AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Teki Kurti/
Abstrakt
Mediet ndërkombëtare vënë në dukje se rebelimi i shqiptarëve të Kosovës filloi të mobilizohej në mbrojtje të etnisë së vet pas vitit 1988, vit kur presidenti i Serbisë Milosheviçi tërhoqi autonominë e Kosovës.
Represioni serb filloi me pushimin nga puna të shqiptarëve në organet shtetërore dhe ndërmarrjet publike, si dhe mësuesit e fëmijët shqiptarë u ndanë nga nxënësit dhe mësuesit serbë.
Rezistenca paqësore e shqiptarëve të Kosovës ndaj masakrave të autoriteteve serbe nga viti 1989-1995 u shndërrua në vetëmbrojtje të armatosur, nga e cila më pas u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Vitet 1998-1999 janë dhe vitet e krimeve masive të regjimit ushtarak serb mbi popullsinë e Kosovës.
Mizoritë e panumërta të kryera nga policia, grupet paraushtarake dhe ushtria kundër shqiptarëve krijoi valë të vazhdueshme refugjatësh, situatë që u bë e njohur në mbarë botën nga mediet ndërkombëtare.
Mediet publikuan para opinionit botëror ofensivën masive të qeverisë serbe dhe jugosllave në Kosovë, e cila filloi katër ditë para se NATO-ja të niste bombardimin ndaj Serbisë me motivacionin për shpërngulje me forcë nga trojet e veta të më shumë se 850.000 shqiptarëve etnikë.
Sipas mediave ndërkombëtare masakrat serbe ndaj shqiptarëve kishin tri motive të qarta:
Së pari, procesi i spastrimit etnik.
Së dyti, vrasja dhe asgjësimi i luftëtarëve të UÇK-së dhe atyre që i ndihmonin ata.
Së treti, masakra për hakmarrje. Tregues domethënës është masakra e Reçakut ndaj grave, fëmijëve e burrave, të cilët i vranë e më pas u gjymtuan trupat. Ambasadori Ulliam Uoker atë kohë u shpreh: “Nuk ngurroj ta përshkruaj ngjarjen si masakër, krim kundër njerëzimit.”Fjalët çelës: masakrat, mediat ndërkombëtare, civilët shqiptarë, NATO, lufta.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vuri në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare në të gjithë Evropën, ashtu edhe në ShBA, duke aktivizuar forcat e NATO-s për të ndërhyrë për çlirimin e popullit kosovar. Mediet ndërkombëtare dhe kryesisht ato të vendeve demokratike kanë ndjekur me vëmendje dhe kanë shkruar për masakrat serbe në Kosovë që në mars-prill 1981, kur kërkesat e shqiptarëve për liri e të drejta demokratike, për marrjen e Statusit të Republikës u shtypën me dhunë policore e me tanket e dërguara nga Beogradi, gjë që shkaktoi gjakderdhje. Mediet nënvizojnë gjithashtu edhe faktin se, Beogradi me ushtri dhe tanke në vitin 1989, si dhe me amendamente antikushtetuese i reduktoi Kosovës edhe autonominë që i siguronte Kushtetuta e vitit 1974.
Mediet theksojnë se shqiptarët revoltën e tyre e shprehën në mënyrë paqësore me një referendum për Republikë të pavarur. Media franceze (Prespecitive Monde) vinte në dukje faktin se dhuna dhe gjenocidi serb kundër shqiptarët u bënë të padurueshme dhe në skenë doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “Serbia reagoi duke intensifikuar ndërhyrjen e saj. Qindra mijëra shqiptarë marrin rrugën e mërgimit, dhuna arriti një kulm të ri”, theksonte ajo.
Shtypi francez në faqet e tij të datës 30 mars 1998, duke cituar Muhamedin Kullashi-n, shkruan se: Beogradi ka refuzuar iniciativat e diplomatëve evropianë dhe amerikanë për hapjen e dialogut për çështjen e Kosovës dhe se përdorimi sistematik i represionit tregon që Milosheviçi nuk e ka braktisur projektin e spastrimit etnik. Shkrimi mbyllet me indinjatën që “si ka mundësi që të habitet dikush për zgjedhjen e rezistencës së armatosur të shqiptarëve të Kosovës kur ky pitbull Milosheviçi edhe me kokën e prerë nuk e lëshon kockën e tij të përgjakur”.
