Nga Fadil LUSHI/
Temat e shkrimeve zakonisht i zgjedh vetë dhe jo me “sugjerime a me porosi”. Tema e vështrimit në vijim më “doli” nga një vizitë që kohë më parë ia bëra motrës, diku pranë Dardaneleve. Ishte një takim me “sebep” të caktuar. Detyrimisht duhej të merrja pjesë në një ceremoni të përmortshme diku në varrezat e një lagjeje të Stambollit (Erenkoy), aty ku prehen eshtrat e Shemsettin beut, gjegjësisht Samiut nga Frashri i Përmetit. Për këtë arsye në një agshol të “vonuar” vendosa, ashtu pa qejf, të marr udhë për në “vatanin e dytë” të fisit tim dhe shumë fiseve të tjera shqiptare. Ishte një agshol i zymtë dhe pa “dritë”. Unë dhe ca bashkudhëtarë të mi, sikur donim që ky “sabah” të ishte paksa më ndryshe…, më human, më i ngrohtë, më i…, por ja, natyra jo gjithmonë është në “harmoni a në përputhje” me vullnetin dhe dëshirat e njeriut!?
Në atë funeral disi zyrtar, më ra rasti të takoj shumë njerëz. Ishin shqiptarë, shumë më të mençur dhe shumë më të moshuar se unë. Njëri prej tyre më parashtroi pyetjen se a e njoh, kurse unë ia ktheva se jo. Nga ta njihja… Ai pastaj më tha: “Nuk më njeh se gjatë kohë isha në burgun e… A e keni shtëpinë që ia shita babait tuaj diku në vitet e gjashtëdhjeta…” Po, i thashë, po edhe sot e gjithë ditën e Perëndisë e “mbajmë me qira dhe pa tapi”(!?).
Njerëzit që i takova të gjithë ishin me gjak shqiptari, kush më i moshuar, kush më i ri, kush me flokë të bardha, ca me “bastunin” në dorë, kush me shikime të humbura, me vështrime të thella, ca prej tyre mbamendjet u ishin shndërruar në robinja të së kaluarës, të asaj të kaluare që nuk shpjegohet as me gojë, nuk lakohet as me laps dhe nuk ndihet as me…, në sytë e tyre nuk kishte lot…, kishte vetëm kujtime të shpërndara gjithandej…, sikur ishin të vendosura në “hapësirat e shpellave nënujore”, aty ku futesh e nuk del dot asnjëherë…, kush me kujtime të paharruara, me kujtime të fëmijërisë…, ca të tjerë tundnin tespihet dhe sikur donin t’i numëronin motet e tyre të “humbura”. Ishin njerëz të dashur, të “qeshur”, të ndershëm, të maturuar, të gojës…, njerëz me taban. Se të gjithë ishin shqiptarë, i njoha nga faqkat dhe nga rrudhat e ballit, rrudha që janë karakteristike për shqiptarët, rrudha që numërojnë mote, rrudha që shpjegojnë agsholet e “vonuara të orientit”, rrudha që lakojnë një të kaluar të rraskapitur, rrudha që shpjegojnë “derte”, rrudha balli që “hiqen” si dëshmitare pamore e dëgjimore të meselesë së shpërnguljeve të pavullnetshme, të psherëtimave…, rrudha që shpjegojnë të kaluarat e breznive. Të gjithë i takonin një race…
Pa hezitim takohen me mua, pas gjashtë dekadash…, të gjithë llafosin me atë të folmen fisnore, me atë dialektin e kulluar, por të “mallkuar deri në palcë”, një dialekt i arratisur nga brezni të tëra, një dialekt gegë i “arrestuar a që është kapur dhe që mbahet në rojë të Grykës së Bosforit”, një dialekt që jeton me të kaluarën në tokë të huaj…, një dialekt që i bën sfidë harresës së tyre kolektive. Kur i dëgjoja se si flisnin më krijohej përshtypja se më shumë dominonin emocionet, sesa logjika. Ata flisnin herë shqip e herë turqisht, herë me “isharete e herë me temsile”, herë me… Ishte një bisedë e mbarë…, pavarësisht se ngatërronte shikimet, një bisedë që ngatërronte mendimet, një bisedë që pështjellonte kujtesat e njëri-tjetrit, një bisedë që nuk kishte fund.
