Kastriot Fetahu/
Para disa ditësh një mik, Fatmir Harizaj, mësues në një kolegj në Wisconsin, më ftoi të pimë një kafe me Visar Zhitin pasi kishin dakordësuar për këtë takim. Me Visarin jemi takuar edhe më parë…
Në datën 20 Maj në orën 11.00 Am mbërritëm në Rosell, qytetin ku ai banon.
Vendosëm të ulemi në një kafe aty pranë edhe pse këmbënguli sipas traditës për “një gotë raki” në shtëpi.
Një surprizë në lokalin Dino’s Cafe, pasi na shërbeu një kamariere shqiptare me shumë mirësjellje, sikur më solli një copëz Shqipërie ajo…
Vuajmë, çlirohemi, gëzojmë, stresohemi, kjo është jeta e përditëshme, tha në përgjigje të pyetjes se si e kalon kohën, Visari, poeti që në moshën 27 vjeçare provoi ferrin komunist të Spaçit…
Në mendjen time të burgosurit politikë janë kreshnikët e vërtetë të historisë së vendit tonë.
Këta ishin njerëz të lirë dhe trupa të burgosur, kurse ne të tjerët njerëz të burgosur dhe trupa të lirë…
Njerëz… a quhet njeriu i tillë në shumës, njerëz?
A e plotësonim kushtin të ishim të paktën si “studentët e kolegjit të Another Brick” të Pink Floyd?
Po të na njihnin këta të fundit, çfarë do të këndonin për ne??
René Descartes, Jean Paul Sartre e të tjerë filozofë të ekzistencializmit kanë thënë… Unë ekzistoj…
Sa “të vegjël” më duken para “Unë ekzistoj” të një si Visar Zhiti!
Fillimisht folëm për Nolin, Konicën, rolin e diasporës, që të ndikoj mbi qeverisjen e vendit si dikur Noli e Konica, e jo e kundërta.
Ka ardhur koha që Noli dhe Konica duhet të kenë edhe shtatore të përbashkët duke e filluar nga Tirana, në USA…
E duam Shqipërinë me shqiptarë të mirë…
Duke vazhduar bisedën, erdhi një çast që përmenda emrin e Ernest Koliqit, për të cilin mendoj se akoma nuk ka marrë vendin e duhur në “Tiranën zyrtare”.
E dija çfarë kishte bërë Koliqi për arësimin në Kosovë, në të cilën nderohej shumë edhe kur tek ne ishte diktatura e Hoxhës.
Koliqi ngriti “UÇK” kulturore të Kosovës me 200 normalistë që dërgoi, një përkufizim mjaft mbresëlënës ky, që i bëri Visari.
Diskutuam Orwellin krahasuar me Koliqin. Orwelli i te famëshmit “1984” dhe Koliqi i “Rrajët lëvizin”!
I pari parashikoi fitoren e komunizmit kurse Koliqi rënien e tij dhe edhe vdekjen personale.
Orwell dështoi, ndersa Koliqi i vetmi shkrimtar që realizoi profecinë e tij, pasi në 1975 kishte ndërruar jetë në Romë dhe nuk arriti ta shihte.
Folëm për shumë gjëra, që nuk mund ti shkruaj të gjitha, sa të tjera më ngelën pa pyetur për mungesë kohe.
Duhej të gjeja një ekuilibër gjatë bisedës se “bëja tre punë”, e dëgjoja, përpunoja çfarë do pyesja dhe shkruaja…
Për romanin Këpuca e aktorit, i thashë se je Marquez këtu i “Njëqind vjet vetmi” dhe nuk mund të shkruash një vepër të tillë…
Pse (?), më pyeti.
Sepse ke derdhur shpirtin këtu.
Buzëqeshi duke më kundërshtuar por nuk më bindi… dhe qesha dhe unë…
Për një çast bëra analogji me Kadarenë, po të ishte futur në burg dhe Visari të ishte jashtë i pompuar nga sistemi, si do ishte pesha e secilit në letërsinë shqipe… ??
Folëm për fletoren e burgut, të cilën e ka botuar “Onufri” me pamjen origjinale.