Edhe shtypi kanadez vlerëson se nuk duhet të ketë dyshim që problemi vjen nga Beogradi dhe çështjen e Kosovës e quan si “çështje ekskluzivisht serbe”. Pra kjo qasje e shtypit kanadez vjen si rezultat i mosnjohjes së historisë së zhvillimeve politike dhe problemit të çështjes së Kosovës.
Ndërsa disa medie të Greqisë në analizën që i bëjnë këtyre ngjarjeve, nënvizojnë se 24 marsi i vitit 1999 që lidhet me sulmet ajrore të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake serbe është “operacioni i parë ushtarak kundër një shteti sovran që erdhi si përgjigje ndaj një vale të re spastrimi etnik të nisur nga forcat serbe kundër shqiptarëve.”
Në kundërshtim me faktet historike artikullshkruesi e cilëson Kosovën me tone të njëanshme duke vlerësuar se “Rajoni i Kosovës ishte në mesjetë, zemra e Serbisë”. Pra, kjo referencë vjen si rezultat i ndikimit dhe miqësisë së hershme në mes të Serbisë dhe Greqisë.
Gjithashtu, shkrimi mundohet të justifikojë represionin serb ndaj shqiptarëve si kundërsulm ndaj aksioneve të UÇK-së, të cilët me blerjen e armëve nga Shqipëria shtuan sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë serbe. Shkrimi e vë theksin në vitin 1998, ku UÇK-ja nisi sulmet në gjithë hapësirën e Kosovës duke marrë kontrollin gati në gjysmën e saj.
Kurse media kroate akuzon hapur Serbinë si shtet organizator i krimeve në Kosovë. Kështu për krimin monstruoz të 26 marsit 1999 të ndodhur në Suharekë ku u masakruan 48 persona, shkrimi akuzon Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Aty jepen të dhëna nga gjyqi i Hagës ku pranohet hapur se shqiptarët ishin civilë dhe nuk kanë qëlluar ndaj serbëve. Nga dëshmitë e të akuzuarve vihet në dukje se spastrimi etnik ishte krim i organizuar nga shteti.
Disa medie ngrenë dyshime për numrin e viktimave të raportuara nga NATO-ja.
Kështu, sipas “La Republica” italiane thuhet se, shifra njëmbëdhjetë mijë e deklaruar nga NATO-ja, mund të jetë mashtrim për të justifikuar luftën. Po sipas kësaj medie, mbështetur te vullnetarët e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, të cilët kanë grumbulluar dëshmi për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës, rezulton se: “forcat serbe kanë vepruar me synimin për t’i shpëtuar më pas një gjyqi ndërkombëtar. Kamuflonin uniformat e tyre, shpërndanin kufomat e të vrarëve.” Shkurt serbët u kujdesën për të fshehur krimet dhe përgjegjësitë. Forcat paramilitare u punësuan për reprezaljet më brutale: ku gjakoseshin trupa të gjymtuar të civilëve shqiptarë. Pra ky medium italian ngre alarmin se vetë shteti serb i ka përgatitur dhe paguar forcat paramilitare për të ushtruar dhunë e terror ndaj popullsisë shqiptare.
Media italiane jep të dhëna për 7000-8000 shqiptarë të masakruar e të zhdukur gjatë luftës. Po kjo medie ka konstatuar se Milosheviçi kishte marrë peng rreth 1800 shqiptarë, të cilët nuk i dorëzonte pasi frikësohej nga dëshmitë e tyre, pra nga ajo që ata dinin dhe kishin parë.
Masakrat serbe në Kosovë, njoftojnë mediet, nuk kishin të sosur. Kështu mijëra shqiptarë u ndoqën përtej kufirit, djegia e shtëpive dhe dokumentet e identitetit kanë për t’i shkatërruar e për t’i shpërndarë, pra do të çrrënjoset një grup njerëzor që në jurisprundencë quhet gjenocid, konstatojnë mediet italiane.
