dielli hapet në vend të kryeartikullit me shkrimin e titulluar”Një Katedër Albanologjike në Amerikë?” Shkrimi informon lexuesit se ashtu siç ishte shkruar edhe në një numër të mëparshëm ;- gjatë vizitës në SHBA të Prof. Martin Camaj, Kryetari i Katedrës të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, i ishte rikthye sërish komunitetit shqiptar duke përgatitë opinionin për hapjen e Katedrës së gjuhës shqipe dhe Kulturës kombëtare në New York. Ajo vizitë e Camajt kishte zgjatë dy muaj e gjysëm. Gjatë asaj kohe ai kishte vizituar shumë universitete, duke hulumtuar mundësitë e përshtatshme , kushtet qe vinin universitetet amerikane për hapjen e një katedre albanologjike(Albanian Studies).
Gazeta e Vatrës informonte se Prof. Camaj dhe intelektuali amerikan Leonard Fox kishin formuluar një paketë propozimesh, të cilin editori i atëherëshëm Dr.Edward Licho, shprehte shpresën që ta botonte sapo ata ta dërgonin në redaksi. Prof. Fox kishte përkthyer në atë kohë në gjuhën angleze Gramatikën e Prof. Camaj” Albanian Grammar” dhe i njihte mirë kushtet e universiteteve amerikane. Nga ana e tij z. Fox kishte studiuar në Universitetin Columbia në New York dhe kishte punuar shumë kohë si asst.professor.
Gjatë asaj kohe që qëndroi në SHBA Prof. Camaj bisedoi me shumë shqiptarë dhe krijoi opinionin e tij se shqiptarët e mbështesnin masivisht idenë e krijimit të Katedrës albanologjike, dhe do të jepnin ndihmë të pakursyer për të përballuar kuotën financiare që kërkonte universiteti.
Dielli shkruante: Kjo është shenjë e mirë dhe inkurajuse, por kontributin më të rëndësishëm do ta japin vetë shqiptarët.
Dielli e çmonte shumë rëndësinë dhe dobinë e një Katedre Albanolojike në një universitet të mirë amerikan, ku katedra të tilla kishin dhe popuj prej kombsish me numër më të paktë në numër se sa shqiptarët. Gjithësesi Dielli shihte me realizëm edhe vështirësitë që paraqeste krijimi i një katedre albanologjike. Së pari duheshin grumbulluar fondet nga komuniteti dhe kjo ishte sfida më e vështirë, duke mos llogaritur dhe mirëkuptimin mes donatorëve.
Gazeta e Vatrës shkruante se: “nismëtarët e kësaj ideje meritojnë lavdërime dhe përgëzime bashkë me urimet që të dalin me sukses në përpjekjet e tyre. Përsa i përket Federatës Vatra dhe Gazetës Dielli, ne jemi të bindur se do ta përkrahim me gjithë fuqitë tona idenë e ndritur për krijimin e një katedre albanologjike në Amerikë. Vatra dhe Dielli përgjatë të gjithë jetës së tyre kanë përkrahur kurdoherë çdo inisiativë dhe çdo vepër që ka qenë në dobinë e Kombit dhe popullit shqiptar.Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në këtë rast.DIELLI do t’i ketë shtyllat e veta ta hapura…”
KARRIGIA E PËRJETSHME E KULTURËS SHQIPTARE NË N.Y.U
Në gazetën Dielli të datës 30 prill 1987 është botuar nga N.Y.U. paketa e propozimit për hapjen e Katedrës të Gjuhës dhe kulturës Shqiptare”A proposal to establish a Chair In Albanian Culture at N.Y.U.).
Në të shkruhej se Universiteti i Nju Jorkut, universiteti më i madh privat në Shtetet e Bashkuara, kishte kënaqësinë të njoftonte se propozonte krijimin e një karrigeje për Kulturën Shqiptare,( A Chair In Albanian Culture AT N.Y.U) me ndihmën dhe interesimin e palëve të tjera të interesuara. Sipas paketës të publikuar në gazetën DIELLI, karrigia e Kulturës shqiptare kishte koston 1, 2 milion dollar dhe do të ishte e përjetshme. Ajo do të vendosej në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive të Lindjes së Afërt në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave të Universitetit.Kryetari përfaqësues do të ishte i përkushtuar në ruajtjen e Kulturës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbi baza të përhershme, duke vënë në dispozicion udhëzimet në gjuhën, letërsinë dhe historinë shqiptare. Katedra e Gjuhës shqipe do të përcillte një kuptim të gjerë të rolit të Shqipërisë në mjedisin ballkanik dhe mesdhetar dhe do të tregonte interes për rëndësinë moderne të kulturës shqiptare. Duke pasur parasysh kontributet që shqiptarët kanë bërë në Shtetet e Bashkuara dhe pasurinë e trashëgimisë së tyre, ishte koha për të njohur kulturën shqiptare në një institucion kryesor të arsimit të lartë, shkruhej në paketën e propozuar.
