Albert HABAZAJ
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”
Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Albania/
Prozatori shqiptaro-amerikan Memisha Gjonzeneli vjen me vëllimin e tretë të tij të porsa botuar me titullin simbolik “Nëna”, novela dhe tregime, me dëshirën e mirë që ta ndante këtë kënaqësi letrare me miqtë e tij dhe dashamirësit e librit në Vlorë, në qytetin e lindjes.
Emri i tij është i mbarëdëgjuar në Vlorë dhe në Shqipëri si një nga saldatorët më të zotë në rang republike, qysh nga viti 1956 e në vijim. Gjurmët e tij janë në hidrocentralin e Ulzës, në Ulzë Memua mbaroi shkollën e rezervave për saldator. Ia kishin nevojën mjeshtërisë së duarve dhe mendjes së tij në ujësjellësin Durrës – Tiranë e sidomos në veprat e mëdha industriale në Elbasan, Ballsh, Fier, Fierzë, Ulzë, Vlorë e gjetkë. Ai punonte si hero i heshtur me dinjitet, por i palëkundur në bindjen e tij, i pakompromis dhe i patunduar nga lajkat. Mënyrën e jetesëss në familje dhe në shoqëri, ngjarjet e përditshme të jetës familjare, veprimtarinë në punë e mbas pune i pezmatonte deri në tejskajshmëri melankolia dhe zymtësia, që brengoste dhe shpirtërat e gurtë. Mbresat, kujtimet, mendimet, motivet, mesazhet nga ajo kohë, autori na i dhuron sot në formën e një libri artistik me burim autobiografik, nën kujdesin dhe përkushtimin e redaktores së vëllimit, shkrimtares dhe botuesese së njohur Enrieta Sina.
Dëshiroj të theksoj që Memisha Gjonzeneli është një shkrimtar human, i cili trajton tema sociale të jetuara; është autor me individualitet, që nuk i ngjan askujt tjetër, veçse vetvetes – fëmijës së tretë nga fundi ndër 7 fëmijët e Muhamet dhe Zonjë Gjonzeneles, Dadës kapedane. Ai nuk është shkrimtar që do të duket, as kopjac, por origjinal në vërtetësinë shkrimore, i ndjeshëm deri në drithërimë në rrëfimin e tij dhe i prekshëm deri në kapilarë me ato që shkruan. Edhe pse ka hequr të zinjtë e ullirit, ai shkruan me dashuri, pa mllefe, me mesazhe tejdukshëmrisht humane. Temat e narracionit të Gjonzenelit sa universale, po aq vetiake, si janë dashuria e zjarrtë, vdekja e hidhur, familja e shtrenjët, hakmarrja absurde, vuajtja e pamerituar, çmenduria tej çdo mase të arsyeshme, dhembshuria e thellë, liria e hapësirave njerëzore, drejtësia e munguar etj., gjithsesi parë me syrin e tij.
Një fjalë e urtë na kujton që nuk ke pse pi një fuqi me verë, që të kuptosh ç’shije ka ajo, mjafton një gllënjkëz… ku e kam fjalën?! Nuk është e nevojshme të trajtoj të 12 njësitë letrare në prozë që ka libri i Memos, por do të cek sadopak tregimet “Nëna” dhe “Patrioti”. Tregimi “Nëna” është autobiografik. Në një kalim sipërfaqësor, të jep përshtypjen e një vështrimi të përgjithshëm, që nuk ngjall interes. Tek “Nëna”, jo vetëm si realitet i hidhur, por patjetër si metaforë e spikatur, narrativa ka këtë trajektore. Sipari: Shfaqet mbesa, xhaxhi, telefonata e shkurtër…, mërzitja e xhaxhait, që pse mbesa nuk e kishte uruar për tregimin e radhës, siç bënte herët e tjera, kërkesa e mbesës, shtangia e xhaxhait. Këtu hapet perdja e tregimit. Xhaxhai / autori nuk e priste dhe nga hutimi, tronditet, ndërkohë e falënderon me zemër mbesën e mirë dhe aq të dëlirë, që i kërkoi të shkruante për Dadën, heroinën e familjes, Zonjën e vërtetë, që e admironin në kohë dhe në hapësirë nga Skela në SHBA. Nuk kam ndërmend të bëj analizë teksti, se nuk shkon, por më ngeli në mendje simbolika e emrit Aresti (“Arestime”), i motrës që lindi 15 ditë pasi u fut në burg më dhejtor 1944 babai i 7 fëmijëve, 4 djemve dhe 3 vajzave… dhe autori u hap digën kujtimeve të vërshojnë, ashtu siç janë, siç kanë ndodhur, kronologjikisht, me njerëzit që e rrethonin, me ballafaqimet tinzare, me përplasjet egra, me jetën e vështirë e mjerane të të mirurve me babë e pa baba, me një nënë sizifiane, motori i familjes, kurajoze tek zoti, vërtet amazonë e dinjitetit familjar, e veçantë, e rrallë. Nderim gjer në paharrim për atë nënë të jashtëzakonshme skelare, që edhe pse nuk e kam njohur fizikisht, Memua ma pruri të gjallë me rrëfimin e tij dhe sinqerisht kam qarë, kur po e lexoja tregimin këtë të shtunë që kaloi, duke fshehur lotët nga dy mbesat e vogla…
