Shqiponjë Osmanaj/
I nderuar dhe shumë i respektuari z. Elmi Berisha, duke e ditur kontributin tuaj që nga vitet 80-të jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare, marr të drejtën ta tejkaloj modestinë tuaj dhe me etikë profesionale e potencoj që si gazetare/redaktore ku kam raportuar për çështjen e Kosovës, diplomacinë dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që me krenari ta potencoj faktin se ju ishit krahu i djathë i presidentit historik, Ibrahim Rugova, ju ndihmuat në lobimin e çështjes së Kosovës në përmasa ndërkombetare, në Departamentin e Shtetit, shumë njerëz mund të mos e dijnë se ju ishit edhe në vijën e luftës dhe nuk kursyet as centet e fituar me sakrificë.
Faktet flasin se si ju ishit përkrah me komandantët e luftës sonë për liri, ju jeni me ta edhe sot përmes mbështetjes ndaj tyre ku krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Edhe pse shumë njerëz të njohin si diplomat e rugovist, e vërteta është se ju jeni pjesë e lavdishme e luftës së armatosur, shokët e luftës e të paqes flasin edhe për praninë tuaj kur u bë betimi i kolonel Ahmet Krasniqit, Agim Ramadanit, Tahir Zemaj, Agim Çekut, Rrustem Berishës dhe të tjerëve ku për herë të parë thyen kufirin për ta mbrojtur Kosovën.
Ju bashkë me shokët ndihmuat financimin e UÇK-së, shërimin e invalidëve të luftës, ndihmuat shkollimin e studentëve dhe krijuat ura miqësie me Vatikanin duke ja mundësuar edhe kryeministrit Kurti takimin me Papën, gjë që për Kosovën do të thotë shumë në sferën e diplomacisë, kulturës e historisë!
Ju ndihmuat të gjithë liderët në Kosovë pa anime politike, ju treguat se uniteti tejkalon barrierat e politikës ditore.
Një shqiptar shembull se si Vatra ecën rrugës së themeluesve të saj drejt bashkimit të intelektualëve, nderimit dhe mbështetjes së tyre!
Me ndjesë dhe mirëkuptim që disa nga pikat e kontributit tuaj për Kosovën dhe shqiptarët e kudondodhur i ritheksova këtu duke tejkaluar modestinë tuaj, por puna e gazetarëve është të tregojnë faktet, se personalitete si ju çfarë kanë bërë që ne që sot te kemi liri, shtet dhe paqe në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë!