• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vangjush Ziko -Jetë, mbështjellur në butësi lirike

June 13, 2016 by dgreca

Esse-personazh rreth figurës të poetit, dramaturgut, prozatorit, esseist-it, studiuesit dhe përkthyesit brilant të lirikëve të mëdhenj rusë, Vangjush ZIKO./

 Shkruar nga Raimonda MOISIU/

 Letërsia, është dashuria për artin e fjalës në të  shprehur dhe  në të  shkruar, e cila  na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër,  me integritetin e pasionit njerëzor, ambicjes dhe  sfidës, të cilat lindin  energjinë e psikikes dhe  shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale. Është lufta e talentit me vetëbesimin dhe vetë-ndërgjegjësimin, që  pasqyron frymëzimin nga motivet e  të dukëshmes e së padukëshmes, që dëshmohen përmes vetë-zbulimit; forcës e talentit dhe e inteligjencës, armë këto për  ndryshim, në  udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, të  përjetimeve dhe casteve të saj, në të përditshmen njerëzore. Me intimitetin e sublimes e shpirtërores,  të ëndrrave dhe zhgënjimeve, historike e dokumentare,  social, politike dhe ekonomike të natyrës dhe  të shoqërisë, që përkojnë natyrshëm, të menduarit ndryshe për të  ecur me hapin e kohës dhe frymëzimin  me ndjenjën e bukur të dashurisë  në botën që na rrethon. Në  historinë moderne dhe bashkëkohore të letërsisë shqipe, shkrimtari dhe poeti lirik meditadiv e vizionar, Vangjush Ziko është një figurë unike njerëzore dhe historike, mendimtar i shquar, kreativ dhe erudit,  një zë i vecantë që i përket  periudhës së shtrirjes kombëtare në disa epoka; asaj të historisë moderne shqiptare, letërsisë së realizmit socialist, letërsisë post-komuniste dhe jashtë kufijve  të atdheut, në ekzil,  zë i   idealizmit dhe revolucionit të botës së modernizuar, me krijimtari metaforike dhe e motivuar ideo-artistikisht, filozofike dhe  letraro-artistike, thellësisht njerëzore. Letërsia shqiptare krenohet për shumë individëve historikë dhe kombëtarë, shkrimtarë dhe poetë, për trashëgiminë  e tyre të cmuar intelektuale, letraro-artistike, me  veprat e tyre mbresëlënëse dhe madhështore, por një nga krenaritë  që i ka rritur nderin dhe autoritetin vendlindjes, Korcës dhe  letrave shqipe, është edhe emri i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit brilant dhe studiuesit, prof.  Vangjush Ziko. Një emër gjithpërfshirës, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht, që vazhdon të mbetet  gur prove i botës së civilizuar, në kërkim të identitetit krijues unik, është vizioni i ri i revolucionarizimit të  ndryshimeve esenciale dhe i ndërgjegjësimit të  artit bashkëkohor, kulturës shqiptare dhe njerëzimit progresiv, integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.

Stili poetik i  poetit Vangjush Ziko-i mëkuar thellësisht me lirizëm.

 Vangjush Ziko, meriton vëmendjen dhe vlerësimin si një nga poetët lirikë më të shquar të vargjeve lirike shqiptare, poet që reflekton shqetësimet, dhimbjet e dashuritë, duke ruajtur individualitetin krijues të dallueshëm e të vecantë, individualitet rini -krijues, i mëkuar me lirizëm. Pikëtakimin e parë me vargëzimin e ka pasur në moshën fëminore, me këngët për motmotin që mbartnin ritmin e lodrave fëminore, të kënduara nga nëna e tij, dhe më pas në  abetare, kur nisi të mësontë të shkruante e të lexonte. Në moshën nëntë vjecare  librin e parë me vargje që lexoi, ka qenë poema në vargje e Naim Frashërit, dhe librat e parë që ka blerë me poezi, me kursimet e veta,  në vitet ’47-’48, kanë qenë “Vargjet e lira”, të Migjenit dhe një botim të ilustruar në rusisht i poezive të Majakovskit, të cilat jo vetëm e mëkuan me lirizmin e vargjeve të tyre, por i atribuan edhe prirjen për t’i recituar ato vargje lirike. Janë burimet e para “letrare”, që i nxitën pasionin idealist dhe e  lidhën pazgjidhshmërisht dhe përjetësisht me poezinë, duke filluar të shkruajë kështu, vargjet e para. Vargjet poetike të hershëme të Zikos, tregojnë se ai u ndikua edhe nga dashuria për natyrën, gjelbërore, shpezore dhe shpengimi i shpirtit, të cilat ai i pasqyroi në artin e tij poetik, duke botuar poezinë e parë, në gazetën “Zëri i Rinisë, nga fundi i vitit ’49-ë. Pasioni, dhe fuqia e vargjeve lirike me  potencialin e tyre dhe pjekurinë  artistike, të “Vargjeve të Lira”, të Migjenit dhe poetëve lirikë të shquar rusë, ndikuan  në rritjen dhe zhvillimin artistik të Zikos, në përpjekje për të zotëruar mjeshtërisht artin e të shkruarit poezi. Duke lexuar dhe absorbuar cdo gjë të shkruar prej tij, vemë re se Ziko sintetizon mjeshtërisht format lirike, meditative dhe klasike, në një epikë kontemporane  të përkryer bashkëkohore dhe me vetëdijen rivale me poetët lirikë bashkëkohorë shqiptarë e të huaj, për t’u shprehur lirshëm, përpos pasionit dhe  intimitetit të identitetit poetik, motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike. Sensibiliteti dhe figuracioni poetik i Zikos,  ripërcakton traditën epike nga heroike në shpirtërore, nga lirike në elegjike me intensitet të fortë emocional,  që nënkupton marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, dhe se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën, me thellësinë e mendimit dhe meditimit të tij moral e shpirtëror, duke përcaktuar kështu,  madhështinë e vizionit të tij poetik.  Karakteristikë e pënës poetike të Zikos është respekti ndaj sublimes, dashurisë njerëzore. Me elegancën e mjeshtërisë artistike e filozofike, në zotërim të vetëkontrollit poetik dhe formave të ndryshme poetike, Ziko ka gjetur diatezën e maturuar për të realizuar  balancën mes psikikes e shpirtërores, komunikimit ndjesor meditativ, subjektit lirik të natyrshëm,  dhe ballafaqimit të thellë me botën e jashtëme.  Vëllimet poetike të botuara tashmë, “ Këngë për duart”, “Takim me malet”, “Këngët e Grurit”,  “Galeritë e Nëtokës”, “Magjia e Dashurisë”, “Ditari Kanadez”, “Monologu i Ajzbergut”, “Kulla ime e  Babelit”, “Këtu pranë Polit të Botës”, “Më zgjo Pëllumb i Noes”,  “Mbase nesër gdhin e diel”, mund të thuhet me plot bindje se që në titujt respektivë të tyre,  zë fill lirika moderne e  ballafaqimit simbolik , është intensiteti i saj për të nënshtruar të kundërtat nga të qënit e tyre në marrëdhënie të ngushtë me të bukurën e të vërtetën. Ziko depërton në synimet e tij poetike, interesante, ndjesore  dhe fabulore, poeti  eksploron vetëdijen dhe subjektivitetin nëpërmjet përdorimit të imazheve,  jo vetëm  në gjetjen e frazava të duhura me figura artistike e filozofike, por ai qëllimisht konfronton me finesë  mishërimmin simbolik të emocioneve dhe dukurive të jetës, agonisë së aktit të intimitetit  në ngjizjen e impulsit jetik, përmes bashkëveprimit mes imagjinatës dhe njëjtësimit sensual, thënë ndryshe romantizmit.

“Enigmë është e do të mbetet,/E përjetojmë dhe se ndajmë dot,/Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot,/Asgjë nuk janë luftërat e tërmetet,/as ankthi në mes djepit dhe qivurit./Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit,/Sa gjembi apo lule trëndafili,/Që mbin lëndinës sonë të shpirtit.” Poezia “Dashuria”, nga  vëllimi poetik “Monologu i Ajzbergut”, një poezie e herëshme e Zikos.  

Natyra dhe vetëdija për poetin lirik Vangjush Ziko, janë njëjtësime ndjesore  e romantike  në riciklimin e jetës. Poeti përpiqet të jetë vetvetja nën aureolën e atributeve njerëzore,  bashkimi unik individual i poetit mes dhimbjeve të lindjes, dashurisë për jetën dhe heshtjes së përjetëshme,  marrëdhënie kjo e krijuar me  kompleksitetin e tyre përmes kontrastit mes vetvetes dhe  të qenit ndryshe, të përkohshmes dhe së përjetshmes: “Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot.”. Poeti  na tregon  epërsinë që ka individi ndaj sekretit, aluzionit të klithmës shpirtërore dhe ndjeshmërisë, kosto njerëzore që ndikon mjeshtërisht nëpërmjet vargut, për t’i lehtësuar dhimbjet, mallin, trishtimin, vuajtjet njerëzore dhe shprehur dashurinë: “Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit.”  Ziko shfaq  simbole të tilla metaforike sikundër; “enigmë, pikëz gjak, pikëz lot, djepi, qivuri, cipëzën, truri, zemra, gjembi, trëndafili, lëndina, etj., që të sjellin ndërmend pafundësinë e meditimit që janë po aq të ndjeshme sa edhe të maturuara poetikisht, intensitet thellësisht i mendimit artistik e filozofik, që nënkupton kontrastet mes melankolisë dhe bukurisë së dashurisë njerëzore.

Ja një poezi rishtas, e para ca ditëve e Zikos, e titulluar “Këmbana e Yjeve”:“Natë,as zgjuar, as në ëndërr,/një ninananë zëëmbël,/një zë i ngjirur dhe i vrazhdët,/më kumbon,/në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar,/qielli porsi këmbanë,/që gjuhëzë nuk ka,/kumbon mistershëm,/dhe më këndon,/dhe më qorton,/vibrojnë yjet tranzistorë,/qielli i tërë një vibrim,/edhe i lumtur,/edhe i gjorë,/besoj se s’ ka harrim,/jeta jonë një teatër,/në tokë luhet,/ në qiell jehon,/këmban ‘ e yjeve/ me bronx e larë,/zërat tanë inçizon.”

Te kjo poezi, Ziko demonstron mjeshtërisht zërin e tij poetik, përpiqet të komunikojë emocionalisht  ndjenjën e dashurisë dhe ta bëjë atë epike  nëpërmjet imazheve: “ as zgjuar as në ëndër”,- jo vetëm në gjetjen e fjalëve të duhura, ritmin, rrjedhën e vargut, me figura artistike e mendim filozofik, ku metamorfoza e jetës mbetet unike: “në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/”, – e vetmja epikë e dashurisë kjo: “nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar”,- një shëmbull i transformimit artistik në vetvete dhe përballja me ndryshimet jetësore, tregojnë fuqinë dhe forcën  e imagjinatës për të riformuar botën, nëpërmjet  emocioneve dhe  dukurive të jetës.  Stili poetik i Zikos në të dyja poezitë, atë të hershmen dhe këtë rishtas, mbetet zë poetik unik, alegorik, meditativ dhe mediator mes të përkoshmes dhe së përjetshmes, psikikes e shpirtërores,  botës së brendëshme  dhe asaj të jashtëme, hyjnores e njerëzores, për të njohur shumëllojshmërinë e pafund të humanes dhe dashurisë, mëndje të gjallë e penë të shëndetshme, duke na ofruar kështu subjektin interesant, botëkuptimin inteligjent dhe filozofik, parë në këndvështrime interesante. Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike. Ky lloj alegorizmi vjen nga përkushtimi i poetit për të kapur momentin poetik, të cilin ai qëllimisht e paraqit si imazh dhe simbole përmes penës së tij poetike. Lulja është simboli i dashurisë,  vetmia dhe trishtimi janë lirike, sepse  nuk mund të ketë dashuri pa trishtimin, vetminë, gabimeve dhe dhimbjeve të bukura. Vargjet poetike të Zikos janë në traditën e post-modernizmit. Ato përcjellin realitetin, ku lumturia, si gjithmonë dashuria na japin dhimbje e mall, trishtim e gëzim, me butësinë dhe epërsinë e tyre,  monolog i brendëshëm, rilindjen dhe të prekëshmen, bujarinë dhe urtësinë, shndërrimin nga  realiteti në një realitet të interpretuar, në kuptimin simbolik të hyjnores e njerëzores. Duke i qëndruar traditës së post-modernizmit, e cila vihet re në vëllimin poetik, të botuar rishtas, i titulluar “Mbase nesër gdhin e diel”,  por edhe në poezi të tjera si poezia “Hallo Colombo”, publikuar në Facebook;  “ç’jam unë!/banori më i ri kësaj toke/në një apartament me qira,/dhe ëndrrën për një jetë më të mirë,/(ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë),/asnjë ëndërr nuk kam parë në këtë vend/dhe as kam për të parë,/mbase as kur të më shushurisin panjat mbi kokë/dhe ketrat të më përmjerrin./nipi apo stërnipi,/do vijë të më zgjojë,/me gjuhën e përzier: hallo, colomb i jetës së re!  Përmes vërshimit të një ironie dhe autoironie, sarkazëm e satirë të mprehtë, ton qytetar e intelektual, ndaj heroit lirik (banori më i ri i kësaj toke) dhe realitetit, tipar i poezisë së  sotme post-moderniste, Ziko harmonizon  elementët  tradicionalë me të njëjtin intensitet dhe guxim, duke na dhënë poetikisht dramën e vecantë  të mërgimit dhe mallit të mërgimtarit. Duke u bazuar në realitetin e dhimbshëm të individit (mërgimtarit-alias- banori i ri)  në kontekstin historik, social, kulturor, politik, dhe ekonomik, Ziko eksploron  fuqinë dhe vlefshmërinë psikollogjike dhe sociale e spektrit të ndjenjave të peshës së mërgimit, me tendenca artistike e filozofike: “ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë”- dhe nëpërmjet vargjeve intime e lirike, imponon konfliktet dhe dilemat morale, qytetare dhe intelektuale: “ngulur thellë në këtë tokë mes dy oqeanesh,/me kurorën e akujve rreth ballit”. Me energjinë e heroit  lirik në poezi,  Ziko “padit” kodet morale represive, dhe replikon me to nën efektet poetike, duke krijuar kështu një përzierje të traditës, gjuhës dhe kulturave, analizë sociale bashkëkohore që eksploron thellësisht temat e ndryshme  universale të dramës së brezit të parë të emigrantëve. Simboli i dashurisë njerëzore lind nga dhimbjet e lindjes dhe pjesa tjetër, përvec kujtimit mbetet entiteti i përjetësisë. Poeti Vangjush Ziko mjeshtërisht paraqet ndjeshëm e me talent në vargjet e tij kuptimin metaforik emocional e njerëzor të jetës, e cila natyrisht në vevtvete është  metaforë.

Vangjush Ziko mbetet  një nga poetët më të rëndësishëm dhe me emër në letërsinë shqiptare dhe artin bashkëkohor. Stili dhe konotacionet poetike të Zikos, janë  mishërimi i përkryer i vargjeve lirike shqiptare, artit si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes dhe formimit fizik dhe intelektual,- një jetë, mbështjellur në butësi lirike.

 Prozator, dramaturg, studiues dhe esseist.

 Në prozë Vangjush  Ziko është më  i hapur, një  novator, -karakteristikë e vecantë  kjo e autorit. Në librat me tregime, skica  dhe prozë letraro-artistike dokumentare me një përvojë të pasur, Ziko zotëron traditën e pasur të trajtave  lirike dhe narrative, të cilat autori i respekton me seriozitetin  e marrëdhënieve mes botës emocionale dhe psikologjike të  temave  kryesisht nga rinia, kujtime,  mbresa, dhimbje e mall, ndjenjave fisnike,  për të konturuar karaktere të injektuara me dashurinë dhe romantikën e bukur të tyre, duke i transformuar ato me metoda e elementë moderniste dhe stil të drejtpërdrejtë të imazheve dhe shëmbëlltyrës së tyre. Tek libri me tregime dhe skica “Borëbardha flokëthinjur”,(Romancë kanadeze), Ziko shprehet që në krye të librit: “Romancë zakonisht, quhet një pjesë e vogël muzikore, që pasqyron një gjendje të caktuar shpirtërore. Pse të mos e quajmë kështu edhe një krijim letrar, që na flet për ndjenjat dhe meditimet e një personazhi, një vepër letrare, e cila ka në themel konfliktin apo intrigën, boshtin artistik……”. Duke jetuar e krijuar mes Torontos, (Kanada)  dhe vendlindjes Korcës ( Shqipëri),   Ziko ndjek sintezën romantike e psikollogjike mes Lindjes e Perëndimit, ndërmjet traditës, reformimit modern, rivitalizimit  dhe realitetit bashkëkohor. “ Borëbardha flokëthinjur”, është vepër letrare unike, subjektive me  efekte të jashtëzakonëshme psikollogjike, artistike dhe brendia e saj vëzhgon botën shpirtërore të trazuar bukurinë, dinjitetin, dualizmin e natyrës shqiptare me atë kanadeze (p.sh Ujëvarat apo pyjet, malet lumenjtë e Shqipërisë e të Kanadasë),  ndjenjat që prodhojnë ankth e frikë, nderim e përcmim, kënaqësi dhe mërzitje, nostalgji e mall, iluzione e zhgënjime, dëshira e shpresa, dashuri e dhimbje, një pafundësi ndjenjash dhe fuqi përtej kuptimit njerëzor. Përshtatja e fjalës “romancë”, për këtë vepër letrare,  është mëse pozitivisht e përshtatshme nga poeti dhe eseisti Vangjush Ziko, është mishërimi i sublimes, i frymës romantike të aventurës së emigrimit, sepse ai thekson individualizmin, pohon vlerat e përbashkëta të njeriut, me imagjinatën për vlerat e saj estetike dhe etike, pohimin optimist të metamorfozës të vështirë, që shoqëria bashkëkohore e quan integrim. Idetë dhe shpalosja e tyre në këtë vepër letrare janë ende të freskëta me stilin e mprehtë prozaik dhe vëzhgimin e tyre në brendësi janë psikollogjike, shpirtërore, artistike,  filozofike dhe bashkëkohore. Librat e tjerë në prozë janë; “Korca-Qyteti dhe Kujtime”,/ “Serenata -Himni i dashurisë”,/ “Dardha-Legjenda e Feniksit të Pyllit”, tregojnë që Ziko  ia ka arritur të vlerësojë konceptin e  shquar të përvojës njerëzore në prozë psikollogjike, por edhe të letërsisë dokumentare në to, baza e letërsisë së vërtetë dhe të vërtetës historike,  të diktuara nga dhuntitë,  dhe interesat e tij studimore, mitikes dhe legjendave, punës hulumtuese dhe bibliografive, kujtimeve e mbresave, nostalgjisë dhe mallit për Korcën, serenatës si himn i dashurisë njerëzore, duke përfshirë bukurinë mitike dhe antike, mondane dhe aromën e blireve të Korçës, punës gjurmuese,  por edhe profili i tij  si profesor i letërsisë, të gjitha këto, janë të bazuara në përvojat e  jetës, emocionale dhe psikollogjike, larg cdo subjektivizmi. Proza e Zikos zgjeron temat sociale, ekonomike, kulturore, historike   dhe psikologjike, sidomos për vendlindjen e tij, Korcën dhe Dardhën.  Përfaqësues i denjë i dy epokave, Vangjush Ziko  i përmbahet prozës psikollogjike, gjuhës dhe stilit lirik -narrativ, asaj dokumentare, koncizitetit dhe individualizmit të  karaktereve të idealizuara, aventurat fantastike realiste dhe vizionit simbolist të tyre, temën karakteristike të konfrontimit mes kulturave dhe shpesh “të korruptuar”, nën ndikimin e shoqërisë perëndimore, duke e zgjeruar traditën me mjeshtëri artistike  dhe filozofike. Si dramaturg, Ziko në dramat e tij; “Motra Katerinë”(inskenim e botim), “Rruga e Madhe”(inskenim, edhe libër), “Vëllai i Madh” (inskenim), “Prova”(inskenim), “Fronti”(inskenim), “Martesë pa dasmë” (inskenim), Ziko ka eksperimentuar monologjet e brendëshme, , stilin realist. Dramat e tij të sipërpërmendura, janë  të hershme, që inkludojnë “ copëza të jetës”, në lidhje me iluzionet dhe obsesionet e karaktereve të zakonshëm e modestë, të ndara nga idetë dhe vlerat e tyre të qëndrueshme, shëmbull i filozofisë të  transformimit shoqëror, ekonomik, politik e kulturor, duke eksploruar qartshëm aspektin filozofik dhe artistik, në lidhje me trendet e njeriut dhe progresit njerëzor. Dramaturgu Ziko na vë në dukje përpjekjet për të mbrujtur ëndrrat me të cilat ballafaqohet bota dhe dhimbjet e tyre,(të personazheve),  mënyra e të shprehurit emocional dhe veprimeve fizike të tyre, të vërtetën konkrete dhe të moralit të shoqërisë, në kohë e hapësirë, për një dramë bashkëkohore mes  realizmit e simbolizmit. Edhe pse dramat e tij, fillojnë me ekzaminimin e përvojave jetësore në aspektin social, psikollogjik  dhe kulturor në të përditshmen njerëzore, Ziko interkulon një penetrim më të detajuar  e një analizë sociale bashkëkohore, të casteve të jetës  social- ekonomike-kulturore të shoqërisë nga vjen e ku mendon të integrohesh, duke e zgjeruar traditën me elemente psikollogjike e filozofike,  dhe duke  kthyer vëmendjen e tij letraro-artistike, për shqetësimet e personazheve,  duke shfaqur  kështu një  vizion udhërrëfyes bashkëkohor. Për dramën dhe eseistiken, Vangjush Ziko, është në proces të botimeve; e një  vëllimi me tre dramat e tij më të mira, njëra e botuar dhe e vënë në skenë, ndërsa dy të tjerat janë krijime të reja, dhe e shikojnë dritën e botimit për herë të parë, dhe në fushën esseistike  të vëllimit të titulluar “Fletorja e Esseve”, me një tematikë të gjerë temash, autorë, probleme teorike dhe estetike, letrare, esse poetike,  profile krijuesish të traditës dhe aktuale. Skenari dhe librete operete janë gjini të tjera që Ziko ka lëvruar në udhëtimin e larmishën krijues; “Hapi i Parë (skenar filmi, ekranizuar), “Zambakët e Bardhë” (skenar filmi,ekranizuar), “Brigadierja” (libret operete, vënë në skenë), kjo falë talentit e pasionit për letërsinë, Ziko ia ka arrituar t’i realizojë me sukses këto vepra.

Përkthyesi brilant i më shumë se treqind poetëve të mëdhenj lirikë rusë.

 Më duhet të theksoj që në fillim se poeti lirik, Vangjush Ziko, arësimin e mesëm e kreu në qytetin e lindjes, Korcë, ndërsa studimet e larta i përformoi për letërsi në Institutin e Letërsisë, “M. Gorki”, në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, dhe pedagog i letërsisë e gjuhës ruse në Universitetin “ Fan Noli”, në Korcë.  Duke qenë kryesisht një poet lirik dhe njohës i shkëlqyer  i gjuhës dhe letërsisë ruse,  Ziko iu përkushtua edhe përkthimit të poezisë lirike ruse. Ka botuar përmbledhje të vecanta të poezive të A.S. Pushkinit, S. Eseninit, E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vëllime), ku ka përfshirë rreth pesëqind poezi të më shumë se treqind poetëve lirikë rusë, që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete, dhe  deri në fund të shekullit të njëzetë, dhe vazhdon me të njëjtin intensitet të përkthejë edhe në shekullin 21-ë.

“A. S. Pushkin, Drama”, /“A. S. Pushkin, Poezi të zgjedhura”,/ “S. Esenin –  Njëqind Lirika”, / “E. Eftushenko, Lirika”,  “Treqind Vjet Dashuri”, Antologji e Poezisë Ruse,/

 “Këmbana e Mbrëmjes”, Antologji e Poezisë Ruse, “Tokë e Dashur”, Antologji e Poezisë Ruse,/”, “Pegasi Rus”(Antologji e Poezisë Ruse), “Aleksis Parnis, -Ishulli i Afrditës”, Dramë, Vangji-Mihanj Sterjo – “Pikat e Harruara të Shiut, Poezi, –janë vëllime poetike dhe drama  të pëkthyera nga përkthyesi  brilant Vangjush Ziko.

