
Midis shpresës dhe realitetit të ashpër shqiptar.
Nga Frank Shkreli
Marsi i vitit 1991 shënon një kthesë themelore në historinë moderne shqiptare, një moment kur vet-izolimi gjysëmshekullor i regjimit komunist të Enver Hoxhës nisi të çahej, përfundimisht. Në këtë sfond dramatik, përveç delegacionit të Departmentit Amerikan të Shtetit (DASH) që kishte shkuar më heret, në Tiranë arrijti edhe një delegacion i Kongresit të Shteteve të Bashkuara, i kryesuar nga Senatori Dennis DeConcini, pjesë e të cilit ishte edhe Dr. Elez Biberaj – në atë kohë Shef i Shërbimit shqip e më vonë edhe Drejtor për Euro-Azinë dhe më në fund edhe Drejtor i Përgjithshëm i Zërit të Amerikës Frank Shkreli: Elez Biberaj emërohet Drejtor i Përgjithëshëm i “Zërit të Amerikës” | Gazeta Telegraf — Arritja në Tiranë e dy delegacioneve të nivelit të lartë të qeverisë amerikane — Degës Ekzekutive dhe Degës Legjislative — merrte përmasa që tejkalonin një akt diplomatik të zakonshëm. Vizita e tyre, pothuaj menjëherë pas nënshkrimit, një javë më parë, në Washington, të Memorandumit për rivendosjen e marrëdhënieve midis dy kombeve tona, ishte një shenjë e qartë e rëndësisë që Washingtoni zyrtar i kushtonte Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por njëkohësisht, edhe rikthimit, më në fund, të Shqipërisë në hartën e botës së lirë perëndimore. Por, për Elezin dhe mua, si pjesëmarrës në këto dy delegacione zyrtare në Shqipëri mars/prillin e 1991, ajo vizitë përfaqësonte jo vetëm interesin institucional amerikan për Shqipërinë e shqiptarët por edhe lidhjen — shpirtërore dhe familjare të mijëra familjeve anti-komuniste të diasporës shqiptare në Amerikë — me atdheun e origjinës.
Marsi i vitit 1991 në Tiranë nuk ishte thjesht një stinë kalimtare, nga një sistem në tjetrin. Ishte një çarje në kohë, një moment kur një vend si Shqipëria komuniste, i mbyllur e i vet-izoluar për gati pesë dekada, po përpiqej të hapte sytë drejt botës së lirë. Në ato ditë të pazakonta, kisha privilegjin të jem në Tiranë, si pjesë e delegacionit të Departamentit të Shtetit i SHBA, krah për krah, për disa ditë, me mikun, kolegun dhe bashkëpunëtorin e ngushtë prej 5-dekadash, Dr Elez Biberaj. Ai ishte pjesë e delegacionit të Kongresit amerikan, kryesuar nga Senatori Dennis DeConcini i shtetit Arizona. Former Senator, Dennis DeConcini at VOA Albanian Service’s 70th Anniversary. Mendoj se edhe Elezi do ishte dakort, se prania e tij ato ditë në Tiranë – 35-vjet më parë — nuk ishte një mision i zakonshëm zyrtar, siç ishim mësuar të ndërmirrnim dikur në vende të tjera, si pjesë e funksioneve tona zyrtare. Por ishte një kthim – ndonëse i vonuar, por i shumëpritur dhe thellësisht personal – në një atdhe, që për vite ekzistonte vetëm në kujtimet tona, rrëfime dhe mall. Tirana, 35-vjet më parë, ishte e zymtë në pamje dhe e trazuar në shpirt. Rrugët mbanin gjurmët e një sistemi të lodhur, ndërtesat flisnin për izolimin, ndërsa njerëzit – përkundrazi – përçonin, ndonëse me pak frikë, një energji të re, një etje për ndryshim që nuk mund të fshihej më nga askush. Në Tiranën e atyre ditëve, realiteti ekonomik e politik ishte i zymtë: kudo varfëri ekstreme, mungesë infrastrukture dhe një popullsi e etur për ndryshim.
Megjithatë, ajo që binte në sy ishte shpresa për ditë më të mira. Turmat dhe individët që përshëndesnin dy delegacionet amerikane nuk shihnin thjesht përfaqësues diplomatikë amerikanë ose përfaqsues të VOA-s. Në praninë e delegacioneve amerikane, shqiptarët vendas shihnin simbolin e një bote tjetër. Një bote të lirë dhe demokratike, që më në fund po afrohej edhe për ‘ta. Vetë prezenca e Elez Biberajt – një zë i besueshëm ndër vite për dëgjuesit e shumtë të Zërit të Amerikës në Shqipëri — ato ditë të marsit, 1991 — shërbei gjithashtu si një sinjal politik, shpresëdhënës për elitën e atëhershme shqiptare intelektuale, se epoka e vet-izolimit politik dhe ekonomik po merrte fund. Kontakti i drejtpërdrejtë me përfaqësuesit amerikanë, përfshirë figura si Dr Elez Biberaj, patjetër që ndikoi në përshpejtimin e proceseve, jo vetëm të mendimit të pavarur dhe fjalës së lirë, por edhe të hapjes dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Një numër intelektualësh të kohës të cilët, jo më larg se një muaj a dy përpara, nga frika refuzonin t’i dilnin në telefon Elezit për intervista tek VOA shqip, tani u gjëndën ball-përball me ‘të mu në qendër të Tiranës. Nuk besoj se kishte nevojë për ndonjë provë tjetër se edhe për ‘ta diçka po ndryshonte, rrënjësisht dhe shpejt.
Mars–prill 1991 ishte një nga ato çaste të rralla kur historia nuk shkruhej në libra, por përjetohej në rrugët e Tiranës, në korridoret e ndërtesave shtetërore dhe në fytyrat e njerëzve, që për herë të parë, pas disa dekadash ndiheshin të lirë të shpresonin. Të gjendeshe në Shqipëri me Elez Biberaj nuk ishte thjesht një përvojë profesionale — ishte një privilegj historik megjithse përkonte me një periudhë trazimi dhe shprese, njëkohësisht. Regjimi komunist po jepte shpirt, ndërsa një realitet i ri, ende i paqartë, po përpiqej të merrte formë e frymë. Në Tiranë, gjithçka dukej në tranzicion: institucionet, retorika politike, madje edhe vetë gjuha e komunikimit publik. Në këtë atmosferë, prania e Elez Biberaj, me përvojën e tij në analizën e zhvillimeve politike në Evropën Lindore dhe Ballkan, ishte një udhërrëfyes i çmuar. Ai e kuptonte Shqipërinë jo vetëm si një rast studimi, por edhe si një plagë historike që kërkonte