• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUHARREM XHYDOLLARI (HUDENISHTI) KUJTIMET E SPAÇIT, BURGOSJA, INTERNIMI DHE LIRIA…

March 19, 2021 by dgreca

Këndi i kujtesës në DIELL/

Muharrem Xhydollari (Hudenishti) i persekutuar, i përndjekur dhe i burgosur prej komunistëve me 9 vite në burgun e Spaçit, me 5 familjarë të pushkatuar prej komunistëve dhe i dënuar me 5 vite internim pas lirimit nga burgu, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, persekutimin personal dhe familjar, histori rrënqethëse të burgut të Spaçit, njohja me klerikët dhe elitën intelektuale të kombit si Imzot Zef Simoni, Imzot Ernest Troshani, Don Mark Hasi, At Zef Pllumi, Visar Zhiti, Evgjen Merlika, Dine Dine, Lek Mirakaj e të tjerë. Me Muharrem Xhydollarin (Hudenishti) bashkëbisedoi gazetari i Diellit Sokol Paja. 

SI U PERSEKUTUA PREJ KOMUNISTËVE MUHARREM XHYDOLLARI

Ndaluan pranë meje. Ju jeni Muharrem Xhydollari? Po, -u përgjigja. Do të vish me neve, -foli njëri prej tyre, jemi dega e brendshme. Nuk fola, u ula në sediljen prapa të xhipit, në mesin e dy civilëve dhe pa folur fare ndaloi në hyrje të fshatit tim. Ai që rrinte në vendin e parë të makinës, hapi xhamin dhe pyeti një person që u ngjante shoqëruesëve të mi. He, filluan, -tha ai. Mori përgjigjen po. (bëheshe fjalë për kontrollin e banesës time). Atëhërë dy anësorët e mi, nxorrën prangat dhe më thanë me zë shumë të butë: -Je i arrestuar, dhe mi lidhën duart para. Më zgjidhën kur më futën në dhomën e izolimit. Më morën pas dy javesh në pyetje. Kjo vonesë shpjegohej se mbas arrestimit mblidhnin denoncimet. Hetusi më dha të lexoj urdhërin e arrestit. E lexova, ishte urdhëri i prokurorit të përgjithshëm. -Kaq për sot, -tha hetuesi. Ai bëri prezencën e tij: -Jam Ferit Sula, tha, dhe më dorëzoi tek përgjegjësi i burgut. 

HETUESIA NË DY FAZA

Hetuesinë do ta ndaja në dy faza. Emri i xhelatit tim që e lart shkrova, vetëm njeri nuk mund të ishte. Por për fatin tim ai nuk qëndroi shumë në Pogradec, dhe shkoi me ngritje në Tiranë( thonë se sot është resident në Gjermani.) Atë e zëvendësoi Hektor Shehu (tepelenas), mësues kishte qenë profesioni i tij. Ai me pak specializime kishte përfituar profesionin më të ndyrë në botë, atë të xhelatit. Por ai nuk u tregua i tillë, nuk preferoi keqtrajtim përveç prangave dhe birucës. -Ti nuk mund të dalësh i pafajshëm, më tha, sepse rrethanat tuaja familjare nuk të favorizojnë aspak. Je ky që je prandaj je i fajshëm. Ti, vazhdoi ai, të kap ligji i parandalimeve të krimeve në fuqi, që shpjegohet me nenin e agjetacionit e propagandës. Ai fare shkurt mbylli dosjen dhe e çoi për gjykim. 

