Nga Dr. Prenjo Imeraj/
Ne foto: Para monumentit ne Gerhot, kur 70 vjet me pare ndodhi tragjedia/
Më 14 shtator mbushen plot 70 vjetë nga dita e masakrës së Grehotit. Ishte 14 shtatori i vitit 1943. Italia fashiste e Musolinit sapo kishte kapitulluar. Qyteti i Gjirokastrës ishte në duart e nacionalistëve. Forcat partizane ishin vendosur në anën e Viroit në drejtim të veri-perëndimit të qytetit. Pararoja e ushtrisë ripushtuese të nazistëve gjermanë ishte disllokuar në Tepelenë. Garnizoni fashist Italian Peruxhia dhe disa reparte të divizionit Parma ishin bllokuar në Grehot nën komandën e gjeneralit Kiminelo. Gjermanët patën dërguar ultimatum me shkrim, që divizioni fashist duhej të dorëzohej tek ata. Partizanët e Zonës së Parë Operative nën komandën e Shefqet Peçit me “këshilltar” majorin anglez Tilman bënin presione me kushtet e tyre, duke dërguar delegacione njëri pas tjetrit në komandën fashiste, që divizioni të dorëzohej tek ata dhe me kushtet e tyre. Forcat nacionaliste të komanduara nga Hysni Lepenica kishin kërkuar që divizioni fashist të dorëzohej tek ata. Më në fund komanda e divizionit fashist I premtoi Prefektit të Gjirokastrës Veip Runa, njëherësh edhe kryetar i Ballit Kombëtar për zonën, se divizioni do të dorëzohej tek Balli Kombëtar. Pasditeja e 14 shtatorit ishte koha e mbarimit të afatit të ultimatumit. Sipas premtimit Hysni Lepenica me më të zgjedhurit vullnetarë të çetës Nacionaliste “Shqiponja shkoi të mirte në dorëzim divizionin fashist. Gjatë pritjes tek dera e komandës së divizionit për të kryer aktin e dorëzimit, pa pritmas përmbi nacionalistë shpërtheu një breshëri armësh të lehta e të rënda nga të gjitha lloit të që dispononte divizioni fashist për kundër nacionalistëve. Të gjendur në kurth të 33 nacionalistët ranë të masakruar nga plulmbat dhe hekuri që derthën fashistët mbi ta, në të njëjtën kohë komanda partizane fërkonte duart nga kënaqësia e masakrimit të vëllezërve të një gjaku. Majori anglez Tilman, duke zbatuar politikën e interesave të ditës, ndjeu t’i realizohej porosia e tij. Të 33 të rënët në Grehot u shpallën me një herë Dëshmorë të Atdheut nga kryesia e Prefekturës së Gjirokastrës dhe u varrosën me duar e me thonj nga populli fisnik i Gjirokastrës tek hyrja e teqesë së Lazaratit. Kur Partia Komuniste mori pushtetin në nëntorin e vitit 1944 i shpalli të rënët në Grehot armiq të Partisë e të popullit dhe varrezën e të rënëve në Grehot e përdori si vend për grumbullimin e plehrave të komunales, ndërsa familjet e të rënëve u persekutuan deri në palcë nga regjimi gjakatar i Enver Hoxhës. Me rënien e komunizmit të rënët në Grehot u “ringjallën” për të dëshmuar me forcë pabesinë e komandantit fashist Kiminelo, që pat premtuar t’u dorëzohej nacionalistëve. Ata denoncuan që nga varri intrigën komuniste dhe qendrimin absurd të majorit anglez Tilman. Të 33 të rënët në Grehot u shpallën Dëshmorë të Atdheut, ndërsa presidenca i dekoroi sipas meritave. Ata prehen tani përjetësisht në varrezën e Dëshmorëve të Grehotit e ngritur tek vendi i rënies së tyre. Gjatë këtyre 20 e më tepër viteve të erës demokratike, është folur, shkruar e dëshmuar shumë për masakrën e Grehotit nga dëshmitarë okularë nancionalistë e komunistë shqiptarë. Vetëm tani së fundi është zbuluar shkrimi për këtë ngjarje i priftit të divizionit fashist Peruxhia njëhesh edhe kolonel Xhovani Bonomi, botuar në “Bieti” Milane 1988 dhe përkthyer nga Etleva Memisha. Kushdo që interesohet se ç’ka shkruar ai dëshmitar okular të lexojë dy numrat e fundit të gazetës “Dielli”(Gusht-Shtator) dhe librin e Enver Memishajt me titull: Hysni Lepenica. Aty duket qartë intriga komuniste mbështetur nga majori anglez Tilman, të cilët me “një gur vranë tre zogj”: Eliminuan krahun ushtarak më serioz dhe më konseguent të nacionalistëve shqiptarë, muarën nga divizioni fashist armatimet e lehta aqsa u nevoiteshin dhe, hapën shtegun për të marrë lirisht pushtetin pas përfundimit të luftës.