- E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal që na paralajmëron se së shpejti Shqipëria do ta ketë Nobelistin e saj në Letërsi./
Nga Dalip Greca/
Edhe pse qëndrimi im këtë herë në Shqipëri ishte i limituar dhe i kushtëzuar, edhe pse bileta e udhëtimit ishte pa bagazh, siç iket në raste dhimbjesh,- vetëm me çantën e kompjuterit dhe valixhen e dorës, nuk hoqa dorë nga zakoni i vjetër i blerjes së librave të rinj për të pasuruar bibliotekën familjare në Nju Jork. Një ndër librat që bleva në aeroport ishte libri i Visar Zhitit’ Dorëshkrimet e fshehta të burgut’, botuar nga ‘ONUFRI’-Tiranë 2021.Në bibliotekën time qëndrojnë disa prej librave të Visarit si: Kujtesa e Ajrit(1993), Kohë e krisur- 1993; Hedh një kafkë në këmbët tuaja-1994, Si shkohet në Kosovë-2000; Shekulli Tjetër- 2008, Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar(2010), Rrugët e Ferrit-ribotimi i vitit 2012, Kartela e Realizmit të Dënuar- 2020, dhe ‘Dorëshkrimet e Fshehta të Burgut’ 2021.
Libri Dorëshkrimet e Fshehta m’u bë shoqërues i ngrohtë në atë udhëtim rreth 8 orë mbi oqean, nga Zyrihu në New York. Edhe pse një pjesë të poezive i kisha të njohura nga publikimet e mëparshme, i rilexova dhe i ndjeva brenda vetes. Herë pas here kthehesha pas dhe rilexoja dëshmitë e bashkëvuajtësve, që përcillnin dëshmi se si ato poezi u ruajtën në memorie, si u shkruan(madje edhe në hetuesi), si u nxorën nga burgu, si i mori fshehurazi familja në shojet e opingave të Visarit dhe si u ruajtën në kushtet e terrorit dhe si erdhën ato poezi në ditët e sotme për të sjellë shpirtin poetik të autorit të tyre, guximin e tij për të krijuar poezi të ruajtura në kujtesë edhe gjatë hetuesisë apo gjatë viteve të burgut në Qafë Bari dhe Spaç.
Andreas Dushi me plot të drejtë në përcjelljen hapse të librit,i quan këto poezi-Martire; bashkëshortja e Visarit, Eda Agaj Zhiti, të emocionon me rrëfimin e saj”Dorëshkrimi i Visarit…Ç’guxim! Sa bukur!…”, Hasan Bajo, shoku i studimeve dhe bashkëvuajtësi i Visarit-autor i romanit”Lulet e Pjeshkës’- edhe pse e kisha lexuar më parë rrëfimin e tij në Dielli- më dukej se e lexoja për të parën herë duke e rilexuar mbi oqean-, Lek Mirakaj na e kishte rrëfyer përjetimin e tij edhe në Vatër- në mendje më patën mbetë fjalët e tij: ne duhej t’i fshihnim me kujdes në torbat tona të ushqimit ose brenda kashtës së dyshekëve….nëse ato poezi binin në dorën e komandës, Jo vetëm Visari, por dhe ne lexuesit(dhe ruajtësit), do të viheshim para situatash të paparashikuara.
Dëshminë e Dine Dines, “Si i fshihnim ne të burgosurit poezitë e Visar Zhitit në Spaç e Qafë Bari” e kisha lexuar më shumë se një herë kur e kisha publikuar në gazetën Dielli, por edhe atë m’u desh ta rilexoja sa herë që u rikthehesha poezive të ç’burgosura.
Rrëfimet -dëshmi të bashkëvuajtësve Astrit Xhaferri, Kaso Hoxha, Skënder Tufa, Valer Dyrzi, Maks Rakipaj, Ilir Malindi, apo rërfimi prekës i motrës së Visarit Arbëresha se si u ç’burgosën fletoret me poezi të fshehura brenda opingave apo në çantat bosh të ushqimeve, si i ‘burgosën’ përkohësisht poezitë nën tokë për t’i liruar në kohë lirie,- ia shtojnë vlerat botimit.
Libri me 607 faqe mbyllet ne analizën e plotë dhe profesionale të Shkrimtarit dhe studiuesit Dr. Luan Topçiu me titull” Poezia e Burgut -Frymë që këputi Prangat”- përcjell një vlerë më vete në funksion të vlerave tërësore të këtij botimi ”sui generis”.
E marrë në tërësi kolana e veprave të shkrimtarit Visar Zhiti është një sinjal se së shpejti Shqipëria do at ketë Nobelistin e saj në Letërsi.