Skender Karaqica/
(Ngjashmëri jete të poetit të poezisë shqipe të natyrës dhe dashurisë, Lasgush Poradeci me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë për fëmijë, Ymer Elshani, i masakruar me familje në masakrën e Paklekut(1999) në Drenicë.
Në botën e letërsisë shqipe, Lasgush Poradeci (1899-1987) mbetët një nga poetët më të mëdhenj të poezisë moderne shqipe, që me të drejtë e kanë radhitur në hapësirën e rrafsheve të poetëve të poezisë evropiane. Në koloninë shqiptare ishte në krah me Asdrenin dhe Mitursh Kuteli, që në ketë kohë ishte më i riu.
Me përkrahjen e Nolit, poeti mori bursën për të studiuar në Fakultetin Filologjisë në degën Romano-Gjermane dhe në vitin 1934 Lasgush Poradeci mori gradën shkencore të kohës: Doktor-Profesor. Në të gjitha studimet lidhur me jetën dhe krijimtarinë e poetit, është vënë në spikamë, emri dhe mbiemri i tij i sajuar nga emri i vërtetë (Lazër Satir Gusho):La+S+Gush =Lasgush e si mbiemër e vuri emrin e vendlindjes së tij (Poradeci).
I dhuroi letërsisë shqipe dhe Shqipërisë “Vallen e Yjeve” dhe “Yllin e Zemrës” ndërsa në kohën e regjimit komunist ishte përkthyes me normë, që, siç thuhet në kronikat e kohës e lanë të vdiste i deniguar e i poshtruar nga mendjemadhësia e burokracisë së bulevardit të shtetit.
Poeti Lasgush Poradeci, qysh në vlugun e hapava të rinisë, kërkonte që të kalonte në shkollën shqipe, që asokohe ishte hapur në Pogradec. Me të dëgjuar për dashurinë e zjarrtë për gjuhën dhe shkollën shqipe, dhaskali i veshur në të zeza dhe me kryqin në gjoks, e pati detyruar Lasgushin të ulej në gjunjë, përdhe, e i ra disa herë me thupër në kokë. Me këtë veprim dhaskali kishte për qëllim ti frikësonte fëmijët shqiptarë në Pogradec, që të heqin dorë nga shkolla në gjuhën e bukur e të lashtë të shqipes.
Poeti Lasgush Poradeci ishte i brymosur me kulturën dhe gjuhën gjermane, që, përmes dijes së tij ai bëri të flasin shqip poetët e letërsisë evropiane-botërore, si: Hajne, Majakovski, Gëte, Lanaut, Brehti,
Hygoi, Myse, Bajroni, Shell, Bernsi, Eminesku.
Në botën e krijimtarisë letrare, të dijes shkencore dhe të mjeshtrit të rrallë të përkthyesit, Lasgush Poradecin, shteti i kohës e pati lutur që, për nevojat e shkollës e të universitetit të përkthejë nga gjuha gjermane librin e gjeometrisë. Për këtë nismë të shtetit, poeti me buzë në gaz u është drejtuar, ashtu siç u ka hije poetëve, pushtetit me fjalët: :Po, unë nuk e di as tabelën e shumëzimit, e unë të përkthejë librin e gjeometrisë, si është e mundur? Poetët dhe fusha e dijes si studiues, përkthejnë letërsi dhe fshehtësitë e gjuhës, është thënë më të drejtë në kritikën e përbotshme letrare.
Po kështu, i pati ndodhur shkrimtarit për fëmijë e të rinj Ymer Elshani (1948-1999) në Drenicë. Në vitin 1981, masat represive antishqiptare dhe për shembjen e arsimit shqip në të gjitha rrafshet deri në tempullin e universitetit në Prishtinë, masat e diferencimit politik serbo-jugosllav, e patën lënë pa punë disa vjet dhe anatemimi i tij në fushën e letërsisë për fëmijë të shkrimtarit Ymer Elshani në Gllogofcin e kohës.
Në përkrahje të udhëheqjes së Ndërmarjes Teknologjike Feronikeli
në Gllogofc, shkrimtarin Ymer Elshani e punësojnë si përkthyes në këtë gjigant të tekologjisë e të përpunimit të nikelit i pari i këtij lloji në Kosovë dhe në Ballkan. Ndonëse, fusha e botës profesionale për shkrimtarin ishte letërsia dhe studimet për ketë krah të letërsisë shqipe, ai pati probleme rreth përkthimeve, në rrafshin e teknologjive të lindjes dhe të përendimit, që ishin vënë në përdorim në shkritorën e Ferronilelit në Gllogofc.
Në drejtorinë e Feronikelit, shkrimtari Ymer Elshani në ngjashmëri me përkthyesin me normë të Lasgush Poradecit në Tiranë, u tha shkurt e zëshëm: Unë po kam problem me përkthimet nga fusha e tekonologjisë në Feronikel. Kjo punë sipas tij ishte larg fushës së letërsisë që shkrimtari e kishte në dijen dhe opusin e tij si shkrimtar dhe studiues i letërsisë për fëmijë e të rinj në Kosovë. Ky është fati i shkrimtarëve në regjimet totalitare të kohës, ndonëse ata më së miri u bën opozitarët dhe ligjvënësit për pushtetet, thoshte poeti Shell në shkrimet e tij.