IZOLIMI NË BIRUCAT E HËTUESISË

Në dhomën e izolimit, u riktheva mendimit për të parë historinë time dhe arsyeve pse unë isha paracaktuar për tu dënuar. Unë u linda dhe u rrita në një familje që kanë nxjerrë njerëz me ndikim politik, në interes të fateve të atdheut që nga Rilindja, Pavarësia, Lufta e Parë Botërore, Formimi i Shtetit Shqiptar dhe Lufta Nazifashiste. Urrejtja anti- sllavo-komuniste që familja ime kishte, bëri që të pësoj shkallën më të lartë të persekutimit. Si i tillë, isha paracaktuar për tu dënuar. Ishte një periudhë që individë të cilët ishin në shënjestër të organeve të sigurimit, i thërrisnin në tubime masive në kooperativë bujqësore, ndërmarje shtetërore, ferma, fshatra etj. Dhe ju bëheshin kritika politike diskriminuese. Kjo për terror në popull. Por dhe gjyqet eksperimentale këtë qëllim kishin. Unë do gjykohesha në fshatin tim. Salla e gjykimit mbeti me shumë pak fshatarë. Morën maturantët e gjimnazit dhe i futën në sallë. Ata sapo më panë mua të prangosur dhe të shoqëruar me policë, ikën dhe nuk qëndruan në gjykimin tim. Vetëm dy tre persona të autorizuar u ngritën dhe folën kundër meje vetëm se unë isha biri i një familjeje që nuk ishte pajtuar me Politikën komuniste dhe si i tillë duhet të dënohesha. Disa kuadro të fshatit folën mbase dhe për të mbrojtur veten se nuk dinin gjë që unë kisha bërë agjitacion e propagandë. Se unë kisha folur pro B. Ballukut, dhe P. Dumes, me të cilët neve i kishim ndarë punët që nga 1944. Pse unë kisha folur se fusha e Kosovës ishte e madhe dhe shumë pjellore! -Ky qen bir qeni, tha dëshmtari, pse nuk thoshtë për fushën e Myzeqesë dhe atë të Korçës që janë hambarët e Shqipërisë por fliste për Fushën e Kosovës që janë revizionista. Ja kjo ishte llogjika që më quajtën mua fajtor dhe më dënuan me 10 vjet heqje lirie. Dhe fragementet e tjera që plotesonin dënimin maksimal për agjitacion dhe propagandë. Por ka dhe diçka që të çudit, sa mbaroi gjykimi, hetuesi erdhi në dhomën e izolimit dhe më tha: -E more vesh sa u dënove ? -Po, i thashë, 10 vjet. -Më pak do të dënoheshe, tha ai, por fshati të rëndoi më shumë. -Po fshatarët nuk folën keq për mua, i thashë. -Po pikërisht se nuk folën keq, pa more maksimumin, se po të flisnin keq ata do të kishte dënim më të ulët. Kjo do të thoshte se sa më shumë të të donte populli aq më shumë të dënonte partia-shtet. 

ME DON MARK HASIN DHE DJALIN E PETRO MARKOS

Ditën që shkova në Kaush-Burg, në  Tiranë po atë ditë erdhi dhe Jamarbër Marko (Mado), djali i shkrimtarit Petro Marko, i dënuar. Me atë kaluam së bashku një kohë jo shumë të gjatë e formuam shoqëri. Kaushi ishte plot me të burgosur. Kishte dhe të ardhur nga Kamp-Burgu i Ballshit. Don Mark Hasi, orator i madh i kishave katolike në Shqipëri dhe i tillë ishte. Zëri i tij kumbues tingëllonte, si kambanat e hershme të kishave, ai të tërhiqte dhe të bënte për vete. Na jepte këshilla dhe leksione të shkurtra plot moral. Për shkak të moshës së tij, unë dhe Madua, futeshim në garë se kush mund ti shërbente më shumë atij. Ai shkoi të vazhdonte vuajtjen e dënimet në Ballsh. I dhashë një palë çorape leshi t’ja jepte babait tim atje që vazhdonte të vuante 23 vit pa ndërprerje. 

BURGU I SPAÇIT NJË FANTAZMË E LLAHTARSHME

Tashmë vendi ku do të vazhdojë dënimi, aplikoheshe dhe puna e detyruar. Ishte miniera e Kamp-Burgut të Spaçit Mirditë. Porsa zbrita nga autoburgu, pashë një vend fantazmë, që as fantazitë hollivudiane nuk mund të improvizonin një skenë të ngjashme llahtare për filmat e tyre. Vend monster, ku parashikohej dhe mos dalja gjallë prej aty! Kjo sepse, emrat e të sapo arrestuarve politikë vijëzoheshin me vijë të kuqe në rregjistrat e gjendjes civile. Demogagjia komuniste e quante Spaçin kamp rehabilitimi. Mjetet e rehabilitimit ishin: uria, puna rraskapitëse, biruca dhe izolimi, përmes të cilave të dënuarit duhej të arrinin e ta çmonin diktaturën. Vetëkuptohet: jo vetëm të të rrah por dhe të mos qash. Por edhe ta duash. Kampi gjendej i futur mes grykës së Spaçit në faqen lindore të një shpati të ngushtë në fundin e të cilit gjarpëronte një përrua acid me ngjyrë okër në të jeshiltë, që do ti përshtatej ferrit. Në ato godina, nuk të besohej se banonin 1200 vetë. Në çdo 8 orë që quheshin turne, vargu i të dënuarve ishte i pa mbarimtë. Ku vinin gjithë ata njerëz të shpërfytyruar? Dilnin nga ky kafaz telash hermetik, e merrnin rrugën në një malore shumë të thyer për tu futur në galeritë e zeza të piritit dhe bakërit. Përshkrime për këtë vend vuajtje kanë bërë dhe shumë pena të tjera, dhe nuk dua të zgjatëm. 