Na tregoi se si e kishte shkruar…
Në hetuesi më mbajtën nëntë muaj…
Aty kaloja kohën duke recituar Esseninin, më tregoi se ishte poeti i tij i preferuar e më pas Walt Whitman, Paul Eluard…
Mbaja mënd pesëdhjetë poezi të Essenin, po ashtu edhe poetë të tjerë dhe erdhi koha që i mbarova dhe fillova të rimoj me mendje.
Gjatë javës krijoja dhe të shtunën i përsërisja, që të mos i harroja.
Në hetuesi kur arrita nëntëdhjetë poezi lutesha që të rrija dhe ca që të arrinin njëqind, por nuk munda se më dënuan e më çuan në burgun e Spaçit.
Milingonat nuk i shkelja me këmbë, se janë gjallesa të zotit, na tha për qëndrimin në birucën e hetuesisë.
Në Spaç më priti me “mirëserdhe” një shok që e njihja nga koha student, Hasan Bajo.
U habita… dhe më shpjegoi se Hasan Bajo i kish thënë që e dija se vendi yt është këtu!
Në qeli na lejonin një fletore “katër lekëshe” në atë kohë.
Ja recitoja poezitë Hasanit, atij i pëlqyen dhe i shkrova. Fletoren e fshihnim gjithmonë tetëmbëdhjetë shokë pa ditur se kush e kishte, në mënyrë që mos të kapej në asnjë rast.
Për GUINNESS kjo histori mendova…
Një Promethe i vërtetë, a nuk janë zjarri për njerëzit këto poezi??
Trojën dhe Itakën ja ka “dhuruar” botës një poet..
Biseda rridhte natyrshëm…
Ernesto Sabato me rrënjë arbëreshe, i cili ka qenë një fizikan i madh dhe ka punuar me Mari Kyri. Dashuria për letërsinë e bëri që të linte fizikën dhe ti përkushtohej letërsisë, midis të tjerash edhe i famëshmi “Tuneli”.
Sabato në Paris ka shkruar dhe për Skënderbeun…
Edhe për librin e Kadri Cakranit.
Ai në Vjenë kishte parë… Adolf Hitlerin!!
Një gjë të bukur nga libri i Kadriut na tregoi Visari.
Gestapoja gjermane erdhi në Berat për të gjetur dhe marrë kodikët e purpurt. E shantazhuan Kadriun se nëse nuk i gjente do ti vrisnin klerikët e Beratit.
Ai thirri Visarjon Xhuvanin, si i pari i tyre dhe i thotë që Kodikët duhet të mos i dorëzojmë, të bindim murgjit që të thonë nuk kemi kodikë…
Visarjoni shqeu sytë se murgjit nuk gënjejnë…
Thuaju, tha Kadriu ti luten zotit gjithë natën që ti falë…
Atë bënë murgjit dhe kur erdhën oficerët e Gestapos gjermane të nesërmen tek Kadriu, ai u tha që nuk kemi kodikë… mund të pyesni murgjit…
Ashtu u bë, murgjit e mohuan dhe kodikët e Beratit shpëtuan.
Ky ishte Kadri Cakrani, pinjoll i Bektash Cakranit, firmëtar i deklaratës së pavarësisë.
Na tregoi fotot e Suadës, pinjolles së familjes Cakrani, që ka mbaruar për artet në Paris, Suada që i puthte këmbët vëllait të varur në mes të Fierit nga diktatura, si Doruntinë e vërtetë e një formati tjetër…
Ne shqiptarët jemi nga racat e bukura në botë dhe Suadën, nga fotot që pashë, e gjej “hollywoodiane”. Ishte me class dhe bukuri magjepsëse!!
Duke folur me Visarin vetvetiu krijon idenë… Njeri i ditur, i lexuar, miqësor, në tavolinë jemi të barabartë, zero mëndjemadhësi dhe arrogancë, vlera njerëzore që i çmoj shumë, që bazohen tek thjeshtësia e tij dhe respekti për njerëzit…
Çfarë është një njeri i madh??
Gjatë bisedës na kërkoi leje se e telefonoi një mik italian, Matteo Mandalá profesor i letërsisë dhe filozofisë në universitetin e Palermos, autor i disa librave për letërsinë, historinë e kulturën arbëreshe, e letërsinë shqiptare, vetë një arbëresh.
Edhe emri i aeroportit Nënë Tereza është shumë interesant, vazhdoi biseda
Një mik shkrimtar nga Struga më njoftoi, tregoi Visari, se autoritetet e Shkupit do e emëronin aeroportin e tyre me emrin e Nënë Terezës!!!
Në rrugë të tjera u njoftua Presidenti dhe urgjent ju vendos emri Nënë Tereza aeroportit të Rinasit.
Një gjest i madh në mendimin tim, sepse ne nuk jemi Greqia që të ndryshojmë “Maqedoninë politike” në vendimet shtetërore.
Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterrë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta, mu kujtua Stanley Kubrick, rregjisori i famshëm amerikan.
Edhe Kosova zuri vend të rëndësishëm në tavolinë ku vlerësuam Poetët Ali Podrimja, Azem Shkreli dhe figura historike të saj si Rugova, Agani dhe të tjerë para tyre si Pajazit Nushi, Dr. Ymer Jaka, Kaçusha Jashari, Azem Vllasi…
Folëm për burgun dhe natyrisht edhe spiunët…
Diskutuam një tregim të Danilo Kish, hebre nga Beogradi.
Personazhi kryesor i tregimit u fut në burg, ku i kërkonin të bëhej spiun. Ai nuk pranonte dhe autoritetet e burgut e kërcënuan se nëse nuk bëhej, do ti vrisnin të gjithë kalimtarët që kalonin aty pari.
Atëhere pranoi të firmoste për të shpëtuar njerëzit.
A është ky spiun?
Ka ardhur koha të dalin ata që detyronin njerëzit të beheshin spiun në atë rregjim.
Janë ata fajtorët e vërtetë ndoshta…
Fatmiri u angazhua në pyetjet për qëndrimet ndaj politikës së vendit…
Visari ka shërbyer dhe si ambasador i Shqipërisë në Vatikan, midis të tjerash ku ka takuar edhe dy Papë, Ratzinger dhe Papa Françeskun.
Unë i adhuroj Papët dhe ngulmova të flisnim për ta…
Një gazetar në mënyrë provokuese e pyeti Papën Ratzinger… e ke parë zotin?
-Jo,- i tha Papa Benedikti i XVI (gjerman bavarez)!
Çfarë është Zoti…
Ai në takim me Visarin e pyet si mundet të hyjë në burg një poet?
U habita, kaq i vemendëshëm ishte Papa Ratzinger në takimet që kishte!
Ratzinger, ky njeri madhështor i dijes teologjike dhe një det i thellë mendimi, në mendjen time.
E kam parë Papën Gjon Pali i dytë, vazhdoi, Papën që e “akuzojnë” për politikë…
Në mendimin tim, roli i Karol Vojtilës është i njëjtë me Reagan, Gorbaçhev, Kohl, për rrëzimin e komunizmit pasi ai e njihte aq mirë si polak që ishte.
E adhuroja Papën Gjon Pali i dytë, që kur Hoxha e stigmatizoi në kohën që Ai nga brigjet e Puljas me shikim nga Shqipëria u lut për popullin e martirizuar shqiptar, i cili vuante diktaturën më të egër komuniste…
Kam takuar Papa Françeskun, na tha.
Ai të dëgjonte duke u shkëputur komplet nga bota që e rrethonte, një hyjnor.
Më erdhi në mendje se kështu të dëgjonte edhe Visari kur flisnim.
Visari ka shkruar “Këpuca e aktorit”, por vetë nuk ka qenë kurrë dhe as është një aktor, por njeri i vërtetë një mik i rrallë dhe kjo u evidentua qartë në gjithë dimensionin e bisedës që zhvilluam.
Pasi na dhuroi libra të tij, u ndamë me premtimin… do takohemi përsëri.
Rrugës pa arritur në Chicago më shkroi dhe uroj prapë rrugë të mbarë.
Është VISAR ZHITI.
K.F.
Chicago 05/20/2023