Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
(Mjeshtër I Madh)
STRATEGJIA E PARË, MBROJTJA E VENDIT NGA COPËTIMI
Për të krijuar Forcat e Armatosur, në rrethanat e atëhershme, Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe Ismail Qemalit i duhej një strategji. Strategjia ishte e thjeshtë. Siç del nga dokumentacioni i kohës, i Qeverisë së Vlorës, sipas kësaj strategjie, fillimisht, në fazën e parë synonte mbrojtjen e vendit nga copëtimi. Në planin e brendshëm vendi vuante e përjetonte vështirësi të rënda ekonomike, shoqërore, politiko-ushtarake, si dhe të pasigurisë publike, që ishin rrjedhojë e mungesës së shtetit me institucionet e tij. Në këto rrethana vendit dhe popullit shqiptar i duhej të mbrohej për të mbijetuar ndaj lakmisë dhe pushtimit të shteteve fqinje, por dhe për të vendosur rregullin, qetësinë e rendin mbi anarkinë dhe mungesat e shumta. Shtetit të ri i duhej të krijonte institucionet e tij, midis të cilave dhe Forcat e Armatosura. Qeveria mori masa për të mbrojtur vendin me ato pak forca që kishte në dispozicion. Ismail Qemali urdhëroi të krijohej një forcë e vogël e armatosur, e cila mori për detyrë të mbronte bregdetin e Vlorës dhe të mbyllte drejtimin Himarë-Vlorë, duke u vendosur në Qafën e Llogorasë.Forcat e Armatosura dhe Ushtria Shqiptare duhej të krijoheshin sa më shpejt që të ishte e mundur. Për këtë qëllim do shfrytëzoheshin pjesët e efektivave dhe të strukturave ekzistuese ushtarake ende në përbërje të njësive ushtarake turke që vepronin në Shqipëri, ende në atë kohë. Ishte e kuptueshme se këto forca do bazoheshin tek ushtarakët me origjinë shqiptare të çdo krahine. Shumica e tyre bënin pjesë në strukturat rezerviste dhe aktive. Pjesa tjetër, ajo e angazhuar në luftime, ishin vullnetarë popullorë të krahinave të ndryshme shqiptare. Ndërkohë nevoja e ngutshme për të krijuar një forcë të organizuar ushtarakisht e detyroi Qeverinë e Vlorës të hynte fillimisht në bisedime me komandën e ushtrisë turke në Berat, me qëllim që të siguronte armë për forcat shqiptare. Kjo strategji dallohet qartë në letrën që Ismail Qemali i dërgonte prefektit të Beratit, më 9 dhjetor 1912, ku i shkruan: “…Qëllimi ynë kryesor është si ta shpëtojmë atdheun nga kthetrat e armikut, të ruajmë nga rreziku i shfarosjes tepricat e ushtrisë dhe ta forcojmë atë për t’u përleshur me armikun. Kjo është për ne një çështje jetësore, njëkohësisht një detyrë e shenjtë për shefat e armatave …” dhe më poshtë vazhdon: “… merrni masat që t’u sigurohen ushtarakëve nevojat në këtë kohë krize dhe të mbahet qetësia”. Kjo ishte një detyrë e vështirë, po të kihet parasysh shthurja e përgjithshme e ushtrisë turke dhe sidomos fakti që, pas shpalljes së Pavarësisë, ushtarët shqiptarë që shërbenin në ushtrinë turke e konsideronin të huaj vazhdimin e shërbimit nën flamurin e Turqisë. Ata filluan të dezertonin në masë nga radhët e ushtrisë turke, sidomos nga divizioni i Janinës, për t’a mbrojtur atë nga pushtimi grek.Strategjia për krijimin e Forcave të Armatosura nisi të vihej në zbatim menjëherë me krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe me formimin e dikasterit të Luftës (Mbrojtjes). Kuvendi Kombëtar i Vlorës në mbledhjen e tij të parë, më 4 dhjetor 1912, zgjodhi “Grupin ekzekutiv të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”, të cilin edhe e ligjëroi, duke e dekretuar dhe duke e bërë të njohur për tërë vendin. Në përbërje të kësaj Qeveria përfshihej edhe një dikaster mjaft i rëndësishëm, ai me emërtimin Ministria e Luftës (e Mbrojtjes), i cili ishte edhe hallka kryesore organizative dhe drejtuese e Forcave të Armatosura Shqiptare. Ky vendim bëhej i njohur në aktin e kohës të Kuvendit, ku shkruhej: “Në përbërje të këtij grupi bënte pjesë edhe dikasteri i rëndësishëm i Luftës (i Mbrojtjes Kombëtare) i kryesuar nga Mehmet Pashë Dërralla (Tetova)”, gjeneral karriere dhe komandant i shquar i kryengritjeve shqiptare të viteve 1909-911. Ky dikaster, në bashkëpunim me dikasterin e Punëve të Brendshme, morën masa për mbrojtjen e trojeve shqiptare, ruajtjen e rendit brenda vendit dhe për këtë nisën punën për të organizuar strukturat përbërëse të Forcave të Armatosura shqiptare. Sipas vizionit, strategjisë dhe skemës së përpunuar nga drejtuesit dhe shtabet ushtarake të dikastereve të mësipërme, krijimi dhe organizimi i forcave u krye në dy faza.
