Skicë nga Vjollca Tiku Pasku/
Nata derdhi errësirën në qenien e saj. Me bukurinë që zotëronte mund të çarmatoste një yll. Ajo ishte si një zambak, që përhapte arome femërore. Lëkura e bardhë e lëmuar, fytyra ovale e këndshme, qerpikët e gjatë nën sytë e shkruar, gjoksi i bëshëm si dy portokalle, beli i hollë me këmbët e drejta si te një balerine, vibronin joshje. Galeritë e fshehura të qiellit e kishin vendosur në tokë. Por toka ka dritë dhe errësirë. Kur ishte në dritë, gjysma e qenies së saj dridhej brenda errësirës. Hija që e ndiqte pas, dridhej… Varfëria vinte si errësira pa kuptuar. Atëherë ajo fillonte të shiste shtrenjtë trupin dhe me një klientelë të zgjedhur e të fshehtë.. Era iu fëshfërinte në vesh, duke i shtuar dëshirën për të ëndërruar me imazhe të gjalla. Ajo u bë një prostitute klasi… Ishte martuar me të parin që e kërkoi për grua, dhe lindi një vajzë. Për shkak të papunësisë i shoqi emigroi në shtetin fqinjë. Tani i ndodhur pa punë, e kishte prerë ndihmën ekonomike. Vajza ishte në vitin e dytë në universitet. Varfëria ishte një absurditet. Kështu hodhi hapin e parë. Lejoi të parin në pisin e natës ta puthte, ta përkëdhelte, e ta prekte pa fund në trupin e bukur kundrejt një shpërblimi të majmë…Pas tij, të dytin, të tretin e kështu me radhë. U shndërrua si një kukull e kurdisur, mes parasë, qejfit dhe trillit, madje “të merrte pjesë në politikë, dhe të bënte karrierë. Shpesh mendonte se “politika është një kurvë e ndyrë që lëkundet mes gënjeshtrash të thëna me diplomaci”. Në labirintet e natës, ajo luante shumë role: akrobate , zhonglere, psikologe naive, e futur nga halli në këtë rrugë, dhe duke pëshpëritur me zë, vajtonte ofshamat e jetës. Lotët i zbrazte si me si rubinet dhe atëherë zemra e meshkujve prekej dhe dyfishohej shpërblimi. Asaj i pëlqente nata , qetësia, mënyra se si zhvaste para. Errësira ishte ajo që mbulonte mëkatet ndërsa drita i nxirrte në pah. Në horizontin rozë, e shikonte veten si zëdhënëse të partisë e më pas rrugët do të hapeshin vetë. Bukurinë ia vishte dielli, ndërsa natën ia zhvishte hëna. Sa e sa herë kishte kërcyer nën avujt e alkoolit, duke u ulur nën prehrin e frymëmarrjes së keqe, duke u bërë pre e orekseve kafshërore. Më pas i lajkatonte, duke u zhvatur edhe qindarkën e fundit, atyre që ditën kalonin të kollarisur duke mbajtur fjalime të zjarrta , ndërsa natën lakuriq, në lundrimin e nxehtë, deri në majat e qejfit. E gjithë sofra e botës ishte nën këmbët e tyre. Një ditë në trafikun e natës së saj, erdhi vet kryetari i partisë. Ajo këndoi, kërceu, pinë verë të kuqe dhe rënkuan pa fund nga afshi i kënaqësisë. Në kulmin e kënaqësisë ai i tha: -Nëse do të vish me mua në Tiranë do të kesh një shtëpi që as në ëndërr nuk e ke parë, mjafton të jesh pranë meje. Ai priste falënderime të pafund dhe u habit kur ajo e falënderoi ftohtë. Ndaj e pyeti: -Më thuaj çfarë do, të premtoj se do ta jap.. -Dua të jem zëdhënëse e partisë dhe më vonë të më ndihmosh të jem kandidate për deputete, e të fitoj zgjedhjet… -Një porni deputete? -E pse jo , kam para edhe klas… Ai u mendua dhe nuk i foli. Ditët mbështilleshin nëpër net dhe ajo priste. Priste që era të frynte dhe të ngjitej lart e më lart… Një natë u zgjua e tmerruar. Thellë, thellë, ndërgjegjja e brente, e qëllonte me shkopinj vetëtime, por shumë shpejt hapte sytë dhe mendonte luksin që e rrethonte. Pas disa kohësh kryetari erdhi përsëri dhe i tha: -Ëndrrat e tua do të realizohen ngadalë, së pari do shohësh shtëpinë, është një mrekulli, pastaj do hysh në politikë…Por dhe ti duhet të më kënaqësh…Sot kam ftuar edhe një gonxhe tjetër për një treshe… -Okej, do bëj ç’të mundem, i dashur! –tha ajo dhe iu afrua ta lajkatonte dhe miklonte si bushtër. Pas pak në derë u shfaq një bukuri e freskët. Iu duk sikur pa veten e saj para njëzetë vjetëve. S’po u besonte syve, ishte vajza e saj. Iu duk sikur po e përpinte një dallgë balte dhe e treti…
Vjollca Tiku Pasku