• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vangjush Ziko -Jetë, mbështjellur në butësi lirike

June 13, 2016 by dgreca

Esse-personazh rreth figurës të poetit, dramaturgut, prozatorit, esseist-it, studiuesit dhe përkthyesit brilant të lirikëve të mëdhenj rusë, Vangjush ZIKO./

 Shkruar nga Raimonda MOISIU/

 Letërsia, është dashuria për artin e fjalës në të  shprehur dhe  në të  shkruar, e cila  na jep mundësinë ta jetojmë jetën ndjeshëm e natyrshëm në një realitet krejt tjetër,  me integritetin e pasionit njerëzor, ambicjes dhe  sfidës, të cilat lindin  energjinë e psikikes dhe  shpirtërores, midis ëndrrës dhe realitetit, në jetën reale. Është lufta e talentit me vetëbesimin dhe vetë-ndërgjegjësimin, që  pasqyron frymëzimin nga motivet e  të dukëshmes e së padukëshmes, që dëshmohen përmes vetë-zbulimit; forcës e talentit dhe e inteligjencës, armë këto për  ndryshim, në  udhëtimin e trishtë e të lumtur të jetës, të  përjetimeve dhe casteve të saj, në të përditshmen njerëzore. Me intimitetin e sublimes e shpirtërores,  të ëndrrave dhe zhgënjimeve, historike e dokumentare,  social, politike dhe ekonomike të natyrës dhe  të shoqërisë, që përkojnë natyrshëm, të menduarit ndryshe për të  ecur me hapin e kohës dhe frymëzimin  me ndjenjën e bukur të dashurisë  në botën që na rrethon. Në  historinë moderne dhe bashkëkohore të letërsisë shqipe, shkrimtari dhe poeti lirik meditadiv e vizionar, Vangjush Ziko është një figurë unike njerëzore dhe historike, mendimtar i shquar, kreativ dhe erudit,  një zë i vecantë që i përket  periudhës së shtrirjes kombëtare në disa epoka; asaj të historisë moderne shqiptare, letërsisë së realizmit socialist, letërsisë post-komuniste dhe jashtë kufijve  të atdheut, në ekzil,  zë i   idealizmit dhe revolucionit të botës së modernizuar, me krijimtari metaforike dhe e motivuar ideo-artistikisht, filozofike dhe  letraro-artistike, thellësisht njerëzore. Letërsia shqiptare krenohet për shumë individëve historikë dhe kombëtarë, shkrimtarë dhe poetë, për trashëgiminë  e tyre të cmuar intelektuale, letraro-artistike, me  veprat e tyre mbresëlënëse dhe madhështore, por një nga krenaritë  që i ka rritur nderin dhe autoritetin vendlindjes, Korcës dhe  letrave shqipe, është edhe emri i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit brilant dhe studiuesit, prof.  Vangjush Ziko. Një emër gjithpërfshirës, një transformim krejt i natyrshëm dhe i motivuar ideo-artistikisht, që vazhdon të mbetet  gur prove i botës së civilizuar, në kërkim të identitetit krijues unik, është vizioni i ri i revolucionarizimit të  ndryshimeve esenciale dhe i ndërgjegjësimit të  artit bashkëkohor, kulturës shqiptare dhe njerëzimit progresiv, integritetit profesional të gërshetimit mes letërsisë artistike dhe asaj dokumentare.

Stili poetik i  poetit Vangjush Ziko-i mëkuar thellësisht me lirizëm.

