
Nga Merlin Tushe – New York, Shtator 2025
Me artisten Parashqevi Simaku kishim kohë që nuk ishim parë. U ritakuam ditë më parë në Manhattan. Së bashku jemi njohur kur isha ende fëmijë ku u përzgjodha që të këndoj me Parashqevinë. Në Amerikë u takuam sërish. Ndërsa sot më ftoi të merrja pjesë në një sfilatë mode në New York, ku do të performonte edhe miku i saj, modeli Elton Ilirjani.
Lashe një impenjim tjetër e vendosa të ndjek show-n në fjalë. Zura vend pranë saj. Skena ndriçohej nga dritat dhe projektorët e shumtë. Vajzat e djemtë në pasarelën e modës, tepër elegantë e të bukur, shkëlqenin mbi tapetin e kuq. Larmia e veshjeve më tërhoqi në labirintin e një lëndine të gjelber me lule plot ngjyra.
U ndjeva mirë që u takuam e po ndiqnim nga afër një spektakël të tillë.
Erdhi rradha e Eltonit. Ecte me trupin drejtë, hapin e shtrirë, pedant e tepër të sigurt. Kjo vinte edhe nga eksperienca disa-vjeçare në industrinë e modës. Ai sapo ishte kthyer nga një turne në Islandë. Spektakli u ndoq edhe nga disa vajza e gra shqiptare, mes tyre edhe arkitektja e re Jorgesta Lito, e cila ka ambicje të hapë kompaninë e saj të modës.
Parashqevisë i dhurova një buqetë me lule të freskëta, pasi ditë më parë kishte festuar 59-vjetorin e saj të lindjes. Faleminderit – më tha – që nuk e paske harruar! Spektakli më pëlqeu. U përshëndetëm me Parashqevinë për tu takuar përsëri.