Media britanike kur trajton masakrat serbe në Kosovë fokusohet në shumë drejtime, por në detaje trajton masakrën e Reçakut, si një rast të veçantë që ofron mundësinë për të analizuar në thellësi ndikimin që ka raportimi i medieve mbi faktorët politikë, me peshë për zgjidhjen e krizave ndërkombëtare.
Duke iu referuar ambasadorit të misionit verifikues të OSBE-së, William Wolker-it, mediet nënvizojnë faktin se, ai, menjëherë pasi vizitoi vendin e masakrës, e quan masakrën “krim kundër njerëzimit”.
Media britanike ironizon dhe medien serbe që kontrollohet nga Beogradi, e cila kërkon që krime të tilla t’i propagandojë si rezultat i luftës së forcave të sigurisë dhe “terroristëve”, ndërsa gjymtimi i kufomave kishte të bënte me një komplot të ndërtuar nga UÇK-ja në përpjekje për të diskredituar Serbinë.
Media britanike jep fakte rrëqethëse rreth masakrës së kryer nga grupi “Çakallët” në fshatin Qyshk në vitin 1999. Shkrimi nënvizon faktin se, serbët mblodhën banorët, fëmijë, gra dhe burra dhe pasi i ndanë meshkujt, i mbyllën në shtëpi, i qëlluan me armë dhe ua vunë zjarrin duke djegur trupat e tyre.
Për masakrën e Reçakut kanë shkruar edhe dhjetëra medie nga e gjithë bota demokratike, të cilat u referohen drejtpërdrejt korrespondentëve të BBC-së e të CNN-it në terren, të cilët vëzhguan nga afër këtë masakër çnjerëzore.
Sipas korrespondentëve të CNN-it pas deklaratës shokuese të William Wolker-it, si ish- kreu i misionit monitorues, e cila i kushtoi shtrenjtë, Beogradi urdhëroi largimin e tij nga vendi, ndërsa i gjithë ekipi i OSBE-së ishte i shënjestruar e nën vëzhgim.
Pamjet që transmetuan mediet nga terreni tronditën gjithë opinionin botëror. CNN-i nënvizoi faktin se Presidenti i SHBA, Bill Clinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana dënuan vrasjet çnjerëzore ndaj civilëve shqiptarë.
Britania kërkoi një takim të Grupit të Kontaktit gjashtë vendesh për Jugosllavinë, që të diskutonte masakrën e fundit të 45 shqiptarëve etnikë në provincën e Kosovës, duke iu referuar këtu CNN-it që publikon deklaratën zyrtare të Sekretarit të Jashtëm, Robin Cook.
Për masakrat serbe në Kosovë një rol të veçantë në informimin e opinionit botëror kanë luajtur edhe njoftimet e herëpashershme në medien online të Organizatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Ajo e informonte publikun mbi ndryshimet që ndodhnin në aparatin e sigurimit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, gjë që tregonte se Serbia po përgatitej për ofensivë. Ajo jep të dhëna për aksionet e policisë, ushtrisë dhe armatosjen e civilëve serbë etnikë.
Media shkruan për aksionet përreth Vushtrrisë dhe Podujevës që filluan në fund të shkurtit dhe vazhduan gjatë marsit. Ajo vë në dukje se periudha e bombardimeve të NATO-s shënoi sulme të papara kundër civilëve dhe shpërnguljen me forcë të më shumë se 850.000 shqiptarëve etnikë nga Kosova.
Shkrimi nënvizon faktin që luftimet u zhvendosën nga zonat fshatare në ato qytetare dhe se Slobodan Milosheviçi, duke përfituar nga bombardimet, mendoi të shtypte UÇK-në dhe bazat e tyre në popull si dhe të shpërngulte me forcë një pjesë të mirë të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Media duke u mbështetur te të dhënat e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), publikon shifra tronditëse, kur në harkun kohor prej tre javësh u shpërngulën nga Kosova 525 787 refugjatë, të cilët u vendosën në vendet fqinje. Në total shifra arriti 862 979 shqiptarë të larguar dhe mijëra të tjerë të zhvendosur brenda Kosovës.
