Nga Luan Çipi/*
Te një Esse, titulluar “YLLI NË LITAR”, poeti ynë kombëtar Agim Shehu, tregon e vajton për martirin Kujtim Ali Beqiri, ish student i shkëlqyer i Universitet të famshëm të Vjenës, inxhinier e drejtues i talentuar, varur “dy herë” në litar nga komunistet e Enver Hoxhës, me të vetmin argument të provuar, se fill pas “çlirimit”, i mbante sytë nga Amerika, Anglia dhe nga profesori i tij, Hari Fulci.
Tani, që pjesa më e madhe e shqiptarëve i mbajnë sytë, zemrën dhe gjithë qenien e tyre me adhurim, dashuri e shpresë nga Amerika dhe Evropa, kjo ngjarje makabre, e varjes dy herë në litar (herën e parë ngeli gjallë se litari u pleks me jakën e palltos), duket edhe më e tmerrshme dhe e pa shpjegueshme, qoftë dhe për ndonjë fanatik qorr e admirues të komunizmit dhe të regjimit gjakatar të asaj kohe (përfshirë këtu dhe autorin konformist, ende të pa deklaruar ndryshe, të romanit “Këneta”).
Akuzat e rëndomta sipas shtypit të kohës, ashtu si i ka mbledhur e paraqitur saktë Agim Shehu, janë: “Nuk kanë sjellë ujë të mjaftueshëm për pije e pastrim… nuk shpërndanë çizme llastiku e dezinfektim në fjetore… punëtorët i kualifikonin keq, që t’u ulnin moralin e t’i përçanin… dheu në kanal nuk vihej në brinjë çdo 50 m… ekskavatori u vu jo ku duhej… hidhnin shumë kripë në gjellë të dëmtonin punëtorët…”. Më e vërteta akuzë: “Kishin simpati për Amerikën dhe nderim për Fulcin”.
Dihet një e vërtetë historike: Më 8 Maj 1945 mbërriti në Durrës, nisur nga Bari i Italisë, Misioni Amerikan, që do përfaqësonte Shtetin e Madh Aleat në Shqipëri, me synim për t’u kthyer së shpejti në Ambasadë. Misioni drejtohej nga Hari Fullc, ish drejtori emërmadh, që për shumë vjet krijoi e udhëhoqi Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në Portin e Durrësit u grumbulluan për ta pritur rreth 50 shqiptarë, midis tyre disa nga ish nxënësit e tij. Për fatin e tij të keq, me ta ishte dhe inxhinieri 30 vjeçar Kujtim Beqiri, që nuk e dëgjoi porosinë e nënës së vet, po ju bind idealit të tij perëndimor dhe respektit prej nxënësi të përmalluar.
Ky Mision Amerikan, u largua i zhgënjyer nga politika njëanësisht komuniste e Enver Hoxhës, pas 8 muajsh qëndrimi në Shqipëri, një javë para gjëmës së madhe vrastare, pikërisht në ditë kur zhvillohej Gjyqi i “Sabotatorëve të Kënetës së Maliqit”. Duket se edhe punimet e këtij gjyqi pompoz e fjalëndyrë, në prezencën e fanfarave titiste, u benë shkaku formal i prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Amerikën e Madhe, përkrahëse të përhershme historikisht të interesave shqiptare nën ndikimin e shqiptarëve të Amerikës, qysh nga Presidenti Yllson,
Duke e parë me syrin e tanishëm, me gjakftohtësi dhe me paanësi këtë ngjarje, do përsëritja po Agim Shehun, që e quan këtë moment si periudhën groteske të gjyqeve të “lemerishme dhe të çmendura”. Si mund të dënohej e të varej në litar një dijetar ndër të rrallët e kohës, kur të tillë duhet të ruheshin me policë, të mbaheshin si ujët e paktë e të përdoreshin në drejtimin e shtetit për nevojat e shumta të popullit të varfër dhe të ekonomisë së dëmtuar nga lufta?