shërim të thellë. Takimet e atyre ditëve — me përfaqësues të qeverisë së rrënuar komuniste, me figura të reja të opozitës, me intelektualë dhe qytetarë të thjeshtë — kishin një element të përbashkët: etjen për ndryshim dhe frikën nga e panjohura. Shqipëria ishte në një udhëkryq, dhe askush nuk kishte një hartë të qartë për rrugën përpara. Mbaj mend diskutimet e gjata me Elezin, ku ai theksonte se sfida më e madhe nuk ishte rrëzimi i sistemit të vjetër — kjo tashmë kishte filluar — por ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme demokratike. “Demokracia,” thoshte ai, “nuk është një akt, por një proces që kërkon kohë, durim dhe mbi të gjitha, vullnet politik.” Në rrugët e Tiranës, njerëzit na ndalonin, na pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë e reja. Kishte një idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë prej tyre, Amerika ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies, një kontrast i fortë me realitetin që kishin përjetuar për dekada.
Pas atij entuziazmit fshihej edhe një realitet i ashpër: ekonomia e rrënuar, mungesa e përvojës demokratike, dhe mbi të gjitha, hija e gjatë e së kaluarës komuniste shihej gjithkund. Kjo ishte dilema e madhe e Shqipërisë së vitit 1991 — si të ndërtohej e ardhmja pa u çliruar plotësisht nga e kaluara. Gjatë qendrimit tonë në Tiranë, marsin e 1991 me Elezin e kishim berë zakon e dilnim në Sheshin Skenderbeu për të vëzhguar atmosferën, duke dëgjuar dhe duke përthithur çdo detaj. Nuk kishim nevojë për shumë fjalë për të kuptuar situatën as edhe njëri-tjetrin. Të dy e ndjenim se po jetonim një moment që do të mbetej në histori, për të ardhmen e shqiptarëtve por edhe në kujtesën tonë, përgjithmonë. Por, siç kam theksuar edhe në shkrimin e para disa ditëve në lidhje me këtë përvjetor, ajo që na preku më shumë ishin njerëzit. Në çdo kontakt – të rastësishëm apo zyrtar – ndjehej një dëshirë e fortë për të komunikuar, për të treguar përvojat, shpesh të tmershme nga jeta e tyre dhe për tu dëgjuar hallet e tyre nga të huajt që ato ditë kishin ardhur për herë të parë në Tiranë, nga Amerika dhe nga Evropa Perëndimore
Elezi në Tiranë me një delegacion të Kongresit Amerikan e unë me delegacionin e DASH, gjatë ditës kishim agjenda të ndryshme, por takoheshim në hotelin e “famshëm” Dajti, ku qëndronin të gjitha delegacionet e huaja. Prandaj, mbrëmjet ishin më të lira për të shkëmbyer biseda e për të bërë krahasime. Në biseda të gjata, shpesh të thjeshta në formë, por të thella në përmbajtje — larg agjentëve të Sigurimit të Shtetit famëkeq që gjithnjë bredhnin brenda dhe jashtë hotel Dajtit – diskutonim për ngjarjet që po zhvilloheshin aq shpejt. Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? A do të mundte të ndërtonte institucione demokratike? A do të arrinte të çlirohej jo vetëm nga sistemi komunist, por edhe më me rëndësi, nga mendësia komuniste që regjimi i egër i Enver Hoxhës kishte lënë pas. Si njohës i thellë i realitetit shqiptar ndër vite, Dr Elez Biberaj si, gjithmonë, sillte një qartësi analitike që më ndihmonte mua dhe kolegëve tanë ato ditë në Tiranë të kuptonim më mirë kompleksitetin e asaj që po ndodhte para syve tanë. Ndërsa unë e përjetoja atë përvojë edhe në mënyrë emocionale, ndoshta edhe me pak egërsi, Elezi arrinte t’a vendoste çdo zhvillim e dukuri të atyre ditëve në një kontekst më të gjërë historik dhe politik, ashtu siç ka bërë gjatë gjithë karrierës dhe veprimtarisë së tij, si njëri prej ekspertëve më të dalluar të çeshtjeve kombëtare dhe evropiane.
Si i tillë, Elezi gjithashtu e ndjente qartë peshën e atij momenti. Nuk ishim thjesht dëshmitarë por ishim, në një farë mënyre, pjesë e tij — të nderuar dhe të privilegjuar — për atë moment në historinë e fillimit të marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Nder më të madh për dy shqiptaro-amerikanë nuk kishte! Kur kujtoj sot ato ditë të marsit/prillit 1991, ato që më mbeten më fort në kujtesë nuk janë vetëm ngjarjet, takimet zyrtare e tjera, por ishin edhe ndjenjat: një përzierje e rrallë e historisë me përvojën personale. Edhe për Elez Biberajn ajo vizitë, ishte më shumë se një kapitull në jetën e tij profesionale. Ishte edhe një dëshmi se si, në momente të caktuara, secilit prej nesh, jeta na vendos në kryqëzimin e historisë – dhe të jep mundësinë t’a përjetosh atë, jo si spektator, por si pjesëmarrës. Dhe për këtë, mbetemi thellësisht, mirënjohës.
Por nga një këndvështrim më kritik, ajo vizitë ngre edhe pyetje që mbetën aktuale për Elezin dhe për të gjithë ne: a u shfrytëzua siç duhet ai moment historik? A arrijti klasa politike shqiptare ta përkthejë atë kapital simbolik, në një ndërtim të qëndrueshëm institucional? Apo shpresa e marsit 1991 u konsumua shpejt nga tranzicioni i gjatë dhe shpesh i dhimbshëm? Megjithë mungesën e përgjigjeve të sakta ndaj këtyre pyetjeve, në retrospektivë, vizita e marsit 1991 mbetet një nga ato çaste kur historia hapi një dritare të rrallë mundësish. Roli i Elez Biberajt në atë moment të historisë është pjesë e një narrative më të gjerë–atë të diasporës shqiptaro-amerikane, e cila jo vetëm e mbështeti, por edhe e shoqëroi Shqipërinë në hapat e saj të parë drejt demokracisë. Por ai moment nuk është thjesht kujtim. Ai është një standard me të cilin duhet matur edhe e tashmja. Sepse marsi i vitit 1991 nuk ishte vetëm fundi i një epoke të dhimbshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët, përfshirë ne në diasporë –por ishte dhe premtimi për një fillim të ri. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez Biberaj shërbyen si një pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë dhe për të gjithë të interesuarit, atëherë dhe më vonë. Në thelb, vizita e tij ishte më shumë se një episod zyrtar, diplomatik, ose gazetaresk, por ishte një moment reflektimi për të ardhmen e Shqipërisë. Ajo vizitë ngriti pritshmëri të mëdha por, njëkohësisht, paralajmëroi për sfidat që do të vinin. Sot, kur shikojmë pas, vizita e Elez Biberaj mbetet një pikë referimi. Jo vetëm për atë që përfaqësonte atëherë, por për pyetjen që vazhdon të na ndjekë: a arriti Shqipëria të përmbushë pritshmëritë e atij momenti historik, apo mbeti peng i një tranzicioni të pafund. Një nga aspektet më domethënëse të kësaj vizite ishte perceptimi i publikut shqiptar. Për shumë qytetarë, prania e një figure si Elez Biberaj—bashkë me delegacionin e Kongresit amerikan — ishte një garanci morale se Shqipëria nuk ishte më e braktisur. Ishte një sinjal se Perëndimi jo vetëm po vëzhgonte, por edhe ishte i gatshëm të angazhohej. Megjithatë, në një lexim më kritik, vizita nxori në pah edhe kufijtë e entuziazmit fillestar. Ndërsa shpresa ishte e madhe, strukturat shtetërore mbeteshin të dobëta, mentalitetet e vjetra të rrënjosura në komunizëm dhe tranzicioni i pashmangshëm do të rezultonte më i gjatë dhe më i dhimbshëm se sa pritej. Në këtë kontekst, vëzhgimet dhe analizat e Elez Biberaj shërbyen edhe si një pasqyrë realiste për politikëbërësit amerikanë.
Një kujtim që mbetet — Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shqiptarëve për ditë më të mira për veten e familjet e tyre. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që kishin duruar shumë, por megjithkëtë nuk kishin humbur besimin. Dhe në këtë kujtesë, figura e Elez Biberaj mbetet e lidhur pazgjidhshmërisht me ato ditë – si mik, si bashkëpunëtor dhe si një nga zërat që e kuptoi heret se Shqipëria, megjithë plagët e saj, kishte ende një të ardhme për të ndërtuar. Ato ditë në Shqipëri, pranë Elez Biberajt, mbeten një kujtesë e gjallë e një kohe kur gjithçka dukej e mundur, por asgjë nuk ishte e sigurt. Ishte fillimi i një rruge të gjatë dhe të vështirë — një rrugë që, edhe sot, vazhdon të kërkojë përgjigje për pyetjet e lëna pezull atë pranverë të largët. Në fund, ajo që mbetet më e fortë nga ajo përvojë është bindja se historia nuk ndryshon vetvetiu — por ajo ndryshohet për më mirë nga njerëzit që kanë guximin, moralin dhe vullnetin e fortë politik të përballen me të Vërtetën historike, jo vetëm me fjalë por dhe me vepra.
Një koment personal si post-scriptum, nëse më lejohet: Përvoja e përbashkët me Elez Biberajn në Shqipërinë e mars–prillit 1991 nuk ishte thjesht një udhëtim në një vend që po hapej ndaj botës ishte një përballje e drejtpërdrejtë me historinë në lëvizje. Shkuam dhe pamë një Tiranë të trazuar, ku rrëzimi i regjimit komunist nuk kishte sjellë ende qartësi, por kishte hapur një boshllëk të madh politik, institucional dhe moral. Ishte një Shqipëri ku e kaluara dhe e ardhmja përplaseshin çdo ditë, në çdo takim, në çdo debat, në çdo shpresë të shprehur me zë të lartë. Si pjesë e angazhimit amerikan pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri 1991, prania e dy delegacioneve amerikane, përfaqësues të ekzekutivit dhe të legjislativit të qeverisë amerikane, kishte një dimension të dyfishtë: nga njëra anë, përfaqësonim një lidhje të shumëpritur të Shqipërisë me Perëndimin; nga ana tjetër, ishim dëshmitarë kritikë të një realiteti që kërkonte më shumë sesa entuziazëm — kërkonte transformim të thellë. Në ato ditë, me Elez Biberajn ndamë jo vetëm axhendat dhe takimet, por edhe reflektime të vazhdueshme mbi atë që po shihnim. Pamë nga afër një shoqëri të etur për liri, por të pa-përgatitur për kompleksitetin e saj. Pamë liderë që flisnin për demokraci, por që shpesh mbartnin mendësitë e vjetra. Pamë një popull që besonte fort tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonjëherë më shumë si një mit, sesa një realitet politik.
Në diskutimet mes nesh, Elez Biberaj theksonte se Shqipëria nuk do të kishte sukses vetëm duke përmbysur të kaluarën; sfida e vërtetë ishte ndërtimi i një kulture demokratike dhe përpjekjet serioze, konkrete për ndërtimin e institucioneve dhe të mendësisë së re politike e shoqërore. Por ajo që na bashkoi më shumë në atë përvojë ishte jo vetëm ndjenja se po jetonin një moment historik, por edhe vetëdija se ky moment ishte vetëm fillimi. Shqipëria e vitit 1991 nuk kishte nevojë vetëm për miq dhe mbështetje ndërkombëtare; kishte nevojë për një përmbysje të brendshme — të mendimit, të etikës publike, të marrëdhënies mes shtetit e qytetarit, por mbi të gjitha një përballim zyrtar me të kaluarën komuniste. Përvoja e jonë e përbashkët mbetet një dëshmi e asaj kohe kur shpresa ishte e madhe, por rruga përpara ishte e pasigurt. Ishte një kohë kur dy shqiptaro-amerikanë, nga dy realitete të ndryshme, u gjendën së bashku në një pikë kthese për kombin e tyre — duke parë, duke analizuar dhe duke besuar se Shqipëria mund të bëhej ndryshe. Dhe ndoshta, vlera më e madhe e asaj përvoje nuk qëndron vetëm në atë që pamë, por në mënyrën si e kuptuam: me realizëm, pa iluzione të tepërta, por me një besim të qëndrueshëm se ndryshimi, sado i vështirë, ishte i pashmangshëm, mgjithë zhgënjimet e mëdha të klasës politike shqiptare këto 35-vite e deri në ditët e sotëme.

