27 JANAR 1990- Ishte një ditë e ftohtë dimri 27 Janari i viti 1990. Komuniteti shqiptar ishte tronditur nga një ngjarje e pazakontë; 5 ditë më parë ishte përcjellë lajmi se një aksident i pazakontë në rrethana të dyshimta kishte marrë jetën e të riut Nik Mrnacaj. Me 27 Janar u përcoll trupi i të ndjerit…. Shërbimet funerale u kryen në Bronx, New York, ku të riut Mrnaçaj, i dhanë lamtumirën e fundit mijëra bashkatdhetarë të komunitetit shqiptar të Amerikës. Mesha e Dritës u celebrua me datën 27 Janar 1990, në Kishën Katolike Shqiptare, nga të Pëndershmit Don Rrok Mirdita dhe Don Pjetër Popaj…./
***
Vitin 1990 kishte nisë me demonstrata të shumtë në Diasporën Shqiptare të Amerikës. Dredhat e Ramiz Alisë në Shqipëri dhe urdhërat që përcilleshin në Misionin Shqiptar të Nju Jork-ut i kishin hedhur më shumë benzinë zjarrit.Me 20 Janar ishte zhvilluar një demonstratë e madhe për lirinë dhe demokracinë në Nju Jork. Demonstrata u zhvillua para Misionit të asaj që quhej Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Mijëra njerëz, burra, gra dhe të rinj, shkruante Dielli në faqen e parë, morën pjesë në protestë. Turma e madhe u mblodh rreth orës 11 paradite dhe manifestoi me thirrje të fuqishme:” Lironi Shqipërinë”!, Reforma për Popullin Shqiptar”!…”Demokraci dhe Liri!” si dhe parrulla të tjera.
Shkëpusim nga kronika e Diellit(editor në atë kohë ishte Eduard Liço) : “Ndërmjet atyre që merrnin pjesë në këtë demonstartë na zuri syri edhe bashkëkombasin tonë Tom Christo nga New Hampshire, i cili është kandidat për Senatin Amerikan, profesori amerikan nga New Jersey John Cardino… Ishte i pranishëm edhe Reverand Sassu, përfaqësuesi i Kishës Orthodokse Rumune në New York. Krahas fjalimeve, u recituan edhe poezi nga tribuna e protestës, ku më së shumti duartrokitje fitoi poezia e Zef Pashko Dedës, shkruar enkas për këtë rast.
Shqiptarët e New York-ut, shkruante Dielli, ishin mbledhur me mijëra, po kishin ardhë edhe nga qytete të tjera, të afërta dhe të largëta. Nga Chicago kishte ardhë Rev. Jusuf Azemi me shumë shokë të tjerë; nga Detroiti Ekrem Bardha me shokë dhe bashkëpunëtorë të tij të Këshillit Kombëtar Republikan Shqiptaro-American; nga Connecticut Ligori dhe Kostandin Vangjeli,Ali Demiral ; nga Nju Jorku Dr. Turdiu me zonjën dhe vajzat, Luan Isufi me zonjën, Ramiz Dani, Abdulla Kaloshi, Seid Kryeziu, Rexhep Krasniqi, Nerim Kupi, vëllezërit Bytyçi dhe shumë të tjerë.Po ashtu kishin ardhur edhe nga Florida e shtete të tjera të Amerikës. Në krye të turmës binte në sy një grupim energjik i të rinjëve me në krye Nikoll (Nik) Mrnaçaj, që i jepnin ritëm demonstrimit. Nikolla kishte motive të forta për të dalë në krye të protestës: Vuajtjet e fisit të tij në Shqipëri, kalvari në burgje dhe kampet e internimit, burgosja dhe vdekja e axhës së tij, Nikolla Mrnaçaj nga torturat e diktaturës,e kishin mbushur shpirtin e tij, dhe e kishin bërë aktiv në demonstratat antikomuniste në SHBA. Atë e gjeje kudo ku demnstrohej, në Washnigton, New York, Michigan etj…(Lexoje te plote en Diellin ne Print)