 Vangjush Ziko, meriton vëmendjen dhe vlerësimin si një nga poetët lirikë më të shquar të vargjeve lirike shqiptare, poet që reflekton shqetësimet, dhimbjet e dashuritë, duke ruajtur individualitetin krijues të dallueshëm e të vecantë, individualitet rini -krijues, i mëkuar me lirizëm. Pikëtakimin e parë me vargëzimin e ka pasur në moshën fëminore, me këngët për motmotin që mbartnin ritmin e lodrave fëminore, të kënduara nga nëna e tij, dhe më pas në  abetare, kur nisi të mësontë të shkruante e të lexonte. Në moshën nëntë vjecare  librin e parë me vargje që lexoi, ka qenë poema në vargje e Naim Frashërit, dhe librat e parë që ka blerë me poezi, me kursimet e veta,  në vitet ’47-’48, kanë qenë “Vargjet e lira”, të Migjenit dhe një botim të ilustruar në rusisht i poezive të Majakovskit, të cilat jo vetëm e mëkuan me lirizmin e vargjeve të tyre, por i atribuan edhe prirjen për t’i recituar ato vargje lirike. Janë burimet e para “letrare”, që i nxitën pasionin idealist dhe e  lidhën pazgjidhshmërisht dhe përjetësisht me poezinë, duke filluar të shkruajë kështu, vargjet e para. Vargjet poetike të hershëme të Zikos, tregojnë se ai u ndikua edhe nga dashuria për natyrën, gjelbërore, shpezore dhe shpengimi i shpirtit, të cilat ai i pasqyroi në artin e tij poetik, duke botuar poezinë e parë, në gazetën “Zëri i Rinisë, nga fundi i vitit ’49-ë. Pasioni, dhe fuqia e vargjeve lirike me  potencialin e tyre dhe pjekurinë  artistike, të “Vargjeve të Lira”, të Migjenit dhe poetëve lirikë të shquar rusë, ndikuan  në rritjen dhe zhvillimin artistik të Zikos, në përpjekje për të zotëruar mjeshtërisht artin e të shkruarit poezi. Duke lexuar dhe absorbuar cdo gjë të shkruar prej tij, vemë re se Ziko sintetizon mjeshtërisht format lirike, meditative dhe klasike, në një epikë kontemporane  të përkryer bashkëkohore dhe me vetëdijen rivale me poetët lirikë bashkëkohorë shqiptarë e të huaj, për t’u shprehur lirshëm, përpos pasionit dhe  intimitetit të identitetit poetik, motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike. Sensibiliteti dhe figuracioni poetik i Zikos,  ripërcakton traditën epike nga heroike në shpirtërore, nga lirike në elegjike me intensitet të fortë emocional,  që nënkupton marrëdhëniet e dashurisë njerëzore me ankthin e pritjes, ëndrrat dhe dëshirat, dhe se si funksionon bota njerëzore në akord me natyrën, me thellësinë e mendimit dhe meditimit të tij moral e shpirtëror, duke përcaktuar kështu,  madhështinë e vizionit të tij poetik.  Karakteristikë e pënës poetike të Zikos është respekti ndaj sublimes, dashurisë njerëzore. Me elegancën e mjeshtërisë artistike e filozofike, në zotërim të vetëkontrollit poetik dhe formave të ndryshme poetike, Ziko ka gjetur diatezën e maturuar për të realizuar  balancën mes psikikes e shpirtërores, komunikimit ndjesor meditativ, subjektit lirik të natyrshëm,  dhe ballafaqimit të thellë me botën e jashtëme.  Vëllimet poetike të botuara tashmë, “ Këngë për duart”, “Takim me malet”, “Këngët e Grurit”,  “Galeritë e Nëtokës”, “Magjia e Dashurisë”, “Ditari Kanadez”, “Monologu i Ajzbergut”, “Kulla ime e  Babelit”, “Këtu pranë Polit të Botës”, “Më zgjo Pëllumb i Noes”,  “Mbase nesër gdhin e diel”, mund të thuhet me plot bindje se që në titujt respektivë të tyre,  zë fill lirika moderne e  ballafaqimit simbolik , është intensiteti i saj për të nënshtruar të kundërtat nga të qënit e tyre në marrëdhënie të ngushtë me të bukurën e të vërtetën. Ziko depërton në synimet e tij poetike, interesante, ndjesore  dhe fabulore, poeti  eksploron vetëdijen dhe subjektivitetin nëpërmjet përdorimit të imazheve,  jo vetëm  në gjetjen e frazava të duhura me figura artistike e filozofike, por ai qëllimisht konfronton me finesë  mishërimmin simbolik të emocioneve dhe dukurive të jetës, agonisë së aktit të intimitetit  në ngjizjen e impulsit jetik, përmes bashkëveprimit mes imagjinatës dhe njëjtësimit sensual, thënë ndryshe romantizmit.

