Gezim Zilja/
Mazja, se kështu i thërrisnin shkurt Elmazit, mërgoi më shumë me këmbënguljen e gruas, se të qe për të, nuk kishte ndërmend të lëvizte nga qyteti. Kozeta, pasi mbaroi klasën e nëntë kreu një kurs rrobaqepësie dhe punoi pak kohë në një fasoneri por shpejt e la; puna ishte e vështirë dhe paguhej fare pak. Në moshën 20 vjeçare u martua me Mazen dhe brenda vitit lindi dy binjakë të shëndetshëm, me të cilët merrej gjithë ditën. I vetmi vend aty pranë, ku mund t’i nxirrte ishte gomisteria, ku punonte i shoqi. Kozeta shkonte te puna e të shoqit ku sundonte era e grasos dhe gomave të përdorura, ulej në një karrige shtrembaluqe, nxirrte gjinjtë e bëshëm dhe ushqente binjakët. Punonte Mazja, si gomist aty në lagje, te Sevo Qelbashi, një shëmtirë, që vërtetonte pa mëdyshje teorinë darviniane për prejardhjen njerëzore. Në fytyrë dallonin goja e madhe, dy sytë me madhësi të ndryshme, ku i vogli vinte i shtrembër, e që lëviznin gjithandej pa komandë. Sevua, një gomar i tërë, pa mbaruar as tetëvjeçaren, ia kishte dalë të hapte një gomisteri aty pranë shtëpisë në anë të rrugës. Sa herë Kozeta ushqente fëmijët, linte çdo punë, rrinte disa hapa larg në krah të saj dhe shikonte i zilepsur ndërsa syri i shtrembër fillonte e lotonte vetvetiu. Nuk ia ndante sytë asnjë çast derisa Kozeta mbaronte së ushqyeri binjakët, e fuste gjinjtë e mëdhenjë nën bluzën e hollë. Ndodhte që djemtë e vegjël luanin aty rrotull, e Mazja ishte i zënë me punë. Sevua i dilta nga pas dhe i fuste duart e tij kockanjare gjithë graso e vajra në kofshët e gruas së re, duke bërë ohoh, me gojën e stërhapur si një shimpanze, nga i dukeshin dhëmbët e krimbur e jargët, që i vareshin nga buzët e binin mbi kominoshet zgjyrë. – Ik ore qurrash se do të mbys me duart e mia, ik ore plehrë! – e shtynte gruaja, që pasi merrte binjakët, zhdukej ditë të tëra por nga që e mbyste mërzia vinte sërish. Të shoqit nuk i thoshte për të shmangur ndonjë sherr. Sevua pastaj mund ta largonte dhe rroga e tij ishte e vetmja e ardhur.
– Do të ikim në Greqi! Nuk ia dalim dot këtu! Mund të gjej dhe unë ndonjë punë andej, -i tha të shoqit. Donte të shkëputej nga ai ambjent mbytës, dhe nga Sevo Qelbashi, që i ishte qepur si ato këpushat e bagëtive e nuk i shqitej. Mazja gjeti punë shpejt te një pronar, që kishte ofiçinë, ku riparoheshin makinat bujqësore. Kozeta shkoi që javën e parë të shikonte, ku punonte i shoqi. Pronari ca i vjetër, i divorcuar po shumë i komunikueshëm dhe i sjellshëm menjëherë pikasi gruan e re. Mazen e paguante jo keq, dhe i propozoi Kozetës të bënte punët e shtëpisë, madje edhe të gatuante nëse dëshironte. Shpejt gruaja e ndjeu veten në punën e re si peshku në ujë. Brenda pak kohësh ndryshoi krejtësisht pamjen dhe sjelljen. Tashmë ajo ishte një grua plot energji e besim në vetvete, e kolme, me flokë të prera shkurt, që i nxirrnin në pah fytyrën bardhoshe dhe faqet me gropëza, me ca vidhje të kërcyera për merak e gjoksin madhështor, që kishte qejf ta vinte gjithmonë në dukje. I shoqi ishte i kënaqur; fëmijët ishin rritur e shkonin në shkollë, të ardhurat ishin të mira, ndonjë lek e vinin mënjanë dhe pronari nuk linte rast pa iu bërë dhurata fëmijëve e veçanërisht së shoqes…
Dikur Mazja, shkoi në orarin e punës në shtëpinë e pronarit për të marrë një aparat saldimi. Nga dritarja e hapur, pa Kozetën shtrirë në divan, gjysmë të zhveshur, që ledhatonte gjithandej pronarin grek, që rënkonte nga kënaqësia. I tronditur nga ajo që pa nuk hyri brenda dhe shkoi drejt në shtëpinë e vet. Ishte njeri paqësor, punëtor i madh, nuk përzihej me punët e të tjerëve dhe këtë hata nuk e priste nga e shoqja. Gjithë jetën kishte qenë korrekt me familjen dhe rrogën ia dorëzonte pothuaj të gjithë Kozetës. Fillimisht i shkrepi në mendje t’i fuste një sopatë kokës siç kishte bërë një bashkëkombas, (për të ruajtur nderin, kishin thënë) që përfundoi me burg përjetë dhe fëmijët morën rrugët. Pastaj i tha vetes të divorcohej, ta dëbonte nga shtëpia si grua e pabesë por sërish bëri prapaktheu. Banonin në një nga shtëpitë e pronarit dhe ai që do ikte nga shtëpia ishte vet ai, sepse fëmijët do të rrinin me t’ëmën, me të cilën ishin shumë të lidhur. Makinën me të cilën shkonte në vendlindje dhe i shiste mend Sevo pocaqisë, greku ia kishte dhuruar Kozetës për ditëlindje, shkolla e fëmijëve, puna e tij, e gruas, pastaj … Dukej fare pa rrugëdalje. Vetëtimthi i lindën disa dyshime dhe filloi të arsyetojë pak i lehtësuar: Po sikur mos të ishte e vërtetë dhe t’i kishin bërë sytë? Po sikur mos të qe e shoqja por një grua tjetër se grekun e pa mirë që ishte? Po sikur ta kishte parë dikush tjetër? Po që ishte e shoqja me gjoksin e veçantë, që ai e njihte mirë… Lëmsh e kishte mendjen, kur dera u hap dhe Kozeta e buzëqeshur ia behu, duke shpërndarë në gjithë shtëpinë një aromë të rafinuar zambakësh. – Nuk i ke marrë ende fëmijë nga shkolla? Po shkoj vet s’ka problem. Dëgjoi zhurmën e makinës, që u largua. I dërrmuar erdhi rrotull nëpër shtëpi një copë herë dhe vendosi: Ndarja me gruan ato çaste, do të ishte katastrofë për familjen. Por pa ia thënë atë që kishte parë nuk do e linte, se nuk ishte aq legen sa ta mbante në kurriz një turp të tillë! Po le ta dëgjonte një herë ç’do të thoshte Kozeta!? Apo të priste të rriteshin dhe pak fëmijët, të grumbullonte ca para, e të ikte përgjithmonë në Shqipëri!? Do ngrinte biznesin e tij, një gomisteri, për merak…