• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MES DALLGËS PREJ BALTE

January 22, 2016 by dgreca

Skicë nga Vjollca Tiku Pasku/
Nata derdhi errësirën në qenien e saj. Me bukurinë që zotëronte mund të çarmatoste një yll. Ajo ishte si një zambak, që përhapte arome femërore. Lëkura e bardhë e lëmuar, fytyra ovale e këndshme, qerpikët e gjatë nën sytë e shkruar, gjoksi i bëshëm si dy portokalle, beli i hollë me këmbët e drejta si te një balerine, vibronin joshje. Galeritë e fshehura të qiellit e kishin vendosur në tokë. Por toka ka dritë dhe errësirë. Kur ishte në dritë, gjysma e qenies së saj dridhej brenda errësirës. Hija që e ndiqte pas, dridhej… Varfëria vinte si errësira pa kuptuar. Atëherë ajo fillonte të shiste shtrenjtë trupin dhe me një klientelë të zgjedhur e të fshehtë.. Era iu fëshfërinte në vesh, duke i shtuar dëshirën për të ëndërruar me imazhe të gjalla. Ajo u bë një prostitute klasi… Ishte martuar me të parin që e kërkoi për grua, dhe lindi një vajzë. Për shkak të papunësisë i shoqi emigroi në shtetin fqinjë. Tani i ndodhur pa punë, e kishte prerë ndihmën ekonomike. Vajza ishte në vitin e dytë në universitet. Varfëria ishte një absurditet. Kështu hodhi hapin e parë. Lejoi të parin në pisin e natës ta puthte, ta përkëdhelte, e ta prekte pa fund në trupin e bukur kundrejt një shpërblimi të majmë…Pas tij, të dytin, të tretin e kështu me radhë. U shndërrua si një kukull e kurdisur, mes parasë, qejfit dhe trillit, madje “të merrte pjesë në politikë, dhe të bënte karrierë. Shpesh mendonte se “politika është një kurvë e ndyrë që lëkundet mes gënjeshtrash të thëna me diplomaci”. Në labirintet e natës, ajo luante shumë role: akrobate , zhonglere, psikologe naive, e futur nga halli në këtë rrugë, dhe duke pëshpëritur me zë, vajtonte ofshamat e jetës. Lotët i zbrazte si me si rubinet dhe atëherë zemra e meshkujve prekej dhe dyfishohej shpërblimi. Asaj i pëlqente nata , qetësia, mënyra se si zhvaste para. Errësira ishte ajo që mbulonte mëkatet ndërsa drita i nxirrte në pah. Në horizontin rozë, e shikonte veten si zëdhënëse të partisë e më pas rrugët do të hapeshin vetë. Bukurinë ia vishte dielli, ndërsa natën ia zhvishte hëna. Sa e sa herë kishte kërcyer nën avujt e alkoolit, duke u ulur nën prehrin e frymëmarrjes së keqe, duke u bërë pre e orekseve kafshërore. Më pas i lajkatonte, duke u zhvatur edhe qindarkën e fundit, atyre që ditën kalonin të kollarisur duke mbajtur fjalime të zjarrta , ndërsa natën lakuriq, në lundrimin e nxehtë, deri në majat e qejfit. E gjithë sofra e botës ishte nën këmbët e tyre. Një ditë në trafikun e natës së saj, erdhi vet kryetari i partisë. Ajo këndoi, kërceu, pinë verë të kuqe dhe rënkuan pa fund nga afshi i kënaqësisë. Në kulmin e kënaqësisë ai i tha: -Nëse do të vish me mua në Tiranë do të kesh një shtëpi që as në ëndërr nuk e ke parë, mjafton të jesh pranë meje. Ai priste falënderime të pafund dhe u habit kur ajo e falënderoi ftohtë. Ndaj e pyeti: -Më thuaj çfarë do, të premtoj se do ta jap.. -Dua të jem zëdhënëse e partisë dhe më vonë të më ndihmosh të jem kandidate për deputete, e të fitoj zgjedhjet… -Një porni deputete? -E pse jo , kam para edhe klas… Ai u mendua dhe nuk i foli. Ditët mbështilleshin nëpër net dhe ajo priste. Priste që era të frynte dhe të ngjitej lart e më lart… Një natë u zgjua e tmerruar. Thellë, thellë, ndërgjegjja e brente, e qëllonte me shkopinj vetëtime, por shumë shpejt hapte sytë dhe mendonte luksin që e rrethonte. Pas disa kohësh kryetari erdhi përsëri dhe i tha: -Ëndrrat e tua do të realizohen ngadalë, së pari do shohësh shtëpinë, është një mrekulli, pastaj do hysh në politikë…Por dhe ti duhet të më kënaqësh…Sot kam ftuar edhe një gonxhe tjetër për një treshe… -Okej, do bëj ç’të mundem, i dashur! –tha ajo dhe iu afrua ta lajkatonte dhe miklonte si bushtër. Pas pak në derë u shfaq një bukuri e freskët. Iu duk sikur pa veten e saj para njëzetë vjetëve. S’po u besonte syve, ishte vajza e saj. Iu duk sikur po e përpinte një dallgë balte dhe e treti…

Vjollca Tiku Pasku

Filed Under: ESSE Tagged With: MES DALLGËS PREJ BALTE, Vjollca Tiku Pasku

REMZI MATO PËRHAPËS PASIONANT I ARSIMIT NË ZONAT E SARANDËS

December 12, 2014 by dgreca

Nga nga Vjollca Tiku Pasku*/
Era e viseve të jugut të Shqipërisë, me gjelbërimin emaleve dhe me kaltërsinë e Jonit, thërret një emër, atëtë Remzi Matos. Erdhi koha që ylli imbuluar nga errësirae së kaluarës, të përndizet, duke rikujtuar bëmat e shumtatë tij, për përhapjen e arsimit në disa zona të rrethit tëVlorës dhe kryesisht të Sarandës.REMZI MATO, i biri i Xhaferrit dhe i Adiles, lindi nëvitin 1896 në katundin Fterrë të rrethit të Sarandës, nënjë familje me tradita të vjetra patriotike. I ati i tij, XhaferrMato, njihet në zonën e Kurveleshit si një nga luftëtarëte orëve të para të luftës për Pavarësi, madje për të,këndohen këngë trimërie edhe sot. Nga zemra e tijburonte ujëvara gurgulluese e atdhedashurisë. Ai kaluftuar në disa raste me armë në dorë kundërshovinistëve grekë që përpiqeshin të krijonin Vorio-Epirin,për të zaptuar troje shqiptare në Jug të vendit. Njihet siluftëtar me gjëmime dhe goditje luanësh, kundër armiqvetë vendit. Ka qenë një nga pjesëmarrësit e Luftës sëVlorës. Dhe në Luftën Ballkanike, bashkë me çetën e tij,vrau 6 kapedanë grekë që kishin depërtuar në Vurg, tëmobilizonin një batalion minoritarësh, për krijimin eshtetit të Vorio-Epirit. Kështu patriotizmi i tij, shpërndaukudo frymën e lirisë, ndërsa arma e mbajtur kurdoherënë sup, pastronte shtigjet e Atdheu nga armiqtëshovinistë.Remziu, i edukuar qysh i vogël, në një mjedis të tillë,megjithëse mësonte në shkollën turke të asaj kohe,studionte fshehtas librat shqip, që përhapte në Shqipëri“Shoqëria e Stambollit dhe e Manastirit”. Brenda shpirtiti vlonte etja për të mësuar lëndën atdhetare, për tënjohur shkëmbinjtë e përvëluar të diellit, dhe rrahjen edallgëve në brigjet e detit. Në dijet e tij, veprimtaria erilindësve, i brumosi, dashurinë për atdheun dhe gjuhënshqipe, duke e formuar dhe përgatitur me pasionin, përt’ia kushtuar gjithë jetën arsimit dhe përparimit tëatdheut.Pas shpalljes së Pavarësisë dhe fill pas mbarimit tëLuftës së Parë Botërore, ai mori njohuri të plotapedagogjike në Normalen e Elbasanit dhe filloi aktivitetinsi mësues. Me mprehtësinë e mendjes dhe shkathtësinëe dorës, mësoi të gjithë mjeshtëritë dhe zanatet që inevojiteshin, për të shtegtuar fshatrave, ashtu sishqiponja që rreh flatrat për të mësuar tëvegjlit dhe për t’i orientuar në jetë. Punoi mësues nëKallarat dhe Lekdush të Vlorës, më pas në Sopik, Mursi,Pandalejmon dhe për shumë vite, në fshatin e madhMarkat të Sarandës. Pas çlirimit punoi si drejtor shkollenë Gizdarat, pranë Delvinës dhe së fundi, mësues nëSarandë.Remziu u bë një mësues që plazmonte njohuri në disaprofesione të ndryshme. Gjatë gjithë veprimtarisëarsimore dhe edukative, shkëlqeu pasioni dhe talenti itij, për t’u mësuar nxënësve, veç lëndëve mësimore edhevizatim, qëndisje, punë me shtiza, gatime, mandolinë dheshumë punë të tjera praktike, që e bënë atë të afërt metë gjitha familjet fshatare dhe mjaft të dëgjuar në të gjithazonat e Jugut. Pikëzat e dritës që linin gjurmët e tij kudoku shkonte, përhapeshin si diej të vegjël në copëzat eqiellit ku frymonte. Ai respektonte traditat e të parëvetanë dhe i kultivonte ato si buqeta trëndafilash, që aromatshqiptare të ruheshin ndër breza. Mendja e tijintelektuale, ishte si zgjua bletësh, ku rridhte mjalti ifjalës së ëmbël me dije të aplikuara direkt në jetënpraktike. Ai siguroi fillimisht një aparat të madhfotografik, me të cilin u bë i njohur edhe si fotografi i parënë këtë rreth, duke lënë në letër bromuri kujtime tëpaharruara nga jeta e njerëzve të thjeshtë. Fiksonte çastete imazheve bardhë e zi të luleve njerëzore në të gjithamoshat. Me talent e fantazi të lindur natyrshëm, zgjidhiproblemin e mungesës së energjisë elektrike për atëkohë, duke i stampuar filmat në letrën fotografike, tehënëza diellore që binte në mesditë, nga oxhaku nëmesin e vatrës, te dhoma e errësuar me perde. Por jetae vështirë dhe sidomos e mundimshme për familjen etij, që e detyronte të shtegtonte bashkë me të, në çdofshat ku emërohej si mësues, e detyroi të vendosejpërkohësisht në fshatin Karahaxh të Sarandës, ku i ati itij, Xhaferr Mato, kishte trashëguar 57 dynim tokë, bashkëme dy djemtë e vëllait, Fuat e Turhan Mato (dëshmorënë Luftën.Nçl.) Gjatë Luftës Remzi Matua nxori trepartizanë nga shtëpia e tij, përveç Fuatit dhe Turhanit qëndodheshin në Karahaxh edhe vajzën e madhe të tijNaxhien. Në ato kushte lufte, punoi vullnetarisht simësues pa shpërblim në fshatrat e Vergoit. Dhe pasçlirimit u emërua dhe punoi disa vjet si mësues me katërklasa paralele në Preventoriumin e qytetit të Sarandës.Mësimdhënia e tij, u karakterizua nga një përvojë egjatë, nga pasioni dhe ngulmi, që me metodat e vetaorigjinale, t’i tërhiqte nxënësit për të përvetësuarmësimet, duke hyrë në botën e tyre shpirtërore medashuri e respekt. Kësisoj la mbresa të thella tek të gjithëata që e kanë njohur, që e kujtojnë me admirim dheshprehen për të, më gjerë në këtë libër jetëshkrimi, mekujtimet dhe vjershat e tyre.Por fatkeqësisht, tehu komunist ra edhe mbi mësuesinpasionant Remzi Mato në vitin 1951. E vërteta, ishteprijësja e jetës së tij dhe predikimi që ua kishte mësuarbrezave të tërë, kurse krenaria, që asnjë çast nuk e humbiqenien njeri, ishte flamuri i tij edhe në dhomat e errëtatë burgut, për pafajësinë e njollosur nga shpifjet espiuneve grekë të hipur në pushtetin komunist, të cilët uzbuluan vonë. Çdo ditë dhe natë, ishte për të, një vuajtjee tmerrshme, larg familjes dhe nxënësve të tij. Por teshpresa, se një ditë do të rikthej në gjirin e tyre, gjenteprehje kur mbyllte sytë dhe kujtonte gruan e tij të dashurdhe besnike me shtatë fëmijët përreth. Ai gjeti forca jovetëm të mbijetonte, por edhe të krijonte dashurinë dherespektin e shokëve. Potenciali i aftësive të tij, spikatiedhe ditën e lirimit nga burgu të një shoku të zhveshur,të cilit i qepi me dorë, kostumin nga një batanije.Diktatura i shkëputi dhjetë vjet nga jeta, por nuk everboi, nuk e shurdhoi dhe nuk e veniti shpirtin e tijintelektual, madje i shtoi pasionin dhe dëshirën për tëjetuar. Pas lirimit nga burgu, punoi si fermer mes ajrit tëpastër të pemëve dhe mjaltit të bletëve.Emri Remzi Mato përfaqëson atë shtresë të gjerëintelektualësh, të nëpërkëmbur nga sistemi, që përhapënarsimin dhe dijet në popull, duke u ndeshur direkt mediktaturën e egër, që përjetuan vuajtjet e thella, varfërinëdhe dhimbjet që shkaktoi ajo. Tani ka ardhur koha qëdritëzat shkëndijave që ndezi pishtari i jetës së tij, tëflakërojnë e ta përjetësojnë mësuesin e paharruar nëmemorialin e atdhedashurisë shqiptare.
* Paratheniia mbi jetëshkrimimin e librit ““REMZI MATO PËRHAPËS PASIONANT I ARSIMIT NË ZONAT E SARANDËS”, shkruar nga shkrimtari Vullnet Mato.