Tiranë, mars, 1991 –Sot, kur i rikthehem atyre ditëve, më kujtohet jo vetëm varfëria apo vështirësitë, por mbi të gjitha shpresa e shiptarëve për ditë më të mira si pjesë e Evropës demokratike. Një shpresë e pastër, e pafiltruar, që buronte nga njerëz që kishin duruar shumë, por nuk kishin humbur krejtësisht, besimin.

Tifozët dhe dëgjuesit e rregullt të Zërit të Amerikës pasi u përhap lajmi se Elez Biberaj, Shef i Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës ishte në Tiranë, reagimi ishte i menjëhershëm, siç tregon kjo fotografi përpara Hotel Dajtit. Një përzierje krenarie dhe shprese, pa tjetër. Për shumë prej tyre, prania e dy delegacioneve amerikane në Shqipëri ishte diçka më shumë se një vizitë diplomatike; ishte një shenjë se Shqipëria, më në fund, nuk ishte më vetëm, as e izoluar nga bota. Ishte një kohë kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe — për herë të parë në historinë e tij — nën drejtimin e Dr Biberajt, kishte numrin më të madh të dëgjuesve në Shqipëri, Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në krahasim me programet e tjera evropiane të VOA’s, në proporcion me popullsinë, natyrisht.

Kryetari i delegacionit të Kongresit Amerikan, Senatori Dennis DeConcini i shtetit Arizona në konferencë me shtypin në Tiranë

