Nga Pertefe Leka/
Atdhetari i zjarrte ,Beqir Haçi, njihej nga studentët dhe bashkëkombasit me titullin, Profesor, të cilin ia kishin mohuar persekutorët e tij.
Sot figura e Prof.Haçit është bërë shumë e njohur për publikun shqiptar në shumë fusha: ate të pedagogjisë,psikologjisë,letërsisë,publicistikës dhe folklorit.
Si bir i nderuar i Borshit, ku ravijëzohet e bukura e dheut, trashëgonte në mendje kthjelltësinë e Jonit,pasurinë shpirtërore të tokës frutore nën ujëvare,forcën e karakterit të kalasë shekullore të Sopotit dhe shpirtin artistik, që ia kishte skalitur vala lozanjare e detit.
Ai ishte vazhdues i paraardhësve të atij vendi që nxori një numër të madh intelektualësh të cilët patën interesim të veçantë,për kulturën dhe për shkollimin e djemëve dhe të vajzave brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Fillimet e studimeve në shkollat shqiptare e më pas në shkollën teknike shqiptaro-amerikane e ngritën të riun B.Haçi,në nivelin e elitës intelektuale të kohës.
Pa mbaruar shkollën teknike, duke qenë më i miri në mësimin e gjuhës angleze,mësuesi i lëndës C.Hollingsed e emëroi “assistant teacher”.
Kjo i përkiste moshës së tij 15-vjeçare,kur ai u përkthente shokëve të tij të klasës duke shkruar në dërrasen e zezë ato çka spjegonte profesori amerikan.
Si mbaroi arësimin e lartë në Firencë,u ngarkua me shumë detyra pedagogjike, si drejtor dhe inspektor arsimi e profesor në disa gjimnaze të Shqipërisë.
Kudo që punoi zbatoi me devotshmëri projekte të reja arsimore për edukimin e brezit të ri dhe ndihmoi në kualifikimin e mësuesve kur kryente detyrën e inspektorit .
Si dishepull i Rusoit,që synonte ta bënte njeriun të arsyeshëm, prof. Haçi pasoi edhe iluministët shqiptarë të Rilindjës, të cilët e shihnin rritjen e ndërgjegjës kombëtare në përhapjen e arsimit dhe kulturës.Ja si e shkruan Prof.Haçi
“Vetëm arsimi mund të ndërrojë botën”,
Vetëm arsimi na e mbron lirinë.
Vetëm arsimi e zhdukë tiraninë,
Vetëm arsimi mbron moralin,
Vetëm arsimi e mban idealin.”
Kur ishte inspektor i qarkut te Dibrës së Madhe, mbajti një fjalim të zjarrtë
në festën e 5 Prillit 1942.Fjala e tij ngriti në këmbë të madh e të vogël,pasi mbrojti haptaz idetë e tij për Shqipërinë etnike duke theksuar se viset shqiptare janë e do të mbetën shqiptare.
Për këte guxim qytetar autoritetet italiane e arrestuan, por nuk mund të burgosnin
Himnin “Kënga e Dibrës së Madhe “,e cila jashtë hekurave zëvendësoi prezencen
e mësuesit revolucionare me thirrjet për bashkim .
“Cou se t’erdh dita e lirisë ,
Ditë e shenjtë që ke pritë ,
Dibr’ e Madhe e Shqipërisë”
Të shkëlqesh si yll e dritë”
Kënga në unison afroi zemrat dhe ngjalli shpresat në betimin për ditën e Lirisë.
Prof. Haçi si studiues i filozofëve përparimtarë të botës përforcoi idenë , se arsimi është mjeti për të zhvilluar një botë të re .
Kështu ai punoi me pasion për të botuar sa më shumë në drejtim të kësaj edukate.
Me energji të pashtershme ai shfaqi aftësinë e një edukatori të vërtetë ,në të gjjtha botimet për t’i shërbyer shkollës shqiptare në ardhmëri.
Numërohen me qindra artikuj në të gjitha revistat e gazetat e kohës, po ashtu edhe një serë librash që i quajti libra popullorë, si “Mendime të arta”,”Proverba”,dedikuar Thimi Mitkos dhe S.Dines.