INSTITUCIONET E PARA TË FORCAVE TË ARMATOSURA
Në fillim u formua dhe u organizua Ministria e Luftës, Shtabi Madhor dhe Ministria e Punëve të Brendshme me strukturat më të mundshme ushtarake si ato vullnetare, rezerviste dhe xhandarmëria e policia, në periudhën relativisht të shkurtër nga nëntori 1912 deri në qershor 1913. Faza tjetër filloi në fillim të qershorit 1913 dhe vijoi deri më 22 janar 1914, kur Qeveria e Përkohshme e Vlorës pushoi së vepruari dhe u largua nga skena politike shqiptare. Në fazën e dytë u formua Zyra e Shtabit Madhor dhe u riorganizua struktura e Xhandarmërisë. Po në këtë kohë nisi edhe organizimi i forcave aktive. Pra, vetë përshkallëzimi i organizimit të Forcave të Armatosura, të organizmave drejtuese dhe strukturave përbërëse të tyre, dëshmon për një njohje të thellë të gjendjes reale të mundësive ushtarake të Shqipërisë së asaj kohe. Siç u theksua më lart, së pari, në fazën e parë në përbërje të Forcave të Armatosura u përfshinë forcat rezerviste me origjinë shqiptare, që përbëheshin në masë nga ushtarakë të moshës 40-60 vjeç, të cilët thirreshin me terminologjinë ushtarake turke “redifë” ose “muhtafizë”. Formacionet rezerviste ishin reparte të rregullta, të pajisura me armatime e municione të lehta, të veshur me uniforma ushtarake të ushtrisë së rregullt, kur thirreshin në luftë. Këto reparte ishin të organizuara, të disiplinuara dhe, ç’është më kryesorja, më të përgatitur ushtarakisht, pasi ishin stërvitur sipas normave dhe kërkesave klasike ushtarake. Ata njihnin dhe dinin të zbatonin gjatë gjithë veprimtarive luftarake taktikën e luftës me front të rregullt. Këto ishin formacione me bazë batalioni, që vepronin atë kohë në disa krahina të vendit, në Skrapar, Berat, Vlorë, Tepelenë, Delvinë etj., por edhe në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, ku u përdorën me mjaft efekti. Forcat rezerviste përbënin një masë të konsiderueshme të Ushtrisë Shqiptare.Struktura tjetër përbërëse, edhe kjo masive, ishin forcat vullnetare, të cilat në fillimet e Qeverisë së Vlorës ishin mjaft aktive. Ato ishin të organizuara në formacione të thjeshta, tradicionale, në bazë çetash të fshatrave ose të lagjeve të qytetit, me një prijës të njohur në krye dhe vepronin sipas taktikës tradicionale. Deri në qershor 1913 numri i tyre u rrit mjaft. Strukturë parësore e Forcave të Armatosura shqiptare ishte Xhandarmëria. Ajo nisi të krijohej qysh në fillimet e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe u shtri deri në maj 1913. Kjo strukturë u vlerësua me shumë seriozitet nga Qeveria dhe Ministria e Luftës si dhe ajo e Brendshme, sepse ishte një forcë që merrej kryesisht me sigurimin e rendit dhe të qetësisë së brendshme, por edhe me mbrojtjen e vendit, krahas trukturave të tjera ushtarake. Dokumentet e Qeverisë së Vlorës dëshmojnë se të gjitha përpjekjet e bëra nga organet e saj dhe ministritë përkatëse, çuan në organizimin e një force që, deri nga fillimi i qershorit 1913, u shtri në mjaft zona ku njihej pushteti i kësaj qeverie. Madje, për organizimin e saj dhe të policisë e të drejtësisë