Kësaj bisede iu “bashkëngjit” edhe varrmihësi. Ky varrmihësi më dukej sikur qëllimisht më sillej vërdallë, sikur donte “të më merrte në nishan të lopatës së tij(!?)”(se ç’më kishte fiksuar nuk e kuptova dot), sikur qëllimet i kishte “vrastare”, sikur donte të më thoshte: “ti duhet të jesh arnavut“, si-kur donte të thoshte: “më jep ca lekë dhe unë të gjej një vend në xhehnetin tonë otoman”. Nuk i “besova”, sepse sipas etimologjisë a drejtshqiptimit të gjuhës së tij, fjala “xhehnet” nga fjala “xhehnem” dallon vetëm me një shkronjë. Nuk “desha ta paragjykoj”. Në vend se ta pyesja se ç’kishte me mua, e “sikterisa” me dialektin e tij anadollak…, duke i thënë: Shporru nga unë dhe nga hija ime prej shqiptari… Por ai ma ktheu: “Para se të shporrem, më duhet të të tregoj se përballë e ke varrin e Shemsettinit (Samiut) nga Frashri. Të takon t’ia thuash një dua…, sepse ka shumë kohë që nuk është dukur shqiptar të përulet pranë lapidarit të tij, atij lapidari shkronjat e të cilit tashmë kanë filluar të zbehen, ashtu siç kanë filluar të zbehen kujtimet ndaj tij dhe të tjerëve të tillë si ai!?” Duke bërë duanë kushtuar Samiut, më shkoi mendja te poezia Anës lumenjve të shkruar nga Fan Noli: “Arratisur, syrgjynosur, /Rraskapitur dhe katosur, /Po vajtonj pa funt, pa shpresë, /Anës Elbë-s, anës Spree-së. /Ku e lam’ e ku na mbeti, /Vaj-vatani e mjer mileti, /Anës detit i palarë, /Anës dritës i paparë, /Pranë sofrës i pangrënë, /Pranë dijes i panxënë, /Lakuriq dhe i dregosur, /Trup e shpirt i sakatosur.” Duke përfunduar lutjet, pash një njeri duke hedhur një grusht dhe mbi varrin e shqiptarit të sapovarrosur, edhe ai quhej Shemsettin…, edhe ai grusht dhe u “tret a u shkri” mbi dheun e Orientit…, ishte tokë vatani…, dhe përveç që pash njeriun, ia dëgjova edhe atë fjalinë me dënesë: “Mëmëdhe të kam ndjerë, s’të kuptova asnjëherë”!
Para se të ndahesha nga bashkatdhetarët e mi, më shkoi mendja te disa burokratë të shtetit ku jetoj, në veçanti tek ata që merren me demografi, respektivisht me studime statistikore (të përbërjes së popullsisë shqiptare). A mos vallë në ata numra nuk janë “bërë hesap” edhe shqiptarët që i përmendëm më lartë…, apo janë shtrembëruar dhe abuzuar kokë e krye nën ndikimin e politikës shoviniste.
P.S. Motra ime (Nermineja), ajo fatkeqja e gjeneratës së saj, kësaj radhe “nuk më përcolli”…, me shpresën se prapë do ta vizitoj…
Illofoto says
Ky eshte shkrim , qe ngre probleme jetesore , per Kombin .Problematika eshte pershtatur me thjeshtesine dhe elokuencen e merituar . Te tilla shkrime frymezojne te tera brezat . te lumte dora dhe mendja ! I. Foto