Nga Astrit Lulushi/
Pse vetëvrasja quhet e paligjshme? – ishte pyetja që iu bë Sokratit. Mos u shqetëso – u përgjigjigj ai – do të vijë dita kur gjërat e këqija të jenë të mira, dhe kur vdekja të bëhet rruga e vetme. Kur njeriu është më mirë i vdekur, duhet të presë dorën e tjetrit, sepse nuk lejohet të jetë bamirësi i vetes. Idea që pëshpëritet është se njeriu është një i burgosur që nuk ka të drejtë të hapi derën për të ikur; Zoti, a dikushi, është roja dhe njeriu është zotërim i tij. Mendo, nëse një nga zotërimet tuaja, një lopë ose një gomar a mushkë, për shembull, do të dilte nga rruga kundër dëshirës suaj, a nuk do të zemëroheshit? Do t’a mallkonit, do t’a godisnit, dhe një vend për varrim do t’i mohonit. Kështu ndodhi me qindra mijëra njerëz në kohën e diktaturës.
Shteti që njohim është si një magazinier. Njerëzit e magazinuar përbëjnë shqetësim pafund, për shkak të kërkesës së thjeshtë për ushqim, mjekim e të gjitha nevojat, dhe mosplotësimi i tyre e pengon njeriun në kërkimin e qenies së vërtetë; e mbushin plot dashuri, frikë dhe fantazi të të gjitha llojeve, mashtrime pafund, dhe në fakt, siç thonë, marrin fuqinë e të menduarit. Nga vijnë luftërat, dhe fraksionet përveç se nga dashuria për para, dhe paratë duhet të gjenden për hir e në shërbim të trupit. Për shkak të të gjitha këtyre pengesave njeriu nuk ka kohë t’i jepet mendimit. Dhe e fundit dhe më e keqja nga të gjitha – edhe nëse është në kohë të lirë dhe e tradhton veten me disa spekulime – trupi a pushteti gjithnjë depërton, me rregulla, dekrete e ligji, duke shkaktuar trazira dhe konfuzione sa që e pengon të shohë të vërtetën. Është vërtetuar nga përvoja se nëse do të kishim mendime të pastra për ndonjë gjë, duhet të shkëputeshim nga trupi – shpirti vetë duhet t’i shohë gjërat në vetvete – pastaj njeriu do të arrijë mençurinë që dëshiron dhe për të cilën thotë se është i dashuruar. Në këtë jetë të tanishme, mendoj, ne e bëjmë qasjen më të afërt të dijes kur kemi marrëdhënie ose bashkim sa më pak të mundshme me trupin dhe nuk jemi të njësuar me natyrën trupore, por e mbajmë veten të pastër deri në orën kur dyert hapen dhe na jepet liria. Dhe kështu, duke hequr qafe marrëzinë e trupit a shtetit, ne do të jemi të pastër dhe do të flasim me të pastrit dhe do të njohim nga vetja dritën e pastër, e cila nuk është tjetër përveç drita e së vërtetës. Papastërtitë nuk lejohen. Këto janë llojet e fjalëve, të cilat dashamirët e vërtetë të dijes mund t’i thonë njëri-tjetrit dhe të mendojnë se si të varen më pak nga pushteti.