të Qeverisë së Vlorës, u krijuan edhe disa komisione përkatëse. Sidoqoftë organizimi më cilësor i kësaj force do të niste pas qershorit 1913. Mbi përpjekjet e Qeverisë së Vlorës për organizimin e Forcave të Armatosura mund të formohet një ide jo vetëm nga dokumentacioni vendas, por edhe nga një raport që i dërgonte Vjenës konsulli i Austro-Hungarisë pranë Qeverisë së Vlorës, Lejhanec, i cili ndiqte nga afër veprimtarinë e kësaj Qeverie.Lidhur me këtë ai raportonte: “…. kohët e fundit Qeveria e Përkohshme është marrë me çështje organizative edhe po bën emërime të shumta sidomos në fushën e administratës së brendshme…”. Ministria e Luftës ose e Mbrojtjes Kombëtare, e cila, së bashku me pjesët përbërëse të saj, do të kryente edhe detyrën e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, përbënte hallkën më të lartë organizuese e drejtuese të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Kjo ministri përbëhej nga “…zyra e Shtatit Madhnuer (Shtabit Madhor), zyrën qarkore, zyrën herrtare (logjistika) dhe zyrën shëndetësore …”.
FORMIMI I SHTABIT MADHOR APO SHTATI MADHNUER
Dikasteri i Luftës përgatiti dhe përpunoi konceptin dhe platformën e organizimit të ushtrisë dhe të strukturave përbërëse të saj në përputhje me gjendjen që ishte krijuar në Shqipëri. Struktura e saj ishte sanksionuar dhe përmbledhur në një rregullore shumë të vogël, e emërtuar “Rregullorja për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës”, e cila u hartua më 22 prill 1913. Ajo ishte shumë e shkurtër, e përbërë nga 7 pika, dhe ishte e shkruar vetëm në një faqe. Në rregullore shkruhej se deri në daljen e rregulloreve të reja ushtarake do të funksiononin rregulloret ekzistuese të ushtrisë turke. Qeveria udhëzoi Ministrinë e Luftës që për organizimin e një ushtrie të rregullt shqiptare të shikohej përvoja e ushtrive evropiane, që vërtetonte edhe njëherë vizionin e qartë mbi krijimin e saj dhe se ishte e interesuar për krijimin e një ushtrie të kohës. Në fazën pasuese, e cila nisi në qershor dhe vijoi deri nga dhjetori i vitit 1913, sipas strategjisë së I. Qemalit dhe Qeverisë së Vlorës, u kalua në një nivel më cilësor të organizimit dhe të përgatitjes së Forcave të Armatosura, të strukturave të veçanta, si dhe në hallkat drejtuese e në veprimtarinë e tyre.Pikërisht në maj 1913, në përputhje me parashikimet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Luftës dhe si nevojë e një hallke të qendërzuar, që do të shërbente për organizimin, përgatitjen, bashkërendimin dhe drejtimin profesional të veprimeve luftarake të Forcave të Armatosura, u formua Shtabi Madhor apo Shtati Madhnuer, siç quhej në terminologjinë autentike të kohës. Ky Shtab, që ishte konceptuar shumë i thjeshtë dhe tepër racional në ndërtim, vetëm me 5 zyra, do t’i jepte një hop organizimit të Forcave të Armatosura, por ai në të vërtetë u mor me gjithçka që kishte të bënte me veprimet luftarake, me furnizimet etj. në frontet e luftimeve në Jug, në Shqipërinë e Mesme apo edhe në atë të Veriut. Për këtë tregues dëshmojnë qarkoret e hartuara e të dërguara nga ky shtab me firmën e Kryetarit të tij, major Ali Shefqet Shkupit, në lidhje me problemet e përmendura më sipër. Elementet përbërëse të shtabit, të përcaktuara në “Rregulloren e përkohshme të Ministrisë së Luftës” të 22 prillit 1913, ishin: “1. Qarqet e Shtatit Madhnuer. 2. Shkresina e Shtatit Madhnuer. 3. Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve. 4. Komisioni i trajtimit të policisë e të xhandarmërisë .5. Komisioni i ndërtimit”. Konceptimi dhe formimi i këtij shtabi, ku vepronin një grup ushtarakësh mjaft të formuar, me kulturë profesionale ushtarake të nivelit akademik dhe me përvojë të lakmueshme luftërash, dëshmonte edhe për një kulturë të mirë politiko-ushtarake të drejtuesve të shtetit dhe të udhëheqësve ushtarakë shqiptarë të asaj kohe, të afirmuar nga Qeveria e Vlorës. Ky shtab, që varej nga Ministria e Luftës, shërbente edhe si një organ këshillimor për çështjet ushtarake pranë Qeverisë së Vlorës.Ngritjen e këtij shtabi të lartë ushtarak e bënte të njohur për qeverinë austrohungareze në Vjenë, konsulli i saj në Vlorë, Lejhanec, që raportonte: “Në fillim të qershorit 1913 në Vlorë funksiononte një zyrë e Shtatmadhorisë, një lloj organi ushtarak i Qeverisë së Përkohshme”. Ky shtab, siç vërtetoi zhvillimi i ngjarjeve të kohës, luajti një rol të dukshëm në organizimin e zhvillimin e Forcave të Armatosura në fazën e dytë, siç ishte përmirësimi i strukturave të saj, veçanërisht të Xhandarmërisë dhe të forcave aktive. Kështu, për të organizuar mbi baza të shëndosha strukturën e forcave aktive të Ushtrisë, Ministria e Luftës dhe Shtabi Madhor urdhëruan krijimin e një kompanie të ashtuquajtur “Model”. Sipas shëmbëlltyrës së saj u krijua imazhi i kësaj strukture. Po në këtë fazë nisi edhe riorganizimi i xhandarmërisë e cila, veçanërisht pas qershorit, pati një përmirësim të dukshëm. Ky nivel u rrit më tej pas tetorit të po këtij viti, kur në Vlorë arriti grupi i oficerëve holandezë të kolonel De Weer-it dhe majorit Thomson, të cilët, sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913 në Londër, duhej të organizonin xhandarmërinë shqiptare. Eshtë vendi të vihet në dukje se Qeveria e Vlorës dhe ushtarakët shqiptarë ndihmuan pa asnjë hezitim në punën e ushtarakëve holandezë për riorganizimin e Xhandarmërisë Shqiptare sipas koncepteve të përparuar të asaj kohe, për t’a bërë atë sa më efektive në veprimet e saj. Ajo u organizua tashmë mbi bazën e 4 detashmenteve, reparte këto të barabarta me një batalion, me 300 xhandarë secili. Çdo repart drejtohej nga një oficer shqiptar i shquar dhe me shumë përvojë. Të tillë ishin major Mustafa Aranitasi, kapiten Mustafa Maksuti (Shehu), kapiten Kasem Qafëzezi dhe kapiten Rexhep Shala. Koncepti i drejtë në krijimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, u vërejt edhe në formimin e shërbimeve mbështetëse, siç ishin ai i Prapavija (6 maj 1913), i Mobilizimit (3 qershor 1913) dhe i Zbulimit ose Informativ (15 qershor 1913). Pa këto shërbime vështirë se mund të kryenin veprimtarinë e tyre strukturat ose hallkat drejtuese të Forcave të Armatosura shqiptare.
