Zija Vukaj/
-kulturologji-
«Sublimja i tërheq lexuesit e dëgjuesit jo në bindje, por në ekstazë: sepse ajo që është e mrekullueshme i shoqërohet gjithmonë një ndjenje përhumbjeje dhe dominon mbi atë që është vetëm bindëse dhe e këndshme, për shkak se bindja në përgjithësi është në prirjen tonë, ndërsa ajo, duke i dhënë argumentit një fuqi dhe një forcë të pamposhtur, mbisundon çdo dëgjues.»
Për t’i kuptuar deri në fund këto fjalë, që shfaqen në batutat e para të Traktatit, duhet larguar ideja që sublimja është një çast i thjeshtë i arratisjes së dëshiruar nga realiteti; përkundrazi, Anonimi ngulmon se letërsia është në gjendje të modelojë shpirtin dhe se njëlloj për një shpirt të ngritur e fisnik është e mundur të ngjallet në një vepër të tërë arti (“rezonanca e një shpirti të madh”, μεγαλοφροσύνης ἀπήχημα). Pra në këtë mënyrë Sublimja resht së qeni një përgojim polemik i kritikës letrare dhe përqafon çështje të karakterit etik, duke zgjeruar kështu fushën e vet e duke përuruar linjën e kërkimeve që do të bëhet pastaj e përveçme nga letërsia dhe estetika.
Sublimja është metri me të cilin maten autori dhe përfituesi i veprës, të lidhur mes tyre si në një polaritet, nga një raport empatie: duke nisur nga bindja që të gjithë njerëzit janë të bashkuar nga i njëjti tension, të lindur nga natyra e shpirtit të secilit, drejt madhësisë, përfitimit të sublimes e parë si njohja e madhësisë së shpirtit të autorit, njohje që buron nga vepra e artit dhe nënvizohet nga lartësimi qoftë i stilit, qoftë i ideve të paraqitura.
Anonimi e thjeshtëson gjithë këtë duke e ilistruar me njohjen e tij të gjerë të letërsisë, duke sugjeruar si modele një sërë autorësh, maja e artit të fjalës. Qasen kështu një nga një Homeri, tragjikët, Pindari, Safoja, Platoni e deri Bibla dhe komediografi Aristofan, aq sa edhe qeshja është një pathos hokatar dhe sublim i bashkëlindur me njeriun: “në fakt e qeshura është një emocion kënaqësie”. Por referimet nga poetët helenikë janë të mangëta.
Natyrisht, Apolloni tek “Argonautikat” është poet i patëmetë, dhe kështu është Teokriti te “Bukoliket”, përveç pak elegjive të lëna pas dore; por do të donit të ishtit Homer apo Apollon? E pra? Eratosteni tek Erigona- poemth krejt i pakritikueshëm, a është vallë poet më i madh se Arkiloku, që mbart pas shumë gjëra të papërpunuara të atij shpirti hyjnor i vështirë për t’iu nënshtruar një rregulle? Në lirikë do të zgjidhnit të ishit Bakilidi apo Pindari dhe në tragjedi Ioni i Keas apo Sofokliu, për Zeus? Sepse njëshat janë të pagabueshëm dhe në stërhollimin terësisht kaligrafik, teksa Pindari e Sofokliu nganjëherë djegin nga afshi, shpesh shuhen pa shkak dhe bien papritmas. E pra askush me mendje të shëndoshë nuk do të ndërronte një tragjedi të vetme si “Edipi mbret” me të gjitha dramat së bashku të Jonit.