“Enigmë është e do të mbetet,/E përjetojmë dhe se ndajmë dot,/Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot,/Asgjë nuk janë luftërat e tërmetet,/as ankthi në mes djepit dhe qivurit./Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit,/Sa gjembi apo lule trëndafili,/Që mbin lëndinës sonë të shpirtit.” Poezia “Dashuria”, nga  vëllimi poetik “Monologu i Ajzbergut”, një poezie e herëshme e Zikos.  

Natyra dhe vetëdija për poetin lirik Vangjush Ziko, janë njëjtësime ndjesore  e romantike  në riciklimin e jetës. Poeti përpiqet të jetë vetvetja nën aureolën e atributeve njerëzore,  bashkimi unik individual i poetit mes dhimbjeve të lindjes, dashurisë për jetën dhe heshtjes së përjetëshme,  marrëdhënie kjo e krijuar me  kompleksitetin e tyre përmes kontrastit mes vetvetes dhe  të qenit ndryshe, të përkohshmes dhe së përjetshmes: “Na lidhin zemrat apo epshet,/një pikëz gjak apo një pikëz lot.”. Poeti  na tregon  epërsinë që ka individi ndaj sekretit, aluzionit të klithmës shpirtërore dhe ndjeshmërisë, kosto njerëzore që ndikon mjeshtërisht nëpërmjet vargut, për t’i lehtësuar dhimbjet, mallin, trishtimin, vuajtjet njerëzore dhe shprehur dashurinë: “Sa plaga e padukëshme që na mbetet,/në cipëzën e zemrës a të trurit.”  Ziko shfaq  simbole të tilla metaforike sikundër; “enigmë, pikëz gjak, pikëz lot, djepi, qivuri, cipëzën, truri, zemra, gjembi, trëndafili, lëndina, etj., që të sjellin ndërmend pafundësinë e meditimit që janë po aq të ndjeshme sa edhe të maturuara poetikisht, intensitet thellësisht i mendimit artistik e filozofik, që nënkupton kontrastet mes melankolisë dhe bukurisë së dashurisë njerëzore.

Ja një poezi rishtas, e para ca ditëve e Zikos, e titulluar “Këmbana e Yjeve”:“Natë,as zgjuar, as në ëndërr,/një ninananë zëëmbël,/një zë i ngjirur dhe i vrazhdët,/më kumbon,/në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar,/qielli porsi këmbanë,/që gjuhëzë nuk ka,/kumbon mistershëm,/dhe më këndon,/dhe më qorton,/vibrojnë yjet tranzistorë,/qielli i tërë një vibrim,/edhe i lumtur,/edhe i gjorë,/besoj se s’ ka harrim,/jeta jonë një teatër,/në tokë luhet,/ në qiell jehon,/këmban ‘ e yjeve/ me bronx e larë,/zërat tanë inçizon.”

