Shkruan:Gani Qarri/
Sado që mërgimtarët,nuk kanë të drejt vote,nuk gëzojnë trajtim të barabartë as konsideratë të mirëfilltë nga pushteti aktual,ata asnjëherë nuk mundën ta hiqnin nga zemra atdheun e vet. Ndaj,si çdo herë edhe tani,vazhdojnë të punojnë e kontribuojnë dhe bëjnë krejt çka munden për te. Megjithatë,bijtë e syrgjynosur të tij, të cilët që me kohë janë përbetuar për ti dal krah në të gjitha situatat, vendit të të parëve, jo rrallë, ndjehen të zhgënjyer me zhvillimet e pazakonshme të cilat ndodhin, kohë e pa kohë,nga njerëz eminent në atdheun e tyre.Është jo vetëm për të ardhur keq, por edhe për tu brengosur shumë,kur në njërën anë sheh se si pamja e hartës politike të Kosovës po ndryshon dhe mbi te po vizatohen entitete kërcënuese për të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë,kurse në anën tjetër, ata të cilët do duhej ta ngrinin zërin kundër këtyre dukurive negative me pasoja të paparashikueshme për Kosovën,janë hedhur në luftë për acarimin edhe më keq të gjendjes politike dhe nxitjen e konflikteve të reja ndërshqiptare, duke dëshiruar t`ua vjedhin dhe përdhosin bashkëkombësve nga kujtesa, identitetin shumëvjeçar-organizativ, kombëtar e politik, të të gjitha kohëve,vetëm pse ata personalisht nuk dominojnë me emrat tyre edhe në këto histori.
Madje,përkundër verdiktit të zgjedhjeve të fundit, të cilat patën disa efekte pozitive, pushtetarët e konsumuar dhe udhëheqës të hedhur,pothuajse gati tërësisht- jashtë përdorimit, assesi të mbushen mend dhe ti kthehen realitetit. Mjerisht,me gjithë humbjet e bastioneve të sunduara për shumë vite në mënyrat që vetëm ata i dinë, ambiciet e tyre për të sunduar me çdo kusht këtë vend, nuk u zbutën as zbehën për asnjë çast.
Risi më vete që vlen për tu përmendur-është vendosja për herë të parë, e një femre si kryetare dhe riatdhesimi triumfalist i dy mërgimtarëve të suksesshëm,si udhëheqës të dy komunave me rëndësi në Kosovë, si dhe fitorja e ish udhëheqësit të “frymës së re” në kryeqytetin e vendit.
Megjithatë, përveç ndryshimeve të vogla kozmetike dhe të kufizuara pozitive, përkundër mijëra vërejtjeve nga shumica e popullsisë shqiptare, përjashto këtu partitë politike të cilat pothuajse që të gjitha si në kor,dhanë pëlqimin e tyre dhe pranuan pjelljen e sërpskës”, fatkeqësisht në Kosovë u “natyralizua edhe e keqja më e madhe e këtij shekulli- siç është ” republika sërpska”.
Ndaj,tani e tutje, pas konstituimit të saj,vetëm një Zot mund ta di se çfarë problemesh do ti sjell- ajo sajesë e rrezikshme- këtij vendi edhe ashtu të vogël e të pa konsoliduar si duhet, provokimet e së cilës ,vetëm sa kanë filluar në komunën “veriore” të Mitrovicës.
Por,për fat të keq edhe në këto në momentet më të këqija dhe çaste dramatike për Kosovën, të hutuar nga tymi e mjegulla që pa shkas e arsye, shpërndan Adem Demaqi, askush tjetër përpos përfaqësueses së Nënës sonë Amerikë nuk mori mundimin, ti kujtonte as ftonte shqiptarët për kujdes të shtuar! në mënyrë që krijesa kanceroze për vendin, e ashtuquajtura “sërpska” të mos “rrëshqas” nga asociacioni në Republikë!!!
Ndaj,ne deshëm s`deshëm, si populli i këtij vendi,që si çdo herë brengosemi vetëm për fatet e atdheut dhe nuk preferojmë pagesa as oferta,për tu kthyer në shërbyes të politikave ditore,duke përcjell me dhembje lazdrimet e pakuptimta të atyre që u ka kaluar koha e lojërave fëmijënore, kësaj radhe detyrohemi ti bashkohemi Urimit të famshëm të Doktor Ibrahim Rugovës, ritual që ai e përsëriste me shumë të drejtë: Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqtë tanë ndërkombëtar! sepse nga e gjithë ajo sa u pa deri më tani nga 14-15, vitet e kaluara, Kosova dhe shqiptarët,me pushtetarë të tillë, i kanë la duart që moti.
Kjo vërtetohet edhe një herë më tepër,kur sheh se si sot rrugët në fshatra dhe qytete si dhe vendbanime të tëra gjithandej Kosovës, janë mbushur me emra e statuja car-lazarësh, krajl pjetrash e karagjorgjeviqësh sllav, deri te nominimet me emra të kriminelëve serb, shkruar me qirilicë dhe ngjyra e flamuj të Serbisë kudo,e jo vetëm në Veri, siç dëshiron dikush qëllimisht ta përkufizoj.
Duke nisur nga Albaniku e Zubin Potoku dhe vazhduar në Graqanicë e Shtërpcë e deri në Gorë të Dragashit, pra gjer e gjatë Kosovës, që nga kufiri me Serbinë në veri deri te kufiri aktual, me FYROM-in dhe Shqipërinë, gjithkund shtohen përditë e më shumë emërtime të tilla,por megjithatë dikush nuk dëshiron ti shohë këto fenomene shkatërruese,ndaj në vend të tyre, gjuan me gur e dru të vdekurit shqiptar në varre, ani-pse të shkuar para shumë kohësh në amshim!
Lind pyetja,çfarë marifeti është ky,nga kush është porositur një qëndrim i tillë dhe kujt i bëjnë nderë këto halucinacione të orkestruara pa shkas as arsye, në këto momente kur neve na dalin qindra probleme tjera më të mëdha të cilat kërkojnë kundërvënie, bashkim veprimesh dhe vendosmëri…Pse dhe për çfarë arsyesh, mu tani shpërtheu me kaq eufori një “takat-vogël”,me kritika më të mëdha se vetvetja, kundër një personaliteti të paarritshëm për shumëkënd edhe pse të vdekur para mese 7-8, vitesh?!
Është i nxitur ai që të veproj kështu,ka detyrime ndaj bosëve të tij-para fiaskos që pësuan në zgjedhje, dhe duhet të defiloj me kësi far gjestesh, në mënyrë që ta ushqejnë dhe mbajnë edhe më tej me benificione apo ndjehet i kënaqur me krijimin e “republika sërpskës” në trupin edhe ashtu të cunguar të Kosovës, tokat e së cilës në një të shkuar jo fort të largët, nuk i shihte si shtet më vete,por si pjesë të “Ballkanisë”…
A ka mundësi që si atëherë edhe sot,heroi ynë me vlera, të mos favorizojë Republikën dhe shtetin e Kosovës?!..por në vend të saj, të preferoj edhe tani, të ashtuquajturën “Ballkani” të famshme, si pjellë ideore vetëm e tij personalisht ?!…Apo si ti kuptojmë këto shkelmëqitje në erë dhe zbrazëtirë, kur koha kërkon kundërveprim ndaj rreziqeve reale të “sërpskës” siç tërheq vërejtjen edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson….por jo edhe Demaqi and Co….
Mos, ndoshta mendon zotëriu,se pas kalimit të disa moteve nga mbajtja e zgjedhjeve të viteve të 90-ta, në Serbi kur, kundër-kandidat i Millosheviqit ishte Drashkoviqi, me ç`rast disa shtete evropiane, kërkonin daljen në votime edhe të shqiptarëve të Republikës Rugoviane të Kosovës, bashkëkombësit tanimë kanë harruar tendencat e tij, për nxjerrjen e shqiptarëve në votime në kuadër të Republikës së Serbisë.
Me gjithë intervenimet nga jashtë, atëbotë vetëm “antiheroi” Rugova i refuzonte me vendosmëri ato,i cili deklaronte se Republika e Kosovës nuk ka të bëj me zgjedhjet e vendeve fqinje dhe se ato janë vetëm çështje e brendshme e shtetit Serb?!…
Çfarë arsye mund të ketë ky njeri, që të hedhet kaq furishëm përpjetë, në këto momente të rrezikshme,dhe mu në kohën kur po konstituohet jetësimi praktik i “republika sërpskës” në vendin tonë,derisa dihet nga të gjithë se “sërpskën” nuk na e solli “tradhtari” Rugova, por nxënësit dhe përkrahësit e heroit Demaqi, të cilët sot i ka Bos të gjallimit politik dhe mbijetesës financiare, të paktën.
Sa herë e sprovoi veten në votimet e mbajtura në Kosovë ai,për të matur vlerësimin që mund ti bënte populli në emër të të cilit flet. Ç`përkrahje ka personalitetit i tij udhëheqës, politik e organizativ,derisa nuk i fton njerëzit në sheshe dhe rrugë për të kundërshtuar pjellën e dreqit si “srpska” në vendin tonë, por ngrihet në maje të gishtërinjve para dhjetëra pjesëmarrësve në tubime komemorative për të sha të vdekurit shqiptar, edhe pse tubimet si këto, nuk do duhej të ktheheshin në politikë.
Ku e merr ai gjithë këtë guxim të flasë në emër të miliona shqiptarëve dhe përdhosë ndjenjat e shumicës së tyre, pa e provuar veten me asnjë plebishit popullor, sesa përkrahje gëzon ai me idetë e tij.
Shqiptarët tanimë e dinë se jo vetëm ai, por edhe partitë politike të vendit të cilat flasin me aq pompozitet për bëmat e tyre të “mëdha”, shpërndajnë premtime marramendëse dhe të paarritshme,përdorin retorik të paargumentuar nacionaliste, thirren në emër të luftës,interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës,por që të gjitha pa dallim,pozitë dhe opozitë ,asnjëherë nuk ditën as mundën të mbrojnë sa dhe si duhet, interesat e këtij vendi.
Poashtu,ky popull i shumëvuajtur e di mirë se “republika sërpska” në vendin tonë, nuk është pjellë e Rugovës, por produkt i përbashkët i të gjithë faktorit politik aktual-shqiptar, sajesë e stisur e një grupi ,politikanësh të dështuar,vendimet e të cilëve, herët a vonë, pa tjetër duhet të shfuqizohen në kuvend.
Pjesë e këtij grupi famoz, nuk mund të mos jetë edhe z.Demaqi, derisa hidhet me kaq ashpërsi, në kamuflimin e këtyre fatkeqësie që e kanë gjetur Kosovën dhe popullin e saj.
A nuk e ditka z.Demaqi se nga këto zgjedhje e tutje,sërpska e zyrtarizuar e Daçiqit,të gjithë neve,do të na flas pareshtur kërcënueshëm me gjuhën kriminele të pushtuesit për ndarje të Kosovës,siç kishte përpjekje edhe në kohën e Millosheviqit, të riaktualizuara tanimë nga Vulini e Daçiqi.
Shembulli më eklatant dhe fatkeqësi më vete e kohëve të fundit mbetet komuna e Artanës-Novobërdës, e cila nga rreth 7000 banor sa ajo ka, mëse 55 % të popullsisë janë shqiptar, por me përkrahjen e vet partisë apo partive heroike (të luftës siç kanë dëshirë ta quajnë veten ato),për kandidatin serb- i cili edhe ai nuk e njeh as pranon shtetin e Kosovës- zgjedhjet i fitoi ky përfaqësuesi i “sërpskës” dhe humbi kandidati shqiptar.
Ndaj,dëshiroj shumë që heroi i vërtetë, edhe për këtë rast, ta shajë Rugovën, ngase patjetër ai duhet të jetë fajtor, pse lista sërpska fitoi 10 komuna, aq sa ka edhe PDK, me ndihmën e votave të së cilës fitoi kandidati i sërpskës …..pasi që “heronjtë e vërtetë” e kanë liruar veten nga çdo faj dhe përgjegjësi, kush tjetër mund të jetë fajtor, përpos të vdekurve dhe “antiheroit” Rugova….
Zotëri, siç e cekëm më lartë, kjo far lista sërpska e sponsorizuar direkt nga Serbia, me ndihmën që i ofruan asaj partitë “heroike” shqiptare, pas fitores në Partesh, arriti me vetëm 22-23 mijë vota të fitoi hiq më pak se në 10 komuna, dhe këtë jo vetëm në veri por anë e mbanë Kosovës,duke kaluar LDK-n, dhe barazuar me partinë e parë në Vend- PDK-në, ani-pse secila prej këtyre dy partive shqiptare, kanë nga disa qindra mijëra votues në Kosovë.
Ndaj, çfarë të thonë tjetër shqiptarët e mjerë, përpos nëmës ndaj atyre “heronjve”, që Kosovës ia sollën ujkun në torishtë, nëse u lejohet të paktën, kaq dhe jo më shumë…
Si ta kuptojë ky popull heshtjen tuaj, edhe nëpër tubimet komemorative, ku të paktën aty do duhej të përmendeshin si viktimat edhe të kidnapuarit e luftës,nga të cilët 1700 e më tepër sosh, ende nuk janë kthyer, pjesë të të cilëve gjenden kudo, si tani në varrezën masive, ish kënetën e Rashkës,e cila pas mbushjes me trupa të kidnapuarish shqiptarë, është mbuluar me mbeturina e beton të trashë si dhe ndërtuar shtëpi shumëkatëshe mbi trupat e tyre.
Nuk e shihni as dëgjoni ju se, derisa shqiptarët e Kosovës lindore, vuajnë nën robërinë klasike serbe, njëjtë si mandatarët e tjerë ilegal edhe Krstimir Pantiç ish funksionar paralel, tani kryetar i “zgjedhur” i Mitrovicës së veriut me votën e “lirë”, pas “fitores” deklaron hapur se nuk do ta njoh pavarësinë as institucionet shtetërore të Kosovës,se flamuri i saj nuk do të valoj kurrë në veri të vendit dhe se ai me bashkëpunëtorët e tij, do të punojë vetëm për Serbinë.
Madje, zoti Demaqi, nuk e patë ju se çfarë ftesash kishte përgatitur ai për delegatët shqiptar të Mitrovicës së veriut?!.. ku përveç vënies së rezolutës 1244,etj… ato i kishte lulëzuar edhe me Fusnotë, apo lulen e Serbisë,marrë dhuratë për Kosovën, nga përfaqësuesja fuqiplotë e qeverisë zonja Tahiri.
Megjithatë, e shqetësuar nga deklarata të tilla, dhe gjendja e krijuar në vend,vetëm ambasadorja amerikane Tracey Jacobson, doli hapur dhe kërkoi në mënyrë publike nga shqiptarët që të parandalojnë shndërrimin e të ashtuquajturit asociacion të komunave serbe, në “republika sërpska” derisa Adem Demaqi, edhe në këto situata gjen kohë për aktrime, me qëllim që ti mbuloj të gjitha këto fatkeqësi dhe rreziqe të shkaktuara nga përkrahësit e tij,duke e bërë bërllok pa shkas as arsye, dhe shpërndarë tym e mjegull në të gjitha anët, me klithma e piskamë denigruese kundër një të vdekuri që tash e sa vite nuk ekziston më në mesin e të gjallëve, për të cilin përpos hipotezave partiake e ideore,ende nuk ka fakte të vërtetuara se edhe sa ishte gjallë, ai u përlye me krim e korrupsion apo rrezikoj shqiptarët.
Ofendimet si këto,pa asnjë pardon, kundër një Presidenti tani e mbi 7 vite të ndjerë,vërtetë kanë çoroditur gjithë opinionin, madje për aq më keq, sa herë që dikush guxon ti dal krah ish Presidentit,me dhjetëra “Kim il suna” turren me drapër e çekan në dorë, për të hequr koka shqiptarësh duke mbytur çdo frymë demokratike dhe shprehje të mendimit të lirë, sikur shqiptarët të jetonim në Koren e veriut dhe askush përveç përkrahësve të z.Demaqi, të mos e kishte njohur dhe ditur se kush ishte Ibrahim Rugova.
Në të gjitha vendet e botës, politikanët serioz,për tu dashur dhe pranuar nga populli që kanë dëshirë ta përfaqësojnë,së pari duhet dëshmuar si familjar të mirë,duke u bërë shembull para kombit që i takojnë edhe me vlera prindërore, dhe dalë publikisht me gruan e fëmijët, qoftë edhe një herë të vetme dhe në një shëtitje të thjeshtë, gjatë kohës së lirë.
Ndaj, shumë më e ndershme do të ishte si për Adem Demaqin edhe përkrahësit e tij, që para se tu mbaj “ders” moral e patriotik të tjerëve, ti sqarojë raportet e lartcekura, për të cilat është i interesuar i gjithë opinioni të dijë, dhe nëse ky opinion i vlerëson ato të pranueshme, sigurisht shumica prej tyre, do ti bashkoheshin atij në mallkimet dhe rrebeshet që ai shkarkon kundër Rugovës,për ta sha atë ndoshta me babë e nënë, më tepër se vet heroi i padiskutueshëm, z.Demaqi…
Por,edhe nëse shqiptarët nga keqardhja nuk e thonë publikisht, duhet të kuptohet dhe kihet parasysh,se edhe ata si gjithë popujt tjerë normal,vlerësojnë shumë mënyrën e sjelljes dhe qëndrimin e politikajve ndaj familjes, si gjëja më e vlershme për njeriun.
Në të kundërtën, cilido kuadër publik, mbetet ende i parritur, për tu marrë seriozisht me punët e popullit. Ndaj pa marrë parasysh se çfarë mendimi rezervojnë njerëzit e tillë për vete, nga populli ata mund të konsiderohen vetëm si vogëlushë simpatik, të denjë për ceremonitë argëtuese,që organizohen me rastin e festave të fund-vitit.
Por,këto sa u cekën dhe të tjera të këtij lloji, nuk janë xhevahiret e vetme të funksionarëve të pa faj e të pandëshkueshëm të “kombit”. Siç është e njohur për opinionin, “idealistët e mëdhenj” të vendit, mërgimtarët që dikur përndiqeshim dhe dëboheshim edhe nga pushtuesit tanë, tani në liri konsiderohen si makina parash dhe janë kthyer në objekte përfitimi për pushtetarët aktual. Diskriminimi i tyre fillon që në kufi, ku nisë ngarkimi me detyrime e pagesa, të pashembullta për vendet tjera ballkanike dhe evropiane.
Megjithatë, kushedi-ndoshta edhe ky është patriotizëm i llojit, dhe shumica e mërgimtarëve e “meritojnë” dënimin, si-ish, përkrahës të Rugovës.
Apo ndoshta Idealistët e mëdhenj janë të tillë! Ata mbajnë luftën gjallë kundër atyre që munden dhe jo kundër atyre që duhet. E nëse është kështu,derisa dihet se heronjtë tanë tanimë kanë natyralizuar “sërpskën” dhe refugjatët serb nga Kroacia e Bosnja, por megjithatë mërgimtarët shqiptar i konsiderojnë ende të huaj, “Të mirë për të paguar, e të këqij për të votuar” do të ishte shumë më reale, që sa më parë në të gjitha pikëkalimet kufitare, në vend të shprehjes mirësevini, me shkronja sa më të mëdha dhe Parulla të dukshme e Vezulluese -të shkruhet:
Të dashur mërgimtarë-“MIRËSEBINI”- Para, në vendin tuaj!
Ju lutemi paguani-para se të hyni në Atdhe !!!
Gani Qarri Cyrih, 16 Dhjetor 2013