Antologjitë e Poezisë ruse përmbajnë poezi të përzgjedhura nga lirika ruse, të përkthyera mjeshtërisht dhe që kanë në thelb vetëm temën e dashurisë nga poetë të shquar të mëdhenj lirikë  rusë si: “poeti i natyrës dhe shpirtit rus, Esenin, me paruken klasike të Lemonsovit, hijen e venitur sentimentale të Zhukovskit, kacurelat rebele të Pushkinit, zërin e kreshpëruar të Majakovskit, ballin tragjik të Lermontovit, me vellon mistike të Bllokut, trishtimin esenian apo capkën të Eftushenkos,” -shprehet Ziko në parathënjen e tyre. Në një intervistë të paradokohëshme me poetin lirik dhe përkthyesin Vangjush Ziko, pyetjes sime, se cfarë e bën të dallueshëm një krijim në  përkthimin original, mes të tjerave u shpreh: “Arti i përkthimit është mjeshtëri. Përkthimi i lirikëve të mëdhenj të poezisë ruse, ma ka asuruar, jo vetëm shpirtin tim, mjeshtërinë time poetike, por edhe dashurinë për poezinë në përgjithësi, dhe poezinë ruse në vecanti. Të përkthesh poezinë e një kombi tjetër, duhet ta njohësh me themel, jo vetëm poezinë e tij, por edhe gjuhën dhe konstitucionin shpirtëror, natyrën, zakonet, stilin e të jetuarit, dhe të menduarit, shpirtin e tij,  ta njohësh mirë veprën që përkthen”.

Mendimin e tij mbi mjeshtërinë e përkthimit, dhe që e ka udhëhequr, në përkthimin e poezisë lirike ruse, përkthyesi Ziko analizon një shqipërim-të mrekullueshëm të Nolit, dhe jo përkthim, nëpërmjet një esse-je, shkruar rishtas, e titulluar “PROBLEME TË PËRKTHIMIT”, (Mbi një shqipërim të Nolit), Ziko vlerëson ndjeshëm dhe me profesionalizëm, filozofinë noliane të përkthimit dhe shqipërimit. Ja cfarë shkruan Ziko:  “Noli e shikon mjeshtërinë e përkthyesit si mjet edukimi dhe emancipimi shoqëror edhe si shkollë të edukimit artistik dhe estetik. Noli zgjodhi  jo vetëm kryevepra të artit botëror, por midis tyre, ato që i përshtaten momentit historik e shoqëror të vendit, si edhe synimeve të luftës së vet politike. Mjeshtërinë e përkthyesit Noli e krahason me mjeshtërinë e kopshtarit. Për përkthimin Noli përdori dy terma: “kthim’” dhe “shqipërim”. Me të drejtë mund të pyesim se me ç’ kuptim i përdori Noli këto dy terma dhe a janë  të bara-barta në domethënien e tyre?

Në studimet e huaja termi “kthim” përdoret në rastet e kthimit të një vepre të prozës në vargje. Kurse te ne termi “përkthim”, rëndom, barazohet me termin “shqipërim”, gjë e cila nuk mund të pranohet si e bara-zvlefshme,-shkruan Ziko.

Emri dhe kontributi i larmishm, i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit dhe studiuesit Vangjush Ziko, është një emër gjithpërfshirës, është vizioni i ri i revolicionarizimit dhe ndryshimit të rëndësishëm i letërsisë dhe artit bashkëkohor në qarqet artistike, qytetare dhe intelektuale,  i vlerësuar me  Urdhërin “Naim Frasheri” i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006-ë””nga Klubi Letrar “Bota e Re”. Figura e vlera kombëtare  dhe historike të tilla si Vangjush Ziko, duhet të ruhen më krenari e dinjitet kombëtar, duhet të ruhen për artin dhe kulturën korcare, për letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm. I mëncur, i matur,  rini krijues, aktiv dhe me një shpirt të madh, Vangjush Ziko vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, -një jetë, mbështjellur me lirizëm. Që prej  vitit 2004r,   jeton dhe krijon mes Kanadasë pranë fëmijëve të tij dhe vendlindjes, Korcës,- qytetit që vetëm buzëqesh me butësinë lirike të serenatave e blireve.

HARTFORD, CT USA

Fund Maj 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Jete ne butesi lirike, Raimonda Moisiu, Vangjush Ziko

