NGA NDUE BACAJ
HYRJE
Ah armët e muezeut!… Ato më fusin në mendime e më “kthejnë” mote e shekuj prapa. Ato më kujtojnë çfar kanë hequr të parët tanë në mbrojtje të trojeve tona , të drejtave tona, të lirisë e identitetit tonë. Sa lufta u ba, për jetesën e në të shumtën e kohës mbijetesen, sa gjaku u derdh , sa mundime, sakrifica e mjerime kaluan të parët tanë, sa dyer shtëpiash u mbyllen me “ferrë”, sa votra u fikën për të mos u ndezë kurrë ma… E megjithatë ne mbijetuam…mbijetuan duke u mbështetur edhe në armët tona, trashigimia simbolike e të cilave është e sistemuar edhe në Muzeun Etnografik të Malësisë në Tuz nga krijuesi e pronari i keti muzeu z.Shtjefen Ivezaj Në këtë meditim të vogël para permbajtjes së madhe të Muzeut etnografik, nuk po munden pa sjellë në kujtesë një poezi brilante që u kushtohet sakrificave dhe mjerimeve që suallen e lanë pas luftrat, në mbrojtje të trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve shoven e më gjërë. Poezia ndonse i kushtohet gruas hotjane, ajo poezi është perfaqësuese shumë më shumë, veçanarisht për Malesinë e Madhe si “balli” i shqiptarisë e më gjërë.
GRUEJA HOTJANE
Nji grue e vejueme
Len ksollen n’mallim,
Ku jetën pat shkuemun,
Plot gaz e vajtim.
Me djepin mbas shpine ,
Me shkopin në dorë,
Tek ulet prej malit,
Q’asht veshun me bore.
Prej ksolles së dashtun
I duhet me dalë,
Prej tmerrit me pshtuemun
Të dashtunin djalë.
Derdh lot prej mallimit,
Katundin tuj pa,
Se burri për kombin
Atje i qe vra.
“Lamtumirë !” tue dnesun
Kasolles i thot’
E’ mollzat e faqes
I mbushen me lot.
N’vegim tek i duket
I shoqi ndër re ;
Kësaj shpirti i kputet
E rrxohet përdhe. 1.
ARMËT E MUZEUT:
Armët kanë qenë të shumëllojshme , ato kanë ardhur duke u permirësuar. Studiuesi dhe etnografi At Kolë Berishaj i ka rënditë këto armë edhe sipas një dëshmie të marrur nga një plak 115 vjeçar nga Arza e Traboinit (Ucë Tomë Gjelaj). Ai armët e zjarrit i “rendiste”: -Huta e zakonshme apo huta kacaturrë , – Kapsulaça, – Huta Martine, – Kapaklija, – Berdanka, -Ostrogusha, -Novica.. Pos këtyre ka pasë edhe armë të tjera që malësorët shqiptarë i “thirrnin” me emrat: -Xheverdare, – Karajfile, – Ltine, – Breshane, – Novicë, – Dodume… Armët shqiptari i ka mbajtë per mbrojtjen e vet , per mbrojtjen e vendit , si dhe per stoli e per plotësimin e trupit të vet. Në mentalitetin e vet , burri shqiptar ka qënë i hijshëm me shkua me armë , sidomos kur janë mbledhë në log të kuvendit. Kudo e kurdo me pa shkue pa armë i është dukt vetja si i çuditshem , si i ngathun e si me pasë diçka mangut. Shqiptari pra s’ka mujtë me ndejë pa armë. Armët të shumtën e herës i ka marrë në luftë , por kur s’ka mujtë ndryshej ka shitë kanë e kularit dhe e ka ble pushkën e pa të nuk ka ndejë. Pushken e ka mbajtë nuse : të paster , të dlirtë si pasqyrë . Asht per tu theksua se në atë kohë nji hutë kacaturre ka kushtue 600 grosh , ndersa nji dele 10 grosh. Për armë edhe janë benue (kanë ba be). Kur burri shqiptar ka thënë : “Pasha armët” , shqiptari as të ka rrejtë as të ka hanger fjalët. Për armët edhe janë lavdue…2. Ndersa një studiues huaj i fundit të shekullit XIX per “dashurinë” e shqiptarëve për armët do të shkruante : “Dorezat e revoleve që shqiptari mban në brez , janë të gjitha të gdhendura dhe