NGA Elida Buçpapaj/
E Enjte, 11.29.2012, 10:49am (GMT+1)/
Ajo u vonua pak, gjithë mbrëmja shkoi duke pritur Rita Orën. Pastaj erdhi me grupin e saj dhe u fut pas kuintave. Sali Berisha kryeministri i Shqipërisë e shoqëronte si bodyguard! Po duket atij i pëlqente që të ishte një herë bodyguard kur ishte fjala për Rita Orën. Dhe kur të gjithë thanë, ok më në fund, sa mirë që erdhi, ajo filloi të vonohej përsëri. Kamerat tregonin se si zëdhënësja e kryeministrit komunikonte me telefon duke treguar me sy skenën. Përse po vonohet Rita ?! Dil Rita Ora më në fund, se na lodhe tuj të pritë.
Pastaj filluan efektet skenike, rrezet blu dhe violet shigjetonin sheshin, herë si shkrepëtima, herë sikur vinin prej kozmosi, me konfiguracionin e Shqipërisë, shqiponjës dhe sikur të mos ishin simbolet shqiptare, të krijohej menjëherë ideja se ishe në një koncert të mbretëreshës të Pop-it, vetë Madonnës në Zürich apo Romë…..
E nuk vonoi pak dhe hyri Rita Ora. Menjëherë “Roc of the Life”, që për Rita Orën do të thotë me kall, me e ngrit në kambë të madh e të vogël, kush ka pak gjak ndër deje…
Ku pyet Rita Ora se bien shi a borë, breshër, bubullon ose vetëton, sepse ajo është bubullimë e vetëtimë ajo është një yll botëror, që posa i ka mbushur më 26 nëntor, 22 vjeç – dhe në dejet e saj rend e rend gjak shqiptari.
Pastaj ajo performoi “Shine Ya Light”, “Hot Right Now”, “R.I.P” dhe “How We Do”, diku ndalonte, fliste pak shqip, me dialektin verior, e pastaj e kthente anglisht dhe thoshte të njëjtat fjalë, se ishte e lumtur në Tiranë, se ishte shumë e lumtur që ishte në Tiranë në atë ditë të madhe, 100 vjetorin e pavarësisë, punë e madhe se bie shi, ajo e kalli Tiranën, më e bukur dhe ma bukur se Madonna, më e bukur se Rihana, një yll që e ka nisur ngritjen e tij në vendin e Beatles-ave dhe Amy Winehouse etj, një yll që të le pa frymë, me gjak shqiptari….