Në shtator të vitit 2020, kishte shkuar një grup prej 60 ushtarësh shqiptarë në një mision paqëruajtës në qytetin Herat të Afganistanit, nën komandën e ushtrisë amerikane. Njëni prej ushtarëve shqiptar ishte përzgjedhur për ta mësuar zanatin e snajperistit (në tekstin e mëtejshëm do ta quajmë Snajperi, a.f.). Devizë mësimore e kursit të snajperëve ishte: “Armiku më i mirë është armiku që ke vrarë”. Kur e kishte kryer me sukses kursin e snajperit, komandanti i vet i kishte uruar, duke i thënë se në Shqipëri ka shumë nevojë për të vrarë dhe me siguri do të gjesh një punë të mirë. Duke marrë parasysh mundësinë e vrasjes me snajper deri në 2000 metra largësi, në Shqipërinë e vogël zakonisht armiqtë janë shumë më afër, dhe mund të vritën më lehtë. Në grupin e ushtarëve shqiptarë ishte edhe ushtari me emrin Winston Harasani, stërgjyshi i të cilit dikur (1614) paska ardhur si mercenar në Shqipëri prej qytetit Harasan të Afganistanit, dhe paska vu themelet e Tiranës, duke ndërtuar fillimisht midis fushës: një han për të bujtur, një furrë buke, një hamam për t’u larë, dhe një xhami për t’u falur. Atëherë ai vend quhej Teheran, por shqiptarët më vonë ia shkurtuan emrin dhe e quajnë Tiranë. Winstoni shoqërohej me dy djem me mjekrra, kishte pranuar islamin dhe ishte përfshirë në një organizatë terroriste antiamerikane që quhej: “Organizata Transbotërore e Zemërimit Inteligjent – OTZI”, e cila synonte të bënte luftë inteligjente kundër Amerikës, do të thotë ta shkatërrojë Amerikën pa luftë të armatosur, por duke bojkotuar të gjitha prodhimet materiale, teknologjike, shkencore e kulturore të Amerikës. Bile, OTZI kishte pretendime ta zëvendësojë OKB-në. Në grupin terrorist ishte edhe një vajzë liberale afgane, Anila, e cila qeshte kur dëgjonte se në Shqipëri, si vend aleat i Amerikës në pushtimin e Afganistanit, i kishim kthyer xhamitë në kinema, kurse imamët i kishim bërë rrobaqepës e berberë. OTZI pretendonte se Amerika nuk është shtet i së drejtës, por është e drejta e një shteti për të ndërhyrë në punët e padrejta të shteteve tjera. Sipas ndarjes botërore të punës që ka bërë Amerika: gjermanët prodhojnë makina; zvicëranët prodhojnë ilaçe; holandezët prodhojnë birra; francezët prodhojnë verë; italianët prodhojnë makarona; rumunët prodhojnë grurë; belgët prodhojnë çokollata; argjentinasit prodhojnë mish; brazilianët prodhojnë sheqer; kolumbianët prodhojnë kokainë; arabët prodhojnë naftë; japonezët prodhojnë kompjuterë; kinezët prodhojnë kinezë; rusët prodhojnë konflikte; serbët prodhojnë luftë; ndërsa shqiptarët prodhojnë kanabis. Sipas OTZI-t, Amerika praktikisht është një fuqi koloniale, e cila ka nënshtruar popujt e vegjël, prandaj përmes solidaritetit botëror të bojkotit inteligjent të gjithçkajes amerikane, atë duhet kthyer në shtëpi. Pas pak kohe, OTZI u ngrit në një gradë më të lartë të nxehtësisë së urrejtjes dhe mori emrin “Organizata Transbotërore e Zemërimit Islamik”, me akronime të njëjta, ndërsa Winstoni kërkoi ta qanin me emrin Otzi. Grupi i snajperëve, ditën e parë të punës praktike, kishte vrarë 9 bujqë afganistanezë, të cilët ishin duke punuar në arat e tyre, duke mbledhur hashash. Për shkaqe humanitare, Snajperi shqiptar e kishte zgjedhur ta vrasë atë më të vjetrin nga radhët e bujqëve. Pas disa ditëve, ishin vrarë katër ushtarë amerikanë ndërsa Otzi kishte dezertuar nga ushtria, e cila po e kërkonte gjithandej.
Me të kthyer në Shqipëri (2021), për shkak të aftësive që kishte fituar, Snajperi ishte caktuar në Gardën e Republikës, në eskortën personale të Kryeministrit. Për sherr të tij, Otzi filloi të komunikonte me Snajperin përmes postës elektronike, së cilës sigurimi i shtetit i kishte rënë në gjurmë. Këshilltari i Kryeministrit, Kim Kurani, e kishte kontaktuar Snajperin dhe e kishte udhëzuar se si të vepronte, në mënyrë që të arrinin ta arrestonin Otzi-n, së fundi edhe duke e ftuar në çaj, mirëpo plani iu dështoi. Në mesazhin e fundit që Otzi i kishte dërguar Snajperit, i kishte thënë: “Thuaju miqve tu se Otzi nuk e pi çajin e ftohtë”. Me qenë se në Shqipëri ishin afruar zgjedhjet, Kryeministri kishte sajuar një skenar sipas të cilit duhej të fitonte zgjedhjet edhe për mandatin e katërt. Këshilltari Kim Kurani e kishte ftuar Snajperin, të cilit i kishte bërë shantazh se mund të arrestohej nën akuzën si pjesëtar i një organizate terroriste antiamerikane. Dhe për të shpëtuar nga burgu, i kishte lënë një zgjidhje të vetme, që “ta vriste” Kryeministrin. Snajperi që e çmonte shumë Kryeministrin, u trand nga sa dëgjoi, por shpejt u qetësua kur Këshilltari i kishte shpjeguar, se ky skenar është me kërkesën e vet Kryeministrit, dhe nuk kërkonte ta vriste, por si specialist që ishte duhej vetëm ta plagoste, pa rrezik për jetë. Kjo do ta kthente Kryeministrin në viktimë-hero të terrorizmit, dhe do bënte që nga mëshira populli ta votonte edhe për një mandat, gjë që do të ishte në interesin e përgjithshëm publik dhe në interesin privat të Kryeministrit. Pasi Kryeministri të plagoset dhe të fitojë zgjedhjet, ty askush nuk të prekë, pasi autorët nuk do zbulohen kurrë. Ky është një film elektoral, i destinuar për shijen e votuesve, në të cilin aktorët as nuk vriten, as nuk vdesin dhe as nuk kapen, i kishte thënë Kim Kurani. Snajperit i dhanë pushim dyjavor, për t’u qetësuar e përgatitur për të zbatuar planin. Pastaj Kim Kurani e aranzhoi një takim të Snajperit me Kryeministrin ku u morën vesh për hollësitë e zbatimit të skenarit. Në kërkesën e Snajperit që Kryeministri të mos lejojë njeri t’i afrohej, që të mos ketë viktima anësore, ai i kishte thënë: “Kjo është e sigurtë, se tani njerëzit nuk më afrohen edhe kur unë dua”.Të nesërmën Kryeministri do të mbante një fjalim në oborrin e një shkolle në periferi të Tiranës, ndërsa Snajperin e kishin vendosur në një objekt të përshtatshëm në afërsinë e nevojshme. Sipas marrëveshjes, kur Kryeministri kishte ngadalësuar ligjërimin, Snajperi e shenjon në kraharor, duke ditur se aty ishte i veshur me antiplumb. Kryeministri rrëzohet, dhe krijohet panikë, ikje, tollovi në oborr e rreth tij. Snajperi po mendonte se Kryeministri qëllimisht nuk po ngritej edhe për pak kohë, që efekti i atentatit të zgjatej si në film, por shpejtë vërenë se me autoambulancë po e dërgonin në spital. E kishte vrarë përnjëmend. E kishte goditur në qaftë. Natyrisht, njerëzit që e kishin sjellë Snajperin në vendin e caktuar, e arrestuan duke e grushtuar, me akuzën se ka vrarë Kryeministrin. Në hetuesi Snajperi pranoi vrasjen, duke u arsyetuar se e kishte pushuar nga puna dhe i kishte shkaktuar varfërimin e familjes. Në burg kishte kohë të mendohej për gjithë veprimin, dhe në aspektin moral i gjente vetes një justifikim që i jepte qetësi ndërgjegjës, se kishte vrarë njeriun të cilin gjysma e Shqipërisë do donte ta vriste, madje ai vet kishte kërkuar “ta vriste”. Vrasja e Kryeministrit nuk binte në asnjë nga tri kategoritë e vrasësve dhe të vrasjeve, që ishin: 1) vrasje nga pasioni – hakmarrësit; 2) vrasje për para – profesionistët; dhe 3) vrasje për popullin – heronjët. Unë nuk isha asnjë prej tyre, arsyetohej Snajperi. Po, për konsideratën që kishte ndaj Kryeministrit, kurrë nuk e tregoi të vërtetën e asaj vrasje, sepse po ta tregonte, do ta vriste për herë të dytë, meqë shqiptarët do ta konsideronin KM si një makijavelist i cili sajon gjithçka për të fituar vota e për të mbajtur pushtetin.
Kjo është fabula e romanit më të ri të politikanit, deputetit e shkrimtarit Ben Blushi, titulluar: “KM,Kryeministri”. Autori e vënë ngjarjen në kohën e ardhshme (vitet 2020/21), por duke krahasuar realitetin aktual midis Afganistanit e Shqipërisë, gjenë shumë ngjajshmëri: Afganistani prodhon opium, Shqipëria prodhon kanabis, si prodhime kryesore agrare që me prodhimet e tyre mbajnë fshatarët në punë të përkohshme, dhe të rinjët perëndimorë – në eufori të përhershme. Në Shqipëri të gjithë merren me kanabis. Fara vjen nga jashtë, tokën e punojnë fshatarët (të cilët fitojnë pak e rrezikojnë shumë, a.f.), transportin e bëjnë grumbulluesit, shitjen e bëjnë trafikantët, mbikëqyrjen e bënë policia, ndërsa fitimet më të mëdha i merr qeveria, dhe kjo është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura e për të mbajtur popullin në qetësi. Kështu, Shqipëria e ka fituar statusin e saj në Evropë si një arë kanabisi të cilësisë së lartë, thotë autori i romanit. Kur përshkruan vetitë e shqiptarëve, autori thotë se shqiptarët nuk janë të egër, por dukën të vrazhdë; nuk janë armiqësorë, por dukën dinakë; nuk janë punëtorë, por dukën të fjetur; nuk janë të çmendur por dukën të marrë; nuk janë perëndimorë por dukën lindorë; dhe në përgjithësi gjithmonë dukën sikur janë – ata që s’janë.
Ben Blushi si politikan dhe deputet, edhe në letërsi është i preokupuar me zgjedhjet në Shqipëri. Në romanin e tij paraprak “Kandidati”, zgjedhjet për kryebashkiak të Basenit (lexo:Elbasanit) i fiton kandidati Kadim Sadini (lexo: Qazim Sejdini), i cili kishte vdekur dy ditë pasi kishte paraqitur kandidimin për t’u zgjedhur. Ndërkaq, në romanin “KM Kryeministri”, për të fituar zgjedhjet për një mandat të ri, ndaj Kryeministrit duhet të bëhet atentat nga një organizatë terroriste, që pastaj populli do ta votojë nga mëshira, që siç e thotë autori në romanin “Kandidati”, Shqipëria mbetet një parajsë për gjithë të vdekurit që zgjidhen, dhe një ferr për gjithë të gjallët që zgjedhin.
Sado që autori bënë akrobacione letrare, duke trilluar histori në paraqitjen e ngjarjeve në kohë të ndryshme, që herë i përgjigjet kohës kur kryeministër i Shqipërisë ishte Sali Berisha, e herë kohës së Edi Ramës, askush nuk e beson se personazhi i Kryeministrit është vetëm fantazi e autorit, e jo aludim në personin konkret. Aq më tepër që autori ka një opsesion ndaj të dy kryeministrave të përmendur. Blushi ka zgjedhur mënyrën për të larë hesapet me kundërshtarët politik përmes librave, dhe nuk i ka dalë keq; është “hesapë, me hesapë”, se duke i shpotitur letrarisht ata, po fiton materialisht për vete, nga shitja e librave. Bile, edhe unë me këtë vështrim, po e ndihmoj shitjen. Veçse e tepron me ironinë, cinizmin dhe karikimin e ngjarjeve e të personaliteteve në të cilat aludon. Sipas trajtimit që i bënë popullit shqiptar, si një turmë me vetitë më të këqija (fq.91-93) Blushi me partinë e tij të sapoformuar, nuk do të duhej të kalonte pragun zgjedhor për të hyrë në Parlament. Sado që në kontekst letrar, vet e ka thënë një të vërtetë: “Askush më shumë se unë nuk është tallur kaq keq me vendin e vet” (fq.73 e romanit “Kandidati”). Si romancier (sidomos me romanet “Kandidati” dhe “KM Kryeministri”, që janë të ngjajshëm), ka krijuar profilin e vet, dhe sadoqë nuk është shumë bindës në krijimtarinë e tij, artistikisht dhe me fantazi nuk qëndron keq.
Pas botimit të romanit “KM Kryeministri”, ka pasur reagime gjithfarësh, pro e kontra, madje edhe batuta, por edhe fyerje. Në një emision televiziv, Edi Rama kishte ironizua Blushin, duke thënë: “Meqë iku nga partia, mund ta thyejë heshtjen, por Blushi ka patur dy kryetarë partie: Fatos Nanon dhe mua. Me Nanon u bë tre herë ministër, dhe s’bëri asnjë punë. Me mua s’bëri asnjë punë, por bëri tre libra. Tani që është akoma me mllefin ndaj PS, do t’i sugjeroja ta bëjë edhe një libër tjetër, sepse kur ta bëjë partinë e tij, s’do të bëjë më as punë as romane”. Në replikën e tij përmes profilit të vet në facebook, Blushi ishte më i paskrupullt, kur kishte shkruar: “Paska folur Edi Rama për romanet e mia! Kur shkrimtarët merren me qentë, qentë merren me librat”!
Nivel i ulët i komunikimit, që s’i bënë nderë, as s’i ka hije askujt!
*Ben Blushi: KM/ KRYEMINISTRI (roman), botoi “MAPO”, 2016, fq.224