të zbukuruara , por po i pelqeu më shumë pushka , ajo është e gjatë , e hollë dhe njësoj e gdhendur dhe e zbukuruar , shpesh me gurë të çmuar , me një gdhendje të artë për gjatë tytës.3. Siç tregon historia jonë , armët kanë qenë “shokët besnik” të pandarë të malësorve e shqiptarëve ndër mote e shekuj , shpesh edhe në kushte mbijetese. Edhe Kral Nikolla i Malit te Zi , (ndonse në përgjithsi në luftë me malësorët shqiptarë , për interesat e zgjerimit të Malit të Zi ) , si poet dhe si njohës i psikologjisë e trimërisë të malësorve në mbrojtje të nderit , jetës dhe trojeve të veta , e ka pershkruar me mjeshtri , por edhe me realizëm “shoqerinë” e pandarë të malësorve me pushkët e tyre. Në poemen me titullin domethënës: “Kryengritja e Malësorëvet” (Malisorski Ustanak, shkruar në vitin 1911), i kushton ndër te tjera edhe disa vargje brilante , momentit kur Tergut Pasha i kishte thirrur (me hile) në Shkoder malsorët me armet e tyre, për një takim gjoja të rëndësishem dhe në interes të malësorve… Por në kushtet e pabesisë e rrethimit nga ushtria turke, u thotë malesorve per t’i dorzuar armët tek autoritete turke të Shkodres , pasi armët e tyre janë të vjetruara , dhe në vend të tyre autoritetet turke do t’u jepnin gjoja pushkë të reja… (Gjë që në të vertet doli mashtrim) . Kral Nikolla duke e përshkruar këtë moment delikat të “ndarjes” të malesorve me pushkët e tyre , pasi thotë se pushka u ishte shoqe besnike , e prandaj tash mjerohen me e lanë në fund të ndonjë depoje o nendhece ku do të myket. Secili mban pushkën para duersh e puthë dhe me të falet kështu:
“…Lamtumirë , moj pushkë gjaksore ,
Mori shpresa eme e moçme ,
Sulltani tjeter po më falë ,
E thonë se ajo ty ta kalon .
Por krizma jote shumë ma larg nepër bjeshkë ndihet.
Ti o shoqe ke luftue në Javor ,
Të asht ndie krizma nepër Greçë ,
Ke shkelxye ti për në Shpuzë dhe prej Tivari ,
Malazezët ti i ke vramë ,
Besa edhe shejet edhe shqipet , e nepër liqej e kneta ,
Rosa e shpend të egjër e krahpraruem…
Me nafakë më je kenë gjithmonë ,
E unë kurr s’ta kam lanë fëtyren me tu nxi ,
Ti je kenë si pasqyrë ,
Ti je kenë uzdaja e eme.
Lamtumirë pra shoqe besnike ,
Mue më pret nji pushke e re ,
E ty e mue së bashku na kjoftë ,
Faqja e bardhë e ndera per gjithmonë.
A thue do m’errsohesh ndër depot e tmerrshme ,
Ku nuk deporton dielli i shkelxyeshem ,
E mbreteron lagështina ?
Për i mend unë drue se po ,
E prandaj ahmarrse para se të dahem pergjithmonë ,
Dua t’a puthi edhe nji herë fëtyren tande të shkelqyeshme…”.4.
Duke parë se shqiptari dhe arma e tij kanë qenë gati “sinonim” i njeri tjetrit më shkon mendja te vargjet lapidare të homerit shqiptare (At Gjergj Fishtes):
“…Kemi këndue po armët besnike
Që flakërue kanë në dorë t’Shqiptarve
Kah kanë dekë per besë jetike
Kah kanë dekë kta , për DHE t’parëve..” .5.
REFERENCAT:
1.Hilë Mosi , Vepra letrare , fq.314-315, sh.b.”Naim Frashëri” ,Tiranë 1986.
2.At Kolë P. Berishaj , Etnografi -3- , fq.46-48 , Enti botues poligrafik “At Gjergj Fishta”, Tiranë 2003.
3.John Foster Fraser ,”Shqiperia e Poshtme” , fq.11 ,botimi shqip : Zenit Editions 2009.
4.Botim special i rev. “Leka”me me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë , 1937 , fq.19(621)-20(622).
5. At Gjergj Fishta; Mrizi i Zanave,fq.9