Paketa informonte se Universiteti i Nju Jorkut ishte i interesuar për ta hapur këtë katedër. Nisma ishte lehtësisht e arritshme edhe për faktin se shqiptaro-amerikanët përbënin një numër të konsiderueshëm në shtetin e New Yorkut e në shtetet përreth. Universiteti kishte krijuar përvojë dhe i kishte kushtet në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive si për Lindjen e Afërt ashtu edhe Europën Lindore. Ky Departament ishte hapur që më 1966 dhe ofronte gradën Master, Doktoraturë në gjuhë dhe Letërsi të Vendeve të Lindjes së Afërt dhe Diploma universitare për gjuhët e vjetra Lindore etj.Qendra Hagop Kevorkian ishte e specializuar pikërisht për to.
Kjo do të ishte një mundësi e mirë për studentët e interesuar të Katedrës shqiptare për të mësuar gjuhët kryesore të Lindjes së Afërt, të njihnin kulturat e rajoneve të përfshira nga këto gjuhë. Mbi 107 kurse të ndryshme pasuniversitare dhe universitare ofroheshin çdo vit. Në vitet e fundit studentët do të kishin mundësi që të trainoheshin për karriera në mësimdhënie, biznes, shërbim qeveritar etj.
Universiteti i Nju Jork-ut pranonte përmes paketës propozuese se kjo nismë do të kishte rriskun e vet dhe do të përbënte një sfidë për ta financuar plotësisht karrigen e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, por shprehte bindjen se; nëse trashëgimia shqiptare do të ruhej dhe ndahej me shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të ndërmerreshin hapa që në atë moment për të siguruar mbijetesën e saj. Universiteti kërkonte që të mbledheshin 1.2 milion dollarë gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Kontributet ishin të mirëseardhura dhe ekzistonin mundësitë për të marrë një njohje të përjetëshme.
Kontributet që dhuroheshin ishin plotësisht të zbritshme nga taksat sipas Ligjit në Shtetin e New York-ut.
Universiteti jepte dhe alternativë: Kjo shumë(1.2 milion dollarë) mund të sigurohej edhe nga një familje nëse i kishte mundësitë financiare(koha 5 vjet), nëse ndodhte kjo “karrigia” do të emrohej me emrin e dhuruesit(Siç ndodhi kohët e fundit me Katedrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago, që mbanë emrin e filantropit shqiptar-Hidai Eddie Bregu).
Nëse “karrigia” do të financohej nga shumë donatorë, katedra do të mbante emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ashtu siç veprohet në SHBA, donatorët e dhuratave nga njëqind mijë dollarë ose më shumë, të pagueshëm për një periudhë pesëvjeçare, do t’u shkruhej emri në një pllakë, që do të mbetej përjetsisht aty.
Individët, familjet, ose organizatat që do të jepnin kontribute nga $10 mijë deri në $ 99 mijë, do të renditeshin në një vëllim të ruajtur në Bibliotekën e Qendrës Kevorkian; këto dhurata mund të bëheshin gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Dhuratat me më pak se 10 mijë dollarë, si dhe dhurimet më të mëdha, do të shënoheshin në raportin mbi projektin që do t’u dërgohej të gjithë pjesëmarrësve.
Në gazetën Dielli për ata që donin të nisnin kontributet jepeshin informacione te sakta, personi konatktues, adresa: (Director of Development for the Faculty of Arts and Science, 25 West Fourth Street, New York, New York 10012), numriiI telefonit, mënyra e pagesës etj.
SHUMAT E LARTA TË PREMTUARA DHE OPTIMIZMI I PROF. CAMAJT
Prof. Martin Camaj i vijoi përpjekjet dhe erdhi shumë herë në New York për të konkretizuar hapjen e Katedrës. Premtimet e shqiptaro-amerikanëve ia kishin ngrohë zemrën. Dielli 28 shkurtit 1988 botonte në faqe të parë, në vend të kryeartikullit, shumat e premtuara.Pa i përmend emrat(10 nga ata kanë ndërruar jetë), statistikat janë këto: Tri familje premtonin nga $100 mijë, 6 familje nga 50 mijë dollar, 5 familje nga 25 mijë dollar, një familje 20 mijë dollar, 8 familje me nga 10 mijë dollar.
Ndërkohë gazeta The New York Times i kishte bërë jehonë nismës të shqiptaro-amerikanëve në numrin e saj të 13 dhjetorit 1987, ku njoftone se shqiptaro-amerikanët kishin premtuar 950 mijë dollar për themelimin e Katedrës të studimeve shqiptare në njerin ndër universitetet më të njohur të Amerikës, New York University.
Në komentin që bënte vetë Prof. Camaj, në letrën që botonte në Dielli me 28 shkurt 1988, shkruante se” Ky lajm u prit me befasim të admirueshëm në rrethet akademike në Evropën Qendrore dhe në Itali, posaçërisht nga lavruesit e disiplinës albanistike, gjuhëtarë e historian.”
Camaj përcillte ne letrën e tij përgëzimet dhe urimet e nxehta për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por kryekreje për ata shqiptarë të ndritun që garantojnë shumë:”emnat e tyne do të mbesin të përjetësuem në historinë e kulturës shqiptare! Akt për t’u lavdue edhe për gazetën Dielli, që ashtu si i ka hije, u ba zadhanëse e kësaj inisiative…”.
Camaj sqaronte se burimin për të gjithë ata që duan të dinë me saktësi procedurat dhe rregullat e përgjithshme e të posaçme për Chair Of Albanian Studies mund t’i gjejnë në propozimin e Universitetit të New York’ut:A proposal to Albanian CULTURE AT N.Y.U(publikuar në Dielli, 30 prill 1987).
Udhëzime më të plota ishin botuar në Gazetën Dielli me 28 Nëntor 1987 , në artikullin e profesorit të atij Universiteti, Prof. Carl M.. Kortepeter.
Prof. Camaj konstatonte: Si njeri i degës Albanologjike në një Universitet Evropian, më ban përshtypje posaçërisht gjansia e konceptit dhe perspektiva e shkëlqyshme për zhvillimin e studimeve shqiptare në këtë universitet dhe se këtë zhvillim e ka në dorë komuniteti shqiptar në USA. Kjo do të jetë Katedra e parë e studimeve shqiptare në mbarë kontinentin amerikan, ku gjurmohen dhe mësohen landë humanistike, (gjuhë, letërsi, dhe histori Kombëtare), nga të gjitha kontinetet, ashtë fort i përshtatun që të marrë përsipër landë të studimeve tona në rang e shkallë akademike. Seicili që e ka për zemër mbarëvajtjen e studimeve shqiptare, si tash në fazën fillestare të themelimit të Katedrës, ashtu edhe në të ardhmen, e ka në dorë si askund në botë, me inisiativë vetjake, të tregojë sa e don kulturën e vet. E ka në dorë të japë kontributin për specializimin e shkencëtarëve të rinj, të cilëve nesër do t’ju bjerë barra e mbajtjes në kambë të katedrës, prandaj duhet të krijohen sa më shumë bursa studimesh(scholarship); këta shkencëtarë të caktuar për tu aftësue në degët albanologjike, duhet të dalin nga komuniteti shqiptar-amerikan.
Siç dihet ky projekt dështoi. Po përse? Natyrisht jo për shkak të Prof. Camaj, që i bëri shërbimet deri në fund këtij projekti, por për faj të komunitetit shqiptar, që nuk mbajti fjalën e dhënë. Dielli kontaktoi disa nga personat e përfshirë në këtë projekt me dëshirën e mirë atdhetare për t’i shërbyer Kulturës Kombëtare. Ata dhanë fakte të përjetuara,dhanë opinionet e tyre për dështimin, por ne këtë shkrim nuk po përmendim emra. Qëllimi ishte të sillnim për lexuesin përpjekjet e Prof. Camaj për hapjen e Katedrës. Shkaqeve do t’ju rikthehemi së shpejti.Nëse bashkatdhetarë të tjerë kanë informacion, kanë qenë vetë pjesë e projektit, ose thjeshtë kanë dëgjuar apo lexuar, ata mund të kontaktojnë me Editorin me telefon ose me emailin:gazetadielli@gmail.com.