KOMUNISTËT BËNIN TERRORIZËM, KUSH VRISTE SHPËRBLEHEJ ME LEJE

Mbamendja ime, nuk shkëputet nga tre-katër episode fare të veçanta për mua, mbasi kam asistuar vetë. Mbeten të paharruara. Ekzekutimi me armë zjarri i Miho Shëngjergjit, nga rrënjët e rrethimit, ishte i pabesueshëm. Miho ishte i moshuar dhe nuk mund të kalonte telat me shumë rrethime. Ata e vranë në kamp brenda rrethimit. Por një shqetësim të tillë të dënuarit e Spaçit e hoqën pak javë përpara. Kur rojet e rrethimit, kishin qëlluar të dënuarin Alem Luzi nga Kanina e Vlorës. Alemin, hetuesia e kishte çuar në atë fazë sa ai nuk mund ti rezistonte qëndrimit në këtë kafaz. Rexhep Goci nga Tropoja duhet të kryente dhe 11 ditë burg, për këtë nuk e kishte kapur amnistia e viti 1982. Ai u caktua të punonte në zonën e dytë. Rojet e rrethimit, e qëlluan me breshëri automatiku, jo në zonën e ndaluar. Roja që qëlloi u shpërblye nga komanda me leje për të shkuar pranë familjes, por mësuam me vonë nga Librazhdasit se mbas vitit 1990, ai drejtoi një seksion të partisë demokratike. Në javën e parë të qershorit na ranë të punonim turnin e tretë, grupi i Frederik Tarrellit me Luc Vukën e Arben Dilën, punonin në një front që rrezikohej jeta e tyre nga koha në kohë. Dhe ashtu ndodhi. Mali u shemb, Frederiku shpëtoi me pak lëndime, Arben Dila përfundoi në spital nga ku doli i shëruar. Ndërsa Luca, i dashuri dhe i dhimbsuri ynë, mbeti aty nën mal, ku eshtrat e tij do të vijë një ditë, të dalin si filiz i një përmendoreje e cila do tu bashkohet përmendoreve të shokëve tanë që ju mor jeta nga diktatura komuniste. Në kamp burgun shfarosës Spaç-Mirditë, Luc Vuka, ky djalosh i Malësisë së Madhe, luftoi deri ditën e fundit. Me armën e tij që ja kishte falur zoti (sarkazmën) me anën e të cilës për çdo ditë vrau, therri, rropi e poshtëroi diktatorët e sistemit më të urryer në botë ato komunist e enverist. Për këtë Luca rrjeshtohet i njëllojtë me atë që prodhuan letërsinë, brenda këtij ferri dhe jashtë tij. 

RIARRESTIMET E RIDENIMET E TË BURGOSURVE

Të paharruara mbeten dhe riarrestimet e ridenimet që individë fatzinj nuk do ti jepnin atë që quhej liri. Se simbas jeshileve (ngjyra rrobave të sigurimit të shtetit), përbënin rrezikshmëri shoqërore. Duke mos përshkruar hollësi në kujtimet e mia, i rikthehem porsaardhjes në këtë kamp shfarosës. Porsa zbrita nga autoburgu veç çfarë përshkrova më lart, pashë një dendësi të madhe të asaj popullsie që i ishte hequr liria. Njerëz të shpërfytyruar, fytyrat e tyre jo vitaminoze të jepnin përshtypjen se ishin jashtokësorë, si tablo të shpirtra të vdekur të Nikolla Gogolit. Ditët kalonin në ankth për tu ambjentuar në atë vend dhe me ata njerëz që unë kisha bashkuar fatet, jetën. Njerëz me mosha të ndryshme, me kultura të ndryshme por edhe të shtresave të ndryshme, që më vonë pashë dhe mësova që një pjesë e tyre, jetonin me shpresë dhe pjesa tjetër me besim. Në këtë kamp, ditët kalonin dhe jeta harxhohej, kujtesa e kësaj jete që harxhohej do të luftonte kundër harresës që i  duhej sistemit dhe pushtetit katil. Që përjetësohej kjo kujtesë, duheshin luftëtarë inteligjentë, trima e të besuar ndaj njëri-tjetrit, gjë që në këtë dendësi popullate nuk mungonin. Ndjeshmëria e atyre mendjendriturve, çdo eveniment që ndodhte me fshehtësi të madhe e hidhnin në letra duke shkruar në gjini të ndryshme, në poezi, prozë e të tjera. 