Te kjo poezi, Ziko demonstron mjeshtërisht zërin e tij poetik, përpiqet të komunikojë emocionalisht  ndjenjën e dashurisë dhe ta bëjë atë epike  nëpërmjet imazheve: “ as zgjuar as në ëndër”,- jo vetëm në gjetjen e fjalëve të duhura, ritmin, rrjedhën e vargut, me figura artistike e mendim filozofik, ku metamorfoza e jetës mbetet unike: “në dhé u tretën nën’ e babë,/u bënë dhé e bar,/”, – e vetmja epikë e dashurisë kjo: “nëna një lule e mëllagës,/babai zëmbak krenar”,- një shëmbull i transformimit artistik në vetvete dhe përballja me ndryshimet jetësore, tregojnë fuqinë dhe forcën  e imagjinatës për të riformuar botën, nëpërmjet  emocioneve dhe  dukurive të jetës.  Stili poetik i Zikos në të dyja poezitë, atë të hershmen dhe këtë rishtas, mbetet zë poetik unik, alegorik, meditativ dhe mediator mes të përkoshmes dhe së përjetshmes, psikikes e shpirtërores,  botës së brendëshme  dhe asaj të jashtëme, hyjnores e njerëzores, për të njohur shumëllojshmërinë e pafund të humanes dhe dashurisë, mëndje të gjallë e penë të shëndetshme, duke na ofruar kështu subjektin interesant, botëkuptimin inteligjent dhe filozofik, parë në këndvështrime interesante. Poezia e tij dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike. Ky lloj alegorizmi vjen nga përkushtimi i poetit për të kapur momentin poetik, të cilin ai qëllimisht e paraqit si imazh dhe simbole përmes penës së tij poetike. Lulja është simboli i dashurisë,  vetmia dhe trishtimi janë lirike, sepse  nuk mund të ketë dashuri pa trishtimin, vetminë, gabimeve dhe dhimbjeve të bukura. Vargjet poetike të Zikos janë në traditën e post-modernizmit. Ato përcjellin realitetin, ku lumturia, si gjithmonë dashuria na japin dhimbje e mall, trishtim e gëzim, me butësinë dhe epërsinë e tyre,  monolog i brendëshëm, rilindjen dhe të prekëshmen, bujarinë dhe urtësinë, shndërrimin nga  realiteti në një realitet të interpretuar, në kuptimin simbolik të hyjnores e njerëzores. Duke i qëndruar traditës së post-modernizmit, e cila vihet re në vëllimin poetik, të botuar rishtas, i titulluar “Mbase nesër gdhin e diel”,  por edhe në poezi të tjera si poezia “Hallo Colombo”, publikuar në Facebook;  “ç’jam unë!/banori më i ri kësaj toke/në një apartament me qira,/dhe ëndrrën për një jetë më të mirë,/(ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë),/asnjë ëndërr nuk kam parë në këtë vend/dhe as kam për të parë,/mbase as kur të më shushurisin panjat mbi kokë/dhe ketrat të më përmjerrin./nipi apo stërnipi,/do vijë të më zgjojë,/me gjuhën e përzier: hallo, colomb i jetës së re!  Përmes vërshimit të një ironie dhe autoironie, sarkazëm e satirë të mprehtë, ton qytetar e intelektual, ndaj heroit lirik (banori më i ri i kësaj toke) dhe realitetit, tipar i poezisë së  sotme post-moderniste, Ziko harmonizon  elementët  tradicionalë me të njëjtin intensitet dhe guxim, duke na dhënë poetikisht dramën e vecantë  të mërgimit dhe mallit të mërgimtarit. Duke u bazuar në realitetin e dhimbshëm të individit (mërgimtarit-alias- banori i ri)  në kontekstin historik, social, kulturor, politik, dhe ekonomik, Ziko eksploron  fuqinë dhe vlefshmërinë psikollogjike dhe sociale e spektrit të ndjenjave të peshës së mërgimit, me tendenca artistike e filozofike: “ëndrrat që adhurojmë dhe mallkojmë”- dhe nëpërmjet vargjeve intime e lirike, imponon konfliktet dhe dilemat morale, qytetare dhe intelektuale: “ngulur thellë në këtë tokë mes dy oqeanesh,/me kurorën e akujve rreth ballit”. Me energjinë e heroit  lirik në poezi,  Ziko “padit” kodet morale represive, dhe replikon me to nën efektet poetike, duke krijuar kështu një përzierje të traditës, gjuhës dhe kulturave, analizë sociale bashkëkohore që eksploron thellësisht temat e ndryshme  universale të dramës së brezit të parë të emigrantëve. Simboli i dashurisë njerëzore lind nga dhimbjet e lindjes dhe pjesa tjetër, përvec kujtimit mbetet entiteti i përjetësisë. Poeti Vangjush Ziko mjeshtërisht paraqet ndjeshëm e me talent në vargjet e tij kuptimin metaforik emocional e njerëzor të jetës, e cila natyrisht në vevtvete është  metaforë.