Filed Under: Kulture Tagged With: PASIONANT I ARSIMIT NË, PËRHAPËS, REMZI MATO, Vjollca Tiku Pasku, Vullnet Mato, ZONAT E SARANDËS

NJË COPËZ JETE

September 12, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/
Rrezet e kuqe të diellit binin shtruar në asfaltin e rrugës duke e nxehur tej masës. Nga temperaturat e larta, asfalti ishte bërë i butë dhe në cepat e pashkelura formonte flluska. Gjatë drekës ato fryheshin dhe më pas plasnin duke çliruar atë afsh të nxehtë me erën karakteristike që është mbytëse për frymëmarrjen…Në mesditë, kjo vapë bëhej e padurueshme, sepse të gjitha poret e trupit përthithnin të nxehtin dhe ajri i tharë pa lagështi vështirësonte frymëmarrjen. Vendosëm me bashkëshortin që këto ditë të nxehta t’i kalonim në qytetin tim bregdetar të lindjes. Sapo arritëm aty, unë si përherë shkova për të psonisur tek magazina e madhe e shoqes time të fëmijërisë. U përqafuam me mall, pasi kishim kohë pa u parë. Fytyra e saj ovale e bardhë me flokët e zezë krijonin atë kontrast që quhet bukuri. Sytë që dikur ishin te vëmendshëm edhe në lëvizjen më të lehtë, tani ishin bërë disi të hutuar. Përshëndeta bashkëshortin e saj, një njeri trupgjatë me flokë të dendur gështenjë. Në tëmthat kishte fije te bardha thinje, sikur koha i kujtonte që vitet e tij po kalonin. Gjithmonë zotëronte një energji të paparë dhe përherë krijonte një situatë gazmore. Evelina kishte përqendruar shikimin në një pikë, njësoj si të shikonte një shishe ne det, nga ato që ruanin një mesazh të mbyllur dhe valët e merrnin duke e shtyrë gjithnjë e më larg. ”Ç’mendonte vallë..” Papritur u zgjua nga përgjumja dhe u bashkua me batutat e tij, më pas i tha diçka të shoqit, më kapi prej krahu dhe më tha:
-Hajde të pimë një kafe së bashku. Pranova me kënaqësi. U ulëm në lokalin më të afërt, dhe unë ia nisa:
-Lina të kujtohet kur ishim të vogla, sa herë kishe diçka që të mundonte, ti vrapoje tek unë dhe të dyja e diskutonim së bashku. Tani të shoh të menduar, ti sikur ke një hall. Më duket sikur më ke thirrur me botën e shpirtit për të më thëne diçka… Lina e befasuar, shkundi gjithë turbullimin e grumbulluar me një psherëtimë të zgjatur dhe tha:
-Eshtë e vërtete ne kemi qenë si motra, por edhe tani megjithëse nuk jemi parë shpesh, unë të konsideroj si të tille…
-Njësoj të çmoj edhe unë , për më tepër që më bën pjesë në botën tënde,- i thashë unë duke pritur të vazhdonte shpjegimin e pyetjes sime.
-Ti me kuptove menjëherë,- tha ajo- që diçka nuk shkon. Atëherë po të hap ty zemrën, nuk i kam thënë askujt… Në magazinë rrimë po thuaj nga mëngjesi në darkë. Unë shkëputem me intervale për punët e shtëpisë. Për të lehtësuar punën përdorim kompjuterin. Ti e di që kam mbaruar ekonomikun dhe gjithë hyrjet-daljet e mallit i bëjmë me të. Një ditë hapa faqe në fb dhe në kohën e lirë flisja me shoqet. Një shoqe me prezantoi një kushëririn e saj në fb. E pranova pa dëshirë. Me shumë mirësjellje më tha ”se kishte një biznes të vogël dhe nëse mund të merrte mallra nga magazine jonë”.“ Natyrisht “ iu përgjigja. Kur erdhi më vështronte ngultas , vjedhurazi nga burri im, njësoj sikur të hidhte një rrjete të padukshme për të më zënë rob. Kohë pas kohe u mësova ta marr atë shikim, si një shigjetë të ëmbël që më trazonte diçka brenda meje. Më dukej vetja si preja e një magjistari ndjenjash. Zemra më godiste me forcë, njësoj sikur do më kërcente nga kraharori,dhe mjaftonte ta tërhiqte pakëz, unë do të pranoja çdo vuajtje, apo torturë, mjafton të isha bashkë me të . Që nga ai çast fishekzjarrët shpërthenin në qiell, ndërsa ndjenjat shpërthenin brenda meje dhe purpurima e kuqe më degëzohej faqeve, se ndjeja të më digjnin. Buzët e tij mishtore më ngjallnin dëshirë dhe zëri i tij ishte si një instrument që luante vetëm për mua. Në fillim më dukej një njeri i zakonshëm, pastaj portreti i tij m’u ngrit në qiell. Një ditë burri im kishte vajtur të paguante disa fatura. Këtij i ndritën sytë tek më pa vetëm. Doja të fshihja atë ndjenjë të ëmbël që më provonte ai, por orvatja ime ishte e kotë. I thashë punëtorit tim të ngarkonte artikujt që bleu ai në makinën e tij dhe u tërhoqa për të bërë llogarinë. Ai më erdhi pas në zyrë dhe më tha “Edhe sikur t”i bija kryq e tërthor botës , nuk do gjeja lule më të bukur nga ty për ta kundruar. Je si lulja në mes të shkëmbit të greminës. Kam frikë se kurrë nuk do mund të të arrij”. ”Nuk ke frikë se mos bie në humnerën e thellë “ i thashë unë. “Jo, më frikë kam të vështroj e të ndiej kundërmimin tënd “ më tha . Ai hodhi një hap përpara, si për të bërë kapërcimin mbi shkëmb. Instinkti i vetëmbrojtjes më thoshte ”s’prapsu e marrë, ç’po bën”. Por zemra më fliste: “vetëm një puthje e para dhe e fundit”. Lufta logjik –zemër ndesheshin si dy qenie për jetë a vdekje. Ai e pa ngurrimin tim, më vështroi me sy, sikur do të më përpinte, ndërsa unë doja të humbisja në horizontin enigmatik të tij. Ai më puthi me një puthje të gjate dhe mua m’u duk sikur shpërtheu portën e turpit e të ndrojtjes dhe u hap bota e përjetimit të kënaqësinë. Ndjeja gjakun të më vërshonte në vena i nxehtë, dhe mushkëritë e mia që po thithnin ajrin e tij. Po te mos ishin hapat e punëtorit tim, nuk e di ku do kishim arritur. U tërhoqa menjëherë dhe bëra sikur po vazhdoja llogarinë, duke qenë se po mbytesha në një baticë ndjenjash. Në njërën anë ndihesha e lumtur dhe shikoja ëndrra me sy hapur, sikur isha me të, dhe nga ana tjetër me vriste ndërgjegjja. Njëzetekatër vjet martese po i hidhja poshtë. Dy fëmijët e mi djali njëzetedy vjeç dhe vajza njëzetëvjeçe ç’farë do mendonin për mua. Po bashkëshorti im që më kish mbajtur në pëllëmbë të dorës , zonjë mbi zonja, s’i mund t’i vija shkelmin, kur më tepër nuk dija çfarë mendje kishte ky. “Te lutem Lina, mos më bëj moral, mjaft lufte zhvillohet në shpirtin tim. Do të thosha se lufta me armë nuk është asgjë para luftës së shpirtit…. – më tha ai pas rezistencës sime… Sot është hera e parë që ai me la takim në një motel, në orën gjashtë… Nuk po u besoja veshëve te mi, as syve. Ajo ishte vërtetë Evelina, shoqja ime e fëmijërisë ?… Ajo kishte qenë nga shoqet më e arsyeshmja, më e logjikshmja, njeriu më shpirt mirë dhe më drejte që kisha njohur. Tani vinte një çast ku brenda hutimit të saj fshihte gjithë zjarrin e madh që i ishte ndezur papritur. Një shpirt ku kishte lulëzuar si në një tokë të thatë, për kaq vjet, dhe mjaftoi një shkreptimë e gënjeshtërt për t’i zgjuar dëshirën të provonte stuhinë që i përkiste një territori të huaj. Vitet e kaluara për të po zbeheshin si gjethet e vjeshtës, duke harruar se edhe ajo po shkelte në të njëjtën stinë. Tani ishte ndërmjet qiellit dhe tokës duke harruar se qielli është për zogjtë me krahë dhe toka për njerëzit që mbështeten fort në të.
-Ç’farë pret shko, Lina!– i thashë me një ton provokues.
-Kaq thjeshtë, Lola? -tha ajo me një vështrim dyshues…
-Të gjitha tradhtitë , thjesht ndodhin , -i thashë unë qetësisht.
-Nuk po me ndalon?…
-E përse të ndaloj, nëse ti merr përsipër pasojat dhe të vë kandarin t’i peshosh, ku është vuajtja dhe dhimbja më e madhe. Në njërën anë të kandarit vendos së pari fëmijët, bashkëshortin, gjithë punën, ekonominë tënde, në fund opinionin e botës, lakimin e emrit tënd në çdo rasë, dhe në anën tjetër vendos vetëm ndjenjën tënde, të cilën do ta quaj pasion kalimtar, ku do anojë kandari?…. Por edhe të luash fshehurazi, as mos e mendo, sepse njëherë do kapesh. Ti tani je bërë dhe si e hutuar, rri gjithë kohën në botën tënde. Mos kujto se nuk ke rënë në sy. Jam e bindur se burri yt të ka pyetur shumë herë dhe diç bluan për ty. Nëse njëzetekatër vjet i shumëzon me zero atëherë shko… Në fb shumë njohje virtuale janë kthyer në njohje reale kanë ndarë shume familje… Pa prit, kur erdha u ndesha më një person pak të shkurtër, ai është?
-Po po ai….
-O Zot, një xhuxh një metrosh, të paska katandisur në këtë gjendje?!…. Po a krahasohet burri yt si azgan me një gjysmë hije si ai…Ti ke pasur momente bosh, të plogështa, dhe ato ngacmimet e vështrimet e vogla të janë kthyer në emoni. Sa gra kanë rënë në këtë grackë ndjenjash….i konsumojnë….dhe më pas jetojnë ne depresion, sepse i dashuri kërkon të zbrazet përherë dhe kur do ai , pa pyetur për familje, burrë, apo fëmijë. Ai pasi të të shtijë në dorë me fjalë të mësuara sa andej këtej, sepse këta gjuetare dine mire se çfarë i pëlqen shpirtit të ndjeshëm të një gruaje naive, do vijë të marri shumë artikuj për dyqanin e tij dhe ti do t’ia japësh me çmimin që i ke marrë vet, ose kur gjen rastin pa para. Ky është përfitimi. Një të dashur për pak qejfe të vjedhura dhe para për aq sa mund të shfrytëzojë… Ai familjen e tij nuk e prish kurrë, të njëjtën gjë do të thotë edhe ty. Besoj i ka bërë shumë mire llogaritë… Mos më thuaj se nuk kishe menduar asgjë nga këto që të thashë, dhe hallakatesh vetëm ne lumin e ndjenjave. Hap sytë Lina!… Evelina më vështronte e tmerruar dhe më foli me shpërthim gjoksi:
-Jo , jo, Lola ime, kur njeriu verbohet nuk mendon logjikisht, por rend drejt ëndrrave pa frymë. Duhej patjetër një zë, që të më zgjonte!…
–Atëherë jepi frymëmarrjen logjike ëndrrave të tua, Lina!… Lotët e saj filluan të rridhnin çurk. Ndoshta tani e zgjonin tërësisht nga amullia e mendimeve. U ndamë duke marre dy rrugë te ndryshme, unë për në shtëpi dhe ajo për në punë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: NJË COPËZ JETE, Tregim, Vjollca Tiku Pasku

SHTËPIA E ËNDRRAVE

February 26, 2014 by dgreca

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku/

Qielli i mbuluar nga retë ndehej si në një agoni të rëndë. Vranësira e zezë e kishte zaptuar tërësisht dhe dita ishte kredhur në një muzg të zymtë. Megjithëse ishte pranverë, dukej sikur të ishte palca e dimrit. Heshtja e thellë mbizotëronte në të gjithë natyrën.

Dy emigrantët bashkëshortë, së bashku me tre fëmijët po ktheheshin përfundimisht në vendlindje e tyre në Shqipëri të detyruar nga kriza greke. Gruaja mundohej të qetësonte vajzën e vogël katërvjeçare. Ndërsa dy djemtë, njëri shtatë dhe tjetri nëntëvjeçar, flinin kruspull me njëri-tjetrin në sediljen e pasme të makinës. Shqetësimi i trishtuar endej në sytë e bashkëshortëve. Nuk ishte aq për stuhinë, që po i zinte në mes të rrugës, se sa për merakun, se si do të përballonin jetën, të cilën duhej ta nisnin sërish nga e para. Të dy djemtë duhej të fillonin shkollën në gjuhën shqipe edhe një herë nga klasa e parë. Kishin menduar të merrnin një dyqan me qira. Por si do t’u ecte puna vallë?… Kjo pyetje i mundonte të dy njëkohësisht dhe mendimet e tyre ishin si retë që vargëzoheshin lyer me ngjyrën e errësirës..

-Këto re si turbullira e kafes, nga na u qepën pas sot!…- u dëgjua zëri i Fatmirit.

-Koha bën punën e saj, o burrë, – i tha Mina.

-Po ku e gjeti pikërisht në këtë ditën e sotme! – përsëriti ai.