PERSONALITETE TË BOTËS SHQIPTARE NË BURGUN E SPAÇIT

E për të mos mbetur pa autorsi, ata gjenin (lulja-lulen), konsultoheshin dhe shkëmbenin shkrimet e njëri tjetrit, pra kështu formoheshin rrethe letrare që do të përjetonin ditët e vitet e zeza në këtë vend të zi. Kështu në një grupim djema pasionantë ishin Zydi Morava, Ylber Madani, Ferit Tahe, Shefqet Dobra, Ali Laze, Maks Rakipi, Hasan Bajo, Eqerem Muja, Gezim Medolli, Pellumb Lame, Xhemal Mustafarai, Vilson Zeko, Fatmir Lame. Por dhe në nivelin e profesionit, jo të pasionit ishin Visar Zhiti, At Zef Pellumbi, Evgjen Merlika, Dine Dine, Lek Miraka, të cilët jo vetëm që nuk harruan ato që shkruan në Spaç Burg por shkrimet e tyre projekti i të cilave ishin që nga ajo kohë e izolimit, qëndruan në një shkallë të lartë të dissidences kombëtare shqiptare. Shkrimet e autorëve të lartshkruar në Kamp-Burgun e Spaçit janë një ndërthurje e letersisë, dhe ngjarjeve reale. Kjo letersi e shkruar në kafazin hermetik me gjemba do të duhej që të kthehet në vizionin pamor nëpërmjet shiritave filmike, ku rolet kryesore ti realizojnë artistë, karakteret e të cilëve u shkojnë shkrimeve të autorëve që në librat e tyre kanë hedhur të vërtetat e asaj jete të hidhur që ende nuk ka kaluar. Për mua veç dënimit me 10 vjet heqje lirie, vështirësi të veçante më shkaktonin dhe vuajtjet e nënës, vëllezërve dhe motrës, të cilëve ju shumëfishua një luftë klase e tmerrshme, ballas jo vetem nga organet e sigurimit të shtetit por dhe me popullatën e fshatit, rrethit e me gjëre. Atyre ju ngarkuan një internim të gjatë me vite, dhe i levizen disa herë nga vendi i internimit derisa i degdisen në një mal mes Beratit, Permetit dhe Tepelenës. Ky ishte një fshat që si i thonë fjalës hante pula gure. Jetonin mes masash të rrepta sigurie. Asnjëhere nuk i lejuan që mua të më vinin në burg për takim. 

