TV “ALBA LIFE” TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË NEW YORK-UT/
Qemal Zylo, themeluesi i Televizionit TV “Alba Life” në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e televizionit TV “Alba Life”, televizioni si arkiv dhe memorie digjitale e komunitetit, televizioni si trashëgimi mediatike, kulturore e kombëtare e mërgatës shqiptare në Amerikë.
HISTORIKU I TV “ALBA LIFE”
Pas emigrimit në Amerikë në vitin e mbrapshtë të luftes civile në Shqipëri, më 1997 dhe studimeve e punësimit në Bramson ORT Kolegj dhe Institutit të Teknilologjise në Manhatan si dhe specializimeve e lincencimeve pranë SI CTV së bashku me bashkëshorten Keze Kozeta Zylo e familjen time morëm nismën dhe krijuam, më 2007 TV “Alba Life”. Kjo nismë ishte për të promovuar kulturën dhe aktivitetet tona në këto kolegje, e më vonë të shkollave shqipe që hapëm si dhe te pasqyrimit të aktiviteteve të ndryshme të Komunitetit Shqiptar.
Hapja e TV “Alba Life” ishte nje vendim i vështirë, por shume i rëndësishëm kombëtar, sepse pati për qëllim t’i shërbente Pavarësisë së Kosovës per te cilen shfaqëm emisionin e parë në CTV në Staten Island dhe në Brooklyn. Qëllim tjetër kryesor ishte të luftonim asimilimin e Gjuhës Shqipe duke hapur disa shkolla me program pas mësimit në shkollat amerikane për të cilat TV “Alba Life” ishte një instrument ndihmës.
TV “Alba Life” është një media tejet serioze që me profesionalizëm dhe përkushtim nga stafi i tij me drejtor të programeve z. Amir Suka e gazetare Kozeta Zylo ka bërë vit pas viti një progres të dukshëm. Mirenjohës gjithashtu Stafit të TV Alba Life, Odise Salillarit, Andrea Lole, Miri Mehmeti, gazetarit Valon Gërbeshi, bashkëpunëtores Kendra Duli, kameramaneve Bujar Sadikaj, Agron Ceka e Fatmir Kallaba si dhe Hermes Meka që na është bashkuar vitin e fundit.
Në arkivin 16 vjeçar të TV “Alba Life” janë aktivitetet më të rëndësishme, kulturore, politike dhe bamirëse të organizuara nga shoqata të ndryshme në Diasporë: si 20 Vjetori i gazetës “Illyria” pervjetore te Pavarësisë së Shqiperise dhe Kosovës, 100 dhe 110 vjetori i Vatrës, shumë aktivitete nga shoqata “Ana e Malit”, 70 Vjetori i Zërit të Amerikës në Washington, 15 vjetori i Nakut, përvjetoret e shoqatës së Shkrimtarëve, Betimet e e aktivitete e ndryshme te Mark Gjonaj si Ansambleist dhe Këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut, 20 vjetori i shoqatës “Dibra”, “Rrënjët Shqiptare në të gjitha paradat dhe 15 Vjetorin e saj”, festime dhe 20 vjetori i TV “Kultura Shqiptare” aktivitetet nga shoqata “Devolli”, Fondacioni Dom Filipaj, Festivalet e organizuara nga Kisha “Zoja e Shkodrës”, Zëri i gruas, Çamëria, 20 vjetori i Bashkimit Kombëtar, Rugova, “Forumi për Demokraci”, Mbrëmja Gala për “Historitë e suksesit të shqiptaro amerikanëve”, Gala për “Zonjat Shqiptare në New York”, gjithë aktivitetet nga Shoqata Shqiptaro Amerikane e ish Ushtarakëve “Skënderbej” Inc. Fondacioni Plavë e Guci dhe shoqata “Kraja, Ulqini dhe Shoqata AA e SI, Festivalet e Shkollave Shqipe në Diasporë, ceremonitë për emërimin e rrugëve “Skënderbej”, Nënë Tereza, Bronx, dhe Ismail Qemali, Staten Island.
