Nga Vangjush Ziko/
Teoria klasike e letërsisë, nuk e ve në dyshim ndryshimin midis poezisë e prozës, ndryshim i cili ka të bëjë, para së gjithash, me gjuhën e tyre: kemi gjuhën poetike dhe gjuhën e prozës. Kjo ka të bëjë jo vetëm me mënyrën grafike të sendërtimit të tyre me vargje apo me fraza të pakufizuara, me paraqitjen strofike apo me atë tekstuale, hapësirë që zë në një faqe libri. Ndryshimi thelbësor midis tyre ka të bëjë me sintaksën artistike dhe jo, thjesht, me rregullat gjuhësore.
Zh. Zhenet në studimin e saj “Gjuha poetike, poetika e gjuhës” shkruan: “Pyetja mbi gjuhën poetike, kaq e vështirë për kohën tonë, ishte në ato kohë (të lashta, shënimi im) jashtëzakonisht aq e thjeshtë, për deri sa ekzistenca ose mungesa e metrikës përcaktonte kriter-in vendimtar aspak të dyfishtë”.
Dihet historikisht se në antikitet teksti “dëgjohej”: poezia lirike këndohej, poezia epike tregohej gojarisht, proza oratorike deklamohej publikisht, kjo ishte mënyra bazë e komunikimit të krijimit letrar me njerëzit, me masën; gojë më gojë qarkullonin lirikat e Safos, gojarisht kaloi brez pas brezi edhe eposi homerik. Edhe eposi ynë i kreshnikëve apo përrallat, për të mos lënë më një anë folklorin poetik, shumë vonë u hodhën në letër apo u botuan në libra. Arësyet objektive janë të njohura.
Botimi i librit, pohon Zh. Zhenet, solli një rivlerësim në raportin midis gjuhës poetike edhe asaj të prozës. Futja e teknikës së Gutenbergut, leximi dhe përhapja e librit, u bë shkak për një qëndrim të ri ndaj gjinive të ndryshme letrare. Nga leximi “gojor’ u kalua në leximin “vizual”, ekzistenca zanore e tekstit u zëvendësua me ekzistencën grafike, gjë e cila shpuri në një vlerësimi semantik të vargut nga ai, kryesisht, tingullor. Kjo gjë shpuri në kritere të reja vlerësuese të melodisë dhe të figurshmërisë së vargut dhe, për pasojë, në komplikimin e përcaktimit të karakterit të dyfishtë diferencues, midis gjuhës poetike dhe asaj të prozës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me objektin, me pasqyrimin e jetës materiale apo asaj shpirtërore, me jetën njerëzore.
Ky diferencim ka ardhur duke u bërë gradualisht. Në antikitet janë shkruar me vargje edhe traktate filozifike. Për një kohë mjaft të gjatë, ndikimi tingullor edhe ai ritmik mbetej i pranishëm edhe në hartimin e veprave me karakter prozaik, siç ishte romani në vargje. Po të shikojmë pjesën më të madhe të krijimtarisë së rilindsave tanë, ajo i përcolli subjektet patriotike apo ato jetësore, morale apo etike, qoftë edhe ato historike, si periudha e Skënderbeut, nëpërmjet të vargjeve. Dalngadale u arrit në gjykimin se gjuha poetike është e ndryshme nga ajo e prozës ose anasjelltas.
Teza e mësipërme mbi ndikimin e faktorit jashtëletrar, botimit të librit, të komunikimit pamor, të heshtur dhe jo atij tingullor, zanor, shpegon apriori dallimin midis gjuhës poetike dhe gjuhës së prozës, në fakt, ka të bëjë me atë që quhet psikologjia e leximit, e cila krijon një lidhje të re kuptimore dhe, sidomos, emocionale. Kjo i bën të kapshme dallimet dhe dëshmon se poezia është një shmangie nga ligjërimi i përditshëm njerëzor.
Cili është, atëhere, thelbi i kësaj shmangieje?
Josif Brodski pohon: “Poezia është, para së gjithash, arti i shoqërimit, i shënimit të paraleleve gjuhësore dhe metaforike”.