NGA AT ZEF PLLUMI, TE DON SEF SIMONI DHE KARDINAL TRASHANI

Pikësynimi kryesor i diktaturës ishte të luftonin klerikët katolikë dhe institucionet ku ata shërbenin deri në zhdukje të plotë. Vitet 1975-85, ishin të pak vona por në burgun e Spaçit vuanin dënimin disa nga këto personalitete. Ata edhe pse i përkisnin moshës së tretë, vazhdonin të qëndronin brenda shpirtit njerëzor. Të përndershmit: Ernest Trashani, Kolec Andoni, Zef Kol Hardhia (Simoni), Zef Ashta, Pader Zef Pellumbi, Dom Ndoc Sahatçija. Ata qëndronin shumë afër me bashkëvuajtësit e tyre, ishin të moralshëm dhe jepnin moral. Nuk përziheshin me biseda që komentohej politika. Përveç Zef Pellumbit, që ishte dhe më i freskët  në mendje se kolegët e tij. Ai kontaktonte me bashkëvuajtësit, i studionte ata dhe regjistronte në memorien e tij, ato material që do ti duheshin për shkrimet brilante që më vonë do ti realizonte. Padër Zef Pellumbi  edhe kur u lirua nga burgu nuk i humbi kontaktet me bashkëvuajtësit. Ai për humanzimin që kishte u lidh me disa shoqata humanitare që vepronin rreth Vatikanit dhe ju garantoi shokëve të burgut një shumë financiare modeste. Kjo ndihmë vazhdoi për disa muaj rresht dhe ishte në kohën më të përshtatshme, për të sapoliruarit nga burgjet komuniste. E shkuara mbetet një kujtesë krimesh që janë zhdukur vlera kombëtare. I ka kushtuar shumë zhvillimit të vendit tonë. Mund të them për sketerrën që e kaluam, nuk shkitet nga mendja dhe ëndrrat na shfaqen po për atë kohë. Por sot është për tu theksuar vetëm “e drejta” që mbajti të njëjtën linjë edhe në post-diktaturë. Duhet që komunizmi të lexojë vetveten, sepse njeriu shqiptar dhe mbas komunizmit trashëgoi një moral të deformuar, atë të mercenarit të cilën vazhdon ta këtë dhe mbas ndryshimeve politike për këto 30 vjet. Por ne, nuk i takojmë atyre që shpresojnë por atyre që besojnë. Prandaj dhe shoqëria civile mbetet e paralizuar. Për më të mirën, besojmë, besojmë, besojmë. 

FAMILJA PATRIOTIKE HUDENISHTI

Gjyshi im Muharrem Hudenishti, ishte oficer i Mbretërisë Shqiptare, luftëtar i lirisi i lidhur me rilindasit që nga viti 1905. Ai është ekzekutuar me 23 nëntor 1939 nga fashizmi italian. Babai im Besim Hudenishti, ekonomist i lartë mbaruar në Austri në 1934. I burgusor politik nga sllavo-komunistët. Kreu 29 vjet e gjysëm heqje lirie, mbas tre muajsh që u lirua vdiq në internim në vitin 1982. Babai im Besimi u dënua nga fashistët në 1941 me 16 vjet burg, një pjesë të dënimit e vuajti në Cambo Baso në Itali. Xhaxhai im Nuri Hudenishti, kishte mbaruar akademinë ushtarake në Itali në vitin 1937. U internua në Ulqin nga fashizmi një prej 37 vetëve të internuara për dy vjet e gjysëm. Formoi grupimin politik të legalitetit. Si drejtues i këtij grupimi për juglindjen e Shqipërisë, bashkëpunoi me Abaz Kupin dhe shumë veriorë zogistë. Aktivitetin e Nuriut kundër nazi-fashizmit, e vërtetojnë këshilltarët anglezë, që kanë vepruar në Shqipëri, Bill Maklean e David Smajli në librat e tyre. U pushkatua nga komunistët në 10 korrik të vitit 1946. 

Filed Under: Featured Tagged With: Muharrem Hudenishti, Sokol Paja

Kujtojme Poetin Disident Vilson Blloshmi ne 73 Vjetorin i Lindjes

March 18, 2021 by dgreca

Nga Muharrem Hudenishti-New Jersey/ Vilsoni, biri i nje familjeje i penes dhe pushkes. Mbiemri Blloshmi personifikon nje ballade qe i pari i tyre shquhej si luftetar dragua, ne lufte me Osmanllinjte e shume perkrahes te prijsit Gjork Golemi. 

Baladat nuk ishin shume fat i ketij fisit. Blloshmi ne te gjitha koherat nxorri personalitete me ndikim per fatet e vendit, pervec sllavo-komunizmit shqiptar, qe kete fis e shfarrosi. Per te vetmen arsye qe ata nuk ju pershtaten diktatures. Nuk kishte shance qe te permbyset kjo flame e keqe nga forcat me ndjenja kombetare, sepse fuqine ajo e merrte nga qendrat e proletariatit. Por menyra qe kjo force anti- njerezore te mallkoheshe nga Saharaja, duheshe pena e disidentit Vilson Blloshmi, i cili u martirizua nga dora e diktatorit Enver Hoxha. Sot ne 73-vjetorin e lindjes Saharaja e poshte -shkruar e perjeteson kete figure per te qene i paharruar nder brezat qe jane dhe do te vijne. 

Saharaja 

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir. 


Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Vilson Blloshmi ishte i bindur se si letrar nuk do ti pershtatej kurre botes ne te cilen jetoi. 

