Hahn falenderon Kadarenë. Shkrimtari i kërkoi falje ambasadores Vlahutin/
Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn falenderoi shkrimtarin Ismail Kadare për mbështetjen ndaj ambasadores Reomana Vlahutin.
“Falenderoj të madhin Imsail Kadare për mbështetjen e ambasadores së BE në Tiranë, Vlahutin. Bashkimi Europian punon shumë për të gjithë popullin shqiptar”, u shpreh Hahn.
Një ditë më parë shkrimtari, me një letër drejtuar ambasadores Vlahutin i kërkonte diplomates që mos ta lidhte veprimin e një njeriu jo normal me mendimin e një populli të tërë.
“Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar. Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve. Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë. E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme”, thoshte Kadare në letrën e tij.
Kjo letër e Kadare erdhi pas një komenti të publicistit Kastriot Myftaraj për ambasadoren e Bashkimit Europian. “Kështu që çdo shqiptar që do atdheun e vetë mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt anti-terrorist, jo terrorist”, shkruante Myftaraj në komentin e tij.
Për këtë koment policia në bashkëpunim me prokurorinë e ndaloi Kastriot Myftarajn me akuzën e thirrjeve për vepra të dhunshme. Pak orë pas ndalimit me kërkesë të prokurorisë, ai është lënë i lirë.