PËRPILIMI I RREGULLOREVE TË PARA PËR USHTARAKUN
Ndërkohë, Qeveria e Vlorës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Luftës dhe Shtabin Madhor, përcaktuan edhe vetë nivelin e të drejtës elektorale dhe politike të ushtarakut shqiptar. Në atë kohë ishte përcaktuar se përveç oficerëve, ushtarakët e tjerë nuk lejoheshin të merrnin pjesë në zgjedhjet, me qëllim që të mënjanohej ndikimi tyre nga politika. Një veprimtari sintezë, që evidentoi dhe afirmoi më së miri mendimin dhe vizionin ushtarak shqiptar për atë kohë, ishte pikërisht hartimi dhe publikimi i rregullores “Mbi organizimin e Milicisë Shqiptare”, që u miratua nga vetë Kryesia e Qeverisë së Përkohshme më 3 qershor 1913. Kjo rregullore u hartua me qëllim që të shpallte e të bënte të njohur projektin e Qeverisë së Vlorës për konceptin dhe mënyrën e organizimit të forcave ushtarake ekzistuese të vendit, deri sa të krijoheshin kushtet dhe mundësitë për krijimin e ushtrisë së rregullt. Kjo duket mjaft mirë nëse i referohemi vetë rregullores, ku parashikohet dhe përshkruhet qartë e saktë çdo gjë që lidhet me sistemin e organizimit ushtarak të përzgjedhur, sipas të cilit do të kryhej organizimi i fuqive ushtarake shqiptare deri në kohën e përcaktuar për krijimin e Ushtrisë së rregullt. Po kështu, në të përcaktohej edhe gjithçka tjetër për detyrimin ushtarak, moshën e të detyruarve për këtë shërbim, skemën e organizimit të brendshëm, detyrat luftarake, hierarkinë ushtarake, uniformën, armatimet, mënyrat e lajmërimit, vendvendosjen e reparteve e të nënreparteve sipas madhësisë së tyre, çështjet e administrimit dhe të rregullit dhe deri te trajtimi financiar i ushtarakëve të së gjithë niveleve. Rregullorja në të vërtetë ishte një akt ligjor për nga përmbajtja, edhe për faktin se ajo u miratua nga vetë Qeveria e Vlorës, duke i dhënë asaj atributet dhe forcën ligjore. Njëherësh, hartimi i rregullores dëshmon qartë nivelin e lartë të dijeve dhe të kulturës profesionale ushtarake të anëtarëve të Shtabit Madhor shqiptar; prandaj miratimi i rregullores rriti prestigjin e këtij organi ushtarak jo vetëm në vend. Për këtë rregullore konsulli austro-hungarez në Vlorë do të shkruante: “Zyra (e Shtabi Madhor) hartoi rregulloren mbi funksionimin e milicisë shqiptare, sipas së cilës kjo e fundit duhej të ishte një forcë e organizuar, e ngritur mbi bazën e detyrimit ushtarak të përgjithshëm dhe që kishte për detyrë mbrojtjen e vendit deri sa të krijohej një ushtri e rregullt”.Qeveria e Vlorës dhe kryetari i saj I. Qemali ditën të përzgjidhen e të përcaktojnë hallkat drejtuese në nivel strategjik, për Forcat e Armatosura që ishin në organizim e sipër, në shkallë vendi. Në këto kushte, deri sa të krijohej Komanda e Përgjithshme, kjo detyrë iu ngarkua Ministrisë së Luftës. Por një dukuri që përshfaqi vizionin dhe konceptin modern të Qeverisë, madje dhe të udhëheqësve ushtarakë shqiptarë të viteve 1912-1913, ishte prirja dhe vendosmëria e tyre për organizimin e një Force të Armatosur me profil të tillë. Prandaj ata sugjeruan kryerjen më parë të studimit të disa sistemeve ushtarake evropiane. Ja si e përshkruan këtë vendim konsulli i cituar më lart, në një raport të tij: “…administrata ushtarake shqiptare kishte ndërmend të bënte më parë studime mbi sistemet e ndryshme