Në vitin e 100-të Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, TV “Alba Life” në bashkëpunim me një grup artistësh organizoi një koncert klasik madhështor në Manhattan, ku ish Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë Dritan Mishto hapi siparin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqiperisë dhe po ashtu hapi siparin e 10-të Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me koncertin e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit që u organizua me rastin e 7 Marsit në Staten Island e miratuar nga ish Konsullja e Përgjithshme e Kosovës, Ambasadore Teuta Sahatqija.
Në repertorin e tij ka qindra intervista me figura të ndritura në botën e artit, shkencës, politikës dhe reklamës dhe ka qenë frymëzim për mjaft talente të reja në Diasporë. Në këtë moment gjejmë rastin të falënderojme bashkëpunimin e ngushtë me TV “Alb”, SICTV, gazetën “Dielli” dhe “Illyria” që ka publikuar dhe shkrimet me autorë të stafit tonë lidhur me këto ngjarje të rëndësishme në Diasporë.
TV “Alba Life” në pesë vjetorin e themelimit të tij është përshëndetur nga Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, bilionieri Michael Bloomberg. Gjatë viteve në vazhdim është nderuar nga politikane të lartë në New York si Mark Gjonaj, Senatori veteran Martin Golden, regjisori hollivudian Stan Dragoti dhe artistë të shquar të kalibrit botëror si Luisa Dushku, Toni Dovolani, Mike Dusi, Inva Mula, Saimir Pirgu, Ermonela Jaho dhe ne 15 Vjetorin e tij TV “Alba Life” u vleresua me mirenjohje nga Kongresistja Nicole Milliotakis, Senatorja Jessica Scarcella-Spanton, Asambleisti Charl D. Fall, Keshilltari I NYC David M.Carr dhe District Attorney Michael E. McMahon.
FOKUSI I PROGRAMACIONEVE KULTURORE-KOMUNITARE-KOMBËTARE
TV “Alba Life” ka në fokus veprimtaritë më të rëndësishme që zhvillohen në Diasporë dhe më gjerë. Ne jemi të ftuar nga shumë shoqata për aktivitetet e tyre dhe natyrshëm përzgjedhim vecanerisht kur kanë jubiletë festive ose programe shumë të rëndësishme pasi është e pamundur të marrësh pjesë në të gjitha. Në vemendjen tonë ka qenë cështja kombëtare duke filluar me Kosovën, Pavarësinë e saj, demonstratat e shumta gjer para Kongresit Amerikan, intervistat me politikanë të njohur që e donin Pavarësinë e Kosovës. Shqipëia gjithmonë ka qenë në qendër për zhvillimet e saj, përpjekjet dhe ka marrë pjesë kur kanë ardhur liderë të saj për t’u takuar me Diasporën. Demonstratat për shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut si dhe për Camërinë kanë qenë në focus të saj dhe shumë speciale, pasi TV ynë jo vetëm që filmon, transmeton, por ka organizuar dhe aktivitete të ndryshme për 25 vjet shumë të vlerësuara nga Komuniteti në lidhje me cështjen Kombëtare.
TV SI FORMË E RUAJTJES SË KULTURËS DHE IDENTITETIT TË MËRGATËS SHQIPTARE NË USA
Nepërmjet transmetimeve në kanalin 27 në paketën digitale TV “Alb” duke trasmentuar në Gjuhën Shqipe emisione shumë serioze natyrshëm që TV “Alba Life” ka ndikuar dukshëm në ruajtjen e kulturës dhe të identitetit kombëtar. Shikues të shumtë na kanë falënderuar për këto emisione dhe disa prej tyre na kanë surprizuar duke ardhur pranë shkollave për të na takuar. TV “Alba Life” është nje media shqiptare në Amerikë që i shërben me kulturë dhe profesionalizëm Mërgatës Shqiptare.
