Nga Luan Çipi/
Te Esseja “YLLI” NË LITAR, poeti ynë kombëtar Agim Shehu, tregon e vajton për martirin Kujtim Ali Beqiri, ish student i shkëlqyer i Universitet të famshëm të Vjenës, inxhinier e drejtues i talentuar, varur dy here në litar nga komunistet e Enver Hoxhës, (atëherë edhe të Titos dhe Stalinit), me të vetmin argument të provuar, se fill pas “çlirimit”, i mbante sytë nga Amerika, Anglia dhe profesori i tij, Hari Fulci.
Tani, që pjesa më e madhe e shqiptarëve i mbajnë sytë, zemrën dhe gjithë qenien e tyre me adhurim, dashuri e shpresë nga Amerika dhe Evropa, kjo ngjarje makabre, e varjes dy here në litar (herën e parë ngeli gjallë se litari u pleks me jakën e palltos), duket edhe më e tmerrshme dhe e pa shpjegueshme, qoftë dhe për ndonjë fanatik qorr e admirues të komunizmit dhe të regjimit gjakatar të asaj kohe (përfshirë këtu dhe autorin konformist, ende të pa deklaruar ndryshe, të romanit “Këneta”).
Akuzat, sipas shtypit të kohës, ashtu si i ka mbledhur e paraqitur saktë Agim Shehu janë: “Nuk kanë sjellë ujë të mjaftueshëm për pije e pastrim… nuk shpërndanë çizme llastiku e dezinfektim në fjetore… punëtorët i kualifikonin keq, që t’u ulnin moralin e t’i përçanin… dheu në kanal nuk vihej në brinjë çdo 50 m… ekskavatori u vu jo ku duhej… hidhnin shumë kripë në gjellë të dëmtonin punëtorët…”. Më e vërteta akuzë: “Kishin simpati për Amerikën dhe nderim për Fulcin”.
Dihet një e vërtetë historike: Më 8 Maj 1945 mbërriti në Durrës, nisur nga Bari i Italisë, Misioni Amerikan, që do përfaqësonte Shtetin e Madh Aleat në Shqipëri, me synim për t’u kthyer së shpejti në Ambasadë. Misioni drejtohej nga Hari Fullc, ish drejtori emërmadh, që për shumë vjet krijoi e udhëhoqi Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në Portin e Durrësit u grumbulluan për ta pritur rreth 50 shqiptarë, midis tyre disa nga ish nxënësit e tij. Për fatin e tij të keq, me ta ishte dhe inxhinieri 30 vjeçar Kujtim Beqiri, që nuk e dëgjoi porosinë e nënës së vet, po ju bind idealit të tij perëndimor dhe respektit prej nxënësi të përmalluar.
Ky Mision Amerikan, u largua i zhgënjyer nga politika komuniste e Enver Hoxhës, pas 8 muajsh qëndrimi në Shqipëri, një javë para gjëmës së madhe vrastare, pikërisht në ditë kur zhvillohej Gjyqi i “Sabotatorëve të Kënetës së Maliqit”. Duket se edhe punimet e këtij gjyqi pompoz e fjalëndyrë, në prezencën e fanfarave Titiste, u benë shkaku formal i prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Amerikën e Madhe, përkrahëse të përhershme historikisht të interesave shqiptare, nën ndikimin e shqiptarëve të Amerikës, qysh nga Presidenti Yllson,
Duke e parë me syrin e tanishëm, gjakftohtë dhe me paanësi këtë ngjarje, do përsëritja po Agim Shehun që e quan këtë moment si periudhën groteske të gjyqeve të “lemerishme dhe të çmendura”. Si mund të dënohej e të varej në litar një dijetar ndër të rrallët e kohës, kur të tillë duhet të ruheshin me policë, të mbaheshin si ujët e paktë e të përdoreshin në drejtimin e shtetit për nevojat e shumta të popullit të varfër dhe të ekonomisë së dëmtuar nga lufta?
E kush mund ta donte më shumë dhe më mirë Shqipërinë, se sa djali Ali Beqirit, bashkëpunëtorit të Ismail Qemalit, qysh në krijimin e Shtetit Shqiptar, një prej drejtuesve kryesor të Komitetit Drejtuesit të “Luftës së Vlorës” më 1920, krahas Osman Haxhiut? Ka të drejte publicisti Kostaq Xoxa kur thotë: A mund të ishte sabotator një gjeni i tillë i inxhinierisë, si Kujtim Beqiri? Vetëm mendja shterpe e E.H.-s, mund të perceptonte halucinacione të tilla dhe të shfaroste ajkën e inteligjencies profesioniste
Të arsyetojmë dhe më tej: Kujtim Beqiri lindi dhe u rit në një mjedis atdhetar e patriotik si rrallë kush. Babai i tij Ali Beqiri, ky patriot i madh, ishte kundërshtar i shpallur i mbretit Zog dhe përkrahës i Fanolistëve, ndaj edhe u burgos dhe u dënua bashkë me krushkun e tij Laze Sulejmani nga Vajza e Vlorës (dënuar me vdekje në kryengritjen e Fierit). Kjo krahinë dhe farefisnia e krushqia e Kujtim Beqirit ishin kontribuues me të gjithë rrethin familjar, në luftën Anti-Fashiste, qysh nga orët e para të okupimit italian të 7 Prillit të vitit 1939, me pjesëtarë aktiv, dëshmorë e deri heronj të luftës. Nga ana tjetër, (jo vetëm unë që kam lidhje krushqie me ta) po të gjithë në Vlorë e dine, se traktorin e parë për të modernizuar punimin e tokave, në krahinë e solli Ali Beqiri i Velçës, i pasur, i ditur dhe me vizion Evropian.
Duhet të dimë edhe një fakt tjetër: Kujtim Ali Beqiri ishte kushëri i parë (djem dajash e halle) dhe shok i ngushtë me Zini Rexhepin dhe Perlat Rexhepin. (djemtë e legjendarit Rexhep Sulejmani nga Vajza, kunati i Ali Beqirit). I pari vrarë me mitraloz në dorë në luftë me fashistet Italian dhe i dyti, heroi i Shkodrës, që u dogj duke luftuar trimërisht dhe pa u dorëzuar, po me fashistët Italian në qytetin e Shkodrës.
Kujtim Beqiri dhe shokët e tij u arrestuan, kur punonin për tharjen e Kënetës se Maliqit me 6 Nëntor 1946, dolën në Gjyqin e improvizuar në Tirane më 8 Nëntor 1946, ditën e themelimit të PK , vendimi i gjyqit u morr në 19 Nëntor 1946 dhe u ekzekutua, po në Kënetën e Maliqit, më 22 Nëntor 1946: Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra me varje dhe 4 me pushkatim: Vasil e Zyraka Mano, me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro.
Edhe momenti para ekzekutimit, kur iu kërkua fjala e fundit, Kujtim Beqiri, që kishte ruajtur me zgjuarsi mos cenimin e tij fizik, ndryshe nga të tjerë që ishin goditur, rrahur e plagosur, tha: “Historia do ta tregoj se unë dënohem dhe ekzekutohem pa faj”
Kujtim Beqiri punoi disa vjet edhe në Kosovë, ku investoi dijet e tij inxhinierike, bashkë me patriotët vlonjat Kudret Kokoshi e Ago Agaj, etj., bashkë me shumë intelektual të tjerë shqiptarë mësues e administratorë. Ky kontribut, krahas gjurmëve të pashlyeshme të disa urave dhe ndërtimeve në Shqipëri dhe shkëlqimit si student në Vjenë, ia ngrenë edhe më lart vlerat këtij martiri të pavdekshëm, që deri tani është shpallur vetëm Nderi i Qarkut të Vlorës.
Kadri Kujtim Beqiri, ende nuk ia ka gjetur varin babait të vet, çka ngarkon me përgjegjësi çdo qeveri tranzicioni, pavarësisht nga ngjyra partiake dhe pse gjithkush ka prurë ose është zotur të sjell eshtra shqiptarësh të shquar nga jashtë shtetit.
Kujtim Beqiri, si ushtari i panjohur që përfaqëson simbolin kombëtar të të rënëve për liri, andej në terr nga i prehen eshtrat, bënë thirrje (dhe me të mendoj se bëhen një zë, të gjithë intelektualët shqiptarë, të dukshëm e tëpadukshëm), se ka ardhur koha të dukemi e të bashkohemi, t’i lëmë interesat e vogla vetjake e partiake, t’i kthejmë sytë plotësisht nga Amerika dhe Evropa dhe mos ta humbasim edhe këtë radhe rastin oportun, për të zënë në Evropë vendin që meritojmë.
Tiranë, më 25. Mars. 2014