ushtarake evropiane. Pastaj të vendoste të mbështetej në njërin prej tyre ose të krijonte një sistem të ri të vetin, që t’u përshtatej kushteve të shtetit të ri të pavarur”. Për të ilustruar këtë prirje, mjafton të përmendim që të gjitha porositë e Qeverisë së Vlorës për armatime e municione për Forcat e Armatosura shqiptare u bënë në Austri, kurse ato për uniformat e reja, në Itali. Për këtë në librin “Pavarësia Shqiptare dhe Diplomacia e Fuqive të Mëdha” thuhet: “Porosi të rëndësishme u bënë në arsenalet e Austro-Hungarisë, me gjithë ngushticën e madhe të mjeteve financiare”. Ndërsa ambasadori i Vjenës në Romë, Merei, thotë: “…se në Ministrinë e Jashtme italiane kishte marrë vesh për ardhjen në Itali të disa përfaqësuesve të Qeverisë Vlorës për të blerë uniforma për xhandarmërinë shqiptare”. Së fundi duam të vëmë në dukje se është merita dhe vendosmëria e Qeverisë Shqiptare dhe e vetë I. Qemalit për t’u dhënë Forcave të Armatosura Shqiptare një karakter dhe përmbajtje sa më shumë që të ishte e mundur kombëtare. Kjo vendosmëri dhe prirje duket nëse i referohemi përzgjedhjes së drejtuesve ushtarakë kryesorë të Forcave të Armatosura: përzgjedhja e gjeneral Dërrallës në krye të Ministrisë së Luftës, e major Ali Shefqet Shkupit në krye të Shtabit Madhor, si dhe e oficerëve të shquar të asaj periudhe, Ismail Haki Tatzati, Mustafa Maksuti, Kasem Qafëzezi dhe Meleq Frashëri etj., që vinin nga trevat e ndryshme të vendit, në krye të formacioneve kryesore të Forcave të Armatosura shqiptare. Kjo dukuri shfaqet edhe më poshtë, në formacionet e tjera ushtarake, ku gjeje mjaft ushtarakë komandues edhe nga Kosova. Trevat shqiptare në vitet 1912-1913 edhe më tepër se deri atëherë u vlerësuan si faktor bashkimi dhe krenarie gjithëkombëtare. Madje, uniforma e këtyre forcave vlerësohej si e tillë. Kjo shfaqje tipike përshkruhet shumë qartë në revistën ZGJIMI, që botohej në Korçë, në numrin e 33-të të saj, ku botohej edhe një fotografi e tre ushtarakëve shqiptarë të viti 1913, në të cilën shkruhej: “Shikoni pakëz këtë fytyrë, e patë? Këto janë uniformat e ushtrisë shqiptare. Kjo është rroba e Kombit Shqiptar! Kjo është rroba që do të thotë se në këtë botë është një shtet që quhet Shqipëri!”. Kësisoj Ushtria Shqiptare vlerësohej në thelb si pasqyra e vetë kombit dhe e shtetit shqiptar. Nuk ka vlerësim dhe simbolikë më të qartë në këtë plan.Me gjithë përpjekjet për të krijuar një ushtri kombëtare të rregullt e bashkëkohore për shtetin e ri shqiptar, sipas përfytyrimit dhe përmasave të sotme, Qeveria e Vlorës nuk ia arriti dot qëllimit që i kishte vënë vetes, për shkak të mundësive të kufizuara materiale dhe kohës, pasi veprimtaria e saj u ndërpre. Megjithatë ajo hodhi bazat e para dhe shënoi fillimet e organizimit të Ushtrisë dhe të Forcave të Armatosura në vendin tonë. Ajo krijoi rreth 12000 forca, nga të cilat 4000-5000 ishin xhandarë. Në këto struktura u bashkuan dhe shërbyen rreth 70 oficerë dhe 150 nënoficerë të karrierës, që ishin shkolluar në Turqi. Kështu, vizioni dhe mendimi ushtarak i Qeverisë së Vlorës dhe i ushtarakëve që kishte përreth, me gjithë kufizimet e kohës, duhet të vlerësohen si një shërbim ndaj vendit dhe popullit shqiptar në tërësi dhe ndaj Forcave të Armatosura dhe artit ushtarak shqiptar në veçanti.