Vangjush Ziko mbetet  një nga poetët më të rëndësishëm dhe me emër në letërsinë shqiptare dhe artin bashkëkohor. Stili dhe konotacionet poetike të Zikos, janë  mishërimi i përkryer i vargjeve lirike shqiptare, artit si frymëzim shpirtëror dhe dimensionit estetik të natyrës, metaforës së rritjes dhe formimit fizik dhe intelektual,- një jetë, mbështjellur në butësi lirike.

 Prozator, dramaturg, studiues dhe esseist.

 Në prozë Vangjush  Ziko është më  i hapur, një  novator, -karakteristikë e vecantë  kjo e autorit. Në librat me tregime, skica  dhe prozë letraro-artistike dokumentare me një përvojë të pasur, Ziko zotëron traditën e pasur të trajtave  lirike dhe narrative, të cilat autori i respekton me seriozitetin  e marrëdhënieve mes botës emocionale dhe psikologjike të  temave  kryesisht nga rinia, kujtime,  mbresa, dhimbje e mall, ndjenjave fisnike,  për të konturuar karaktere të injektuara me dashurinë dhe romantikën e bukur të tyre, duke i transformuar ato me metoda e elementë moderniste dhe stil të drejtpërdrejtë të imazheve dhe shëmbëlltyrës së tyre. Tek libri me tregime dhe skica “Borëbardha flokëthinjur”,(Romancë kanadeze), Ziko shprehet që në krye të librit: “Romancë zakonisht, quhet një pjesë e vogël muzikore, që pasqyron një gjendje të caktuar shpirtërore. Pse të mos e quajmë kështu edhe një krijim letrar, që na flet për ndjenjat dhe meditimet e një personazhi, një vepër letrare, e cila ka në themel konfliktin apo intrigën, boshtin artistik……”. Duke jetuar e krijuar mes Torontos, (Kanada)  dhe vendlindjes Korcës ( Shqipëri),   Ziko ndjek sintezën romantike e psikollogjike mes Lindjes e Perëndimit, ndërmjet traditës, reformimit modern, rivitalizimit  dhe realitetit bashkëkohor. “ Borëbardha flokëthinjur”, është vepër letrare unike, subjektive me  efekte të jashtëzakonëshme psikollogjike, artistike dhe brendia e saj vëzhgon botën shpirtërore të trazuar bukurinë, dinjitetin, dualizmin e natyrës shqiptare me atë kanadeze (p.sh Ujëvarat apo pyjet, malet lumenjtë e Shqipërisë e të Kanadasë),  ndjenjat që prodhojnë ankth e frikë, nderim e përcmim, kënaqësi dhe mërzitje, nostalgji e mall, iluzione e zhgënjime, dëshira e shpresa, dashuri e dhimbje, një pafundësi ndjenjash dhe fuqi përtej kuptimit njerëzor. Përshtatja e fjalës “romancë”, për këtë vepër letrare,  është mëse pozitivisht e përshtatshme nga poeti dhe eseisti Vangjush Ziko, është mishërimi i sublimes, i frymës romantike të aventurës së emigrimit, sepse ai thekson individualizmin, pohon vlerat e përbashkëta të njeriut, me imagjinatën për vlerat e saj estetike dhe etike, pohimin optimist të metamorfozës të vështirë, që shoqëria bashkëkohore e quan integrim. Idetë dhe shpalosja e tyre në këtë vepër letrare janë ende të freskëta me stilin e mprehtë prozaik dhe vëzhgimin e tyre në brendësi janë psikollogjike, shpirtërore, artistike,  filozofike dhe bashkëkohore. Librat e tjerë në prozë janë; “Korca-Qyteti dhe Kujtime”,/ “Serenata -Himni i dashurisë”,/ “Dardha-Legjenda e Feniksit të Pyllit”, tregojnë që Ziko  ia ka arritur të vlerësojë konceptin e  shquar të përvojës njerëzore në prozë psikollogjike, por edhe të letërsisë dokumentare në to, baza e letërsisë së vërtetë dhe të vërtetës historike,  të diktuara nga dhuntitë,  dhe interesat e tij studimore, mitikes dhe legjendave, punës hulumtuese dhe bibliografive, kujtimeve e mbresave, nostalgjisë dhe mallit për Korcën, serenatës si himn i dashurisë njerëzore, duke përfshirë bukurinë mitike dhe antike, mondane dhe aromën e blireve të Korçës, punës gjurmuese,  por edhe profili i tij  si profesor i letërsisë, të gjitha këto, janë të bazuara në përvojat e  jetës, emocionale dhe psikollogjike, larg cdo subjektivizmi. Proza e Zikos zgjeron temat sociale, ekonomike, kulturore, historike   dhe psikologjike, sidomos për vendlindjen e tij, Korcën dhe Dardhën.  Përfaqësues i denjë i dy epokave, Vangjush Ziko  i përmbahet prozës psikollogjike, gjuhës dhe stilit lirik -narrativ, asaj dokumentare, koncizitetit dhe individualizmit të  karaktereve të idealizuara, aventurat fantastike realiste dhe vizionit simbolist të tyre, temën karakteristike të konfrontimit mes kulturave dhe shpesh “të korruptuar”, nën ndikimin e shoqërisë perëndimore, duke e zgjeruar traditën me mjeshtëri artistike  dhe filozofike. Si dramaturg, Ziko në dramat e tij; “Motra Katerinë”(inskenim e botim), “Rruga e Madhe”(inskenim, edhe libër), “Vëllai i Madh” (inskenim), “Prova”(inskenim), “Fronti”(inskenim), “Martesë pa dasmë” (inskenim), Ziko ka eksperimentuar monologjet e brendëshme, , stilin realist. Dramat e tij të sipërpërmendura, janë  të hershme, që inkludojnë “ copëza të jetës”, në lidhje me iluzionet dhe obsesionet e karaktereve të zakonshëm e modestë, të ndara nga idetë dhe vlerat e tyre të qëndrueshme, shëmbull i filozofisë të  transformimit shoqëror, ekonomik, politik e kulturor, duke eksploruar qartshëm aspektin filozofik dhe artistik, në lidhje me trendet e njeriut dhe progresit njerëzor. Dramaturgu Ziko na vë në dukje përpjekjet për të mbrujtur ëndrrat me të cilat ballafaqohet bota dhe dhimbjet e tyre,(të personazheve),  mënyra e të shprehurit emocional dhe veprimeve fizike të tyre, të vërtetën konkrete dhe të moralit të shoqërisë, në kohë e hapësirë, për një dramë bashkëkohore mes  realizmit e simbolizmit. Edhe pse dramat e tij, fillojnë me ekzaminimin e përvojave jetësore në aspektin social, psikollogjik  dhe kulturor në të përditshmen njerëzore, Ziko interkulon një penetrim më të detajuar  e një analizë sociale bashkëkohore, të casteve të jetës  social- ekonomike-kulturore të shoqërisë nga vjen e ku mendon të integrohesh, duke e zgjeruar traditën me elemente psikollogjike e filozofike,  dhe duke  kthyer vëmendjen e tij letraro-artistike, për shqetësimet e personazheve,  duke shfaqur  kështu një  vizion udhërrëfyes bashkëkohor. Për dramën dhe eseistiken, Vangjush Ziko, është në proces të botimeve; e një  vëllimi me tre dramat e tij më të mira, njëra e botuar dhe e vënë në skenë, ndërsa dy të tjerat janë krijime të reja, dhe e shikojnë dritën e botimit për herë të parë, dhe në fushën esseistike  të vëllimit të titulluar “Fletorja e Esseve”, me një tematikë të gjerë temash, autorë, probleme teorike dhe estetike, letrare, esse poetike,  profile krijuesish të traditës dhe aktuale. Skenari dhe librete operete janë gjini të tjera që Ziko ka lëvruar në udhëtimin e larmishën krijues; “Hapi i Parë (skenar filmi, ekranizuar), “Zambakët e Bardhë” (skenar filmi,ekranizuar), “Brigadierja” (libret operete, vënë në skenë), kjo falë talentit e pasionit për letërsinë, Ziko ia ka arrituar t’i realizojë me sukses këto vepra.