MBI GJUHËN POETIKE E PERSPEKTIVËN E SAJ

May 26, 2016 by dgreca

Nga Vangjush Ziko/

Teoria klasike e letërsisë, nuk e ve në dyshim ndryshimin midis poezisë e prozës, ndryshim i cili ka të bëjë, para së gjithash, me gjuhën e tyre: kemi gjuhën poetike dhe gjuhën e prozës. Kjo ka të bëjë jo vetëm me mënyrën grafike të sendërtimit të tyre me vargje apo me fraza të pakufizuara, me paraqitjen strofike apo me atë tekstuale, hapësirë që zë në një faqe libri. Ndryshimi thelbësor midis tyre ka të bëjë me sintaksën artistike dhe jo, thjesht, me rregullat gjuhësore.
Zh. Zhenet në studimin e saj “Gjuha poetike, poetika e gjuhës” shkruan: “Pyetja mbi gjuhën poetike, kaq e vështirë për kohën tonë, ishte në ato kohë (të lashta, shënimi im) jashtëzakonisht aq e thjeshtë, për deri sa ekzistenca ose mungesa e metrikës përcaktonte kriter-in vendimtar aspak të dyfishtë”.
Dihet historikisht se në antikitet teksti “dëgjohej”: poezia lirike këndohej, poezia epike tregohej gojarisht, proza oratorike deklamohej publikisht, kjo ishte mënyra bazë e komunikimit të krijimit letrar me njerëzit, me masën; gojë më gojë qarkullonin lirikat e Safos, gojarisht kaloi brez pas brezi edhe eposi homerik. Edhe eposi ynë i kreshnikëve apo përrallat, për të mos lënë më një anë folklorin poetik, shumë vonë u hodhën në letër apo u botuan në libra. Arësyet objektive janë të njohura.
Botimi i librit, pohon Zh. Zhenet, solli një rivlerësim në raportin midis gjuhës poetike edhe asaj të prozës. Futja e teknikës së Gutenbergut, leximi dhe përhapja e librit, u bë shkak për një qëndrim të ri ndaj gjinive të ndryshme letrare. Nga leximi “gojor’ u kalua në leximin “vizual”, ekzistenca zanore e tekstit u zëvendësua me ekzistencën grafike, gjë e cila shpuri në një vlerësimi semantik të vargut nga ai, kryesisht, tingullor. Kjo gjë shpuri në kritere të reja vlerësuese të melodisë dhe të figurshmërisë së vargut dhe, për pasojë, në komplikimin e përcaktimit të karakterit të dyfishtë diferencues, midis gjuhës poetike dhe asaj të prozës. Kjo nuk ka të bëjë aspak me objektin, me pasqyrimin e jetës materiale apo asaj shpirtërore, me jetën njerëzore.
Ky diferencim ka ardhur duke u bërë gradualisht. Në antikitet janë shkruar me vargje edhe traktate filozifike. Për një kohë mjaft të gjatë, ndikimi tingullor edhe ai ritmik mbetej i pranishëm edhe në hartimin e veprave me karakter prozaik, siç ishte romani në vargje. Po të shikojmë pjesën më të madhe të krijimtarisë së rilindsave tanë, ajo i përcolli subjektet patriotike apo ato jetësore, morale apo etike, qoftë edhe ato historike, si periudha e Skënderbeut, nëpërmjet të vargjeve. Dalngadale u arrit në gjykimin se gjuha poetike është e ndryshme nga ajo e prozës ose anasjelltas.
Teza e mësipërme mbi ndikimin e faktorit jashtëletrar, botimit të librit, të komunikimit pamor, të heshtur dhe jo atij tingullor, zanor, shpegon apriori dallimin midis gjuhës poetike dhe gjuhës së prozës, në fakt, ka të bëjë me atë që quhet psikologjia e leximit, e cila krijon një lidhje të re kuptimore dhe, sidomos, emocionale. Kjo i bën të kapshme dallimet dhe dëshmon se poezia është një shmangie nga ligjërimi i përditshëm njerëzor.
Cili është, atëhere, thelbi i kësaj shmangieje?
Josif Brodski pohon: “Poezia është, para së gjithash, arti i shoqërimit, i shënimit të paraleleve gjuhësore dhe metaforike”.
Gjuha jonë e përditshme është e mbushur me të këtilla shprehje të figurshme, metaforike, krahasime apo antiteza pa fund, që përcjellin një mendim apo emocion të koncentruar aforistik në përshkrime të natyrës, në krahasime, në urime apo në mallkime, pra, emocione të ndryshme, të cilat shprehin në mënyrë lakonike gjendje apo situata me kohështrirje të gjatë ose emocione të zgjatura, që do kërkonin fraza të tëra për t’ i transmetuar.
Një gjë e preferuar në gjuhën tonë të përditshme është edhe përqasja tingullore e fjalëve si një mjet për të përforcuar një ndjenjë, një mendim apo një dukuri të natyrës, duke venë përkrah fjalë me mbaresa zanore të njëllojta (marsi, drurët i mbarsi; korriku, mbushet shiniku; i riu si veriu…)
Në rite të ndryshme apo në lodra shohim një dukuri tjetër që është ndërtimi ritmik i shprehjes duke respektuar një theksim logjik të përbashkët (sharrë sharrë godinarë…; onomina, donomina…).
Pra, rimën, ritmin, figurshmërinë, që përbëjnë prozodinë, i ka bërë të vetat gjuha poetike nga gjuha e figurshme e të folurit.
Gjuha poetike sendërtohet në bazë të vargëzimit metrik, gjë e cila ka shpënë edhe në formën e saj aq të ngjeshur dhe lakonike me vargje dhe strofa, në dallim nga proza, që kërkon faqe të tëra për t’ u shprehur. Po të shprehemi figurshëm, do të themi se poezia është parfumi i mbyllur në një shishkë dhe proza, vera në një but.
Paraqitja strofike ose monokolonë është forma grafike e poezisë, në dallim nga proza.
Ndjenja e mendimi njerëzor janë objekti i poezisë lirike. Poezia më shumë se monolog është një dialog i autorit me vetveten dhe, sigurisht, me lexuesin.