Ai, edhe sikur ti sherbente realizmit socialist, perseri do te mbetej i huaj per kohen. Ate, koha nuk e pranonte per te sajin, e kishte flakur tej… edhe kur u perball me te- nuk iu neneshtrua asaj. Ai doli permbi kohen kur jetoi. Poezia e tij mori cmimin qe i dha ajo-koha- e gjakte, ekzekutimin nga Tirania. Ai nuk e tradhetoi as jeten as letersine…

Filed Under: Politike Tagged With: 73 vjetori i Lindjes, Muharrem Hudenishti, Vilson Blloshmi

Martirë të Historisë

January 4, 2016 by dgreca

*Muharrem Hudënishti një apel për Historinë/
*në gjurmë të një luftëtari patriot përmes faqeve të Monografisë “Muharrem Hudënishti atdhetar me rrënjë e shpirt” autorë Haki Balliu, Flori Slatina/
Nga Dhimitër Gegprifti/
Nuk është një rastësi, por një realitet historik, kur do të mbylli kalendarin e ditëve të tija viti 2015 dhe do të shfletojë fletët e para Viti i Ri 2016. Ky ndërrim vitesh lidhet me një përvjetor, që nuk duhet të kalojë në heshtje biblike, siç ka kaluar jo pak, por rreth tetë dekada, deri në vitin 2012, kur filloi të dali në dritë e të vlerësohet kontributi patriotik i përmasave të bashkëkohësve dhe bashkëluftëtarëve të Muharrem Xhydollarit (Hudënishti), megjithëse edhe Demokracia shqiptare kishte hyrë në dekadën e dytë të saj. Ky vit mbyll 139-vjetorin e lindjes dhe 23 nëntori po i këtij viti shënoi 76-vjetorin e vdekjes së këtij patrioti të vërtetë sa Hudënishtar, aq Pogradecar, Korçar, po aq Mokrar e Gorar, pse jo dhe Strugan. Të gjitha këto të marra së bashku, të sintetizuara në një të vetme kanë shërbyer si një motiv i fuqishëm, patriotik e njerëzor i autorëve H.Balliu e F.Slatina për t’iu drejtuar për disa vite rresht arkivave, koleksioneve dhe botimeve të ndryshme në mënyrë shteruese duke kërkuar për patriotin e anatemuar nga historia dhe historigrafia shqiptare, për faktin e “thjeshtë”, se luftoi e sakrifikoi jetë e pasuri nën moton e pavdekshme “Nder e Atdhe”.
Me punën e tyre ata bënë të mundur të sjellin para lexuesit me librin e tyre jetën dhe sakrificat sublime, kur atdheu ynë Shqipëria thërriste bijtë e saj, ku veçon figurën humane e luftëtare të këtij patrioti të madh, ta mbronin nga invazionet e të gjitha anëve, por më i theksuar ai: osman, grek, serb, bullgar dhe italian. E ndër dhjetra e dhjetra syresh, midis tyre e bashkë me ta dëgjohet fjala dhe emri i M. Hudënishtit, dëgjohet krisma e dyfegut të tij, dëgjohet kënga “Për Mëmëdhenë”, por gjejmë edhe firmën në letra e proklamata drejtuar Fuqive të Mëdha dhe personaliteteve të kohës vetëm për çështjen shqiptare, për kufijtë, për teritoret, për Lirinë e Shqipërisë. Në historinë e këtyre trevave janë të rrallë rastet, kur trima të çartur popullor, si Muharremi me shokë të “braktisin” mbiemrin e të marrin mbiemër emrin e vendlindjes, të shkrihen një me të e të bëhen mish e gjak, duke mos jetuar pa njëri-tjetrin. Një i tillë ishte dhe u bë heroi ynë Muharrem, po kështu i madhi Lasgush Poradeci, Gjok Shqiptari, Todi Mokrari, Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni, Aqif Pashë Elbasani, Kajo Babjeni, Ismail Dërdusha e të tjerë. Autorët Balliu e Slatina me këtë botim, por edhe pasardhësit e trungut të M. Hudënishtit me interesimin e tyre plotësojnë më së miri jo thjesht një histori familjare, por bëhen edhe një burim informacioni për historinë shqiptare, që deri tani ka qenë i shpërndarë në faqe librash e gazetash, të shkruar nga autorë të huaj dhe vendas, duke na sjellë para syve tanë dhe memorjes sonë figurën e plotë të këtij patrioti të denjë për t’u bërë pjesë reale e historisë së Shipërisë.
