-Përjetime personale në 30 vjetorin e demokracisë-
Nga Asllan Bushati/
Bindjet e mija se “socializmi do të jetë një e ardhme e lumtur për shqiptarët”, filluan të shemben që në vitin 1974, kur u pushkatuan: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Cako (udhëheqsit kryesor të Ushtrisë Shqiptare).
Si shumë ushtarakë të tjerë në atë kohë edhe unë isha i tronditur madje disi edhe i tulatur. Kështu në një nga ditët e fundvitit 1975 kur po pinim një kafe në verandën e Hotel Turizmit në Berat me padagogun , mikun e familjes, profesorin e universitetit dhe Drejtor i Bankës Kursimeve Berat, Shukri Bulica (nga Kolosiani i Lumës), dëgjova prej gojës së tij të më thoshte se:”I kam njohur të tre. Nuk ishin sit ë thuash intelektualë të vertetë, por assesi nuk ishin tradhëtar”.
Kjo ishte hera e parë që mora një ” grusht të fortë” për të shkundur pak prej vehtes baltën e madhe të propagandës së kohës, për ”tradhëtin e tyre të madhe” ndaj atdheut. Sikur të mos mjaftonte kjo, në të njejtin vend në dhjetorin e 1976-tës, pasi ishin shpallur “armiq të partisë e të atdheut” grupi i ekonomisë me Abdyl Këllezi, Koco Theodhosin, Kico Ngjelën etj, Profesor Bulica më tha: ”Në një vend a hapsirë të caktuar që thonë se prona është e të gjithëve, por në fakt nuk është e askujt. Në një vend që të gjithë thonë pronën e ruajmë por në fakt të gjithë e vjedhin. Në një vend që thonë se pronën e përparojmë dhe e mirtrajtojmë, por në fakt e shkatrrojnë dhe e përdhosin. Kjo shoqëri është pa të ardhme dhe e destinuar të vetshkatrrohet”.
Ky ishte “grushti’ i dytë, që shembi përfundimisht bindjet e mija se i ashtu quajturi socializëm do të na sillte prosperitet, përparim e jetë më të mirë. Që nga kjo kohë kam menduar vetëm të kundërtën, megjithse isha pjesë e strukturave të mbrojtjes.
Trasferimi në Ministrinë e Mbrojtjes më mundësoi të njihesha edhe me intelektualë të sferave të ndryshme në Tirane. Njeri prej tyre shpesh më jepte fshehurazi të lexoja “axhanset” (pjesë nga shtypi i huaj i lejuar vetëm për një rreth të ngushtë njerzish të nomeklaturës). Prej tyre mësova shumë gjëra që smund ti shihja nga shtypi i brendshëm, e as nuk guxoja të flisja qoftë edhe një fjalë të vetme, por që me kalimin e kohës ato u bënë pjesë e akumulimit tim antikomunist.
Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, vecanërisht në Tiranë filloi një farë liberalizimi i mendimit në sferat intelektuale. Por në mjediset ushtarake ishte akoma cdo gjë strikte e në të ashtuquajturën “vijimsi e rrugës së Enverit”. Cdo kapërxim nga kjo linjë ishte fatale deri nga fundi i viteve tetëdhjetë.
Në “demostratën e heshtjes” që u mbajt në Tiranë, së bashku me mikun tim të ngushtë Nezir Murati, vendosëm të merrnim pjesë edhe ne. Para Hotel Dajtit u shkëmbyen me Ismail Kadarenë dhe Gramoz Pashkon me të cilët pa folur u përshëndeten vetëm me lëvizjen e kokës. Pak më poshtë tek Ura e Lanës po ashtu u përshëndetëm me Ing. Orhan Zarshati (nipi i Ismail Qemalit) dhe një arkitekt të cilit nuk ja kujtoj dot emrin. Nga kjo “shëtitje“, pas dy ditësh miku im Nezir më tha :” Ruhu se Kico Mustaqi (Ministri) e Agim Zamani (shefi sigurinit Ushrisë) se ta kanë rihapur dosjen, por mos të të hapin varrin”.