Gjuha jonë e përditshme është e mbushur me të këtilla shprehje të figurshme, metaforike, krahasime apo antiteza pa fund, që përcjellin një mendim apo emocion të koncentruar aforistik në përshkrime të natyrës, në krahasime, në urime apo në mallkime, pra, emocione të ndryshme, të cilat shprehin në mënyrë lakonike gjendje apo situata me kohështrirje të gjatë ose emocione të zgjatura, që do kërkonin fraza të tëra për t’ i transmetuar.
Një gjë e preferuar në gjuhën tonë të përditshme është edhe përqasja tingullore e fjalëve si një mjet për të përforcuar një ndjenjë, një mendim apo një dukuri të natyrës, duke venë përkrah fjalë me mbaresa zanore të njëllojta (marsi, drurët i mbarsi; korriku, mbushet shiniku; i riu si veriu…)
Në rite të ndryshme apo në lodra shohim një dukuri tjetër që është ndërtimi ritmik i shprehjes duke respektuar një theksim logjik të përbashkët (sharrë sharrë godinarë…; onomina, donomina…).
Pra, rimën, ritmin, figurshmërinë, që përbëjnë prozodinë, i ka bërë të vetat gjuha poetike nga gjuha e figurshme e të folurit.
Gjuha poetike sendërtohet në bazë të vargëzimit metrik, gjë e cila ka shpënë edhe në formën e saj aq të ngjeshur dhe lakonike me vargje dhe strofa, në dallim nga proza, që kërkon faqe të tëra për t’ u shprehur. Po të shprehemi figurshëm, do të themi se poezia është parfumi i mbyllur në një shishkë dhe proza, vera në një but.
Paraqitja strofike ose monokolonë është forma grafike e poezisë, në dallim nga proza.
Ndjenja e mendimi njerëzor janë objekti i poezisë lirike. Poezia më shumë se monolog është një dialog i autorit me vetveten dhe, sigurisht, me lexuesin.
Metrika poetike ka si bazë rrokjet, numëri i të cilave përsëritet nga njëri varg në tjetrin. Vargjet i lidh me njëri-tjetrin, përveç mendimit, fundi tingullor i çdo vargu, rima, e cila nuk ka vetëm funksionin lidhës tingullor, jo vetëm rikujtimin e vargut të mësipërm, por edhe lidhjen asociative të fjalëve që rimojnë. Ritmi është, në radhë të parë, përsëritja e theksave ritmikë dhe logjikë të vargjeve; në tërësinë e vet ritmi nënkupton, në radhë të parë, ndërtimin sintaksor, energjinë poetike.
Megjithatë, në fund të fundit, nuk është prosodia ajo që përcakton qënien e poezisë. Poezia nuk nënkupton, thjesht, renditjen e fjalëve dhe vargjeve sipas rregullave të stilistikës poetike të vargëzimit. Jo çdo lloj vargëzimi i përpiktë është poezi. Poezia nënkupton, mbi të gjitha, shprehjen e figurshme të mendimit dhe të emocionit, siç thotë Ezra Pound: “poezia e madhe është gjuha e thjeshtë e mbushur me të gjitha kuptimet e mundshme”. F. Garsia Lorka e zbulon më tej magjinë e gjuhës poetike: “Ç’ është poezia? Ja se çfarë është: bashkimi i dy fjalëve, që nuk e shkonte ndërmend njeri se ato mund të vendosen bashkë dhe se, duke i bashkuar, ato do të shprehin një të fshehtë të re kurdoherë që i shqiptojmë”
“Gjuha nuk është vetëm forma, por edhe përmbajtja e gjuhës poetike”, pohon studjuesi M. J. Poljakov.
Historikisht, koncepti mbi gjuhën poetike dhe vetë poezinë ka evoluar. Poezia mund të shkruhet edhe duke shmangur metrikën, me varg të lirë. Paraqitja grafike e poezisë, leximi i saj individual, komunikimi i heshtur meditativ e zbehu anën tingullore dhe vlerësoi, mbi të gjitha, figurshmërinë artistike, proces i cili i përcaktoi në mënyrë selektive kufijtë midis gjuhës poetike dhe gjuhës së prozës, duke e zhvendosur në plan të parë rolin e ritmit si mjetin bazë të vargëzimit poetik.