Prandaj, mendojmë ne, që ky botim është edhe një apel për historinë dhe historigrafinë tonë, e cila ka anashkaluar jo pa qëllim vlera të tilla.
Ato tashmë kanë dalë në dritë të vërtetë nga: “Mbi honin e Ferrit”, “Hudënishti në rrjedha të Historisë” të M.Hudënishtit, (i riu) dhe “Muharrem Hudënishti atdhetar me rrënjë e shpirt” i të dy autorëve. Ky botim është para së gjithash një homazh për këtë patriot, por edhe për historinë shekullore të kësaj familje me tradita në të gjithë jetën e saj.
Në mënyrën e konceptimit, të trajtimit, të konfigurimit, në formë e në përmbajtje i takon denjësisht letërsisë dokumentare, por i pasuruar edhe me praninë e elementit subjektiv të autorëve për personazhe apo ngjarje të kohës duke i vlerësuar ato me këndvështrimin e tyre specifik atdhetar.
Autorët me mënyrën e strukturimit të librit u përmbahen dy linjave kryesore: Jeta, nga lindja më 1876 e Hudënishtit, luftrat dhe përpjekjet deri në sakrificë sublime më 23 nëntor 1939 në burgun e Tiranës dhe linja e dytë që fillon me ngjarjet e 19 dhjetorit 1912 deri në 7 prillin e vitit 1939. Linja që janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Ato regjistrojnë e datojnë ngjarje kulmore e të dhimbëshme të popullsisë së këtyre trevave, dhe njëherësh ato janë dhe një provë reale, ku zbulohen cilësitë, veprimet dhe qëndrimet ndaj tyre të shtresave të ndryshme të popullsisë dhe të luftëtarëve patriotë në ato vite. Raporti dhe marrdhëniet me to të M.Hudënishtit, ku spikasin cilësitë e tij atdhetare, ku çdo veprim e qëndrim e lidh me Atdheun.
Ashtu si vdekja e M.Hudënishtit mbetet një enigmë, tani enigma për jetën dhe veprën e këtij patrioti të këtyre përmasave dhe të trungut të tij familjar është e zgjidhur dhe është në dritë të diellit, u shkri përfundimisht ajo mjegullnajë e hamendësuar informative e qëllimshme ose jo. Tashmë realiteti historik është i dokumentuar dhe për këtë merita u takon autorëve, H.Balliu, i veçantë me erudicionin e tij në këtë fushë dhe F.Slatina specialist për konceptimin dhe trajtimin e këtyre temave kushtuar figurave të tilla. Për Muharrem Hudënishtin Demokracia nxori në dritë veprën e tij patriotike, si pjesë e veprimtarisë së tërë patriotizmit të kohës, i shprehur në të gjitha ngjarjet e mëdha historike nga Lidhja e Prizrenit, Luftrat Ballkanike e ato Botërore, nxori në dritë motivet dhe humanizmin shpirtëror të këtij njeriu dhe të kësaj familje, kontributet e pallogaritshme të saj në interesin kombëtar.
Të gjitha këto vlera të anatemuar i shkundën autorët nga pluhuri i rëndë i harresës së qëllimshme me këtë botim historik dokumentar, që qetëson shpirtin e pasardhësve të sotëm të kësaj familje dhe njëherësh shton krenarinë për të kaluarën e tyre historike. Jeta, vepra, luftrat, përpjekt, sakrificat e M. Hudënishtit duhen parë e vlerësuar në një këndvështrim tjetër me një diapazon më të gjerë, pasi i tillë është kontributi i tij në histori, i barazvlerësuar dhe barazpeshuar me bashkëkohësit e tij, në mos më shumë. Vlerësimet “Certifikatë Nderi”, “Nderi i Komunës”, “Certifikatë Mirënjohje” nuk janë të mjaftueshme për shumë arsye, kur mendojmë se “ishte më shumë se luftëtar popullor”, “ishte më shumë se Dëshmor”, kur “ e kualifikojnë të futet në histori e të ngrihet në përmendore” në fshatin e tij apo në qytetin e Pogradecit, që i deshte dhe i vlerësonte aq shumë. Këtë duhet ta bëjë dikush. Historia bën Apel.

Filed Under: Histori Tagged With: Martiret e Historise, Muharrem Hudenishti

Artikujt e fundit

  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT