• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sfidat e kohabitacionit,test për demokracinë pluraliste

February 5, 2021 by dgreca

Pas tridhjetë viteve të pushtetit nga një parti, në Mal të Zi, në sajë të zgjedhjeve parlamentare(30 gusht 2020), në praktikë na u paraqitet dukuria e kohabitacionit e panjohur deri më tash, që paraqet test për demokracinë pluraliste në këtë mjedis, sepse presidenti i shtetit nuk është nga shumica parlamentare e cila udhëheq me qeverinë, duke qenë  çështje interesante  për një qeverisje të qendrueshme, pa turbulenca politike, por në favor të qytetarëve dhe të demokracisë pluraliste

Shkruan: Nail  Draga/

Nga miratimi i pluralizmit, në Mal të Zi një parti politike (DPS) për tridhjetë vite ka udhëhequr pushtetin, ku përveç me qeverinë kanë udhëhequr  edhe institucionin e presidentit, nga del se kemi pasur perseri  monizëm, ndonëse me kostumin  pluralist. Ndërsa pas zgjedhjeve parlamentare  (30 gusht 2020), me rastin e ndryshimit të pushtetit, ne këtë mjedis kemi të bëjmë me procesin e kohabitacionit, nga del se kemi të bëjmë subjekte të ndryshme politike dhe ideologjike, që duhet të bashkëqeverisin dukuri e panjohur deri më tash në këtë mjedis.

Kemi të bëjmë pikërisht me moment të ri, ku presidenti nuk do të ketë mundësi të kontrollojë qeverinë,  sepse nuk janë nga taborret e njëjta politike, nga del se do të kemi obstruksione dhe tensione në mes tyre. Dukuria e kohabitacionit nuk është e panjohur në vendet demokratike, ndërsa përjashtim bëjnë vendet autokratike, ku si të tilla në shumë aspekte janë edhe në pluralizëm. Nëse për shumë vende kjo dukuri është risi, nga vendet e regjionit shëmbull mund të shërbëjë Kroacia, ku kohabitacioni ka ndodhur shumë herë.

Presidenti në pozitë të dyfishtë

Në Mal të Zi, kryetari i partisë njëkohësisht është edhe kryetari i shtetit, nga del se kemi personin me pozitë të dyfishtë, që na kujton kohën e monizmit. Në rastin konkret ka qenë e udhës që  kryetari i partisë në momentin e zgjedhjes në pozitën e kryetarit të shtetit,  të lëshojë postin e partisë, sepse në sajë të pozitës së dyfishtë  iriton qytetarët nga del se kemi kryetarin partiak, e jo të gjithë qytetarëve. Madje, qytetarët të cilët nuk e kanë votuar kanë të drejtë të deklarohen se kemi të bëjmë me kryetarin e partisë që e ka kandiduar,  e jo i qytetarëve të vendit.

Kujtojmë me këtë rast  si shëmbull pozitiv Kroacinë ku presidenti  nuk mund të mbulojë të dyja pozitat, sepse duhet të veprojë si mbipartiak, duke qenë figurë unifikuese e të gjithë qytetarëve, andaj terhiqet nga pozita partiake.

Risi në skenën politike

Pasi në zgjedhjet e regullta parlamentare të 30 gushtit 2020, ish shumica parlamentare i humbi zgjedhjet presidenti i Malit të Zi M.Gjukanoviqi, duhet të pajtohet me realittein se  i ka humbur zgjedhjet dhe nuk e ka shumicën në parlament, andaj t’i përshtatet rrethanave shoqërore.

Në Mal të Zi  një muaj pas formimit të Qeverisë se re, kohabitacioni filloi të luhatet me rastin e refuzimit të presidentit të vendit për të nënshkruar një mori ligjesh të cilat i ka miratuar Kuvendi, pa opozitën, tre ditë para Vitit të Ri, ku me i rëndësishmi është ndryshimi i ligjit të lirive fetare.