Informacioni jep të dhëna për masakrat e shumta ndaj civilëve sidomos në ato zona, të cilat ishin të njohura për lidhje e mbështetje të veçantë ndaj UÇK-së, si komunat e Gllogocit e Skënderajt në krahinën e Drenicës. Po ashtu flitet për vrasje masive, shpërngulje me forcë dhe shkatërrim pasurie për komunat jugperëndimore të Gjakovës, Rahovecit dhe Suharekës, si baza të UÇK-së. Komuna e Pejës dhe Lipjanit që kishin jo pak serbë ishin piketuar për shpërnguljen masive të shqiptarëve etnikë. Po ashtu shkrimi vazhdon të pasqyrojë edhe vrasjet e shumta në zonën e Sllovisë, Ribarit, Lubeniqit, Qyshkut dhe qytetit të Pejës.
Media nënvizon faktin që vrasjet ishin të mirëplanifikuara për të terrorizuar popullsinë që të largohej nga Kosova. Shkrimi trajton edhe faktin që në komunën e Istogut pati shpërngulje masive të shqiptarëve vendas drejt Malit të Zi, të nxitura nga djegia dhe grabitja e shtëpive të tyre.
Në Istog ndodhi një ndër ngjarjet më të përgjakshme të luftës, ku forcat serbe vranë në maj të vitit 1999 më shumë se 90 shqiptarë etnikë të burgosur në Burgun e Dubravës. Qytete të mëdha u “spastruan” duke përdorur autobusë, trena dhe karvanë të gjatë traktorësh që u drejtoheshin kufijve.
Human Rights Watch dokumentoi praktikën e njohur të “spastrimit të identitetit”: refugjatëve shpesh u merreshin dokumentet e identifikimit dhe u hiqnin targat e makinave e traktorëve para se të kalonin kufirin.
Kështu, në këtë mënyrë serbët synonin të ndryshonin demografinë e Kosovës gjë që të çonte në ndarjen e Kosovës në dy pjesë, një për serbët dhe një për shqiptarët. Së dyti, serbët me shpërnguljen, mendonin të destabilizonin dy vendet fqinje Shqipërinë dhe Maqedoninë. Së treti, serbët synonin që të pengonin një sulm të NATO-s nga toka.
Human Right Watch, duke analizuar vrasjet e civilëve, konkludon se ato kishin tre motive të qarta:
1 – Përshpejtimi i procesit të “spastrimit” nëpërmjet kërcënimit dhe frikës;
2 – Eliminimi i UÇK-së. Udhëheqësve politikë, aktivistëve të të drejtave të njeriut, biznesmenë etj.
3 – Vrasje për hakmarrje ndaj humbjeve që pësuan prej UÇK-së.
Në këtë luftë për liri të shqiptarëve etnikë bien në sy, që në njërën anë, ishte NATO-ja e shqiptarët, nga ana tjetër, serbët, dhe të paidentifikuar ndoshta për një periudhë, Rusia dhe Kina.
Por, njëkohësisht nga vargu i informacioneve nga të katër anët, rezulton dhe një qendër tjetër lufte, ajo mediatike, e cila kishte dhe ka si synim të sundimin e opinionit publik ndërkombëtar. “Lufta mediatike bëhet me fjalë ose më mirë me interpretime dhe ‘vlerësime’ të fakteve që kanë ndodhur”.
Si përfundim, konkludojmë, që roli i medies ndërkombëtare ka qenë i jashtëzakonshëm në informimin e opinionit botëror rreth masakrave serbe ndaj popullsisë civile të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë kuadër konstatojmë se kishte edhe medie të njëanshme që nga mosnjohja ose për qëllime të caktuara ishin vënë në krah të demagogjisë dhe makinerisë vrastare serbe.
Mund të themi me bindje të plotë, që ishte media ajo që vuri në lëvizje organizatat më të fuqishme të botës, si OSBE-ë, Organizatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Këshillin e Sigurimit, të gjitha kancelaritë evropiane, e mbi të gjitha ShBA-ë, që udhëhoqën organizatën më të fuqishme politiko-ushtarake të botës, NATO-n në mbështetje të popullsisë së pambrojtur të Kosovës ku bashkë me UÇK-në dhe elitën kosovare, çliruan dhe themeluan ëndrrën e brezave të tërë, Republikën e Lirë të Kosovës.