Vërtet, kështu ndodhi, gëzueshëm. Me miqtë, Taipin dhe Janin, shkuam jo larg, në Madison të merrnin romanin “Këpuca e aktorit”, se Shtëpia Botuese Onufri me zemërgjerësi e mundësoi librin të ishte dhe këtu mes shqiptarëve në Chicago, pse jo dhe për më tej, po thoshim.
Dhe do të ishte trajner Taipi ai që iu përvesh punës i pari, do t‘ia parashtronte grupit tonë, se vërtet jemi një grup miqsh, që mblidhemi çdo të hënë, por dhe më shpesh në një sallon te zyrat e Odisesë, dhe nuk rri në krye ai , se tryeza është si e rrumbullakët, e barabartë për të gjithë, pranë janë Dhimo, Artani, Milto, Doktor Minella, që ndodh të mbërrijë me pak vonesë, se del nga klinika në spital, vijnë dhe Fredi e Nikoja, po dhe Ernesti nga Downtown-i më rrallë, i takon vendi afër meje, sipas rastit na vizitojnë dhe të tjerë, Gjergji, Dashi, Iliri… dhe nis biseda, e bukur, nxitoj të them, para gotave me verë a shisheve të birrës, antipastave, pizzave e ndonjë ëmbëlsire, aq sa ç’na lejon Doktori, bëjmë humor, flasim për shtëpitë e punën, për librat, ato na mbledhin, i sjellim dhe aty, letërsi filozofike e politike, ekonomike, ushtarake, romane patjetër, ndodh të lexojmë me zë dhe poezi, bëhen debate, ndërpresim dhe njëri-tjetrit sidomos kur shtrohen çështje të realiteteve në Shqipërinë tonë, s’ka si të ndodhë ndryshe, por dhe të aktualitetit amerikan, lufta në Ukrainë, etj. Profesori, kështu i thërret Dhimoja Janit, unë i them Strategu, ngrihet në dërrasën e zezë, në fakt ajo është e bardhë dhe shkruan atje me ngjyra të ndryshme, të kuqe, blu, të blertë, të verdhë, sipas çështjeve dhe ideve që parashton, grafikë e tabela, që nga raketat dhe planetet e dalim prapë te të persekutuarit, e ka mirë, nuk duron pa buçitur Fredi, po prit ta mbarojë, ia kthen Tani, ngrihet dhe Odisea në dërrasë, shpjegon gjendjen bankare të dollarit, edhe Dhimoja ngrihet, është ekonomist, por Dostojevskin duket sikur do më shumë, Tani Jungun, Doktor Minella e kthen shpesh bisedën te letërsia, te Kadareja dhe librat e rinj, diskutojmë artikujt tanë, kur kemi ndonjë botim në Gazeta Dielli në New York a në mediat në Tiranë, Ernesti vazhdon ciklin për të Majtën dhe të Djathtën, globalizimet e tyre, Miltoja shton se i kanë pëlqyer, kur i lexoi, rinis debati, Taipi tregon për Maqedoninë e Veriut, nga andej është, e Jugut për ne, them unë, për Kosovën dhe… dhe… romani i Visarit, të porosisim botuesin të gjejë mënyrën të na vijë romani “Këpuca e aktorit”, ta diskuojmë së bashku, ngulmon Taipi, jemi gjithë ato shoqata, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Mali i Zi…
Biseda vazhdon dhe në Starbucks-et pranë, me gotat e kafesë në dorë, po dhe në ndonjë park, ndezim purot që na shpërndan Odisea…
Dhe na erdhi lajmi për pakot me romanin “Këpuca e aktorit”, veç të shkonim t’i tërhiqnim. Me ”Venën” e Dashit, se mban ajo, me timonier Janin e Taipin para, me kuptim metaforik, dhe unë pas, pranë librave, po ktheheshim në autostradën plot me dritë dielli. Po si të mos ndalnim te Vëllezërit Michael-i dhe Hektori, miqtë tanë, po personazhi kryesor i romanit emrin Hektor e ka, faleminderit, tha ai, bëmë muhabet dhe me babanë e tyre, një plak i bardhë që kujtoi përndjekjen dhe internimet në Gradishtë të Lushnjës, Kardinal Koliqin dhe heronjtë, eh, ka diçka të tillë dhe në roman, thashë dhe u dhamë nga një libër me autograf…
Rrugës së kthimit po flisnim për Ditën Ndërkombëfare të Librit, por çdo ditë duhet të jetë e tillë siç është çdo ditë dhe e miqve.
Sa të bukur e bëtë… faleminderit! – fola unë.
Visar Zh.