Shkruar nga Viron Kona/*
“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut.”-
Thënie e urtë/
Kam në duar vëllimin më të ri poetik të Sokol Demakut “Magjia e zemrës”. E shfletoj me qejf e dëshirë, pasi dua të njihem me mendimet dhe idetë e tij të reja, me vërshimin e ndjenjave poetike që burojnë natyrshëm dhe plot jetë në librat e Sokolit, por edhe sepse poezia e tij, e shkruar thjeshtë, është gjithnjë origjinale, tërheqëse dhe ngacmuese, gjer të vë në mendime të thella. Si edhe në vëllimet e tjera poetike ”Baladë e përflakur”, ”Mbrëmja në mërgim”, ”Lundra ime” etj., edhe kësaj here Sokoli ka shkruar një libër të bukur që të ngjallë emocione dhe kënaqësi estetike me bukurinë e vargut, me figuracionin artistik që përdor, me stilin e zhdërvjellët…Është një libër me mesazhe mbresëlënëse, të shprehura çiltër dhe me gjuhë shpirti e zemre.
Libri nis me poezinë “Magjia e zemrës”, e pikërisht me “një pulëbardhë …që çerdhen e saj kërkon”. Një nisje me bukuri romantike, që shkakton kureshtje dhe duket sikur çel portën e kopshtit të bleruar poetik, teksa “bahçevani” u dhuron lule plotë ngjyra dhe aroma njerëzve që i kalojnë pranë… Vijon më tej poezia ”Një natë e qetë”, ku poeti ia beson pëllumbit mesazhin e tij të zemrës, mallin për vendlindjen që ndodhet larg, si të dojë me këtë poezi të aktualizojë thënien se,“Mund të shkëputësh një njëri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut”:
“Eja pëllumb dua të porosisë,
Dua të rrugëtosh,
Fushë e male të kalosh,
Shumë të fala vendlindjes të m`i çosh,
Dhe në vijim porosia e poetit pasohet nga “urdhri” i tij poetik që është edhe refren i çdo mërgimtari:
“Shko pra fluturim në këtë rrugëtim,
Merr me vete mallin tim…”
Demaku zgjedh pëllumbin si lajmëtar për mesazhin e tij të çmuar, jo vetëm se ka besim te krahët e shkathët dhe të palodhshëm të shpendit paqësor, tek vet-orientimi i shpendit që s`e gabon kurrë rrugën për ku do të shkojë, por, edhe sepse, pëllumbi, si shpendi më i dashur dhe më i afërt i njeriut, me siguri do ta çojë në vendlindje kupën e mallit, pa derdhur as edhe një pikë gjatë udhëtimit të tij disa ditor…Fabula poetike e pëllumbit lajmëtar, kushedi pse na sjellë në kujtesë baladat e lashta me bukuri tronditëse, legjendat e trashëguara ndër shekuj, ku shpendët historikisht janë vënë në shërbim të njeriut. Duke qenë të lirë të fluturonin në qiellin e paanë, ata u “specializuan” në vendosjen e lidhjeve dhe komunikimit mes njerëzve anë e kënd rruzullit tokësor, duke përbërë kështu “mjetet telefonike të kohës”. Me aftësitë fluturuese dhe instinktin orientues, zogjtë, e mes tyre pëllumbat lajmëtarë, zgjuan te njeriu jo vetëm ëndrrën dhe dëshirën për fluturim, por edhe u bën shkak për t`u dhënë udhë ëndrrave për të gjetur rrugët moderne të komunikimit…Një letër e lidhur në njërën këmbë të pëllumbit, ka shpëtuar sa e sa jetë njerëzish, ka paralajmëruar se po vinin hordhitë pushtuese, po afronin stuhitë dhe shtrëngatat…; një zogë në qiellin e hapësirës detare lajmëronte kapitenin dhe detarët e humbur mes detit se diku pranë tyre ishte toka, shpëtimi…Poezia e Demakut, kush e di pse më sjellë ndërmend edhe këngën e famshme himarjote “Vajza e valave”, e cila rrinte në anë të detit, në një shkëmb dhe priste të dashurin e saj: “Gjithë bota ven’ e vijnë/ Po ay nuk vjen”. Atëherë vajza që nuk gjen asnjë mundësi komunikimi, u drejtohet zogjve: “Ju të bukur zogj,/ Tek ju kam një shpres’,/ Ju që shkoni det’e male,/ Dua t’u pyes…”.
Kurbeti ka mbetur dhe vazhdon të jetë një plagë e hapur për shqiptarët, që shkakton dhembje të thella e deri edhe ngjarje dëshpëruese e tragjike. Madje, edhe kur mërgimtari qëllon që arrin më të mirën e mundshme, përsëri kurbeti mbetet një rrugë e pasigurt, pa të ardhme…Demaku e ndjen thellë këtë, prandaj edhe dhembja e madhe që ai fshehë e shtrëngon brenda gjoksit, është kthyer në një refren thuajse në të gjithë librat e tij poetikë. Njëherazi besoj se ajo dhembje përbënë edhe shkakun që poezitë e tij që shprehin dashurinë dhe mallin e madh për vendlindjen, janë më të spikaturat, më mbresëlënëset te lexuesi.
Sokol Demaku ka sens filozofik të dallueshëm në poezitë e tij, poezia nuk rrjedh thjesht si vargëzim, ritëm dhe ndjenjë, por ajo është poezi e mendimit të thellë, që transmeton ide, mesazhe dhe ndjenja të fuqishme, madje, herë – herë ajo është tërësisht filozofike. Duke hulumtuar e ndriçuar abstrakten, poeti kërkon ta zbërthejë atë dhe t`ia ofroj lexuesit, siç bënë djali i dashuruar kur e qëron një portokall dhe ia afron të dashurës së tij…Mesazhi filozofik është më i dukshëm te poezia “Nata”, ku “Hëna është dëshmitarë i parë”, por mjeshtërisht shfaqet ky mesazh edhe te poezia “Vetmia”, që është një “pozicion” i zgjedhur nga disa njerëz që poeti i këshillon, ashtu siç bënin dikur burrat e mençur në kuvende:
“Mbaj vlerën e madhe të asaj që ke,
Mos humb atë që ke pasur,
Se jeta të gjykon.”
Poeti e di mirë se poezia është e brishtë, delikate, kërkon kujdes si lulja e fushave, e faqeve të kodrave dhe maleve, ajo mund të rezistojë edhe në një shkëmb që rrihet fort nga erërat dhe stuhitë, por, gjithsesi, ajo është e brishtë, prandaj ai e do shumë, e përkëdhelë, e ledhaton, i pëshpëritë fjalëza të ëmbla dhe të ngrohta dashurie, gëzohet për të si për një njëri të dashur:
“Eh, sa ma gëzove vargun,
Rimës i dhe jetë,
E mbushe poezinë,
I dhe shpirt e jetë”.
Pajtohem plotësisht me autoren e parathënies së librit, Kadrije Meniqi, e cila duke qenë edhe vetë poete, vlerëson se “Poezia e këtij vëllimi poetik është përplot me engjëj të vërtetë, një elegji e shpirtit, me ndjenja të zjarrta që shpërthejnë nga brenda shpirtit e që shprehen fuqishëm në vargun poetik.”
Përbën një poezi interesante në këtë vëllim poezia “Trumcaku i vogël”, ku poeti ndalet te zogu që ka nevojë për më shumë mbështetje, për më shumë ndihmë e ngrohtësi, jeta e “trumcakut të vogël” duhet mbrojtur, pasi ai vetë e ka të vështirë mbijetesën…Besoj se dëshira për ta mbrojtur është edhe arsyeja që poeti e kërkon trumcakun si bashkëshoqërues, duke shpresuar te ky zog i vockël, duke besuar te butësia dhe brishtësia e tij, te pastërtia dhe ëmbëlsia e syve, te cicërimat e zërit të tij të kthjellët e të pafajshëm. Poeti shpreh dhe zbulon kështu një anë të rëndësishme të botës së tij të brendshme, dëshirën për t`u ardhur në ndihmë njerëzve, për t`ju gjendur atyre në halle e vështirësi, shpesh herë edhe duke sakrifikuar nga vetja. Vetëm njerëz me përvojë, që kanë kaluar vështirësi të skajshme për të mbijetuar, të atilla siç ka përjetuar Demaku në rrugëtimin e tij të jetës, mund të ndjejnë kaq shumë e të shkruajnë me kaq klas e delikatesë:
“Eja trumcak, derën e ke të hapur,
Do fluturosh atje ku ka shpresë,
Më merr dhe mua, ka kohë të pres,
Të këndojmë së bashku,
Shpresës t`i japim jetë…
“Vrapojnë” poezitë e vëllimit “Magjia e zemrës”, me ritmin dhe melodinë e krelave të dallgëzave të lehta kur fillon shiroku dhe kur dallgët përplasen butësisht dhe me muzikalitet të rrallë në rërën e lëmuar të bregut:
“Të kërkova në vargun tim,
Të kërkova në shkronjat e arta,
Të kërkova në poezi e prozë,
Në shkrimet e mia të gjata…”
Emigrantët nga Kosova, mbase më shumë se sa emigrantët e çdo vend tjetër, panë me sy dhe përjetuan dhimbshëm ligësinë, kur ajo u shfaq e plotë , e zezë e shëmtuar dhe e urryer në vatrat e tyre, duke zënë vend padrejtësisht në përfytyrimet e tyre, ashtu si ëndrrat e këqija me përbindësha të zinj…Duke lexuar poezitë e vëllezërve nga Kosova, sheh se herë – herë , ajo tronditje e gjerë dhe e thellë mbarë evropiane dhe botërore, ashtu si edhe në shkrime, tregime, artikuj, romane, shfaqet po me aq forcë tronditëse edhe nga poeti ynë. Poezia “Paqe” e Sokol Demakut vjen si thirrja për paqe, nga vendi i njerëzve heroikë e paqësorë, nga vendi që shigjetoi me kurajë tejpërtej kuçedrën me shumë koka, dhe, sot, kërkon që të mos ringjallen më kuçedra të tjera në jetën e të gjithë njerëzve të globit.