Librin unikal “Udhëheqës i mirësjelljes”,e punoi posaçërisht për rininë shqiptare,ndërsa “Thërrime filozofike” ia dedikoi N.Frasherit “.
Librin “Mësuesi punëtor,idealist i shoqërisë” ia kushtoi mësuesve shqiptarë, të cilët u përkisnin viteve 1930 -1937.
Me këto ai plotësoi albumin e botimeve pedagogjike dhe njihet si mësues e publicist .
Lënda e përfshire në to kishte karakter të theksuar edukativ-didaktik,patriotik e kulturor.
Periudha e gjatë e diktaturës komuniste, nuk e përfilli emrin dhe vepren e profesor Beqir Haçit ,vetëm e vetëm pse Ai qe nxënës i Shkollës Teknike të Tiranës
E burgosën, e keqtrajtuan,per t’ia nxirë jetën,por Ai mbijetoi, duke ruajtur nderin, dinjitetin e tij si pedagog ashtu siç shkruante në një poezi te tij .
Skeleti im,qendro,dëgjon
Armikut thuaji:
Këtu s’kalon!,
S’e mund dot kurrë, ti shpirtin tim…”.
Pas burgut, profesori nuk mund të botonte më. I pajisur me një karakter të fortë,diti të punojë në kushtet e sistemit totalitar.
Shpirti i paepur rezistoi për t’i transmetuar brezave mesazhe madhore.
“Shtëpizën”,siç e quante në një poezi e ktheu në çerdhe pune për studime.
Atje veç të tjerave u mësoi të rinjëve gjuhën angleze, të cilën e zotëronte mjeshtërisht.
Shumë intelektualë dhe studentë të asaj kohe ,sot janë në pozita të larta shtetërore,kanë marrë mësime në atë shtëpi-shkollë duke ruajtur nderimin më të madh për profesorin erudit
Me punën e tijë të pandërprerë, shtoheshin veprat dhe mbusheshin me krijime qe e pasuronin laboratorin e tij të punës, për t’u hapur një ditë.
Kam pasur fatin ta njoh prof. Haçin dhe ta vizitoj laboratorin e punës së tij me dosje,libra dhe citate të zgjedhura , te marrura nga urtësia botërore dhe shqiptare.Shume shprehje të urta ishin të vendosura në vende të dukshme për t’u lexuar. Ishin këshilla filozofike për brezat: të duan punën,shkollën ,Atdheun, familjen,jetën dhe të ruajnë nderin në çdo situatë.
Sot nje pjesë e veprave të prof.Haçit e kanë parë dritën e botimit nën kujdesin e te birit Dr.Sopot Haçit,i cili botoi dy libra me poezi,me titull “Këngë të pëshpëritura”por nuk arriti t’i çonte deri në fund botimet e tjera për të cilat ai thoshte janë mijëra faqe.Filli i jetës iu këput në kulmin e punëve që kishte nisur të bënte,në nderim të babait të tij të devotshëm.
Sot pedagogjia shqiptare ka nevojë për mësimet e një edukatori të madh si siç ishte Prof.Haçi.
Librat shkollorë kanë nevojë për poezinë didaktike të një mësuesi të talentuar.
Shoqëria shqiptare për mendimet e një idealisti modern, i cili thoshte :”Vdekja të më marrë, kur të më gjejë pa punë”.
Titujt që iu akorduan Prof.Haçit ne periudhën e Demokracisë :”Urdhëri Naim Frashëri” “ Pishtar i Demokracisë “,titulli i lartë “Mësues i Popullit” kanë vlerë morale për brezat që t’i referohen mësimeve të urta të një mësuesi virtuoz.
Mesazhi qe ia transmeton gjeneratave përmblidhet në këto vargje.
Gjendjen që shkoi-e pamë
Gjendjen që kemi-e shohim
Ku kemi qenë e ku ramë
Tani të gjithë e njohim
Atë që dje nuk e bëmë,
Po e paguajmë sot,
Atë që sot po e lëmë
Do ta paguajmë mot!