NGA NDUE BACAJ
Në vitin 1860 nga bjeshkët e Kelmendit u shkëput një shkëmb , një shkëmb i madh e i fuqishem sa vetë keshtjella natyrale , Kelmendi , që Krijuesi ju a kishte falur per fole zogjëve të shqipes. Gjama e këtij shkëmbit që po binte u dëgjua jo vetëm në Malësi e Shqipëri ,por edhe ndër fqinjët malazez, të cilet nuk kishin mundur kurrë të shkelnin mbi këto troje, pasi sa herë e kishin provuar e kishin paguar shtrenjët , me dhjetra krena të prera e të thyera perball “shkembit” Mem Smajli , i cili si një duhi moti turrej mbi shovenet lakmues të këtyre bjeshkeve e trojeve të Kelmendit e Shqipërisë.. E natyrisht shkembi nga ana figurative bie, por diku zë vend për të treguar sa ai është prapë , këtu në vendin e vet. Kështu ka ndodhur edhe me “shkembin” Mem Smajli i cili ka zënë vend në bjeshkët e Pojanicës , në këtë vorr murane ku pushon trupi i këtij trimi kreshnik e legjendar, varri i të cilet në vend që të zvoglohej nga rrebeshet e kohës ai vetëm rritet si simbol i qendresës të këtyre trojeve që nuk kanë nevojë për Muja e Halila të importuar apo improvizuar, pasi i kanë vetë, ku në krye qëndron kreshniku Mem Smajli. Ndaj kot rroken sot e mot krijues , studiuesë , historianë e gojtarë vendas apo te huaj të kerkojnë e t’u “kendojnë” kreshnikëve larg këtyre trojeve , pasi do t’i “sfidojne” kreshnikët kelmendas e shqiptar.. Historia jonë shumëshekullore është e jehonmadhe pikrisht se kishte për protogonist kreshniket lavdi plot të Kelmendit si Mem Smajli , Nora e Kelmendit , Turk Isuf Hasani , Nikë Lekë Pepaj , Prelë Mema ,Turk Shabi , Ujkë Gila , vellezerit Gjeto e Dedë Coku , Uc Turku , Mark Vuksani , Prel Gjeloshi , Sadri Keqi e deri tek piramida e gjallë e kufijeve Prek Cali etjerë… Natyrisht nuk ishte rastësi që këta kreshnikë janë “zogjë” të kësaj foleje të shqipes , Kelmendit kreshnik , historia e të cilit ka bërë e bënë jo vetëm “xhiron” e Ballkanit, por edhe të Europës e më gjerë… Historia e kelmendit mund të krahasohet (jo vetem nga ana figurative) me një kala vigane të ngritur mbi shkembinjë të “gjallë” shekullore , dhe Mem Smajli ishte një nga këta.. Mema kishte lindur në vitin 1790 në flamurin (bajrkaun) e njohur të Selces . Ishte sternip i Nikë Martinit, i cili njihet si një luftëtar i zjarrtë në mbrojtje të trojeve të Kelmendit e Shqiperisë të atyre kohëve . Madje kjo shtëpi njihet si një bazë e fuqishme në mbështetje edhe të aleancave ndërkombëtare kundër pushtuesve turko-osman. Veprimtaria e Nikë Martinit dhe trashigimtarëve të kësaj shtëpie kulmon me gjysmën e dytë të shekullit XVI duke vijuar pa nderprerje deri në fundin e shekullit XVII , kur shqiptarëve u shtohej edhe një armik tjetër, fatkeqësisht fqinjë , kur Europa e kohës nën “diktatin” e Rusisë” pranoi krijimin e provinces së vogël të Malit Zi , që dalngadal do të bëhej shtet, duke u zgjeruar me trojet tona Iliro-Arbenore… Në këto kushte shtëpia e Nikë Martinit , si i gjithë Kelmendi , Malësia e Shqiperia u gjend në mes dy zjarreve, ndaj për të mos u “djegur” u desht ti shmangej njerit , ku me këtë rast si shumica e shqiptarëve zgjodhen disi ti shmangen zjarrit të pushtuesve aziatik të cilët si pushtues të largët dikur do të iknin nga keto troje , ndersa fqinjët do të mbetnin këtu në perjetsi… Në këto kohë Nikë Martini njerit nga tre djemve të tij pasi e kishte pagzuar me emrin Lekë ja vë emrin Hasan (ndërsa dy të tjeret i pagëzon me emrat tradicional shqiptare ; Pellumb e Maç).. Nga këta emra sot rrjellin mbiemrat apo fiset që i i njohim në Selcë.. Shtepia e Hasan Nikës “dalngadal” u shtua dhe u shqua aq shumë sa sot në “emrin” tij njihet një fis i tërë me mbiemrin “HASANAJT” e Selcës.. Natyrisht që vlen të qartesohet se me këtë rast , dhe as më vonë që vijojnë emrat me tingëllim musliman , nuk tregojnë se Seljanët