Etja e njeriut për jetën, për lirinë dhe begatinë, ndjeshmëria ndaj brishtësisë, të bukurës dhe të dobishmes në jetë, rrjedhin në mënyrë befasuese te “Pika shiu”, dhe”Kur shelgu i gjelbër qan” e ku, poeti duke përdorur nota të ëmbla muzikore, sikur ledhaton qetësisht e butësisht vargjet, ashtu si harku i mjeshtrit fërkohet në telat e violinës zëëmbël:
“Kur shelgu i gjelbër qan,
Loti kristal rrjedhë,
Rrugëtimin e tij nuk e ndal.
………………..
Rrjedhë ai kristal,
Me bardhësinë e tij,
Rrëfen vuajtjen, që mban në gji”
Shpirtin e qëndresës, poeti e shpreh te poezia “Ura e vjetër”, e cila ka mbetur dëshmitare e historisë së një populli nëpër shekuj:
Qëndrove krenare,
Madhështore gjithmonë,
E fortë si shkëmbi,
E truallit arbëror.”
Kurse te poezia “Atje”, poeti këshillon:
“Mos harro vendin,
Mos largo mendjen,
Qëndro krenar,
Nga e ke prejardhjen.”
Gjen perla të mrekullueshme poetike në poezitë “O valë deti!” dhe ”Lamtumirë”: “O valë deti/Që valëvitni varkën time” Apo: “Në errësirë,/Një yll shkëlqen,/Në rrugë një grua kalon.”Teksa, ndjenjat dashurore shfaqen te poezitë “E ndjej një çast”,”Dua të jem”,”Të lutem”,”Era magjike”,ndërkohë që poeti kërkon ndihmën e valës së detit, për të pastruar të keqen:
“O valë deti,
Që shkumoni në të bardhë,
Ma thoni,ma thoni,
Ky llum kur do të jetë tharë?”
Poezitë e këtij vëllimi vijnë herë si dallgët, e herë si fllade të ngrohta pranverore, herë si stuhi dimri, por në shumicën e tyre ato shfaqen si rruazat e një gjerdani që ledhatojnë gushën e butë dhe me aromë trëndafili të vajzës së dashuruar, ato shfaqen të mbushur plot e përplot me mirësi e ëmbëlsi, si të duan të na sjellin në kujtesë nga mitologjia, “kupat me nektar që Ganimedi 1). ua mbushte perëndive nëpër gostia…”. Kohë pas kohe qiellin dhe hapësirën e poezive e mbulojnë net dhe qiej të vërejtur, shtrëngata vetëtimash dhe bubullimash, që shpërndajnë në hapësirë shpirtin e ndjeshëm dhe të vrullshëm të poetit Sokol Demaku. Edhe herë të tjera e kam vënë re këtë pamje të poezive të Demakut, edhe sot pas leximit të këtij libri, kjo ndjenjë dhe ky përjetim më forcohet edhe më, kur ndjej se si poeti, tashmë i sprovuar dhe me përvojë, orienton lindjen dhe vërshimin e poezisë te burimi më i freskët, më ujë-kaltër e transparent, te burimi i artit të vërtetë, që është zemra…
“Lejonje të shprehet,
Dhe le të flasë,
Zemra,
Se ajo ka art.”
Urime Sokol Demaku dhe faleminderit që me aftësinë tënde krijuese e poetike, na mbajte të përfshirë gjatë gjithë leximit te “Magjia e zemrës”, që në thelb është zemra jote e bukur, që pulson fort dhe me ndjenjë, që e orienton gjithkënd që dëshiron, drejt detit të pafund të mirësisë, madhështisë, aty ku ti vozit prej kohësh me lundrën tënde poetike, e ku shpërndanë me gjuhën e ëmbël të zemrës mesazhe jete, paqeje dhe dashurie…
1).Ganimedi, djali që ua mbushte perëndive kupat me nektar nëpër gosti. Nga dashuria që kishte për njerëzit, kur Zeusi nuk e kishte mendjen dhe vështrimin e kishte gjetiu, Ganimedi u hidhte njerëzve nga nektari që u shërbente perëndive.