Vajza e vogël nisi të grindej dhe e ëma po mundohej ta qetësonte. Ah, sikur dielli altruist t’i shpërndante këto re dhe tu uronte mirëseardhjen. Po edhe dielli, siç dukej ishte fshehur për shumë kohë nga retë. Mina qetësoi vajzën dhe u mbështet te sedilja. Për një moment mbylli sytë e lodhur dhe e kaploi gjumi…Një melodi si tinguj funebër, dukej sikur i vinte nga thellësia e shpirtit dhe zhurmonte  në të gjithë qenien e saj. E ndjeu veten si e veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve, duke ecur në një rrugë, ku këmbët i zhyteshin herë pas here në baltë. Nga pas e ndiqnin zogj të dobët, me lëkura të holla sa u mbulonin skeletin, dhe e gjithë natyra përreth dukej gri. Pemët gjysmë të rëna, dukeshin sikur dimri do i hante me gjithë eshtrat e mbetura të natyrës. I ftohtit e bënte të dridhej. Papritur në rrënjën e një peme të djegur, pa një plakë me flokë të thinjur, që mbante në dorë një gotë qumësht. Ajo i tha: “Pije bijë, të kesh fuqi për të vazhduar udhën, ke udhë të vështirë për të bërë!” Kur Mina zgjati dorën, gota ra dhe u thye nga një gur me majë të mprehtë dhe qumështi i derdhur u nxi nga balta. U zgjua befas e trembur nga dremitja. Zhurmën e krismës së qelqit e kishte akoma në timpanin e veshi. Lëvizi të shpihej dhe rregulloi pozicionin e vajzës.

Sakaq ia behu stuhia. Shiu zuri të binte me forcë, sikur donte ta hidhte makinën që ecte përpara si ndonjë kleçkë. Një vetëtimë dogji ajrin dhe frika ndaj saj formoi një fotofobi në sytë dhe zemrat e tyre. Vetëtima mizore, me zhurmën e frikshme, dukej sikur donte t’i kthente andej nga erdhën, për të mos vazhduar më tej… apo ndoshta zemra e kësaj stuhie, ndonëse e frikshme, mund të fshihte një mesazh, një dhembshuri nëpërmjet të folurës me britma bubullime? Të pestë ishin të shqetësuar derisa të mbërrinin në shtëpi. Ndoshta fatet janë të shkruara në qiell, dhe po ashtu qielli dërgonte sinjalet në format e veta.

Në mbrëmje ata arritën në qytetin e tyre. Kishin marrë më parë një shtëpi me qira, dhe këtej e tutje, ajo do t’i strehonte brenda jetët e tyre.

Ditët në vazhdim vijuan me marrjen me qira të një dyqani dhe nisën për të sistemuar aty raftet e duke vendosur ushqimet. Mina ishte mësuar në Greqi me një jetë të lodhshme plot sakrifica, duke punuar orë pa orë në pastrimin e shtëpive të ndryshme. Këtu ajo do te merrej me shitjen, kurse Fatmiri do të bënte gjithmonë më furnizimin me artikuj të ndryshëm. Dalëngadalë puna filloi të ecte. Pra, jeta me nismën e tyre private, po merrte drejtimin e saj.

Kaluan dy vjet. Fatmiri dhe Mina blenë truall për të ndërtuar një shtëpi. Shumën për ndërtim menduan ta merrnin kredi në bankë, por më parë duhej leja e ndërtimit, që kredia të ishte e volitshme, me pak rrethana lehtësuese. Pikërisht këtu filluan ecejaket e ditës për fatmirin. Qëndrimi i ftohtë i zyrtares me pretekstin se “janë bllokuar lejet” ishte njësoj sikur t’i binte mbi kokë pesha e gjithë njerëzve të qytetit. E ç’kërkonte ai, në fund të fundit, vetëm të bënte një shtëpi në mënyrë ligjore. Një ditë takoi rastësisht, Enon, shokun e viteve të rinisë. Pasi i tregoi hallin, mori prej tij premtimin se do ta ndihmonte. Ditën tjetër ata shkuan së bashku në bashki. Eno diçka i tha zyrtares së ftohtë dhe u ngjitën në katin e dytë, pikërisht te drejtuesja kryesore. Atë e quanin zonja Deni, një grua e vjetër, e shëndoshë, me sy tinëzarë, të ethshëm për të hedhur grepin e peshkimit. Kuptohej se e gjithë qenia e saj ishte shdërruar në një specie, që priste baticën e ardhjes së peshqve, për t’i sjellë të ardhura për një jetë luksoze në vitet e mbetura të jetës. Në pallton e shtrenjtë që kish veshur, rrotullohej një shall i bërë nga bisht dhelpre. “Ah kjo dhelpër deti!”- mendoi papritur Fatmiri.

-Përshëndetje, Deni! – i tha Eno.

-Si je Eno? – u dëgjua ajo duke rrotulluar sytë mbi Fatmirin.

-Unë mirë, Fatmiri është shoku im,- e prezantoi Eno -Të lutem ndihmoje, pa dyshim që do ta kesh kafen tënde…

-Përshëndetje, zonja Deni, – i tha Fatmiri,- nëse mund të më ndihmoni do t’u jem mirënjohës…

-Do të ndihmoj patjetër, si për Enon… Por s’varet vetëm nga unë. Janë edhe njerëz të padukshëm mbas meje…

-Si bëhet, të më dali leja e ndërtimit? -pyeti Fatmiri me padurim.

-Si fillim nevojiten treqind mijë lekë të reja, pastaj do të them edhe për nevojat në vazhdim… Unë nuk marr asgjë. Dua vetëm, që për ndërtimin e shtëpisë, të marrësh firmën e burrit tim. Pas mbarimit të shtëpisë, do kesh edhe hipotekën në dorë.

Fatmiri përtypi pështymën e mbledhur në fyt dhe tha:

– Mirë, paratë do i keni në mëngjes… –  i doli nga buza me gjysmë zëri dhe ata dolën bashkë me shokun.

– Po nuk e vajose rrotën e fatit me vaj, ajo nuk ecën këtu në Shqipëri…- i tha Eno.

– Faleminderit, Eno, – do shihemi… ia ktheu Fatmiri pa e zgjatur.

Fatmiri vazhdoi rrugën për të bërë furnizimin e dyqanit. Ato treqind mijë lekë të reja ishin të vetmet që u kishin mbetur nga kursimet e viteve të punës në emigracion… Por çdo bëhej vallë më tutje, si do të lëkundej lavjerrësi i fatit?… Ai mendoi se njeriu lodhet dhe plaket më shpejt nga të menduarit, se sa nga ritmet biologjike. Duhej të gjente para të tjera borxh, për të vazhduar më tej. ”Niset njeriu të ndërtojë një shtëpi ligjore, tu lërë një çati fëmijëve të tij, por kjo ose bëhej e pamundur, ose duhej të hidhte vallen, sipas dirigjimit të hijenave nëpër zyra. që ushqeheshin vetëm me para… Këmbët i hiqte zvarrë duke vështruar përtokë dhe ndonëse pranvera sapo kishte hyrë, Fatmirit i dukeshin sikur edhe pemët rrinin të përkulura me kurriz, duke peshuar se “a duhej të çelnin”. Sikur lulet e pemëve të ishin perla dhe krahët e zogjve, copëza drite ylberi, të gjithë do të përpiqeshin t’i rrëmbenin. Sa e varfër do të ishte kjo botë e zhveshur tërësisht. Ato para që i kishin mbledhur me rruazat e djersës së tyre, nga mundi dhe sakrifica e përditshme, tani ishin një dorë ryshfeti për lejen e ndërtimit.

