Nga Fadil LUSHI/Tetove/
Në këtë shkrim të radhës nuk do të vihemi në rolin e fallxhorëve politikë, por as në rolin e disa opinionistëve a analistëve që në vijimësi shkruajnë me porosi a me pagesë. Besojmë se ende nuk “ka ardhë vakti” që të na pëshpëritin në vesh njerëz që nuk e kanë “hallin”? Dikur moti një “shehërli” kishte angazhuar një “katundar” që t’ia ndërtonte pullazin e shtëpisë. Për këtë arsye kishte blerë trarët me gjithë dimensionet e duhura dhe ia kishte sjellë “mjeshtrit”. Çuditërisht ishte larguar shpejt pa dhënë udhëzime shtesë. Pas disa ditësh ishte kthyer për të parë se deri ku “kishin vajtur” punët. I habitur nga “vendndodhja e gabuar e katundarit”, ai kishte parashtruar pyetjen: “Pse nuk gjendesh në pullaz” !? Kurse “katundari” ishte përgjigjur: “Hë, i preva trarët para se t’i mas dy herë”! “Po mirë, ç’bën tani”? “Jam duke vizatuar ujkun”. “Shehërliu” ia ktheu: “Kur të përfundosh ujkun…, të lus, po pate durimin, të vizatosh edhe një sorrë, për mua”! Ky ia ktheu: “ Po ç’të duhet ty sorra”!? “Të m’i hajë mendtë e mia, ndërsa ujku të të hajë ty të tërë, me gjithë salltanetet e tua”!? Pastaj që të dy u larguan nga “vendndodhja”. “Shehërliu”, i zemëruar tej mase, mori rrugë nga veriu, gjegjësisht në të “djathtë” , ndërkaq “katundari” shkoi nga jugu, respektivisht në të “majtë”.
Se “katundari” e kishte vizatuar sorrën (me urdhër dhe me porosi të “shehërliut”), shpjeguesi i kësaj fabule (nuk dihet se kush ka qenë) asnjëherë nuk siguroi asnjë të vetmen provë. Të gjithë ata që e njohin mirë vërtetësinë e kësaj fabule paksa politike, thonë se “katundari mjeshtër” nuk ishte përnjëmend kokëbosh, aq sa “shehërliu” ishte një paragjykues i papërmirësueshëm dhe një njeri i shkujdesur. “Katundari” këtë gabim e kishte bërë me qëllim (ishte një hakmarrje), mbasi fare mirë mbante në mend atë vakinë a meselenë me qengjin qëkur ia kishte shitur këtij “sherxhi shehërliut”, i cili pasi e rropi qengjin, e tregtoi lëkurën dhe ia dha lekët “katundarit”. Të gjithë ata që e njohin për së afërmi këtë “mesele”, thonë se nga ky “aksham pazari”, “shehërliu” kishte dalë përfitues i dyfishtë.
Moralin e dyfishtë të kësaj fabule shumë herët e kanë njohur rrobaqepësit, sidomos ata të cilët kohë pas kohe i qepnin “kostume mbretërore” Ahmet Zogollit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ata detyroheshin që fillimisht dy herë ta masin stofin dhe njëherë ta prisnin…, se po të gabonin dëboheshin nga oborri mbretëror. Këtë filozofi a logjikë – “mat dy herë e pre një herë”- o nuk e kuptuan, o e shtrembëruan disa politikanë shqiptarë këtej pari në Republikën e Maqedonisë dhe ca të tjerë të tillë që vepruan në Shqipëri dhe në Kosovë. Dhe kur e anashkaluan këtë logjikë ata formuan parti politike. Toptan këto parti politike ishin jetëshkurtra për faktin se që në fillim u mungoi platforma politike, u munguan ofertat, disave u mungoi vizioni dhe ajo filozofia e politikëbërjes afatgjatë.