Po ashtu presidenti ka refuzuar të nënshkruaj dekretin për tërheqien e shtatë ambasadorëve dhe nga Ministria e punëve të jashtme, duke  kërkuar sqarim në konstatimin e se ata kanë punuar kundër interesit të shtetit.  Po ashtu Gjukanoviqi nuk ka mbeshtetur as ndërrimet në gjeneralshtabin e Armatës së Malit të Zi.

Kemi të bëjmë me rastët e para të mospërputhjeve të pikëpamjeve të funksionimit të institucionëve të qeverisë, ku dukuria e kohabitacionit është ma së e domosdoshme.

Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me një situatë të re në Mal të Zi e panjohur deri më tash, sepse si kryetari i shtetit por dhe kryeministri kanë qenë nga e njëjta  parti,  ndërsa  në rrethana të reja të kohabitacionit, kemi të bëjmë me një praktikë të re, që duhet të jetë shkollë për demokracinë parlamentare, tash dhe në të ardhmën.

Pikërisht, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me kohabitacionin si dukuri të re në skenën politike në Mal të Zi, ditë më parë janë mbajtur takime nga kryeministri dhe zyrtarë të lartë qeveritarë me presidentin e vendit z.Gjukanoviq, për të gjetur një modus vivendi, për të tejkaluar situatat e diskutueshme. Nga ai takim(presidenti-kryeministri-kryetari i parlamentit) opinioni është informuar se janë shqyrtuar çështje të cilat janë në favor të funksionimit të shtetit, institucioneve dhe zhvillimit të tyre, pa të cilin nuk ka përparim demokratik dhe ekonomik të vendit. Po ashtu është treguar gadishmëri se kemi të bëjmë me interesin e përbashkët kombëtar duke avancuar përgjegjësinë e përbashkët për nevojën e zhvillimit të metutjeshëm të Malit të Zi si shoqëri evropiane, standardit cilësor jetësor dhe lirinë e individit.

Ndërsa  ditë më pas nga ai takim presidenti Gjukanoviq, ka reflektuar duke nënshkruar ligjet e refuzuara, sepse ata janë votuar përseri në parlament me 20  janar,  nga del se një veprim të tillë e ka realizuar duke respektuar kushtetutën, sepse në të kundërtën ka rrezikuar që shumica parlamentare të inicojë procedurën  e shkarkimit të tij.

Presidenti me ingerenca të kufizuara

Andaj, mbetet të shohim në muajt në vazhdim se si do të jenë raportët Qeveri-Presidenti, a do të ketë mospajtime, tensione, obstruksione e fërkime politike si  rezultat i pa përvojës në rrethana të reja politike e shoqërore.

Përfundimisht presidenti duhet ta kuptoj pozitën e tij, se ka ingerenca të kufizuara, andaj si i tillë   nuk mund të jetë qeveri e dytë, e jo si më parë  qe ka pasur kontrollë absolute mbi qeverinë si dhe në terë Malin e Zi. Pikërisht në sajë të rrethanave  të reja  ai  duhet të eliminojë iluzionet e tilla autokratike, por duhet të jetë garant i kushtetutës, interesave të qytetarëve   në favor të demokracisë parlamentare.

Kohabitacioni lokal në Ulqin

Në lidhje me këtë çështje në  nivelin lokal duhet cekur se kohabitacioni  ka ndodhur në Ulqin, me rastin e zgjedhjeve lokale të mbajtura me 10 shtator 2006. Kemi të bëjmë me rastin e parë dhe të fundit, sepse kryetari i komunës është zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët, dhe  nuk ishte i shumicës parlamentare lokale.

Në sajë të raportëve shoqërore dhe politike në një situate të tillë shumica parlamentare, (Forca, LDMZ, PPD dhe BDSH) ka rrezikuar pozitën e kryetarit e ate pikërisht kur ka qenë në pyetje miratimi i buxhetit të komunës për vitin 2007. Ishte ky një kompromis i realizuar në momentin e fundit, por edhe paralajmërim se kjo gjendje nuk kishte perspektivë, sepse në mungesë të mbeshtetjës nga ana e shumicës në parlamentin lokal, në të ardhmën rrezikohej pozita e kryetarit, në sajë të mos funksionimit të kohabitacionit.

Pikërisht, duke parë situatën si mjaft turbulente dhe me pasoja në të ardhmën, opozita lokale (DPS-UDSH) arriti  të dekompozojnë skenën politike duke ia rrembyer shumicës parlamentare lokale tre këshilltarë nga PPD(maj 2007) duke i joshur me pozita udhëheqëse, duke u bërë shumicë parlamentare  deri në vitin 2010. Ishte ky rasti i parë dhe i fundit, sepse më pas u ndryshu ligji për qeverisje lokale,  duke rikthyer zgjedhjen e kryetarit, si më parë përmes votës së këshilltarëve nga  zgjedhjet lokale.

(Shkurt  2021)

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokraci, Nail Draga, sfida, test

MEZI TË PRITËM DEMOKRACI POR EDHE SHUMË U ZHGËNJYEM

December 8, 2020 by dgreca

 -Përjetime personale në 30 vjetorin e demokracisë-

Nga  Asllan Bushati/

Bindjet e mija se “socializmi do të jetë një e ardhme e lumtur për shqiptarët”, filluan të shemben që në vitin 1974, kur u pushkatuan: Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Cako (udhëheqsit kryesor të Ushtrisë Shqiptare). 

Si shumë ushtarakë të tjerë në atë kohë edhe unë isha i tronditur madje  disi edhe i tulatur. Kështu në një nga ditët e fundvitit 1975 kur po pinim një kafe në verandën e Hotel Turizmit në Berat me padagogun , mikun e familjes, profesorin e universitetit dhe Drejtor i Bankës Kursimeve Berat, Shukri Bulica (nga Kolosiani i Lumës), dëgjova prej gojës së tij  të më thoshte se:”I kam njohur të tre. Nuk ishin sit ë thuash intelektualë të vertetë, por assesi nuk ishin tradhëtar”.

Kjo ishte hera e parë  që mora një ” grusht të fortë”  për të shkundur pak prej vehtes baltën e madhe të propagandës së kohës,  për ”tradhëtin e tyre të madhe”  ndaj atdheut. Sikur të mos mjaftonte kjo, në të njejtin vend në dhjetorin e 1976-tës, pasi ishin shpallur “armiq të partisë e të atdheut” grupi i ekonomisë me Abdyl Këllezi, Koco Theodhosin, Kico Ngjelën etj, Profesor Bulica më tha: ”Në një vend a hapsirë të caktuar që thonë se prona është e të gjithëve, por në fakt nuk është e askujt. Në një vend që të gjithë thonë pronën e ruajmë por në fakt të gjithë e vjedhin. Në një vend që thonë se pronën e përparojmë dhe e mirtrajtojmë, por në fakt e shkatrrojnë dhe e përdhosin. Kjo shoqëri është pa të ardhme dhe  e destinuar të  vetshkatrrohet”.

Ky ishte “grushti’ i dytë, që shembi përfundimisht bindjet e mija se i ashtu quajturi socializëm do të na sillte prosperitet, përparim e jetë më të mirë. Që nga kjo kohë kam menduar vetëm të kundërtën, megjithse isha pjesë e strukturave të mbrojtjes.

Trasferimi në Ministrinë e Mbrojtjes  më mundësoi të njihesha edhe me intelektualë të sferave të ndryshme në Tirane. Njeri prej tyre shpesh më jepte fshehurazi të lexoja “axhanset” (pjesë nga shtypi i huaj i lejuar vetëm për një rreth të ngushtë njerzish të nomeklaturës). Prej tyre mësova shumë gjëra që smund ti shihja nga shtypi i brendshëm, e  as nuk guxoja  të flisja qoftë edhe një fjalë të vetme, por që me kalimin e kohës  ato u bënë pjesë e akumulimit tim antikomunist.

Pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, vecanërisht në Tiranë filloi një farë liberalizimi i mendimit në sferat intelektuale. Por në mjediset ushtarake ishte akoma cdo gjë strikte e në të ashtuquajturën “vijimsi e rrugës së Enverit”. Cdo kapërxim  nga kjo linjë ishte fatale deri nga fundi i viteve tetëdhjetë.