Bisedoi me të shoqen dhe të dy ranë dakord që t’ia jepnin lekët zonjës Deni të nesërmen. Njëkohësisht do të bisedonin me motrën dhe vëllanë e Minës, nëse kishte mundësi ti ndihmonte me para borxh. Motra dhe vëllai i Minës u treguan të gatshëm me ato mundësi të pakta që kishin ta ndihmonin Minën e tyre. Fatmiri dhe Mina e kishin ëndërruar gjithë jetën një shtëpi të tillë dhe e kishin përfytyruar mes tyre deri në detajet më të imta….Si në një pasqyrë ku shikon imazhin tënd, ballin, hundët,buzët, po ashtu ata shikonin, një formë të thjeshtë, dyert e bardha, verandën, kopshtin përpara me llojet më bukura të luleve, trëndafilat në vazot e mëdha qeramike, por mbi të gjitha përfytyronin një shtëpi që do ta gëzonin pasardhësit e tyre… Por, ah, sa e vështirë ishte deri në realizim. Në shtetin fqinjë, ku kishin jetuar vite me radhë, zyrtarët i përmbaheshin rigorozisht ligjit. Këtu në zemrën e vendlindjes, arteriet kryesore ishin të pushtuara nga korrupsioni. Ky korrupsion kishte fytyra, emra, dhe ligji interpretohej në varësi të letrës së çmuar që mbante emrin “para”…Brenda mureve të zyrës shtetërore, të gjithë sa vinin, të tallazitur nga jeta, pranonin kushtet, që djersa e tyre mos të shembej të nesërmen.

Tre muaj pas dhënies së bakshisheve pa fund, më në fund ata morën lejen e ndërtimit. Tani do të ishin të plotësuar me dokumenta, për t’iu drejtuar bankës, e cila pas firmosjes së letrave, aprovoi marrjen e kredisë. Pas tre muajve të tjerë, me kërkesa pa fund, shuma e përcaktuar nga bashkëshortët, kaloi në firmën e burrit të zonjës Deni, pra, të zotit Hilmi Hoxha. Një stërhell i gjatë, i thatë, me sy të vegjël, me lëvizje të ngadalta si gjarpri kur zvarritet. Ndonjëherë mendimi që krijon për tjetrin në vështrimin e parë, të mbetet deri në fund, sepse imazhi i krijuar është rezultat i refleksit që krijon energjia e tij. Megjithëse ai bënte një jetë materialisht të mirë, shpirti i dukej si i prejardhur nga një jovertebror. Këtë përshtypje kishte Fatmiri kur e takoi për herë të parë zotin Hilmi….Ai ndjeu sikur të kishte pranë një gjarpër-njeri që mundohej të tregohej i njerëzishëm. Sado Hilmiu rrekej të buzëqeshte, ai përsëri ngërdheshej dhe bëhej më i shëmtuar me mollëzat që i rrudhoseshin në gropat e fytyrës. Koka e tij tullace, dukej si e një dordoleci që kishin harruar ti vinin paruke.

Hilmiu e siguroi që punimet do i fillonin të nesërmen, sipas projektit që kishin bërë. Fatmirit i erdhi një valë e ngrohtë në zemër. Më në fund ëndrra do bëhej realitet i prekshëm. Ethet e emocioneve e kishin pushtuar të gjithin. Ditët derdimene tani duhej të kalonin shpejt… Kjo ëndërr i kishte zaptuar trurin. Flinte dhe zgjohej me të vetmen figurë shtëpie të vizatuar në tru. Kush ka jetuar me qira, e di që imazhi i ëndrrës është pikërisht një shtëpi. Shkonte çdo ditë për të parë punimet, çdo tullë që vihej, çdo brez muri dhe shtëpia dalëngadalë po merrte formë.

Por një ditë, kur shtëpia ende s’kishte mbaruar, Hilmiu e mori në telefon Fatmirin të takoheshin tek shtëpia e re. Të nesërmen në mëngjes pasi u përshëndetën Hilmiu i tha:

-Siç e shikon, ka dalë shumë e bukur, tamam sipas projektit. Deri këtu erdhëm me shumën e bankës. Janë akoma dyert, dritaret, punët hidraulike, elektriket dhe pllakat për të bërë… Këtu ke fletët e llogarive, sa janë derdhur bashkë me koston e tyre…

Fatmiri nuk mund t’u besonte veshëve. Ato fjalë të thëna aq thjeshtë, patën fuqi të tronditnin keqas ëndrrën e tij.

– Si është e mundur? – shfryu Fatmiri… -Unë nuk e mora të gjithë shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Afërsisht dy milionë i mbajti banka për shpenzimet e saj. Tani u dashkan edhe rreth tetë milionë lekë të vjetra të mbarojë!… – Ndërkohë ai mendoi me habi të pazakonshme, si ishte e mundur, që disa njerëz me atë ftohtësinë e tyre të akullt, ta kalbin botën e ta bëjnë jetën për të hedhur në kosh . A nuk e dinte ky njeri se kjo shtëpi ishte jeta e tij. Dhe iu kthye tjetrit përsëri:

– Unë nuk besoj kurrsesi, që 28 milionë lekë mos të dalin për një shtëpi 100 metra katror…

-Ke preventivin dhe fletët e llogarive në dorë… – ia ktheu Hilmiu krejt indiferent.

Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe ndjeu nevojën t’i shkrehej atij si pistoletë, por e përmbajti veten.

– Edhe unë, në ndërtim kam punuar, nuk erdha nga pylli… – i tha me zemërim dhe shikoi sërish letrën e llogarive… –Hë, një rrjetë teli njëqindmijë lekë të vjetra, u bë një milion… Edhe materialet, i paske vënë dyfish, hekurin nga 6,1 ka vajtur me 7,5. E kështu ndoshta nuk do të dalin as tridhjetë milion të tjera.. Unë do të marr një inxhinier ndërtimi t’i bëjë saktë llogaritë, dhe atëherë do flasim ndryshe…

Stërhelli i gjatë u zbeh dhe i tha me nxitim:

– Unë jam inxhinier ndërtimi dhe kjo shtëpi kaq ka kushtuar, por nuk përjashtohen gabimet, t’i po më akuzon? – u shkreh ai dhe i doli përpara ta ndalonte të ikte.

– Ti e di që jam zhytur i tëri në kredi e borxhe, – i tha Fatmiri me mllef të rëndë.

-Veç atij gabimi të zeros, të gjitha janë në rregull. -ngulmoi në fjalët e tij Hilmiu.

