
QSPA/
Më 20 gusht 1463, u shpall marrëveshja e paqes dhe bashkëpunimit të ndërsjellë në luftën e përbashkët kundër osmanëve midis Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Senatit të Venedikut.
Kjo marrëveshje u krye në një kohë kur osmanët kishin sulmuar zotimet venedikase në Peleponez dhe Venediku përmes të dërguarit të tij këmbënguli gjatë te Skënderbeu për kryerjen e saj. Skënderbeu, i dyzuar nga qëllimet e Venedikut, pas një periudhe të gjatë reflektimi nga ana e tij dhe e Ligës vendosën të lidhin këtë marrëveshje. Sipas saj Skënderbeu zotohej të vazhdonte luftën kundër Perandorisë Osmane, ndërsa Venediku do t’i dërgonte ndihma në njerëz dhe dukatë, si dhe të dërgoheshin anije në brigjet e Shqipërisë dhe Dalmacisë. Në rast se do të përfundohej me një marrëveshje të mundshme paqeje mes Venedikut dhe osmanëve, Skënderbeu do të vihej në dijeni dhe Shqipëria do të përfshihej në kushtet e traktatit. Në këtë marëveshje Senati premtoi që në rast disfate dhe pushtimi të Shqipërisë nga osmanët, Skënderbeu së bashku me të tjerë shqiptarë do të strehoheshin në tokën e Venedikut, gjë që u realizua pas vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
(Foto: Portreti i Skënderbeut nga piktori Agim Sulaj)