Në “demostratën e heshtjes” që u mbajt në Tiranë, së bashku me mikun tim të ngushtë Nezir Murati, vendosëm të merrnim pjesë edhe ne. Para Hotel Dajtit u shkëmbyen me Ismail Kadarenë dhe Gramoz Pashkon me të cilët pa folur  u përshëndeten  vetëm me lëvizjen e kokës. Pak më poshtë tek Ura e Lanës  po ashtu u përshëndetëm me Ing. Orhan Zarshati (nipi i Ismail Qemalit) dhe një arkitekt të cilit nuk ja kujtoj dot emrin. Nga kjo “shëtitje“, pas dy ditësh miku im Nezir më tha :” Ruhu se Kico Mustaqi (Ministri) e Agim Zamani (shefi sigurinit Ushrisë) se ta kanë rihapur dosjen, por mos të të hapin varrin”.

Pas ardhjes për vizitë në Shqipëri të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez De Kualar, situate u fermentu akoma më shumë dhe mendimi i lirë u bë më i pranishëm në biseda të lira. Kurse në shtypin e shkruar bënë efekt shpërthyes  një shkrim i Dr. Sali Berishës dhe Dr. Ylli Popës. Pas tyre erdhën ngjarjet e 2 korrikut me hyrjen e mijra të rinjëve në selitë e ambasadave në Tiranë, takimi i Ramiz Alijës me intelektualët, largimi i Ismail Kadaresë për në Francë dhe greva e studentëve që coin ë përmbysjen e sistemit një partiak dhe më 8 Dhjetor 1990 krijimi i Partisë Demokratike (si sot 30 vite më pare).

Për mu si person kjo ka qenë një ditë e madhe e historisë tonë, por nuk ka qenë e tillë për shumë ish kolegë të mijët. Madje disa prej tyre më vonë  u bënë  shtysë  për rebelim e përmbysje me dhunë të segmenteve të shtetit.

 Pikpamjet e mija politike nuk i fsheh aspak, ata  janë të djathta (edhe familja ime ishte përkrahëse e Mbretit Ahmet Zogu). Por i respektoj plotësisht edhe pikpamjet e së majtes së moderuar (por jo ato komuniste). Në gjykimin tim as pikpamjet e djathta dhe as ato të majta të moderuara nuk janë antikombëtare. Antikombëtare janë ekstremizmat e të dy krahëve dhe  veprimet e papërgjegjeshme  të atyre që qeverisin duke e konsideruar vehten zot (pronar) të vendit. Që e trajtojnë hapsirën, mjedisin, pronën, punën e investuar  si placë për të nxjerrë përfitime personale.

E djathta në këto tri dekada  ka bërë gjëra madhore që do të mbahen mend si lëvizja e lirë e shqiptarve, pranimi në NATO, shkatërrimi i shumë bandave kriminale, zgjerimi i biznesit të vogël, punësimi, mbajtja e taksave të ulta, e shpenzimeve të vogla qeveritare ne qendër e në bazë, ulja e dificitit buxhetor etj. Por nga ana tjetër ajo dështoi: me skemat piramidale që i plasën si bombë  në duar, me paaftësinë për të vendosur rendin e rregullin e një demokracie funksionale, me pronën,korrupsionin, me dënimin e krimeve të komunizmit, me lejimin e varrezave greke në hapsirën  e shtetit shqiptar etj.

Kurse e majta në përpjekjen për shtet ligjor, instaloi shtet policor. Në përpjekjet për një të majtë të moderuar  instaloi një amalgam absurde  “alla rilindase” si reminishencë e PPSH-së. Me fjalë e luftoi korrupsionin, kurse me vepra e shumfishoi atë. Në vend të luftës kundër krimit të organizuar e shtoi atë , madje e solli në Parlament, qeverinë qëndrore e lokale. Në vend të zvoglimit të dificitit buxhetor e coi atë afër nëntëdhjetë përqindshit. Në vend të zvoglimit të taksave i shtoi ato, në vend të zgjerimit të vendeve të punës  dështoi tërësisht sa rreth 450 mijë të rinjë u larguan nga Shqipëria etj etj.