– Do flas me bankën, të kalojë edhe dymilionshin që është mbajtur, por llogaria e thjeshtë është se për një shtëpi të ndërtuar me firmë po shkon 300 mijë për metër katror zotëri…

-Mos do t’i vë unë paratë nga xhepi im?! – i tha Hilmiu i nxehur

– Unë kam ardhur përditë në ketë shtëpi, kam shënuar dhe numëruar çdo material, llogarinë do e bëj me një inxhinier ndërtimi, më hap rrugën! – i shfryu Fatmiri dhe e shtyu fort me dorë.

Oborri i shtëpisë me copa tullash dhe dërrasa me gozhdë të hedhura pa kujdes, bëri që Hilmiu të pengohet në një dërrasë, dhe të bjerë mbrapsht duke e përplasur kokën në një tullë të thyer.

Fatmiri i tronditur, rendi në çast dhe shkundi, por ai nuk përgjigjej…

– O Zot më ndihmo…Hilmi, përgjigju! – bërtiste duke u dridhur. Pastaj me mundim e vuri trupin e tij në makinë dhe rendi drejtë spitalit.

Aty iu përgjigj disa pyetjeve të mjekut, dhe pastaj ai e pyeti gjithë ankth:

-Doktor ka vdekur?…

-Jo u përgjigj mjeku, – është në koma, por nuk dimë nëse do zgjohet apo jo…

Oh tmerr i vërtetë. Kurrë nuk kishte menduar, se qoftë edhe një aksident pa dashje nga dora e tij, mund t’i merrte jetën tjetrit… Si erdhi ky çast memec, kjo ditë e nëmur,që tronditi shpirtin e tij. I dëshpëruar thellësisht, për herë të parë në jetë mendoi: “A ia vlen të jetosh, i privuar nga ëndrra, nga familja, nga liria e varfër”. Kurrë nuk i shkonte mendja se mund të vriste një njeri… Dhimbja e tij u rrit si një gjembaç, që me degët shpuese theu dritat më të bukura të ëndrrës së tij. Dhe tani i zhytur në errësirë priste vendimin ”çdo të ndodhte?”

Brenda disa orësh Fatmiri ishte shndërruar krejtësisht në një kufomë që shpirti e kishte braktisur plotësisht

Pas shpjegimeve të Fatmirit, mjekët njoftuan policinë dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor, deri në përgatitjen e paraqitjes penale…

E gjithë familja iu bë gardh, që ai mos të binte në depresion. Eno, shoku i tij e ndihmoi dhe solli avokatin më të mire, me shpenzimet e veta. Kurse Zonja Deni, bëri çmos që ai të dënohej me burgim të përjetshëm, ndonëse rrethanat lehtësuese ishin në favor të të tij.

Megjithatë Fatmiri u dënua trembëdhjetë vjet heqje lirie. Tani i rënë krejt moralisht ai po hante lotët e dëshpërimit. Kishte jetuar ndershmërisht në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë sherre, as t’i binte njeriu në qafë, ndërsa tani, burgim për vrasje pa dashje. Ai u mbyll brenda fortifikatës së heshtjes së pafuqishme, duke kujtuar ditën e parë të kthimit në atdhe… Ndoshta ishte thjesht një paralajmërim fati… Donte të ulërinte, sikur ta thyente qiellin dhe ta kthente mbrapsht kohën me ujëvarat e hidhërimit… E gjithë kjo periudhë trembëdhjetëvjeçare ishte një rrjedhje e hidhur.

Mina shiti makinën për të larë borxhet dhe për të rregulluar disi një dhomë të shtëpisë së pambaruar. Ajo punoi në dyqan e vetme, me ndihmën e pakët të fëmijëve të vegjël. Shpesh për të furnizuar dyqanin, ajo bashkë me fëmijët i merrnin produktet nga magazinat e ndryshme dhe i mbanin me krahë deri te dyqani. Por pesha më e madhe ishte përgjegjësia që kishte për ta, në mungesë të Fatmirit. I duhej të ishte edhe nënë edhe baba. Mes mundimesh dhe sakrificash të mëdha, me të ardhurat e vogla të dyqanit, ajo pagoi këstet mujorë të bankës dhe rregulloi disi shtëpinë.

Ndërkohë Fatmiri i kërkoi djalit të motrës së Minës që studionte për inxhinieri ndërtimi, t’i dërgonte librat e tij dhe të gjithë kohën e kaloi duke studiuar. Ishte vetëm dyzetë vjeç kur u fut në burg, dhe doli prej andej pesëdhjetenjë. Dy vjet iu ulën në kuadrin e një ligji për rehabilitimin e të dënuarve me sjellje të mirë.

Daljen e tij nga burgu e pritën të gjithë me lotë që nuk shternin. Kur iu afrua shtëpisë, ai po e përkëdhelte me sy njësoj siç përqafoi fëmijët. Dhe pasi vështroi gruan e tij me sytë e dashurisë dhe mirënjohjes, tha me vete: ”Vërtet unë isha fatkeq në këtë jetë, por jam me fat që kam një grua të mirë dhe fëmijë të mbarë…”

 

Filed Under: Featured Tagged With: SHTËPIA E ËNDRRAVE, Tregim, Vjollca Tiku Pasku

ROMANI “MATURA E PAHARRUAR”, NJË LIBËR I DËSHIRUAR NGA MATURANTET DHE ADOLESHNTËT

February 13, 2014 by dgreca

Nga Vjollca Tiku Pasku – shkrimtare/

Teksa shikoja djalin tim katërmbëdhjetëvjeçar të përqendruar mbi një libër, vura re se në fytyrën e tij ravijëzohej herë pas herë buzëqeshja, më pas një psherëtimë dhe përsëri buzëqeshje. Dukej sikur ai libër përmbante një pasqyrë reflektuese emocionesh në rreshtat e tij. U afrova të shikoja se ç’farë po lexonte. Ishte libri” MATURA E PAHARRUAR” e shkrimtarit Vullnet Mato. U bëra kureshtare dhe nisa të lexoj edhe unë, duke u ngjitur të fluturoj në kaltërsinë e qiellit të hershëm të maturës time. Fillova të dëgjoj zërat rinor si rrjedhë ujëvare që mblidhen në gjirin e shkollës. Libri me rrëmbeu dhe pas tim biri e çova leximin me një frymë deri në fund. Në faqet e tij konfirmova dhe një here se energjia dhe ëndrrat e kësaj moshe reflektojnë drejtë yjeve. Rinia e parë është si xhevahiret e bardha të agimit, ku këndojnë gjithmonë zogjtë e dëshirave… Ata e veshin vetveten dhe botën me mrekullinë moshës së tyre. Shpesh shkumësi është si një mjegull e bardhë që krijon fantazia në dërrasën e zezë… Mendimet e tyre të zhdërvjellëta rrëshqasin si zhivë në botën e adoleshencës. Të nxitur nga ndjesia, se të mësosh, të studiosh dijet e njerëzimit, është sfida e parë në jetë, ata duket sikur e kuptojnë që do vijë dita të marrin stafetën në dorë, do të ndahen në profesione të ndryshme dhe do të japin më të mirën për vendin e tyre. Aty vizionet e tyre shpalosen me largpamësi dhe mendja e tyre është tërësisht  e hapur për hapësirat e botës së madhe që i pret… Moshën e adoleshencës do ta krahasoja me çelësin e parë të ndjenjave që hap të fshehtat e kësaj botë. Maturantët na jepen në kapitujt e këtij libri, si të rinj kurdoherë të zgjuar që rreken të fitojnë të ardhmen me mendjemprehtësinë e tyre. Natyrisht nuk u mungojnë lojërat, çapkënllëqet e ndryshme, apo ngacmimet.

