
Dr. Iris Halili/
Shqipëria, vendi ku nuk u dorëzua asnjë hebre dhe numri i tyre u shtua nga 200 në 1800!
“Në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi kundër hebrenjve, sepse Shqipëria është një ndër vendet e pakta në Evropë ku paragjykimi dhe urrejtja fetare nuk ekzistojnë, edhe pse vetë shqiptarët janë të ndarë në tri besime.” — Herman Bernstein, ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri (1930-1933).
Historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një nga kapitujt më unikal dhe më prekës të tolerancës dhe harmonisë fetare shqiptare. Ndërsa shumë vende evropiane institucionalizuan diskriminimin dhe shpesh morën pjesë në përndjekjet antisemitike, shqiptarët jo vetëm që mbrojtën hebrejtë vendas, por ata pritën edhe refugjatët hebrenj të huaj, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.
Me pushtimin italian të Shqipërisë në prill të vitit 1939 dhe pse emigrimi i hebrejve të huaj që jetonin në Shqipëri u bë më i vështirë, sërisht asnjë hebre nuk u detyrua të largohej, dhe kjo në kontrast me shumë vende të tjera ballkanike.
Hebrejtë ndonëse u ndaluan nga aktivitetet politike, sociale dhe kulturore, ata serisht mund të praktikonin ritet e tyre fetare dhe në përgjithësi nuk provuan persekutim të ashpër. Pas kapitullimit italian në shtator 1943 dhe ardhjes së pushtuesve gjerman, autoritetet naziste kërkuan listat e hebrejve në Shqipëri, por kjo kërkesë u refuzua nga autoritetet shqiptare. Ky refuzim ishte vendimtar në mbrojtjen e hebrejve nga arrestimet dhe deportimet masive që po ndodhnin në pjesë të tjera të Europës.
Megjithë rreziqet, familjet shqiptare myslimane, ortodokse dhe katolike strehuan hebrejtë për muaj dhe vite, duke mos dorëzuar asnjë prej tyre tek autoritetet naziste. Nuk dokumentohet asnjë rast i një hebreu të tradhtuar në Shqipëri apo asnjë rast kur një familjeje pritëse të ketë kërkuar shpërblim për mbrojtjen e tyre. Ky fakt tregon qartë se tradita shqiptare e mikpritjes dhe besës ishte thelbësore në shpëtimin e hebrejve.
Sipas dokumentimeve historike, numri i hebrejve në Shqipëri jo vetëm që mbeti i paprekur nga Holokausti, por u rrit ndjeshëm për shkak të ardhjes së refugjatëve hebrenj nga Gjermania, Austria, Polonia, Serbia, Greqia dhe Jugosllavia. Numrat flasin vetë dhe fortë: Në vitin 1941 në Shqipëri numëroheshin /ishin rreth 200 hebrenj, ndërsa deri në fund të luftës numri arriti në rreth 1,800 hebrenj. Kjo përbën padyshim një rast unik në Europën e asaj kohe.
Një kontribut të rëndësishëm luajti këtu edhe Herman Neubacher, ish-kryebashkiak i Vjenës dhe përfaqësues special i Ministrit të Jashtëm gjerman Joachim von Ribbentrop në Shqipëri. Neubacher synonte të ruante “sovranitetin relativ” që kishte Shqipëria nën kushtet e okupimit. Kjo zgjidhje politike shpesh e shmangu çështjejen hebre duke mos e konsideruar atë urgjente.
Ndërkohë, situata për hebrejtë e Kosovës apo “Shqipëria e Re” sikur quhej gjatë luftës ishte më e ndërlikuar. Shumë hebrenj iu drejtuan Kosovës nga Kroacia dhe Serbia. Fillimisht ata u trajtuan mirë, por shumë u kthyen dhe u ekzekutuan në Beograd. Të mos harrojmë që Himleri krijoi në Kosovë Divizionin SS “Skanderbeg” , i cili arrestoi 281 hebrenj dhe i dërgoi ata drejt kampeve të përqendrimit, nga ku vetëm rreth 100 mbijetuan në Bergen-Belsen. Megjithatë, afro 60% e hebrejve të Kosovës gjithashtu mbijetuan periudhën e luftës dhe kjo falë strehimit që i bëri populli i Kosovës.
Motivimet: nga humanizmi te toleranca fetare
Motivacionet e shqiptarëve për të mbrojtur hebrejtë nuk mund të shpjegohen vetëm me mungesë kërcënimi. Ndër elementët vendimtarë ishte tradita shqiptare e mikpritjes dhe besa, e cila vendoste për detyrimin moral dhe shpirtëror për të mbrojtur mysafirët në rrezik. Përtej kësaj, Shqipëria shquhet për harmoni dhe tolerancë fetare të thellë;Sikur do të shkruante ambasadori Amerikan në Shqipëri (1930-1933) Herman Bernstein, “Asnjë shenjë diskriminimi ndaj hebrenjve nuk ekzistonte në Shqipëri”, edhe pse vendi ishte i ndarë në tri fe të mëdha.
Krenarë duhet të shprehemi se historia e hebrejve në Shqipëri gjatë periudhës zogiste dhe Luftës së Dytë Botërore është një dëshmi e jashtëzakonshme e tolerancës dhe humanizmit shqiptar si dhe besës shqiptare. Përmes veprimeve të guximshme dhe sakrificave personale, shqiptarët jo vetëm mbrojtën hebrejtë vendas, por edhe shpëtuan refugjatë të huaj nga persekutimi nazist.
Pjesë e shkëputur e studimit të Autores “Harmonia fetare në Shqipëri” -Dhjetor 2006.