E kush mund ta donte më shumë dhe më mirë Shqipërinë, se sa djali Ali Beqirit, bashkëpunëtorit të Ismail Qemalit qysh në krijimin e Shtetit Shqiptar, një prej drejtuesve kryesor të Komitetit Drejtuesit të “Luftës së Vlorës” më 1920, krahas Osman Haxhiut? Ka të drejte publicisti Kostaq Xoxa kur thotë: “A mund të ishte sabotator një gjeni i tillë i inxhinierisë, si Kujtim Beqiri? Vetëm mendja shterpe e E.H.-s, mund të perceptonte halucinacione të tilla dhe të shfaroste ajkën e inteligjencies profesioniste”.
Është fare e qartë se ajo që ndodhi në ato ditë nëntori të vitit 1946, ishte një skenar i sajuar e i egër ideologjik komunist shqiptaro-jugosllavo-sovjetik kundër Amerikës, që sapo po e organizonte Misionin e vet Diplomatik në Shqipëri, aq të nevojshëm për zhvillimin e saj evropian e perëndimor. U iskenua një komplot gjoja i iniciuar prej Uashingtonit në Shqipëri, një përpjekje armiqësore për të çarë digën në Kënetën e Maliqit dhe për “të mbytur popullin shqiptar”. Sipas kësaj loje të trashë, shqiptarëve do t’u futej pakënaqësia ndaj Amerikës, për të manipuluar edhe opinionin botëror, në kuadrin e Luftës së Ftohtë, të porsa nisur, sipas interesave të Stalinit. Propaganda sovjetike, sa kishte filluar ta akuzonte SHBA-në, ish aleatin e vet antinazist, si “imperializëm gjakatar” dhe “xhandar të popujve”. Dhe kjo, me këtë rast, u bë dhe deri me gjak të pafajshëm shqiptarësh.
Të arsyetojmë dhe më tej: Kujtim Beqiri lindi dhe u rit në një mjedis atdhetar e patriotik si rrallë kush. Babai i tij Ali Beqiri, ky patriot i shquar, ishte kundërshtar i shpallur i mbretit Zog dhe përkrahës i Fanolistëve, ndaj edhe u burgos dhe u dënua bashkë me krushkun e tij Laze Sulejmani nga Vajza e Vlorës (dënuar me vdekje në kryengritjen e Fierit). Kjo krahinë dhe farefisnia e krushqia e Kujtim Beqirit ishin kontribuues me të gjithë rrethin familjar, në luftën Anti-Fashiste, qysh nga orët e para të okupimit italian të 7 Prillit të vitit 1939, me pjesëtarë aktiv, dëshmorë e deri heronj të luftës. Nga ana tjetër, (jo vetëm unë, që kam lidhje krushqie me ta) po të gjithë në Vlorë e dinë, se traktorin e parë për të modernizuar punimin e tokave në krahinë, e solli Ali Beqiri i Velçës, i pasur, i ditur dhe me vizion Evropian.
Duhet të dimë edhe një fakt tjetër: Kujtim Ali Beqiri ishte kushëri i parë (djem dajash e halle) dhe shok i ngushtë me Zini Rexhepin dhe Perlat Rexhepin (djemtë e legjendarit Rexhep Sulejmani nga Vajza, kunati i Ali Beqirit). I pari vrarë me mitraloz në dorë në luftë me fashistet Italian dhe i dyti, heroi i Shkodrës, që u dogj duke luftuar trimërisht dhe pa u dorëzuar, po me fashistët Italian në qytetin e Shkodrës.
Kujtim Beqiri dhe shokët e tij u arrestuan, kur punonin për tharjen e Kënetës se Maliqit me 6 Nëntor 1946, dolën në Gjyqin e improvizuar në Tirane më 8 Nëntor 1946, ditën e themelimit të PK, vendimi i gjyqit u morr në 19 Nëntor 1946 dhe u ekzekutua, po në Kënetën e Maliqit, më 22 Nëntor 1946: Kujtim Beqiri dhe Abdyl Sharra me varje dhe 4 me pushkatim: Vasil e Zyraka Mano, me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro.
