Nga Astrit Lulushi/
Shqipëria vazhdon të jetë plang në lojë bixhozi mes bijëve të saj. Duke filluar nga shpallja e pavarësisë, ajo është udhëhequr nga qeveri që kanë përfunduar në dështime, shumica për shkaqe të brendshme. Madje, edhe rreziku i copëtimit të saj nga të huajt është përdorur thjesht sa herë e ka dashur interesi i atyre që marrin pjesë në këtë lojë. Vendi ka provuar çdo sistem; të mirë, thuajse të mirë, e deri më të keqin; dhe tani, për afër 30 vjet, fati i saj është në tryezën e lojës mes oligarkësh. E njëjta gjendje vazhdon; qëllimi i atyre që udhëheqin është fitimi, ndërsa opozita pret rradhën e saj. Populli është i lodhur. Shumica e njerëzve të mirë kanë ikur; edhe ata me pak shpresa kërkojnë rrugë për t’u larguar, ndërsa të gjithë pyesin: Ç’po ndodh?, apo Çfarë ka ndodhur?
Në kohët e lashta, rreth 400 vjet pes., në Athinë, një djalë i ri i afrohet Sokratit dhe e pyet; “Filozof, si mund të bëhem i mençur? “Më ndiq mua”, i tha Sokrati, dhe e çoi në det. Aty filloi ta lagte pak nga pak. Papritur, Sokrati e kapi dhe e zhyti djalin në ujë. I riu luftoi me dëshpërim dhe pak para se t’i zihej fryma, Sokrati e tërhoqi. I zemëruar, djali i bërtiti: “Çfarë bën?! Kërkon të më mbysësh?’ Me qetësi, Sokrati u përgjigj: “Absolutisht jo. Nëse ky do të ishte qëllimi im, nuk do të kisha tërhequr “. “Atëherë, pse e bëre?” pyeti i riu. “Kur të duash mençuri aq shumë sa ke nevojë për ajër, vetëm atëherë do ta kesh atë”, iu përgjigj Sokrati. Pastaj, u kthye në breg dhe u largua.
Sa afër një prove të tillë kanë qenë ata që kanë udhëhequr Shqipërinë në të kaluarën dhe tani? Thuajse aspak! Prandaj vendi gjithmonë ka patur në krye njerëz të pa-aftë, aspak të mençur, por vetëm të djallëzuar. Sot për sot në Shqipëri, dhënia e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian do të shkaktonte habi. Do të pritej me brohoritje në televizionin e Kryeministrit, ndërsa populli i thjeshtë, në kufirin skandal të varfërisë, do të dridhej nga mirëqenia e lartë në vendet e BE-së. Të gjithë e dijnë s’e në ç’gjendje ndodhet vendi, ku qeverisja më e mirë është mosqeverisja, ndërsa korrupsioni përshkallëzues dhe papërgjegjshmëria e përgjegjëshme, janë ato për të cilat çdo vendas natyrëshëm reagon: Eshtë ndikimi i rrezikut rus në Ballkan që i jep vendit këtë status, apo vërtet standartet ekonomike Shqipëri – BE përputhen? Sepse askush nuk po flet për përmbushjen e standarte të tjera, veç atyre në gjyqsor e polici?
Në Romë, rreth vitit 200 pes., kur historiani Kato i Vjetri u pyet gjatë përurimit të një statuje kushtuar një figure tjetër, pse nuk kishte statuja të tij, ai u përgjigj: Pasi të kem vdekur, do të dëshiroja që njerëzit të pyesnin pse nuk ka shtatore për mua, sesa sot që jam gjallë të pyesin, pse Kato ka një të tillë?