Tregimi “Patrioti”, në pamje të parë ngjan si një tregim me luftë të drejtpërdrejtë në front. Por, autori, ndoshta intuitivisht di të kapë detajin e jetës që kërkon të pasqyrojë artistikisht në veprën letrare. Një djalë 10-12 vjeçar, Rexh Meta quhej, ishte bir i dy prindërve jo vetëm të varfër, por të pikur fare, të cilët nuk nuk e mbanin dot vogëlushin dhe ia falën Marashit, i cili ishte mirë ekonomikisht. Është tronditës deri në pabesueshmëri përshkrimi i realitetit rrëqethës nga autori në këtë tregim. Kemi një djalë të dobët, të paqethur, me një palë pantallona, që nuk kuptohej se cila pjesë e andrave ishte origjinale. Për këmishë, kishte gjetur një thes të vjetër dhe i kishte hapur tri vrima, një për kokën, dy për krahët. Të palara dhe me andra… edhe shtëpia me dritare të voglasi gryka zjarri…
Por, atje ku shkoi, Rexha u bë lopçar që s’gjendej në katund. Në një ditë gushti me vapë, lopët shkojnë vetë në hije. Dhe ai u ul në një hije peme, kur dëgjon të bërtitura dhe sheh pluhur që ngrihej përpjetë nga një karrocë me 4 kuaj dhe revanshi i tyre i tërbuar s’ndalej. Autori meriton përgëzime në njohjen në imtësi të situatës që paraqet, sesi veproi djali duke nxjerrë lopët përpara për të bllokuar udhën, sesi i vendosi trastën në gojë kalit që dukej më i tërbuari, sesi i bllokoi gojën dhe sytë deri në qetësimin e gjendjes dhe zgjidhjen e saj. Brenda në karrocë ishin një çift i huaj, londinezët Majk Shejn dhe Enrjeta Shejn që kishin ardhur në Shqipëri si turistë. Jemi në vitet 1943-’44. Çifti, për të shprehur mirënjohjen, ndaj lopçarit shpëtimtar, pas bisedave dhe “tregtisë” së detyruar me Marashin e morën me vete Rexhën në Londër duke e mirëmbajtur si ta kishin djalin e tyre (ata ishin ndoshta 50 vjeçarë a më shumë, shkonin shtet më shtet si turistë, por s’kishin fëmijë). Djali kalonte shumë mirë me ta dhe të tre jetonin si në përralla, si mbreti me mbretëreshën dhe princin e tyre, si dritë syri. U arsimua, mori edukatën fisnike të familjes që e birësoi, shkëlqeu në mësime, edhe në universitet, edhe në studimet pasuniversitare, në master, në Kembrixh studioi për ekonomi. Fatkeqësisht Majku vdes papritur nga një goditje në zemër. Hidhërimi i Enrjetës dhe Rexhës nuk përshkruhet. Megjithatë, jeta vazhdon. Familja e tyre kishte një traditë që mbante një fletore të vjetër, mbi 150 vjeçare, ku shkruhej udhëshkrimi jetësor i familjes në breza. Meqë Rexha kishte shkëlqyer, dhe ngaqë Enrjeta kishte mundësi ta ndihmonte djalin e birësuar i tha të zgjidhte të shkonte ku dëshironte me punë, por i rekomandoi kompanitë që veprojnë në Kinë ose në Indi, sepse po të punonte në Kinë apo në Indi, për një kohë të shkurtër bëhesh i pasur dhe e ke të zgjidhur jetën. Rexha, gjenetikisht ishte shqiptar, iu kujtua lajtmotivi i të parëve: “Shqipëria është e të gjithë” Shqipërtarëve” dhe zgjodhi Shqipërinë. Emocione të fuqishme e ngashërime nga të dy, por Rexha i premtoi që unë do të vij prapë, por patjetër edhe ti do të vish në Shqipëri. Në Tiranë e mirëpritën, filloi punë, u bë drejtor departamenti, më pas ministër. Por janari i vitit 1944 i thanë dhe i pret në mes ëndrrat e bukura qytetare të intelektualit atdhetar Rexh Meta pa asnjë motiv të qenësishëm. Arbitrarisht e nxorrën në gjyq dhe e dënuam me 25 vjet burg. Se e deshi aq shumë Shqipërinë, ai la Londrën, kapitalin dhe famën dhe fundi i tij këtu nuk u morr vesh as mbas një çerek shekulli burg, e liruan apo e çuan në “akademinë” e Burrelit…
Autori shqiptaro-amerikan Memisha Gjonzeneli mund të quhet ndryshe Harmonia e Kontrastit Jetësor, Njeriu i Rezistencës së Madhe ndaj Diktaturës së Egër, që siç shprehet shkrimtarja Enrieta Sina “Të vërtetën e tregon bukur, por e vërteta nuk është gjithmonë e bukur”…
See Insights and Ads
All reactions:
11