Edhe momenti para ekzekutimit, kur iu kërkua fjala e fundit, Kujtim Beqiri, që kishte ruajtur me kujdes e zgjuarsi mos cenimin e tij fizik, ndryshe nga të tjerë që ishin goditur, rrahur e plagosur, tha: “Historia do ta tregoj se unë dënohem dhe ekzekutohem pa faj”
Kujtim Beqiri punoi disa vjet edhe në Kosovë, ku investoi dijet e tij inxhinierike, bashkë me patriotët vlonjatë Kudret Kokoshi, prokuror dhe Ago Agaj, prefekt i Mitrovicës, etj., si dhe me shumë intelektual të tjerë shqiptarë mësues e administratorë. Ky kontribut, krahas gjurmëve të pashlyeshme të disa urave dhe ndërtimeve në Shqipëri dhe shkëlqimit si student në Vjenë, ia ngrenë edhe më lart vlerat këtij martiri të pavdekshëm, që deri tani është shpallur nga Këshilli i Qarkut, vetëm Nderi i Qarkut të Vlorës.
Kujtim Beqirit djali i tij Kadriu, mësues e që pak kohë në “Demokraci” punoi edhe si diplomat, ende nuk ia ka gjetur varin. Kur “e rivarrosën” në vitet e “Demokracisë”, pasardhësit dhe “ish të përndjekurit politik”, morën një grusht dheu nga Këneta e Maliqit dhe e hodhën në arkivolin simbolik.
Kujtim Beqiri, si ushtari i panjohur, që përfaqëson simbolin kombëtar të të rënëve për liri, andej, nga atij nuk i dallohen as eshtrat, bënë thirrje për bashkim e përparim, dhe me të mendoj se bëhen një zë të gjithë intelektualët e ndershëm shqiptarë, të dukshëm e tëpadukshëm, se ka ardhur koha të shfaqemi e të bashkohemi, mandej edhe përtej kufijve formalë shtetëror, t’i lëmë interesat e vogla vetjake e partiake, t’i kthejmë sytë plotësisht nga Amerika dhe Evropa dhe mos ta humbasim edhe këtë radhe rastin oportun, për të zënë në Evropë vendin në madhësinë dhe madhështinë që meritojmë.
Tiranë, më 5 Gusht 2015
Më lejoni, me këtë rast t’u paraqes baladën, që kam thurur për martirin pa varr:
MARTIRIT KUJTIM BEQIRI
Nga Luan Çipi
Kishte qenë vlonjati student në Vjenë,
I pari doli në Konkurset Evropiane,
Moisiun dhe Çabejin, me të shpesh i gjeje,
Hartonin projekte, programe dhe plane.
Rrugë të reja hapte dhe ndërtonte ura
Në Dardani dhe në Shqipërinë nënë,
Guximshëm ëndërronin, djelmoshat si burra,
Atdheun e dashur, Evropë shpejt ta bëjnë.
Komunistët, skenar ndryshe kishin thurur,
Shkau, se linte Kosovën t’u ikte,
Shqipes dy krenare, si bisha i qenë turrur,
Aneksim e nënshtrim diktonin ndër vite.
U gjet një sebep për prishjen e madhe,
Për largimin e Amerikës prej Shqipërie:
Ca djem të ditur t’i fusnin në valle
Gjoja sabotonin dhe “ishin hafije”.
U thurën procese, u hap dhe një gjyq:
“Inxhinierët e rinj – të varen në litar!
Janë lidhur me Fulcin. Këneta në Maliq
Duhet të ish tharë ca muaj më parë”.
Laku i litarit, s’mundi ta rok qafën
Si mund të preket ai filiz i butë?
Është krejt i pa faj, korrigjojeni gafën!
Egërsisht Tirani, sërish lakun fut.
-Hiqeni litarin, unë jam i pafajshëm,
Kriminel mesjete, pse po më dënon?
U shua bukuria, me ylber i ngjashëm,
Kujtim Ali Beqiri, emrin ia thonë!
E donte Amerikën, siç adhuronte të parët,
Sepse ishin atdhetarë, fisnikë e luftëtarë.
Përse djemtë i vratë, Kujtimin pse e varët?
Do ishim në Evropë pesëdhjetë vjet më parë!
T’i ngremë përmendore, kurora t’i shtrojmë
Martirit tonë Kombëtar, të rivarur prapë,
“Yllin Vjenez”, për ditë e kujtojmë,
Urti, kudo mbart, dritë e shpresë përhap.
Tiranë, më 30 Mars 2014
*Shkrimi u botua ne Dielli , Mars 2014-Gjendet ne arkiv, por autori ka shtuar poezine, prandaj e ribotojme.Ilustrimi grafik nga Gazeta 55