Metrika poetike ka si bazë rrokjet, numëri i të cilave përsëritet nga njëri varg në tjetrin. Vargjet i lidh me njëri-tjetrin, përveç mendimit, fundi tingullor i çdo vargu, rima, e cila nuk ka vetëm funksionin lidhës tingullor, jo vetëm rikujtimin e vargut të mësipërm, por edhe lidhjen asociative të fjalëve që rimojnë. Ritmi është, në radhë të parë, përsëritja e theksave ritmikë dhe logjikë të vargjeve; në tërësinë e vet ritmi nënkupton, në radhë të parë, ndërtimin sintaksor, energjinë poetike.
Megjithatë, në fund të fundit, nuk është prosodia ajo që përcakton qënien e poezisë. Poezia nuk nënkupton, thjesht, renditjen e fjalëve dhe vargjeve sipas rregullave të stilistikës poetike të vargëzimit. Jo çdo lloj vargëzimi i përpiktë është poezi. Poezia nënkupton, mbi të gjitha, shprehjen e figurshme të mendimit dhe të emocionit, siç thotë Ezra Pound: “poezia e madhe është gjuha e thjeshtë e mbushur me të gjitha kuptimet e mundshme”. F. Garsia Lorka e zbulon më tej magjinë e gjuhës poetike: “Ç’ është poezia? Ja se çfarë është: bashkimi i dy fjalëve, që nuk e shkonte ndërmend njeri se ato mund të vendosen bashkë dhe se, duke i bashkuar, ato do të shprehin një të fshehtë të re kurdoherë që i shqiptojmë”
“Gjuha nuk është vetëm forma, por edhe përmbajtja e gjuhës poetike”, pohon studjuesi M. J. Poljakov.
Historikisht, koncepti mbi gjuhën poetike dhe vetë poezinë ka evoluar. Poezia mund të shkruhet edhe duke shmangur metrikën, me varg të lirë. Paraqitja grafike e poezisë, leximi i saj individual, komunikimi i heshtur meditativ e zbehu anën tingullore dhe vlerësoi, mbi të gjitha, figurshmërinë artistike, proces i cili i përcaktoi në mënyrë selektive kufijtë midis gjuhës poetike dhe gjuhës së prozës, duke e zhvendosur në plan të parë rolin e ritmit si mjetin bazë të vargëzimit poetik.
Është interesant mendimi dhe praktika e Jorge Luis Borges për të rimarrë subjekte të kryeveprave botërore të prozës dhe rishkrimi i tyre me këndvështrimin e epokës pasuese, duke i ripërtërirë, duke i aktualizuar. Ndërsa Umberto Eco futi termin “libri i hapur” duke e qojtur kështu tekstin letrar, i cili mund të interpretohet nga të tjerët dhe të ketë disa bashkautorë të tekstit: “libri i hapur bashkëkohor, pohon ai, provokon vetë interpretime të shumëfishta”. Ai ka papara sysh Xhojsin, Beketin, Kafkën, Servantesin dhe “romanin e ri”, pra, kryesisht vepra në prozë. Kjo mund të ndodhë edhe me vepra epike në vargje, me subjekt dhe personazhe. Por si mund të rishkruhet një poezi apo poemë lirike e shkruar disa shekuj më parë; ajo mund të përkthehet në një gjuhë tjetër, e shumta, ose të imitohet, duke rënë në epigonizëm, sepse ndjenja është aq delikate, aq personale dhe e papërsëritshme.
Kjo brishtësi e gjuhës poetike, e këtij “brumi magjik” që mund të derdhet vetëm në kallëpin e vet, bën diferencën emotive të gjuhës poetike nga gjuha e prozës. “Nuk lindin rastësisht poetët/ ata mbi tokë zbresin nga qielli” shkruan një poete ruse. Këto vargje nuk janë aspak një paravoli biblike. Ashtu si e vërteta e krijimit të universit është e pakapshme nga arsyetimi njerëzor dhe mjeshtëria poetike edhe gjuha e poezisë është e veshur nga mjegulla mistike e krijimit, jo vetëm për lexuesin, por edhe për vetë poetin. Josif Brodski i atribuon gjuhës poetike atë magji e cila e bën poetin të befasohet se si poezia e tij doli edhe më e mirë se sa e kishte menduar ai, kur nisi ta shkruajë.
Por edhe gjuha poetike, si gjuha në përgjithësi, është një “materie” e gjallë në lëvizje të vazhdueshme. Është i njohur mendimi se gjuha poetike gradualisht vjetërohet si mjet njohjeje dhe abstragimi nga epoka në epokë. Ajo, si mjet shprehjeje përballet vazhdimisht me përjetime emocionale dhe horizonte të reja mendimi.
Kohët e fundit është hedhur idea, se, ashtu siç ndikoi Gutenbergu me shpikjen e shtypjes së librit, të njëjtën gjë do bëjë, apo po bën, shpikja e internetit, e komunikimit internetik të letërsisë në epokën e globalizmit, i cili i ka shtrirë pa kufi rrugët e komunikimit njerëzor edhe në atë artistik. Dihet se burimi i poezisë ka qenë gjithmonë vetmia. Vetmia, jo veçimi, por vetmia ekzistenciale. Me internetin kjo është fshirë. A mos, vallë, pyet e habitur një poete bashkëkohore, mos do të lindë edhe një gjuhë e re poetike?!
Një synim tjetër ekstrem i shfaqur në kohën tonë postmoderne, është ai që pohon se nuk ka poezi dhe antipoezi, poezi dhe prozë, se kufitë e tyre janë formalë.
Mbase synimi këmbëngulës i njeriut për të depërtuar dhe për të zgjidhur enigmën e botës kozmike apo atë të universit artistik të krijuar për shekuj me radhë, të jetës dhe pafundësisë së saj, do ta bëjë një normë të zakonshme edhe këtë plazmim të ri stilistik, shpërbërjen e kufijve të zhanrit, gjë e cila do të kërkojë edhe një ristrukturim gjuhësor duke e ndryshuar edhe strukturën e ligjërimit poetik dhe atij të prozës, mbase, duke i unifikuar. Këtë ndryshim, patjetër, do ta prijë gjuha poetike.