e më gjërë kanë ndryshuar as besimin dhe as atdhedashurin , per të cilën shkriu jetën edhe kreshniku Mem Smajli i Hasanajve… Mem Smajli pa mbushur 14 vjeç merr pjesë si luftëtar në mbrojtje të trojeve të Kelmendit nga lakmit e Malazezeve. Ai duke u rritur fizikisht rritej edhe shpirterisht .Memi vazhdimisht shquhej për guximin , por edhe për forcën e tij që e shoqeronte me një britëm me trajta të mbinatyrshme , që bjeshket e shumfishonin. Ky kreshnik kapej fyta-fyt me malazez duke treguar një forcë të jashtezakonshme , saqë shpesh luftonte për-njëherë me katër apo më shumë malazez . Edhe në këto kushte betejën e zhvillonte ball per ballë e kurrë pas shpine. Fitorja për vite e dekada i kishte përkitur vetëm Mem Smajlit , per te cilin thuhej se është i pathyeshem dhe për këtë mendonin se kishte trajta hyjnore , dhe ishte përhapur fjala se e ndihmonin zanat e orët e bjeshkëve të Kelmendit. Për këto cilësi të jashtezakonshme të një luftetari “zogjët” e shkinave ishin frikësuar aq shumë , sa nuk deshironin të ndesheshin kurr në Mem Smajlin as në kohë paqe. Edhe ushtima e bjeshkëve u dukej si ushtim e duhisë ku kalonte kreshniku i këtyre anëve. Mem Smajli luftoi për mbrojtjen e bjeshkëve e trojeve të Kelmendit që nga viti 1804 deri në vitin 1860 që nderroi jetë, pra plot 56 vite në roje të lirisë, plot 56 vite luftë , sakrifica dhe kacafytje me fqinjët malazez , e veçanarisht me Kuçasit e Vasojoviqet , që mjersiht në përgjithsi ishin shqiptarë të sllavizuar ndër shekuj. Vlen të kujtohet me këtë rast se ky sllavizim kishte ndodhur atëherë kur këta shqiptarë katolik , kishin pranuar të perqafojnë ortodoksin , duke e kujtuar si besim kristian , por që dalngadal perveç besimit u kishte “grabitur” edhe kombësinë… Memi në roje të këtyre trojeve mbi një gjysem shekulli e kishte kaluar në mes bjeshkëve e luginave të Kelmendit , ku shtroje kishte tokën dhe për mbulesë pyjet e mbi to qiellin. Ai në këto kushte ndodhej kudo e kurdo , saqë u bë tmerri jo vetem i shkjeve luftëtarë , por edhe i familjeve të tyre , grave e femijeve.. Tregojnë se kur një shkinë me emër po rrinte në mendime nën hijen e freskët të një ahu dëgjon që mbi koken e saj po këndonte i lumtur një zog mali , dhe ajo u kujtua se ky zog ishte i lirë e nuk kishte frikë Memin e Smajlit që kishte lënë shumë konakë të këtyre anëve pa burra e djem në voter , dhe si pa e kuptuar filloj të kendoi:
“I lumi ti o zogu i malit
Që nuk nuk po i trembe Memit t’Smajlit
Memi i Smajlit ba me t’pa
Flutrim kishte me t’vra
Çerdhen tande kishte me e tha
Si konaqet tona n’ketë dynja..”
Pa mbaruar mirë shkina këto vargje, Memi i kudondodhur e qellon zogun e malit , i cili bien i vrarë në prehrin e shkinës , e cila pas tronditjes qet kushtrimin e kësaj ndodhie, që për dekada vazhdoi të përhapet duke marrë trajtat e një legjende që nuk u shua kurrë. Mem Smajli thuhet se në të gjitha betejat (e dyluftimet) me shkjetë ka vrarë rreth 200 lakmues e zollumqarë të këtyre trojeve , ku rreth pesëdhjetëve nga këta u ka prerë kokat.. Memi shpesh tregohej në trajtat e “mbinjeriut” , pasi paraqitej i kudondodhur , i palodhur , i fuqishem dhe i shpejtë si vetima , madje shpesh thuhej se ishte i padukshëm, e për këtë konsiderohej se ishte njeri me orë , shpesh duke marrur edhe gjakun e shokëve brenda në Kuç apo në Vasojeviq , e duke shpëtuar për mrekulli edhe kur ai ishte i rrethuar tmerrësisht.. Populli i Kelmendin këtij trimi kreshnik ja “perjetësoi” veprën në legjenda e këngë, (Memi ishte vetë lahutar dhe kengëtar)… Njera nga këngët më të spikatura që njihet edhe sot është:
Mem Smajli djal duhi
Po pisket permbi Velikë
Ik o shkja se jena Shqipni
Ta baj dekën në dekik
Ik vojnik e shko te nana
Se këto janë trojet e mia
Pisket Mema bash si zana
Permbi shkije po ban çudina…
Është interesant se vdekja e Memës merr trajtat e një vdekje që kishte lidhje me orët e malit . Për këtë tregojnë se një ditë kur Memi po zgjohej nga gjumi që kishte bërë nën hijen e një ahu , nga zhguni që e kishte përdorë si jastek del një gjarpër që mendoi se po e sulmon , ndaj ai me shpejtësi i pret kokën me jatagan gjarprit. Në atë moment, Memit ju dukt se degjojë nje zë që i tha , mos he tu thafshin krahët se preve orën tënde.. Dhe kjo ju vertetua kur pas pak kohësh një femij i kusherinjeve të tij e kishte qelluar Memin nga mbrapa vetëm me një plumb të kobures të të jatit , dhe trimi duhi ishte plagosur rendë duke u rrëzuar përtok… Mbasi mblidhen fisi i Memit e më gjërë , ai u thotë me sillni fëminë këtu se nuk më ka vra ai , por kam vra vehten se para do kohëve i kam pre kryet orës sime (gjarperit).. Është interesant se ai kur e pa se do të vdiste u la amanet ta varrosin në Pojanicë. Se aty ishte një vend i dukshem , dhe Kuçi e Vasojeviqi do t’ja kishin frikën edhe në vorr, e për këtë tha Memi sa herë që të qesin kushtrimin këto troje shqiptare do të çohem prej vorrit për të luftuar kundër malazezëve… Pasi nderroi jetë Memi , të afermeve të tij vendi i vorrit që la amanet ju dukt i pa pershtateshem (gati si rrugë), ndaj menduan t’i hapin vorrin në një vend më të pershtateshëm, por kudo që e provuan doli vetëm shkambë, duke i detyruar të afermit e Memit t’a hapin vorrin vetem aty ku e kishte lënë amanet ai, pra këtu ku e shohim edhe sot, që nga viti 1860 në Pojanicë, në roje të këtyre bjeshkëve e trojeve të Vermoshit, të Kelmendit e Shqipërisë. Vorri i ngjanë një shkëmbi- piramidë që rritet bashkë me vitet që kalojnë nga ajo kohë heroike e kreshnikut të pa harruar Mem Smajli… Vorret në pergjithsi janë një kujtim i të shkuares , por vorret e kreshnikëve u përkasin të gjitha kohëve, ndaj ky vorr kreshniku na kujton e dëshmon se jemi popull kreshnikësh , e kreshnikët nuk lindin kudo… Vorri i kreshnikut Mem Smajli në gusht të vitit 2010 është rikonstruktua në bjeshkët e Pojanicës, ndaj vorri i kreshnikut Mem Smajli vijon t’i ngjasojnë një shkembi të pa lëkundur, të futur thellë në themelet e shtetit shqiptar… Trupi i Memit pushoft në paqe , ndërsa shpirti ju bëftë dritë këtyre bjeshkëve e trojeve , pa të cilat Shqiperia e sotme do ti ngjante një trupi pa “krye…”.
Bibliografi:
1.Ndër Malet tona ,Kerkime të At Gjon Karmes S.J…
2.Krishterimi ndër shqiptarë ,simpozium nderkombetarë ,Tiranë 16-22 nentor 1999.
3.Aleksander Stipçeviç ,ILIRET ,historia ,jeta ,kultura dhe simbolet e kultit.
4.Zhan Klod Faveirial ,Historia më e vjeter e Shqiperisë.
5.Atë Marin Sirdani , Ndriçime të historisë ,të kultures dhe të artit shqiptar.
6.Edwin Jacques ,SHQIPTARET…
7.Gjovalin Gjeloshi , Brezni të Kelmendit ,Hasanajt e Selces.
8.Ludwig von Thalloczy ,Të ndodhunat e Shqipnisë prej një Gege që e don vendin e vet.
9.Halil Buçpapaj ,Kreshta historie në Kelmend..
10.Mark Milani ,Jeta dhe zakonet e shqiptareve..
11.Fulvio Kordinjano ,Shqiperia permes vepres dhe shkrimeve te misionarit të madh italian At Domeniko Pazzi, vll.I +vll.II.
12.At Kolë Berishaj ,Etnografi-3-
13.Tajar Zavalani ,Historia e Shqiperisë.
14.Dokumente të shekujve XVI-XVIII per historinë e Shqiperisë ,vll.III-IV.
15.At Gjergj Fishta ,Lahuta e Malesisë
16. Hyacinthe Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose i Gegerisë.
17.Trashigimi gojore të mbledhura ndër bonoret e sotem të Kelmendit nga autori..
V00: Kjo është një kumtese e imja e mbajtur me 26 gusht 2010 në Pajonicë të Vermoshit (Kelmend), kushtuar kreshnikut Mem Smajli, aktivitet i organizuar nga Gjergj Palok Dajani (lindë e rritë në Gjermani). Ky aktivitet do të bëhej për një televisor gjerman. Fotot e asaj dite fakeqësish më kanë humbur, ndersa fotoja e vorrit të Memit është marrë nga internet.