Konferencë shtypi e delegacionit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, ato ditë në Tiranë

Zbritja e delegacionit të parë të Kongresit Amerikanë në aerportin Rinas të Tiranës, Mars, 1991

Takimet me intelektualë, gazetarë dhe figura të reja politike zbuluan një shoqëri në fermentim, por edhe një elitë ende të papërgatitur për sfidat e një sistemi pluralist. Në rrugët e Tiranës, njerëzit na ndalonin, pyesnin për Amerikën, për lirinë, për mundësitë. Kishte një idealizëm të pastër, pothuaj naiv, për atë që përfaqësonte Amerika. Për shumë prej tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte sinonim i demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies — një kontrast i fortë me realitetin komunist që kishin përjetuar ata për dekada.

Me të ndjerin Azem Hajdari, lider i studentëve të Nëntorit

Me udhëheqsin e Partisë Demokratike në opozitë, Dr Sali Berishën

Në Tiranë me Kongresistin, ish-governatorin e shtetit Nju Meksiko, dhe ish-ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Z. Bill Richardson

Me Elezin, bisedat tona shpesh shkonin përtej detyrës zyrtare. Si dy shqiptaro-amerikanë që kishim ndjekur për vite me radhë fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve nga larg, tani ndodheshim në zemër të saj, duke parë nga afër pasojat e një sistemi barbar që kishte lënë plagë të thella në trupin e Kombit. Një miqësi në shërbim të një momenti historik — Ditët me Elez Biberajn në Tiranë nuk ishin vetëm një përvojë profesionale; ishin një dëshmi e asaj se si miqësia dhe përkushtimi mund të ndërthuren me historinë. Kishte momente reflektimi, por edhe një ndjenjë të fortë detyrimi – ndaj vendit të origjinës, ndaj së vërtetës, lirisë e demokracisë dhe ndaj së ardhmes. Në ato ditë të marsit dhe prillit 1991, Shqipëria ishte ende e brishtë, por e gjallë. Dhe ne, në mënyrën tonë modeste, ishim dëshmitarë dhe pjesëmarrës në atë zgjim.