 

Filed Under: Komente Tagged With: MBI GJUHËN POETIKE E PERSPEKTIVËN E SAJ, Vangjush Ziko

DARDHARJA E BOSTONIT

December 7, 2014 by dgreca

Nga Vangjush ZIKO/
Rozi Theohari është një emigrante jo e vitit 1994, kur shkeli për herë të parë në brigjet e Amerikes, por që kur u lind. Po. Ajo, që kur u përmend, mësoi se ishte bija e një babai kurbetlli. Për këtë i fliste në familje e ëma dhe gjyshja, ia deshmonin letrat që vinin nga vendi i largët që përtej oqeanit; ia kujtonin në shkollë kur mbushte të dhënat autobiografike, në punë, në shoqëri. Dëshmia më e dhimbshme e asaj ishte brenga që nuk iu shqit kurrë. Edhe sot në moshën e thinjave ajo e ndien si një plagë të vjetër. Ajo nuk e ndieu fizikisht dorën dhe veshtrimin atëror, që përciell rritjen e fëmijës. Kjo brengë e pashlyer ishte dhe një nga ato arësyet që e yshtën të merrte udhën e emigrimit për të prekur me dorën e saj të dridhur atë gur varri dhe për të njohur dhe ndierë nga afër atë botë, atë vend dhe atë popull mes të cilit u thinj dhe u zhurit nga malli zemra e kurbetlliut të përjetshëm, që pati lindur jetë, por nuk i gëzoi dot nga afër ato. Ai, nga një qënie fizike e gjallë, nga një bashkëshort dhe prind u shndërrua në mall, në erë të shpirtit që fluturon me krahët e një zarfi të ftohtë për të përkëdhelur flokët e njerëzve të dashur përtej oqeanit, për të shpupuri- sur kaçurrelat e femijëve dhe thinjat që dalin nga dylbenka e zezë e zonjës së tij, që e la të vetme me barën e rëndë të punëve të përditshme për të prashitur gradinën, për të rregulluar avllinë e rrëzuar të oborrit, që shkon e pret dru e ngarkon shkarpa në korijen e fshatit për të gatuar gjellët dhe pjekur lakrorët, për të ngrohur fëmijët në acaret e akullta të dimmrit dardhar, ku vendi i tij rreth vatres mbeti tërë jetën bosh. flladi që ledhatoi flokët e Rozit në çastin e parë kur zbriti në aeroprtin e Bostonit, i ngjau asaj, me pëllëmbët e drithëruara të atit që e përkëdhelën dhe mbështollën me atë mall.
Emigrimi është vërtet një provë dramatike për çdo emigrant. Ai ka qenë dhe mbetet një betejë. Betejë me vetveten dhe me ëndrrën, me dëshirën dhe mundesinë, me kurajon dhe sakrificën, me qe- nien dhe mosqenien, me identitetin e trashëguar dhe atë të shartuar, me të tashmen dhe me të ardhmen. Edhe për Rozi Theoharin kjo betejë ka qenë e shumëfishtë. Si njeri. Si grua. Si shkrimtare. Asaj iu desh të përshtatej me klimën, me mjedisin e ri, me gjuhën e huaj. Karakteri i saj i gjallë dhe komunikues, natyra e saj e afruar me njerëzit, çiltërsia dhe humori i saj karakteristik e ndihmuan të lidhet jo vetëm me bashkatdhetarët e mërguar, por edhe me emigrantë të kombësive dhe racave të ndrysh-
me; të marrë pjesë në veprimtari të perbashkëta shoqërore apo familjare, në aktivitete kulturore dhe fetare. Ajo iu pervesh studimit për të përvetësuar gjuhën dhe kulturën amerikane dhe për të marrë një diplomë të re. Ajo shkruan lirisht vargje në gjuhën angleze dhe boton vëllime në këtë gjuhë. Ajo arrin kështu ëndrrën e emigrantit për t’u integruar në atdheun e dytë.
Si njeri dhe si femër, asaj jeta i serviri një provë të rëndë familjare. Sëmundja i rrëmbeu shokun e jetës në tokë të huaj duke e dënuar atë me vetminë. Jeta përsëriti kështu, në një variant tjetër, fatin e të atit të saj kurbetlli.
Ajo erdhi në Amerikë si krijuese e formuar me vepra të botuara në gjininë e humorit, në prozën tregimtare, në poezi. Pena e saj është bërë e njohur dhe e dashur në shtypin publicistik dhe atë artistik të vendlindjes dhe të diasporës duke u bërë jehonë problemeve, jo vetëm të së kaluarës, por edhe të jetës së sotme të bashkatdhetarëve në emigrim. 
Firmën e saj e gjen në gazetën më të madhe shqiptaro-amerikane “Illyria” në Nju-Jork, në gazetat lokale të Bostonit, në antologjitë amerikane, në revistën letrare të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-amerikanë “Pena” etj. Nuk janë të paktë dhe librat që ka botuar, mbi trembëdhjetë. Libri “Mbi thinja fryn erë” i solli asaj çmimin “Pena e artë” të kësaj shoqate.
Jeta e Rozi Theoharit është një metaforë autentike e atij procesi të gjatë dhe të mundimshëm që e ka emrin “integrim”. Atë unë do ta quaja “Dardharja e Bostonit” sikurse mund ta quaja pa asnjë ngur- im “korçarja” dhe “shqiptarja” e Bostonit. Në këtë togfjalësh sintetizohet domethënia e vertetë e fjalës “integrim”, që pleks në vetvete ndjenja të dyfishta që motërzohen në zemrën e njeriut të mërguar, por të lidhur përjetë me djepin që e përkundi dhe vend- in që e thinji. Kjo nuk lidhet thjesht, me dyshtetësi- në. Kjo ka të bëjë me një cilësi të re morale dhe psikologjike të njeriut në emigrim, me atë dashuri të dyfishtë për vendlindjen dhe për atdheun e dytë.
Me të ndodhi ajo që nuk kishte se si të mos ndodhte. Ashtu siç ndodh me një luftëtar që merr pjesë në një betejë. Teshat e tij marrin erën e barutit, zemra e tij mbart plagët dhe ëndrrat e bashkëluftëtarëve ( të atyre që ranë, dhe të atyre që e arritën fitoren), në rrudhat e ballit të tij janë shkruar betejat, kurse në thinjat e tij ka ngrirë hiri i datave.

Filed Under: ESSE Tagged With: DARDHARJA E BOSTONIT, Rozi Theohari, Vangjush Ziko

Artikujt e fundit

  • NË VEND TË NJË KARTOLINE, SOT NË DITËLINDJEN E TIJ
  • ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 
  • GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME
  • VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)
  • NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP
  • Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës
  • Ekspozita “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-kalorësi i lirisë së shqiptarëve”
  • TECHNOLOGY REVIEW (1981) / ÇFARË ËSHTË NJË FOTOGRAFI? — PËRGJIGJJA E FOTOGRAFIT SHQIPTAR ME FAMË BOTËRORE GJON MILI DHE NJË KOMENT PËR LIBRIN E TIJ “FOTOGRAFI DHE KUJTIME”
  • Rreth rëndësisë së përkthimit në gjuhën angleze të librit “Koja në rrjedhën e kohëve” të autorit Fran Gjeloshaj
  • Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e akredituar në Kosovë
  • THE SIX CONDITIONS OF PRIME MINISTER KURTI ARE REASONABLE
  • Momenti që drejtësia në Shqipëri që të tregojë se sa është e pavarur
  • MISIONI I VATRAVE SHQIPTARE NË SHBA. NË VEND TË NJË URIMI…
  • Pentagoni godet dhe rrëzon balonën ‘spiune’ kineze. Po tani ?
  • Tërmeti në Turqi, Vatra shpreh solidaritet dhe lutet për viktimat e të plagosurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT