Ledio Xhoxhi/
Lindi në Pogradec, në vitin 1899. Mësimet e para i mori në vendlindje, në shkollën greke e në atë shqipe, për t’i vazhduar në një shkollë rumune të Manastirit. Shkollimin e mesme e kreu në një lice francez në Athinë. Më pas u vendos në Bukuresht, ku nisi studimet e larta në disa fakultete, në fillim në degën e pikturës. Gjatë kohës së qëndrimit në Bukuresht u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Kolonisë Shqiptare të Rumanisë. Më 1924 u vendos në Austri, ku nisi studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermanike në Universitetin e Gracit, në përfundim të të cilit mbrojti doktoratën me temë “Poezia e Emineskut dhe lidhjet e saj me poezinë popullore”. Më 1934 u kthye në atdhe dhe punoi si mësues i arteve në gjimnazin e Tiranës. Formimi intelektual e filozofik i dha më pas poezisë së tij thellësi mendimi e fond kulturor të gjerë, që nis nga traditat e antikitetit e kulturat lindore dhe vjen te poezia moderne bashkëkohore. Në vitet ’20–’30 të shekullit XX, Lasgush Poradeci botoi lirikat e tij në organe të ndryshme të shtypit të kohës dhe u bë një nga zërat më të njohur e më origjinalë të poezisë së re shqipe. Në vitet ’30–’40 të shekullit XX, Lasgush Poradeci vijoi të shkruajë e të botojë në disa nga periodikët e kohës. Në vitet e pasluftës u përqendrua kryesisht në fushën e përkthimit. Vend të gjerë zë në krijimtarinë e tij edhe lirika filozofike dhe ajo e peizazhit. Lasgushi shkroi më pak poezi të mirëfillta atdhetare dhe në to gërshetoi herë-herë edhe ide e qëndrime për probleme të rrafshit shoqëror. Ka disa poezi të tij që mund të përfillen si poezi të mirëfillta peizazhi. Poezitë që kanë në qendër të tyre liqenin, janë ndër më të bukurat. Në konceptin e tij të natyrës ndihet dhuntia e piktorit, dhunti që e ushtronte dhe e praktikonte. Lirika filozofike e Lasgush Poradecit rrok tema e motive universale, që nga krijimi, raporti i Zotit me njeriun e deri te vdekja e përjetësia. Pas çlirimit, Lasgush Poradeci punoi si përkthyes letrar profesionist në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”; bëri një jetë të tërhequr e disi të mbyllur në mes vështirësish të skajshme ekonomike.