Nga K.P. TRABOINI/* Amerika padyshim e ka cilësisht të shkëlqyer sistemin shëndetësor. Kanë teknikë të përsosur. Aparaturat mjekësorë me të sofistikuara në botë. E kam provuar të paktën tre herë kur jam shtruar në spitale, e megjithatë këto ditë po vdesin mijëra njerëz nga kjo flame e zezë Corona Virus Covid 19. Problemi mendoj duhet të ketë qenë (nëse na lejohet të kemi një mendim në kushtet e shtetrrethimit botëror), se nuk u morën masat me kohë si në Itali dhe në Spanjë. Edhe Anglia e vonuar. “Trimëria” e kryeministrit britanik Boris Johnson që në fillim u pa se ishte një aventurë e rrezikshme, si punë kaubojsi. Rrezikoi veten por nisi në atë botë të tjerë nga pakujdesia në qeverisje. Edhe Amerikës ju duk i largët kumti i zi Bergamos. Vonesa nuk mund të mos sillte tragjedinë. Vetëm në lëvizjet e trenave gjatë ditës në New York udhëtojnë miliona njerëz, pra nëse një njeri është i infektuar e ai e ka raportin 1 deri më 1.5 ,siç mund të jetë në disa vende me rritje infeksioni të ngadaltë, kjo shifër shkon e dyfishuar apo trefishuar në qytete me qarkullim të madh. Pra ka një rritje me progresion gjeometrik të llahtarshëm. Kësisoj ndodhi në qytetin e New York-ut ku ka miliona banorë, në një kohë shumë të shkurtër, por kësisoj nuk ndodhi në Vermont, as Maine apo New Hamshire, ku popullsia është më e pakët dhe e shpërndarë. Ndodh edhe një fenomen për tu vënë në dukje, në Veri të shtetit të New Yorkut, që kufizohet me Kanadanë, ka shumë pak të prekur 3 % të prekurve të shtetit, por në qytetin e New Yorkut 97 %, një tmerr i vërtetë. Edhe New Jersy po kështu, sepse është një qytet fare afër, nder komunikues, dhe shumë kush që punon në New York banon në New Jersey. Kam lexuar që në janar-shkurt, sepse isha i interesuar të shkoja në Amerikë në Mars, se nëse kjo epidemi kap Amerikën llogariten miliona të vdekur. Prognozë e zezë. Ndaj që në fund të shkurtit thashë nuk do të shkoj. Dhe nuk e preva biletën sepse mendoja lëvizjet e avionëve që padyshim ishin kthyer në transmetues të virusit vdekje-prurës, që ishte ndezur në Kinë e do ti vinte flakën gjithë globit. Pikërisht prej qarkullimit të madh e pësoi edhe New Yorku, ky metropol i botës që nuk fle as natë e as ditë. Aeroporti “Kenedi” priste miliona pasagjerë nga gjitha vendet. Ja dhe një vatër e nxehtë. Dikush bën kritizerin për mjekësinë amerikane, por dua të them, ani pse për fat kemi pak vdekje në Shqipëri, as mos e krahasoni mjekësinë shqiptare me atë amerikane, as italiane, as spanjolle pavarësisht vdekjeve të shumta që kanë. Se fundja tështima (alegorike) e një elefanti nuk është e barabartë me tështimën e një milingone. Megjithese të dyve u duhet thënë shëndet. Në Shqipëri kemi 200-300, ja na u bënë 500 shtretër a më shumë qofshin. Sikur të mos bllokohej qarkullimi, të mos karantinoheshin e distancoheshin njerëzit me vendim të rreptë qeveritar do të kishte edhe këtu mbase deri në mijëra jetë të humbura. Nuk dua të bëj Kasandrën, por kjo do të ndodhte pa as më të voglin dyshim. Përrallat që ne shqiptarëve “heroikë” (siç u thanë budallallëqe në ca intervista televizive), se ne nuk na bën dot gjë virusi, janë për sarahoshët. Apo ndonjë farë panelisti që u ka marrë koka erë e çajnë dërrasa në TV, tashmë nëpërmjet “Skype”, që kërkojnë hapje kur ata vetë nuk kanë asgjë për të hapur veç gojës së vet të azdisur që nuk di të pushojë kurrë, madje as në gëzime e as në morte. Por qytetet e mëdha të shteteve me potenciale të mëdha ekonomike nuk është e lehtë ti karantinosh. Ligjet e botës i bëjnë kompanitë e mëdha kombëtare apo shumëkombesh qofshin, që shohin interesat e tyre e as e tundin fort për popullin e thjeshtë kudo në botë. Edhe hapja, siç po trumbetohet, nxitur e nën presionin e bosave të mëdhenj të ekonomisë botërore që po ju pakësohet fitimi, do të jetë jo pa rrezik. Çfarë është kjo ngutje në hapje kur nuk kanë idenë se çfarë do të ndodh nesër. Kur nuk kanë asnjë ilaç shërues. As vaksinë. Vetëvrasje më duket. Ca thonë vjen frika e urisë, prandaj. Nuk besoj të jetë kështu. Po fundja më mirë i uritur se i vdekur. Kemi mbetur me sy në qiell. Atë pak qiell që ma lejon ballkoni i shtëpisë së rrethuar me kulla të larta që nuk të lënë të shohësh as diellin. Dhe nuk kam ndërmend të dal rrugëve edhe sikur qeveria ta lëshojë lirinë e daljes me kut a me metër, me ose pa fasha në orar. Se populli ka një fjalë të urtë që thotë “shkoi dhia me nxjerr brirët e la edhe leshtë”. Dhe ec e mos e dëgjo popullin po deshe. Vajte për lesh parlamentar. *Foto autori në karantinë, prill 2020