Një personazh mjaft i dashur, është ai i Biban bullafiqit, i cili shkakton të qeshura me vargje të rimuara që përmbajnë thumba për elementet negativë të jetës shkollore. Një karakter ku në majën e gjuhës së tij, gjendet përherë humori dhe mirësia. Një tip i dashur si për shokët dhe shoqet e tij, po ashtu edhe për mësuesit e mirë, që janë si llamba e bardhë ku digjet flaka për të ndriçuar udhën e shtigjeve të dijes. Shpesh shpalosen ngjarje se janë pikërisht këta mësues që zbulojnë talentet e nxënësve dhe i motivojnë arsyen e nxënies së diturive.

Mësues Oresti është mishërimi i të gjithë mësimdhënësve të talentuar, i cili kishte gjetur sekretin si mund të hyhet në zemrat e nxënësve për të zgjuar dëshirën e futjes në të fshehtat e lëndës së fizikës, njësoj sikur të zbuloje shtigjet drejt një universi të ri. Ai vepron si një arkitekt në formimin e mendimeve të nxënësve dhe këtë e bën duke derdhur së pari dashuri prindërore. Ndaj ai ishte bërë shumë i dashur për ta, deri edhe në besimin e sekreteve të tyre.

Si kometa të ftohta sillen përreth nxënësve edhe mësues pa takt, që shpeshherë krijojnë përplasje me nxënësit, siç është mësuesja fanatike Sofika. Një mësuese historie, e cila ofendimin e kishte në fjalorin e saj të përditshëm, pa menduar fare se nuk kishte fëmijë para saj, por njerëz të rritur tashmë, që përgatiten të ecin me këmbë në tokë. Në ballafaqimin që kërkuan nxënësit me të, ajo tërhiqet e mundur në taktin e saj pedant, duke mos pasur asnjë arsye serioze për të vijuar këtë natyrë sjelljeje në të ardhmen, sepse pendët e mendjemadhësisë i rrëzohen përtokë dhe e bëjnë të mendohet thellë. Një nga nxënësit, i thotë: “Mësuesi i lëndës së historisë është një derivat i dijeve, ndërsa ne jemi shuma e përgjithshme e gjitha derivateve. Truri ynë është si një hardisk madh me kapacitet disa qindra gigabajt… “Atëherë pse silleni si kalamaj, e jo si njerëz të pjekur?”, mundi t’u thotë ajo…”Sepse nuk jemi dyzetvjeçar, jemi tetëmbëdhjetë vjeçar, që bëjmë edhe lodra, çapkënllëqe, të cilat janë pjesë e moshës sonë…Vetëm atë çast, ajo e kupton sa “kalamaj” janë këta tetëmbëdhjetëvjeçarë, të cilët me logjikën e tyre e lanë pa fjalë. Me ardhjen e një grupi kontrolli nga drejtoria arsimore, mësuese Sofika transferohet në një shkollë nëntëvjeçare.

Megjithatë, pjesa e shëndoshe e kolektivit mësimor bën që nxënësit maturantë të pasurojnë dijet dhe të zhvillojnë gjerësisht intelektin e tyre. Pasionet e kësaj moshe jepen nga autori si hëna e argjendtë që plotësohet ngadalë dhe merr formën e plotë. Ndjenjat e para lulëzojnë si pranvera e hershme me gonxhe të vogla. Janë dridhmat e para që vijnë me erën e dashurisë, e çelin lule kudo, në emocionin e zërit,  në sytë, duart e në të gjithë shtatin e tyre. Kjo valë misterioze zbulon aromën e dashurisë mes nxënësve tashmë të rritur. Një nga kapitujt me të bukur është dashuria e Sokolit me Alketën. Ajo dashuri rritet nëpërmjet shpirtit të tyre mbushur plotë dritë .Nga fryma e njëri-tjetrit ata zbulojnë ndjenja të reja si zbulimi i kontinenteve të rinj të pasur me shumë thesare. Por megjithëse janë në një moshë ku pasionet u fluturojnë si era pranverore, kjo dashuri kontrollohet nga sistemi i vetëmbrojtjes së Alketës, për të mbetur e pastër si kristal. Ajo e dinte se trupi i saj ishte një masë mjalti, ku kishte burimin dashuria, por mendonte se jeta është e gjatë dhe i dashuri i saj ka kohë për ta shijuar.

Libri mbyllet me mbrëmjen e maturës…Ku të gjithë japin premtimin, se megjithëse rrugët e jetës do jenë të ndryshme, shoqëria e tyre e çimentuar gjatë viteve të shkollës nuk do të ndryshojë. Flatrat e zemrave të tyre rrihnin plotë shpresë për të nesërmen, duke përfytyruar një botë më të mirë dhe më të bukur. I gjithë ky sfond libri jep realisht marrëdhëniet ndërmjet nxënësve, dhe me mësuesit e tyre… Bota e tyre psikologjike e përshkuar nga autori ish mësues, nëpërmjet gjuhës individuale, të bën në çdo faqe libri të ndihesh maturant. Gjatë gjithë kohës që lexova këtë roman, isha ulur padashur në bankën e maturantit dhe mora pjesë në të gjitha dialogët dhe ëndrrat e tyre. Rezonanca që të përshkon në çaste të tilla, është ta ndjesh veten në këtë botë të bukur, nëpërmjet realizimit të projektorit të ëndrrave të dikurshme. Tepër elokuente është dhe kënaqësia që dhurohet nëpërmjet dialogjeve, të cilët identifikojnë tipat psikologjik dhe krijojnë përfytyrime personazhesh të gjalla nga pranvera e parë rinore. Për të ndjerë brenda shpirtit, dinamizmin e madh, që të përshkon nga fillimi deri në fund të librit.. Kuptohet, se për të arritur këtë nivel artistik në vepër, autori është bazuar edhe në përvojën e tij personale, në punën e mësimdhënies për shumë vjet. E kush më mirë se profesori dhe shkrimtari Vullnet Mato, do t’i njihte nga afër këta breza njerëzor, që hyjnë në arenën e jetës, të pajisur me dije dhe tejet të përgatitur me psikikën intelektuale, për t’u ndeshur me vështirësitë e saj, për të stiluar agimet e reja të kësaj bote. Ky roman është një pasqyrë vezulluese, që veç nxënësve, kushdo mund të shikojë aty vetveten në rininë e parë.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Matura e paharruar, romani, Vjollca Tiku Pasku, vullnet Pasku

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR
  • IN MEMORIAM – DALIP GRECA NDËRROI JETË: HUMBJE E MADHE PËR GAZETARINË SHQIPTARE NË DIASPORË DHE NË ATDHE
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT