Nga ANGELO PANEBIANCO /
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika/
Përfundimi i ngjarjes afgane nuk është vetëm humbja më rrënuese e pësuar kohët e fundit nga shoqëria perëndimore prej një lëvizjeje totalitare. Në mënyrë paradoksale ajo shënon çastin e një suksesi tejet të hidhur. Të dëshpëruarit që kacavirreshin në aeroplanët që niseshin, gratë e terrorizuara nga kthimi i barbarëve e të gjithë ata që përpiqen të shpëtojnë më parë se sa ferri t’I gëlltitë, dëshmojnë se, megjithë njëzet vitet e luftës e shumë gabimeve, perëndimorët kishin arritur t’I ndihmonin afganët të krijonin, sado pak, një embrion të një shoqërie të hijëshme. Një shoqëri në të cilën vajzat e vogla mund të shkonin në shkollë dhe të rejat në Universitet, në të cilën burrat e gratë të mund të zotoheshin në veprimtari ekonomike, që nuk qëndronin vetëm në kultivimin e opiumit, në të cilën për shumë njerëz ishte e mundur të rifillonin të jetonin, të shpresonin përsëri në t’ardhmen. Përse ndërsa komentet asgjësuese të luftës n’Afganistan, në tërësinë e saj, mbulojnë si flokët e borës mjediset mediatike, përveç gabimeve, është e rëndësishme të kujtohet edhe gjithshka e mirë që megjithatë ësh kryer? Sepse nga shumë shenja, është e dukëshme se ata, ndërmjet nesh, që gjithmonë e kanë urryer po përgatiten të hartojnë një “proçes të madh” kundër shoqërisë perëndimore, parimeve e arritjeve të saj. Politikanët si ata cilësorë si ata të rëndomtë, e kuptojnë gjithmonë në fluturim se cilët janë të fuqishmit në rënie e cilët ata në ngjitje, e i përshtasin menjëherë taktikat dhe strategjitë e tyre ndryshimeve në shpërndarjen e fuqisë, të ndjekur në këtë drejtim nga sektorë shumë a pak të gjërë të opinionit publik. Meqë udhëheqja ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara, që përpara në rënie, del mos më keq nga ndodhia afgane, mund të presim në muajt e vitet e ardhëshëm, një rifillim të fuqishëm të kundëramerikanizmit (nga ana tjetër, asnjëherë i shuajtur) n’Evropë. Rritja e tij është e pashmangëshme si pasojë e rënies së fuqisë amerikane, të humbjes së besueshmërisë e të namit të saj. Por kujdes, kundëramerikanizmi n’Evropë nuk ka qënë kurrë vetëm shprehje e një kundërshtie ndaj Shteteve të Bashkuara. Është shumë më tepër. As shumë e fshehur nga thirrjet kundëramerikane, ka qënë gjithmonë e mundëshme të shquhej armiqësia ndaj qytetërimit liberal perëndimor në tërësinë e tij, i të cilit nga fundi i luftës së Dytë botërore e këtej, Shtetet e Bashkuara kanë qënë drejtues e motor. Kundëramerikanizmi ishte dhe është shtresa më e sipërfaqëshme. Në shtresat më të thella, ka qënë dënimi në bllok i lirive perëndimore, politike, qytetare dhe ekonomike. Këtë e provon fakti që kundëramerikanizmi ka shkuar krah për krah, pandryshueshmërisht, me lëvdatat për regjimet autoritarë e totalitarë. Në të majtë sikurse në të djathtë. Ka qënë një kohë në të cilën kundëramerikanizmi i së majtës martohej me nderimin për Bashkimin Sovjetik e pastaj, n’epokën mbas 68, për Kinën e Maos, për Kubën e Fidel Kastros etj. Në të njëjtën periudhë, në të djathtën skajore, kundëramerikanizmi shprehte armiqësinë kundrejt atyre “demoplutokracive”, që, pikërisht n’emër të qytetërimit liberal, kishin luftuar e mundur nazizmin e fashizmin. Për fat të keq këto nuk janë faqe historie që nuk kanë të bëjnë më me ne, porse kanë të bëjnë. Meqë politika nuk pranon zbrazësira, rënia amerikane, zgjedhja e Shteteve të Bashkuara, e ripohuar tashmë nga Biden-i në vazhdimësi të përsosur me Trump-in (dhe në marrëveshje me çfarë kërkon opinioni publik amerikan), palosjen në vetvete, i le fushë të lirë fuqive të mëdha autoritare, nga Kina në Rusi dhe një morie fuqish mesatare dhe ato me karakter autoritar e njëlloj armike të shoqërisë perëndimore. Do të jenë ato pikat e reja të riferimit (me të cilët, me gjasë, do të shtrëngojnë aleanca e lidhje) të trashëgimtarëve e pasardhësve të kundëramerikanëve evropianë të së djathtës e të së majtës, që nga kohët e Luftës së ftohtë. Natyrisht, rregullat e një sistemi ndërkombëtar shumëpolësh, siç është ai në të cilin jetojmë, janë të ndryshme nga atëherë. N’epokën e Luftës së ftohtë armiku kryesor i shoqërive të lira ishte njëri. Sot shemëritë janë të shumta e të përhapura. Dikush urtësisht ka thënë se dobësia e treguar nga Shtetet e Bashkuara, mund t’a shtyjë Kinën të orvatet të kryejë një provë force mbi Taivanin shpejt a vonë. Nga ana e tyre, rusët mund të llogarisin atë dobësi për të përforcuar pozitat e tyre, sigurisht në Lindjen e Mesme e ndoshta edhe n’Evropë, në kufijtë me NATO-n. Edhe politika rish-otomane e turqëve del e ngrefosur prej ngjarjes afgane e, më parë se kështjella e letrave e ndërtuar nga Erdogani të shëmbet, mund të jemi të pranishëm në të tjera prova fuqije, në funksion kundër-evropian e kundër-perëndimor. E gjithë kjo ndërsa fitorja talebane elektrizon skajshmërinë islamike n’Azi, n’Afrikë, n’Evropë. Për evropianët gjëndja është e vështirë. Çadra amerikane mbi të cilën jemi mbështetur gjithmonë, tani është plot me vrima dhe nuk ka në këtë çast asnjë tjetër që t’a zëvendësojë. Çapëlimi ndërmjet dy shoqërive liberale,asaj evropiane dhe asaj amerikane, është i fortë tani si në kohët e Trump-it: Biden-i ka bërë zgjedhjet e tij për arsye të politikës së brëndëshme pa u shqetësuar për kundërgoditjet johenike mbi Evropën, gjë që sigurisht do të ndihmojë ushqyerjen e kundëramerikanizmit evropian. Kjo gjë, në një t’ardhme t’afërt, mund t’i japë hov e miratime forcave me tipare iliberale që, në Vënde të ndryshme evropiane dukeshin të cunguara vetëm pak javë më parë. Ndoshta demokracitë evropiane, më të qëndrueshme institucionalisht dhe në të cilat është më shumë e bashkëndarë përkrahja e parimeve liberaldemokratike, do t’i qëndrojnë më mirë trysnisë, por është e lehtë të merret me mënd se demokracitë më të brishta, si e jona, të mund të pësojnë pasojat e një gjëndjeje të re ndërkombëtare. Nëse nuk do të jemi të kujdesëshëm, nëse nuk do të jemi t’aftë të vemë në fushë kundërmasa të volitëshme, do të vijë një kohë në të cilën Italia do të bëhet truall i përplasjeve ndërmjet forcash me referentë ndërkombëtarë të ndryshëm, Evropa e Shtetet e Bashkuara nga një anë, Kina, Rusia e kushedi kush tjetër nga ana tjetër. Partia filo-kineze që tani e ka ngritur kokën: “duhet biseduar me talebanët që tani duken më të urtë se dikur”, “duhet të vendosim lidhje të qëndrueshme me Kinën” etj. Edhe miqtë italianë të Putinit, sigurisht nuk do të humbasin rastin. Ndonjë i bën thirrje Evropës. Por Evropa në të mirë a në të keqe, jemi neve. Është gjithmonë problemi se si mund të dalim nga balta duke u tërhequr vetë prej flokësh.
“Corriere della Sera”, 21 gusht 2021 Përktheu: Eugjen Merlika