Përkthyesi brilant i më shumë se treqind poetëve të mëdhenj lirikë rusë.

 Më duhet të theksoj që në fillim se poeti lirik, Vangjush Ziko, arësimin e mesëm e kreu në qytetin e lindjes, Korcë, ndërsa studimet e larta i përformoi për letërsi në Institutin e Letërsisë, “M. Gorki”, në Moskë. Punoi si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, dhe pedagog i letërsisë e gjuhës ruse në Universitetin “ Fan Noli”, në Korcë.  Duke qenë kryesisht një poet lirik dhe njohës i shkëlqyer  i gjuhës dhe letërsisë ruse,  Ziko iu përkushtua edhe përkthimit të poezisë lirike ruse. Ka botuar përmbledhje të vecanta të poezive të A.S. Pushkinit, S. Eseninit, E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vëllime), ku ka përfshirë rreth pesëqind poezi të më shumë se treqind poetëve lirikë rusë, që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete, dhe  deri në fund të shekullit të njëzetë, dhe vazhdon me të njëjtin intensitet të përkthejë edhe në shekullin 21-ë.

“A. S. Pushkin, Drama”, /“A. S. Pushkin, Poezi të zgjedhura”,/ “S. Esenin –  Njëqind Lirika”, / “E. Eftushenko, Lirika”,  “Treqind Vjet Dashuri”, Antologji e Poezisë Ruse,/

 “Këmbana e Mbrëmjes”, Antologji e Poezisë Ruse, “Tokë e Dashur”, Antologji e Poezisë Ruse,/”, “Pegasi Rus”(Antologji e Poezisë Ruse), “Aleksis Parnis, -Ishulli i Afrditës”, Dramë, Vangji-Mihanj Sterjo – “Pikat e Harruara të Shiut, Poezi, –janë vëllime poetike dhe drama  të pëkthyera nga përkthyesi  brilant Vangjush Ziko.

Antologjitë e Poezisë ruse përmbajnë poezi të përzgjedhura nga lirika ruse, të përkthyera mjeshtërisht dhe që kanë në thelb vetëm temën e dashurisë nga poetë të shquar të mëdhenj lirikë  rusë si: “poeti i natyrës dhe shpirtit rus, Esenin, me paruken klasike të Lemonsovit, hijen e venitur sentimentale të Zhukovskit, kacurelat rebele të Pushkinit, zërin e kreshpëruar të Majakovskit, ballin tragjik të Lermontovit, me vellon mistike të Bllokut, trishtimin esenian apo capkën të Eftushenkos,” -shprehet Ziko në parathënjen e tyre. Në një intervistë të paradokohëshme me poetin lirik dhe përkthyesin Vangjush Ziko, pyetjes sime, se cfarë e bën të dallueshëm një krijim në  përkthimin original, mes të tjerave u shpreh: “Arti i përkthimit është mjeshtëri. Përkthimi i lirikëve të mëdhenj të poezisë ruse, ma ka asuruar, jo vetëm shpirtin tim, mjeshtërinë time poetike, por edhe dashurinë për poezinë në përgjithësi, dhe poezinë ruse në vecanti. Të përkthesh poezinë e një kombi tjetër, duhet ta njohësh me themel, jo vetëm poezinë e tij, por edhe gjuhën dhe konstitucionin shpirtëror, natyrën, zakonet, stilin e të jetuarit, dhe të menduarit, shpirtin e tij,  ta njohësh mirë veprën që përkthen”.

Mendimin e tij mbi mjeshtërinë e përkthimit, dhe që e ka udhëhequr, në përkthimin e poezisë lirike ruse, përkthyesi Ziko analizon një shqipërim-të mrekullueshëm të Nolit, dhe jo përkthim, nëpërmjet një esse-je, shkruar rishtas, e titulluar “PROBLEME TË PËRKTHIMIT”, (Mbi një shqipërim të Nolit), Ziko vlerëson ndjeshëm dhe me profesionalizëm, filozofinë noliane të përkthimit dhe shqipërimit. Ja cfarë shkruan Ziko:  “Noli e shikon mjeshtërinë e përkthyesit si mjet edukimi dhe emancipimi shoqëror edhe si shkollë të edukimit artistik dhe estetik. Noli zgjodhi  jo vetëm kryevepra të artit botëror, por midis tyre, ato që i përshtaten momentit historik e shoqëror të vendit, si edhe synimeve të luftës së vet politike. Mjeshtërinë e përkthyesit Noli e krahason me mjeshtërinë e kopshtarit. Për përkthimin Noli përdori dy terma: “kthim’” dhe “shqipërim”. Me të drejtë mund të pyesim se me ç’ kuptim i përdori Noli këto dy terma dhe a janë  të bara-barta në domethënien e tyre?

Në studimet e huaja termi “kthim” përdoret në rastet e kthimit të një vepre të prozës në vargje. Kurse te ne termi “përkthim”, rëndom, barazohet me termin “shqipërim”, gjë e cila nuk mund të pranohet si e bara-zvlefshme,-shkruan Ziko.

Emri dhe kontributi i larmishm, i poetit, dramaturgut, shkrimtarit, eseistit, përkthyesit dhe studiuesit Vangjush Ziko, është një emër gjithpërfshirës, është vizioni i ri i revolicionarizimit dhe ndryshimit të rëndësishëm i letërsisë dhe artit bashkëkohor në qarqet artistike, qytetare dhe intelektuale,  i vlerësuar me  Urdhërin “Naim Frasheri” i klasit të parë dhe “Kurora e Krijimtarisë 2006-ë””nga Klubi Letrar “Bota e Re”. Figura e vlera kombëtare  dhe historike të tilla si Vangjush Ziko, duhet të ruhen më krenari e dinjitet kombëtar, duhet të ruhen për artin dhe kulturën korcare, për letrat shqipe dhe brezat e ardhshëm. I mëncur, i matur,  rini krijues, aktiv dhe me një shpirt të madh, Vangjush Ziko vazhdon të na japë vepra brilante nga shpirti, talenti dhe pasioni i tij krijues, -një jetë, mbështjellur me lirizëm. Që prej  vitit 2004r,   jeton dhe krijon mes Kanadasë pranë fëmijëve të tij dhe vendlindjes, Korcës,- qytetit që vetëm buzëqesh me butësinë lirike të serenatave e blireve.

HARTFORD, CT USA

Fund Maj 2016

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Jete ne butesi lirike, Raimonda Moisiu, Vangjush Ziko

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT