*Muharrem Hudënishti një apel për Historinë/
*në gjurmë të një luftëtari patriot përmes faqeve të Monografisë “Muharrem Hudënishti atdhetar me rrënjë e shpirt” autorë Haki Balliu, Flori Slatina/
Nga Dhimitër Gegprifti/
Nuk është një rastësi, por një realitet historik, kur do të mbylli kalendarin e ditëve të tija viti 2015 dhe do të shfletojë fletët e para Viti i Ri 2016. Ky ndërrim vitesh lidhet me një përvjetor, që nuk duhet të kalojë në heshtje biblike, siç ka kaluar jo pak, por rreth tetë dekada, deri në vitin 2012, kur filloi të dali në dritë e të vlerësohet kontributi patriotik i përmasave të bashkëkohësve dhe bashkëluftëtarëve të Muharrem Xhydollarit (Hudënishti), megjithëse edhe Demokracia shqiptare kishte hyrë në dekadën e dytë të saj. Ky vit mbyll 139-vjetorin e lindjes dhe 23 nëntori po i këtij viti shënoi 76-vjetorin e vdekjes së këtij patrioti të vërtetë sa Hudënishtar, aq Pogradecar, Korçar, po aq Mokrar e Gorar, pse jo dhe Strugan. Të gjitha këto të marra së bashku, të sintetizuara në një të vetme kanë shërbyer si një motiv i fuqishëm, patriotik e njerëzor i autorëve H.Balliu e F.Slatina për t’iu drejtuar për disa vite rresht arkivave, koleksioneve dhe botimeve të ndryshme në mënyrë shteruese duke kërkuar për patriotin e anatemuar nga historia dhe historigrafia shqiptare, për faktin e “thjeshtë”, se luftoi e sakrifikoi jetë e pasuri nën moton e pavdekshme “Nder e Atdhe”.
Me punën e tyre ata bënë të mundur të sjellin para lexuesit me librin e tyre jetën dhe sakrificat sublime, kur atdheu ynë Shqipëria thërriste bijtë e saj, ku veçon figurën humane e luftëtare të këtij patrioti të madh, ta mbronin nga invazionet e të gjitha anëve, por më i theksuar ai: osman, grek, serb, bullgar dhe italian. E ndër dhjetra e dhjetra syresh, midis tyre e bashkë me ta dëgjohet fjala dhe emri i M. Hudënishtit, dëgjohet krisma e dyfegut të tij, dëgjohet kënga “Për Mëmëdhenë”, por gjejmë edhe firmën në letra e proklamata drejtuar Fuqive të Mëdha dhe personaliteteve të kohës vetëm për çështjen shqiptare, për kufijtë, për teritoret, për Lirinë e Shqipërisë. Në historinë e këtyre trevave janë të rrallë rastet, kur trima të çartur popullor, si Muharremi me shokë të “braktisin” mbiemrin e të marrin mbiemër emrin e vendlindjes, të shkrihen një me të e të bëhen mish e gjak, duke mos jetuar pa njëri-tjetrin. Një i tillë ishte dhe u bë heroi ynë Muharrem, po kështu i madhi Lasgush Poradeci, Gjok Shqiptari, Todi Mokrari, Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni, Aqif Pashë Elbasani, Kajo Babjeni, Ismail Dërdusha e të tjerë. Autorët Balliu e Slatina me këtë botim, por edhe pasardhësit e trungut të M. Hudënishtit me interesimin e tyre plotësojnë më së miri jo thjesht një histori familjare, por bëhen edhe një burim informacioni për historinë shqiptare, që deri tani ka qenë i shpërndarë në faqe librash e gazetash, të shkruar nga autorë të huaj dhe vendas, duke na sjellë para syve tanë dhe memorjes sonë figurën e plotë të këtij patrioti të denjë për t’u bërë pjesë reale e historisë së Shipërisë.
Prandaj, mendojmë ne, që ky botim është edhe një apel për historinë dhe historigrafinë tonë, e cila ka anashkaluar jo pa qëllim vlera të tilla.
Ato tashmë kanë dalë në dritë të vërtetë nga: “Mbi honin e Ferrit”, “Hudënishti në rrjedha të Historisë” të M.Hudënishtit, (i riu) dhe “Muharrem Hudënishti atdhetar me rrënjë e shpirt” i të dy autorëve. Ky botim është para së gjithash një homazh për këtë patriot, por edhe për historinë shekullore të kësaj familje me tradita në të gjithë jetën e saj.
Në mënyrën e konceptimit, të trajtimit, të konfigurimit, në formë e në përmbajtje i takon denjësisht letërsisë dokumentare, por i pasuruar edhe me praninë e elementit subjektiv të autorëve për personazhe apo ngjarje të kohës duke i vlerësuar ato me këndvështrimin e tyre specifik atdhetar.
Autorët me mënyrën e strukturimit të librit u përmbahen dy linjave kryesore: Jeta, nga lindja më 1876 e Hudënishtit, luftrat dhe përpjekjet deri në sakrificë sublime më 23 nëntor 1939 në burgun e Tiranës dhe linja e dytë që fillon me ngjarjet e 19 dhjetorit 1912 deri në 7 prillin e vitit 1939. Linja që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ato regjistrojnë e datojnë ngjarje kulmore e të dhimbëshme të popullsisë së këtyre trevave, dhe njëherësh ato janë dhe një provë reale, ku zbulohen cilësitë, veprimet dhe qëndrimet ndaj tyre të shtresave të ndryshme të popullsisë dhe të luftëtarëve patriotë në ato vite. Raporti dhe marrdhëniet me to të M.Hudënishtit, ku spikasin cilësitë e tij atdhetare, ku çdo veprim e qëndrim e lidh me Atdheun.
Ashtu si vdekja e M.Hudënishtit mbetet një enigmë, tani enigma për jetën dhe veprën e këtij patrioti të këtyre përmasave dhe të trungut të tij familjar është e zgjidhur dhe është në dritë të diellit, u shkri përfundimisht ajo mjegullnajë e hamendësuar informative e qëllimshme ose jo. Tashmë realiteti historik është i dokumentuar dhe për këtë merita u takon autorëve, H.Balliu, i veçantë me erudicionin e tij në këtë fushë dhe F.Slatina specialist për konceptimin dhe trajtimin e këtyre temave kushtuar figurave të tilla. Për Muharrem Hudënishtin Demokracia nxori në dritë veprën e tij patriotike, si pjesë e veprimtarisë së tërë patriotizmit të kohës, i shprehur në të gjitha ngjarjet e mëdha historike nga Lidhja e Prizrenit, Luftrat Ballkanike e ato Botërore, nxori në dritë motivet dhe humanizmin shpirtëror të këtij njeriu dhe të kësaj familje, kontributet e pallogaritshme të saj në interesin kombëtar.
Të gjitha këto vlera të anatemuar i shkundën autorët nga pluhuri i rëndë i harresës së qëllimshme me këtë botim historik dokumentar, që qetëson shpirtin e pasardhësve të sotëm të kësaj familje dhe njëherësh shton krenarinë për të kaluarën e tyre historike. Jeta, vepra, luftrat, përpjekt, sakrificat e M. Hudënishtit duhen parë e vlerësuar në një këndvështrim tjetër me një diapazon më të gjerë, pasi i tillë është kontributi i tij në histori, i barazvlerësuar dhe barazpeshuar me bashkëkohësit e tij, në mos më shumë. Vlerësimet “Certifikatë Nderi”, “Nderi i Komunës”, “Certifikatë Mirënjohje” nuk janë të mjaftueshme për shumë arsye, kur mendojmë se “ishte më shumë se luftëtar popullor”, “ishte më shumë se Dëshmor”, kur “ e kualifikojnë të futet në histori e të ngrihet në përmendore” në fshatin e tij apo në qytetin e Pogradecit, që i deshte dhe i vlerësonte aq shumë. Këtë duhet ta bëjë dikush. Historia bën Apel.