TV SHQIPTAR NE PEIZAZHIN MEDIATIK SHQIPTARO-AMERIKAN
Që nga themelimi dhe deri tani Televizioni “Alba Life” ka dhënë emisione të përjavshme në qytetet e Nju Jorkut, TV ALB duke pasqyruar jetën dhe aktivitetet e komunitetit Shqiptar si dhe duke intervistiar personalitete të shquara të artit, kulturës e të biznesit në fusha të ndryshme. Gama e gjerë e emisioneve ështëzgjeruar pamasë dhe transmeton për 24 orë rresht në paketën digitale TV “Alb”. Prej disa vitesh TV “Alba Life” transmeton programe në studion televizive të CTV në Staten Island dhe ne Online ku TV “Alba Life” ushtron të drejten ligjore të shfrytëzojë mjediset e këtij institucioni mediatik. TV “Alba Life” është vlerësuar dy herë me çmimin “NOVA” SI CTV dhe me pllakë mirënjohjeje në 15-të Vjetorin e krijimit të saj.
TV SI MEDIE E KOMUNITETIT, HAPËSIRË, ORIENTIM DHE ZHVILLIM KOMUNITAR
TV “Alba Life” nëpërmjet transmetimeve të emisioneve të rëndësishme i jep mjaft hapësirë shoqatave, personaliteteve të shquara, Shollave Shqipe, Kombit, Diasporës për t’u njohur më shumë me punët cilësore që bëjnë dhe historitë e ndryshme të suksesit. Në program merr shumë rëndësi përvoja e mësimit te Gjuhës Shqipe, njohja me historinë dhe kulturën kombëtare, traditat e mrekullueshme, legjendat dhe luftërat nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, Martirët e Gjuhës Shqipe, Heronjtë dhe shqiptaret e famshëm si dhe ata që kanë bërë histori në botë. Gjatë vitit akademik duke e pasur te pandare si TV dhe Shkollat Shqipe “Alba Life” ka krijuar traditën kulturore të festojë me koncerte si: Ditën e Shenjtë të Flamurit Kombëtar, Festat e fundvitit, Pavarësinë e Kosovës, Ditën e Shenjtë të Mësuesit, pjesëmarres në Festivalin e Shkollave Shqipe si dhe koncert për mbylljen e vitit akademik shkollor. Të gjitha këto transmetime krijojnë hapësirë të pashoqe për shoqatat në Diasporë si medie e Komunitetit.
PËR LEXUESIT KUSH ËSHTË QEMAL ZYLO?
Qemal Zylo është vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqiperise me titullin e lartë “Kalorës I Urdhrit Të Flamurit”. Po ashtu për punën dhe kontributin e tij, është vlerësuar me disa mirënjohje dhe proklamata nga Senati i shtetit të Nju Jorkut e Bashkia e Nju Jorkut, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Michael Bloomberg si dhe nga insitucionet ku ka punuar dhe nga mjaft Shoqata të Komunitetit Shqiptaro Amerikan në Amerikë. Ka lindur në Arrëz të madhe të Tepelenës. Shkollën fillore dhe ate 7 vjeçare i kreu përkatësisht në Arrëz të Madhe dhe në Marricaj, Tepelenë me rezultate të shkëlqyera, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” po me rezultate të shkëlqyera, saqë në vitin e tretë gjatë Verës dha të gjitha provimet e vitit të katërt dhe të maturës, duke e mbaruar shkollën e mesme për tri vjet.
Z.Zylo vazhdoi studimet universitare në Fakultetin e Inxhinierisë dhe u diplomua në vitin 1974, Tiranë. Më vonë vazhdoi studimet për Doktoraturë, ku dha të gjitha provimet pasuniversitare dhe bëri dy referime të tezës, por në shkurt të vitit 1997 për shkak të trazirave politike emigroi në Nju Jork, USA.
Pas studimeve universitare në Tiranë 1974 ka punuar për rreth 10 vjet në punë të ndryshme si inxhinier duke filluar nga Instituti i Projektimit të Ushtrisë, Shef i Ofiçinës së Parkut të Transportit të Ushtrisë në Tiranë, në Brigadën e Xhenjos në Elbasan me detyrë për të drejtuar problemet teknike të Uzinës së Mjeksit ku udhëhoqi rikostroksionin e sistemeve të ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit së bashku me disa specialistë të huaj Suedez dhe me pas emërohet Shefi i Degës Teknike të Divizionit të Xhenjos në Tiranë.
Në vitin 1983 emërohet si shefi i Degës Teknike të Drejtorisë Autotraktore në Ministrinë e Mbrojtjes ku ishte përgjegjës për të gjitha problemet inxhinierike në shkallë ushtrie e më gjerë, probleme të cilat ishin të lidhura me mirëmbajtjen, e riparimin e teknikës si dhe prodhimin e furnizimin me pjesë ndërrimi nga vendi e importi dhe në vitin 1992 emërohet Shef i Katedrës së Transportit në Akademinë e Forcave Tokësore në Tiranë ku veç përgjegjësisë që kishte për të udhëhequr të gjithë pedagogët e katederës, ka dhënë mësim si Profesor i lëndëve inxhinierike që studjoheshin në Akademi, në të cilën dha mjaft mendime të vlefshme për përmirësimin e programeve të Akademisë në përputhje me programet e Akademive të tjera Ushtarake Botërore.
Në vitin 1995 largohet nga Ushtria dhe fillon punë në Korpusin e Paqes pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë si Shef i Transportit e Furnizimit të Korpusit të Paqes.
Në shkurt 1997 shkon në Amerikë për arsye të trazirave politike në Shqipëri dhe pas mbylljes së Ambasadës Amerikane dhe Korpusit të Paqes ku punonte, vendosi të qëndrojë përfundimisht në Amerikë.
Pasi vendosi dhe mori miratimin për qëndrimin në Amerikë, vazhdoi kualifikimin e tij të mëtejshëm në fushën kompjuterike dhe mori Diplomën si Programues kompjuteri në Bramson ORT College, të cilin e përfundoi ne vitin 2001 dhe u shpall studenti më i mirë i kolegjit (Valedictorian) dhe më 2001 për shkak të rezultateve të shkëlqyera e punësojnë pranë kolegjit. Çdo vit pranë këtij kolegji ka organizuar festën e Flamurit dhe ka udhëhequr konferencën për çështjen e Kosovës së bashku me ish Kongresistin Joe Dio Guardi. Në Bramson ORT College ka punuar deri në vitin 2006.
Në vitin 2003 krahas punës në Kolegj fillon punën si inxhinier në Departamentin Inxhinierik të Norwegian Christian Home and Health Center, Brooklyn, detyrë të cilën e ka kryer me sukses deri në shkurt 2020 për 17 vjet.
Në shtator 2006 deri 2008 ka punuar si professor kompjuteri në Globe Institute of Technology në Manhattan.
Z.Zylo vazhdoi studimet dhe kualifikimin pranë Televizionit në Staten Island, New York dhe në vitin 2007 merr licensën si Producent Televizioni. Ai themeloi Televizionin dhe Shkollën shqipe dhe është President i Alba Life Inc.
Z.Qemal Zylo ne të njëjtën kohë drejton Shkollat Shqipe ‘Alba Life” që janë shtrirë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe ne Online. Per punën e saj të jashtëzakonshme dhe cilësore Shkolla Shqipe “Alba Life” u vlerësua në vitin 2019 nga shteti amë me cmimin “Ambasador i Kombit”
Në këto shkolla veç mësimit të gjuhes, nxënësit mësojnë për historinë, kulturën e traditat shqiptare, ndërkohë ka organizuar shumë aktivitete në bazë shkolle e më gjerë.
Z.Zylo është i martuar me znj.Keze Kozeta Zylo, shkrimtare dhe gazetare dhe ka dy vajza, Valbonën, e cila është profesore doktore për letërsinë spanjolle në universitet në Amerikë dhe Klodiana Halsted CPA, Director | Forecasting & Financial Analytics | Supply Chain Finance | Mergers & Acquisitions | Treasury and Capital Markets.