Është interesant mendimi dhe praktika e Jorge Luis Borges për të rimarrë subjekte të kryeveprave botërore të prozës dhe rishkrimi i tyre me këndvështrimin e epokës pasuese, duke i ripërtërirë, duke i aktualizuar. Ndërsa Umberto Eco futi termin “libri i hapur” duke e qojtur kështu tekstin letrar, i cili mund të interpretohet nga të tjerët dhe të ketë disa bashkautorë të tekstit: “libri i hapur bashkëkohor, pohon ai, provokon vetë interpretime të shumëfishta”. Ai ka papara sysh Xhojsin, Beketin, Kafkën, Servantesin dhe “romanin e ri”, pra, kryesisht vepra në prozë. Kjo mund të ndodhë edhe me vepra epike në vargje, me subjekt dhe personazhe. Por si mund të rishkruhet një poezi apo poemë lirike e shkruar disa shekuj më parë; ajo mund të përkthehet në një gjuhë tjetër, e shumta, ose të imitohet, duke rënë në epigonizëm, sepse ndjenja është aq delikate, aq personale dhe e papërsëritshme.
Kjo brishtësi e gjuhës poetike, e këtij “brumi magjik” që mund të derdhet vetëm në kallëpin e vet, bën diferencën emotive të gjuhës poetike nga gjuha e prozës. “Nuk lindin rastësisht poetët/ ata mbi tokë zbresin nga qielli” shkruan një poete ruse. Këto vargje nuk janë aspak një paravoli biblike. Ashtu si e vërteta e krijimit të universit është e pakapshme nga arsyetimi njerëzor dhe mjeshtëria poetike edhe gjuha e poezisë është e veshur nga mjegulla mistike e krijimit, jo vetëm për lexuesin, por edhe për vetë poetin. Josif Brodski i atribuon gjuhës poetike atë magji e cila e bën poetin të befasohet se si poezia e tij doli edhe më e mirë se sa e kishte menduar ai, kur nisi ta shkruajë.
Por edhe gjuha poetike, si gjuha në përgjithësi, është një “materie” e gjallë në lëvizje të vazhdueshme. Është i njohur mendimi se gjuha poetike gradualisht vjetërohet si mjet njohjeje dhe abstragimi nga epoka në epokë. Ajo, si mjet shprehjeje përballet vazhdimisht me përjetime emocionale dhe horizonte të reja mendimi.
Kohët e fundit është hedhur idea, se, ashtu siç ndikoi Gutenbergu me shpikjen e shtypjes së librit, të njëjtën gjë do bëjë, apo po bën, shpikja e internetit, e komunikimit internetik të letërsisë në epokën e globalizmit, i cili i ka shtrirë pa kufi rrugët e komunikimit njerëzor edhe në atë artistik. Dihet se burimi i poezisë ka qenë gjithmonë vetmia. Vetmia, jo veçimi, por vetmia ekzistenciale. Me internetin kjo është fshirë. A mos, vallë, pyet e habitur një poete bashkëkohore, mos do të lindë edhe një gjuhë e re poetike?!
Një synim tjetër ekstrem i shfaqur në kohën tonë postmoderne, është ai që pohon se nuk ka poezi dhe antipoezi, poezi dhe prozë, se kufitë e tyre janë formalë.
Mbase synimi këmbëngulës i njeriut për të depërtuar dhe për të zgjidhur enigmën e botës kozmike apo atë të universit artistik të krijuar për shekuj me radhë, të jetës dhe pafundësisë së saj, do ta bëjë një normë të zakonshme edhe këtë plazmim të ri stilistik, shpërbërjen e kufijve të zhanrit, gjë e cila do të kërkojë edhe një ristrukturim gjuhësor duke e ndryshuar edhe strukturën e ligjërimit poetik dhe atij të prozës, mbase, duke i unifikuar. Këtë ndryshim, patjetër, do ta prijë gjuha poetike.