Sot e gjithë ditën e Perëndisë, gjithandej flitet e përflitet për një nismë rreth formimit të një partie të re politike shqiptare, këtu në hapësirat e Shkupit, Tetovës apo edhe në ndonjë fshat. Mandej lakohen edhe emra të ndryshëm të ish-politikanëve të “dështuar”, të disa biznesmenëve, ish-diplomatëve dhe të ca politikanëve aktualë në detyrë, të cilët mund të jenë në krye të partisë. Këtë iniciativë asnjeri nuk mund ta mohojë e as ta kontestojë, aq më tepër kur dihet se kjo është një e drejtë kushtetuese e gjithsecilit shtetas të këtij nënqielli. Por ama, inicuesit e kësaj nisme (pavarësisht se kjo ide (s’) është fisnike, e qëlluar a edhe e ngatërruar) duhet të kenë parasysh se e gjithë kjo nuk mund të bëhet në kurriz a në emër të protestave, kjo ide nuk mund të jetë pjellë e procesit gjyqësor “Monstra”, nuk mund të jetë prodhim i të dënuarve shqiptarë nga Tetova, “Bit Pazari”, nga Kërçova, Gostivari, Struga apo edhe nga ndonjë vendbanim tjetër shqiptar. Në parim, kjo nismë do të ishte jokorrekte dhe joproduktive, sidomos në aspekt human. Një është e vërtetë, nismëtarët që në fillim do të dështojnë…, do ta humbasin rrugën e drejtë që të shpie në realizimin e kësaj ideje. Nëse të gjithë ata që janë kureshtarë ta njohin për së afërmi këtë nismë dhe nëse nuk i besojnë kësaj “shkarravinës” sime, atëherë le t’i referohen historisë që llafos kohën kur gjithsecili filloi të formojë parti të re politike shqiptare…, në kohën e “pluralizmit” dhe tranzicionit të pafund, të bezdisshëm dhe shterp.
Dikur moti “një politikani i kishte shkuar mendja ters” me çka edhe kishte “ikur” nga partia politike, nga ajo parti që i kishte “blerë këpucë allafrënga”. Thonë se ishte paksa i çuditshëm, megaloman dhe i katandisur. Nuk i donte njerëzit që e donin dhe e respektonin dhe, e kundërta, i donte ata që nuk e donin. Dhe ditën që braktisi partinë “gjeti vend në strehën dhe hijen e tij”. Shquhej për nga makiavelizmi i tij i tepruar, me atë mosrespektimin e vijës së kuqe, me anashkalimin e hierarkisë politike të partisë…, jo se këtë e bënte qëllimisht, por mbase nuk dallonte ngjyrat, ishte thjesht daltonist…, por ama derisa qëndronte pranë “kryeminderit” të lidershipit të partisë, nuk të krijonte përshtypjen se ky ishte ai që luante rolin e opozitarit dhe rebelit të brendshëm, brenda strukturave dhe në veçanti brenda kuvendit dhe kryesisë qendrore. Miqtë e tij shumë vonë e kuptuan se ishte një inatçor kokëfortë, një politikan i shkujdesur, një politikan që e donte dhe e adhuronte partinë, por që nuk i respektonte udhëheqësit e saj. Ai nuk “kërkonte status” të veçantë, përkundrazi pretendonte ta zaptonte po edhe ta uzurponte udhëheqjen e partisë, të cilën e konceptonte si ato plakat që i shkojnë rreth e rrotull “liqenit (ortak) duke tjerrë lesh arapi”!? E gjithë kjo i nxori një mijë e një telashe, njësoj si ajo “puna e qengjit që pa pyetur bariun, lë kopenë dhe shkon drejt e në gojë të ujkut”!? Të gjithë ata që kishin ndërtuar autoritetin e partisë sidomos ata që i blenë kostume politike, me plot gojën thanë se ishte një “politikan me sjellje prej shpellari”. Edhe ky formoi parti politike…, por ama nuk i eci zari.
Thënia “Mat dy herë e pre një herë” mos është vallë më shumë se një filozofi dhe një pragmatizëm!!