Pas ardhjes për vizitë në Shqipëri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez De Kualar, situate u fermentu akoma më shumë dhe mendimi i lirë u bë më i pranishëm në biseda të lira. Kurse në shtypin e shkruar bënë efekt shpërthyes një shkrim i Dr. Sali Berishës dhe Dr. Ylli Popës. Pas tyre erdhën ngjarjet e 2 korrikut me hyrjen e mijra të rinjëve në selitë e ambasadave në Tiranë, takimi i Ramiz Alijës me intelektualët, largimi i Ismail Kadaresë për në Francë dhe greva e studentëve që coin ë përmbysjen e sistemit një partiak dhe më 8 Dhjetor 1990 krijimi i Partisë Demokratike (si sot 30 vite më pare).
Për mu si person kjo ka qenë një ditë e madhe e historisë tonë, por nuk ka qenë e tillë për shumë ish kolegë të mijët. Madje disa prej tyre më vonë u bënë shtysë për rebelim e përmbysje me dhunë të segmenteve të shtetit.
Pikpamjet e mija politike nuk i fsheh aspak, ata janë të djathta (edhe familja ime ishte përkrahëse e Mbretit Ahmet Zogu). Por i respektoj plotësisht edhe pikpamjet e së majtes së moderuar (por jo ato komuniste). Në gjykimin tim as pikpamjet e djathta dhe as ato të majta të moderuara nuk janë antikombëtare. Antikombëtare janë ekstremizmat e të dy krahëve dhe veprimet e papërgjegjeshme të atyre që qeverisin duke e konsideruar vehten zot (pronar) të vendit. Që e trajtojnë hapsirën, mjedisin, pronën, punën e investuar si placë për të nxjerrë përfitime personale.
E djathta në këto tri dekada ka bërë gjëra madhore që do të mbahen mend si lëvizja e lirë e shqiptarve, pranimi në NATO, shkatërrimi i shumë bandave kriminale, zgjerimi i biznesit të vogël, punësimi, mbajtja e taksave të ulta, e shpenzimeve të vogla qeveritare ne qendër e në bazë, ulja e dificitit buxhetor etj. Por nga ana tjetër ajo dështoi: me skemat piramidale që i plasën si bombë në duar, me paaftësinë për të vendosur rendin e rregullin e një demokracie funksionale, me pronën,korrupsionin, me dënimin e krimeve të komunizmit, me lejimin e varrezave greke në hapsirën e shtetit shqiptar etj.
Kurse e majta në përpjekjen për shtet ligjor, instaloi shtet policor. Në përpjekjet për një të majtë të moderuar instaloi një amalgam absurde “alla rilindase” si reminishencë e PPSH-së. Me fjalë e luftoi korrupsionin, kurse me vepra e shumfishoi atë. Në vend të luftës kundër krimit të organizuar e shtoi atë , madje e solli në Parlament, qeverinë qëndrore e lokale. Në vend të zvoglimit të dificitit buxhetor e coi atë afër nëntëdhjetë përqindshit. Në vend të zvoglimit të taksave i shtoi ato, në vend të zgjerimit të vendeve të punës dështoi tërësisht sa rreth 450 mijë të rinjë u larguan nga Shqipëria etj etj.
Mezi e pritëm demokracinë, por jemi totalisht të zhgënjyer në këto tri dekada. Një poet para disa vitesh duke parë shumimin e fenomeneve negative tha:”Në qofsh e tillë demokraci, mos ardhësh kurrë”. Unë nuk mund ta them këtë ,se demokracinë në vendin tim e dua shumë, por më besoni se personalisht jam i dezilizionuar në kulm , vecanërisht me qeverisjen e sotme të Edi Ramës.