Mezi e pritëm demokracinë, por jemi totalisht të zhgënjyer në këto tri dekada. Një poet para disa vitesh duke parë shumimin e fenomeneve negative tha:”Në qofsh e tillë demokraci, mos ardhësh kurrë”. Unë nuk mund ta them këtë ,se demokracinë në vendin tim e dua shumë, por më besoni se personalisht jam i dezilizionuar në kulm , vecanërisht me qeverisjen e sotme të Edi Ramës.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, Demokraci, Mezi te pritem

DEMOKRACI MADE IN ALBANIA

August 17, 2017 by dgreca

Ministrin e Brendshëm të diktaturës kërkojnë ta bëjnë kryeparlamentar!/

Demokraci_mutiNga KOLEC TRABOINI/Po ndodh e pa imagjinueshmja. Ish ministrin e Brendshëm të diktaturës komuniste duan ta bëjnë kryetar parlamenti. Hesht media. Heshtin ata që mbahen për analistë. Edhe ata që mbahen për intelektuale e personalitete leshi. Frika në palcë. Jemi më keq se në kohën e Ramiz Alisë sepse atëherë nuk na mungonte guximi. Tani vrima e miut 300 grosh. Gojën lesh opozita sepse janë të lidhur me 100 fije me partinë në pushtet. Nuk flet as “krye kreshniku” që na shitej si antikomunist. Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën e vet të pistë e gjakësorë. Për të ndodhi 18 maji 2017. Që askush, asnjë bandit e hajdut politik, me ose pa pushtet të mos dënohet.

Marrëveshja e fshehtë e 18 majit nuk duhet të harrohet. Duhet të dalë në drite. Duhet të denoncohet. Të demaskohet. Kjo kastë politike është kthyer në një bandë mafioze që luftojnë veç për kolltuk e pasuri marramendëse. 56 apartamente një deputet. Ku në ferr vemi. O njerëz lubi të pangopur, mjaft më!

Rast unik në të gjithë botën e qytetëruar. Dhe në vendin më të varfër të Europës. Populli vuan, kastat notojnë në pasuri. O pushtetar të hazdisur po kjo krisje e hendek social solli shkatërrimin e Perandorisë Romake. A lexoni histori apo ju janë errur sytë e trashur trutë nga deliri i fuqisë që sjell pasuria e pushteti.

Ja kanë bërë nënën këtij popullit. Edhe bagëti të kish qenë do të bënte një herë beeeeeeee. O kjo heshtje ogurzezë. Nuk është koha të heshtim po të tregojmë se nuk mund të durojmë më. Kemi prekur fundin. Nëse nuk duan të dëgjojnë për dhimbjen tonë, duhet ti bëjmë të dëgjojnë me hir apo pa hir. Le ti shurdhojmë me thirrjet tona. Mjaft më! Mjaft më! Ministri i Brendshëm i diktaturës me të egër në Europë, krahasuar dukshëm me regjimet më gjakatare në histori, do ta bëjnë Kryetar të Parlamentit Shqiptar.

E paimagjinueshme. Një ëndërr e frikshme. Që dikush kërkon ta bëjë realitet. Tmerr! Tallje. Neveri. Poshtërsi. Injorance. Revansh. Korba të kuq. Tela me gjemba. Spaç. Pushkatime. Vrasje pa gjyq. Baltë. Bunkerë. Internime. Spiunime. Përdhunime. Një kalvar gjaku i pafund. A mos jemi para kolapsit njerëzor?!

Gjithë ajo revoltë popullore, gjithë ajo përmbysje diktature në fund të viteve 90, gjitha ajo energji e rinisë në etjen për liri e demokraci humbi, u shkërmoq e shkoi në mut. O Popull i mjerë, që nuk pe një ditë të bardhë në ekzistencën tënde, zgjohu! I mësuar nën pushtime të gjata e të pafund në histori, tani çdo shtypje e dhunë të duket lumturi e madhe.

O popull i i mirë, o popull i mjerë! Ardhtë dita që të zgjohesh. Amen!

 

 

Kolec P. Traboini: organizator i mitingut për demokraci në janar 1991 në Tiranë, aty ku sot është sheshi “Nënë Tereza”. I pari që ka bërë thirrje publike në gazetën RD nr. 3, më 16 janar 1991 për heqjen e yllit komunist nga flamuri.

Filed Under: Analiza Tagged With: Demokraci, Kolec Traboini, MADE IN ALBANIA

DEMOKRACI…!

July 13, 2013 by dgreca

… E dija që nuk do të vije aq shpejt, por është fatkeqësi po nuk erdhe tani…/

Shkruan: Zyba Hysen Hysa/

Çdo gjë lind kur vjen çasti, po kështu dhe demokracia, nëse do përpiqemi ta sjellim para kohe janë dy rreziqe; ose do të jetë shumë e brishtë dhe nuk do të rezistojë e është e destinuar të vdesë, ose me përkushtim të jashtëzakonshmen, do të mbijetojë, por nuk do të ketë fuqinë e duhur për të ecur e sigurt drejt konsolidimit të saj. Këtu e kam fjalën për ardhjen e demokracisë në një shoqëri që ecën normalisht në rrugën e zhvillimit ta saj, ndërsa për kushtet e zhvillimit të popullit tonë, të kombit tonë, ka një specifikë teje të veçantë, sepse si në asnjë vend tjetër të botës, nën vellon e saj janë future diktatura të egra si pjellë e rrezikshme e politikave antikombëtare të armiqve tanë shekullorë.

Historia jonë e këtyre 100 viteve shtet tregon se ka nxjerrë burra të mençur dhe patriot me vizione të qarta dhe strategji vizionare demokratike. Nuk do të thotë që të vije shekulli 21 dhe të vijë demokracia se duhet të vijë, por pikëpamjet demokratike kanë ekzistuar historikisht, se po të mos kenë ekzistuar, ato nuk do ishin bërë realitet në botë, kushtet në të cilën ndodhet një komb, apo një tjetër janë aq të ndryshme, saqë nganjëherë mendon se kurrë nuk do të arrihet demokracia, në një kohë që shtete tjera kanë me vite e vite që e gëzojnë, por kjo përplasje e vazhdueshme midis demokracisë dhe diktaturës vetvetiu ka sjellë kalbëzimin e njërës (diktaturës) dhe latimin e shkëlqimin e tjetrës (demokracisë). Shqipëria është shteti mëmë i kombit tonë dhe si i tillë, duhet të jetë shembull i një demokracie të vërtetë që edhe shqiptarët e jashtë kufirit të krenohen me të dhe të përpiqen që në sjelljet e tyre dhe në përpjekjet e tyre të ecin sipas këtij modeli për të bashkuar shpirtin tonë liridashës dhe kaq demokratik që e kemi dhuratë nga natyra, por që fatkeqësisht është keqpërdorur nga politika jonë e vjetër dhe “e re” shqiptare, që në vend të kryejë misionin e saj historik për t’u bërë shembull dhe dritë për gjithë shqiptarët, u kthye në një qendër internimi qarkuar me klon gjatë monizmit dhe në një vend pa vend për shqiptarët, të cilët ndjeheshin si qiraxhinj në shtëpinë e tyre, gjë që i bëri shumë dëm ëndrrës shekullore për bashkim, se shqiptari nga fati I një qeni të lidhur me zinxhirë në kohën e diktaturës, ku ushqehej me thërrmijat e të zot, pas viteve ’90 u kthye si një qen rrugaç, ku kushdo e qëllonte me shqelm, ku dhe vetë shteti e përndiqte dhe duke u endur nëpër botë po qen pa zot u shqelmua nga kushdo dhe u përbuz nga të gjithë e u frytëzua nga të gjithë pa fije mëshire, duke u detyruar të humbasë atë krenarinë e tij të ligjshme që na kishin dhuruar shekujt. Shkurt: Shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që nuk siguroj jetën e shtetasve të tij, shtet që nuk di sa shtetas ka, shtet që vjel taksa dhe këto i përdor për forcimin e pozitave të tij, jo për popullin, shtet që nuk mbështet intelektualët, krijuesit, shkencëtarët, patriotët… shtet që nuk të ngjall krenari kombëtare, ku nuk është shtet, por një grup banditësh që zoti e di se si do të përfundojë odiseja e këtij populli.

Të bësh të paditurin për të udhëhequr në mënyrë demokratike, është krim, se ne kemi demokratët tanë, Ismail Qemalin, ku dhe kundërshtarët politikë i përfshiu në qeveri për të mirën e kombit duke dhënë secili kontributin e tij, më pas kemi Fan Nolin e më pas kemi ata që vranë demokracinë përmes dhunës dhe mbollën dhunë, një dhunë që e pse vishet me vel demokracie, ajo vetëm çel filiza të rinj, që po nuk u pre vaditja me diktaturë do të krijojnë një pyll xhungle që nuk do mundemi të dalim më prej saj.

Kushtet historike në të cilën po kalon vendi ynë jemi në prag të krijimit të këtij pylli me filiza diktatorialë dhe mos o zot të vazhdojë kjo lloj politike, vendi ynë do të kthehet në një xhungël që zor se do jetë e zonja demokracia ta kapërcejë atë. Unë i besoj fatit dhe faktit, se kur humbasim shpresat, na realizohen dëshirat si me magji, kjo vërtet nuk është magji, por është rritja e forcave demokratike përballë forcave diktatoriale dhe është shansi që lehtësisht t’i vadisim filizat e diktaturës së re me mjaltin e demokracisë dhe të rriten lastarë të shëndetshëm për të përhapur sa më shumë oksigjen për vendin, për popullin, për kombin…

Duhet bërë çdo gjë me dashuri dhe me durim për të kaluar në këtë shndërrim paqësor derisa vetë diktatorët të shndërrohen pak nga pak në demokratë, jo duke i sharë e fyer, por duke udhëhequr me shembull demokratik, se edhe më i pabesi, kur e sheh që je besnik, fiton fisnikëri, se fajtorë nuk janë ata, por koha, koha e diktaturës nuk shkon pa i ngulur thonjtë mbi trupin tonë edhe pasi është rrëzuar. Rënia e diktaturës në vitin 1990 i ngjan një peme të rrëzuar nga stuhia, por që rrënjët i ka akoma në tokë, ajo frymoi gjatë tek ne edhe pas rrëzimit, se jetoi gjatë në pushtet. Ka ardhur koha e koha nuk pret… unë e ndjej se diçka e re, diçka që ka lindur nga toka e jo nga trungu i asaj peme po mbin, na mbetet ne të kujdesemi për të, se përplasja e vazhdueshme me diktaturën e ka forcuar si filiz, pak punë do, por do punë të vazhdueshme, ajo nuk kërkon më vetëmohim, nuk kërkon gjak, por vetëpohim, kërkon paqe. Mallkuar qoftë ai bir shqiptari që bëhet shkak edhe për një pikë gjak të derdhur, se gjaku i shqiptarëve del e tepron për të vaditur lirinë dhe demokracinë, sot duhet mendje dhe djersë, duhet dritë dhe paqe… ndaj dua ta mbyll me thënien e Adem Demacit “Libri për Vet Mohimin”, të cilin e përfundon me fjalët e tij himn për lirinë dhe demokracinë e vërtetë, të cilës i drejtohet “e dashur” : “Mirë bëre që s’erdhe, e dashur, se, po të vije, ka mundësi që ende do të mbeteshim , që ende do të ishim, së bashku, nën barrën e gabimeve të mia. Mirë bëre, e dashur, që nuk erdhe, se kështu, i vetmuar dhe pa lehtësime, m’u desh t’i mblidhja të gjitha forcat e mia;; kështu i vetmuar dhe pa përkrahje, m’u desh ta mblidhja tërë vendosmërinë time; kështu i vetmuar dhe pa ngushëllime m’u desh ta mblidhja krejt vullnetin tim dhe ta bëja mohimin e vetëmohimit tim. Prandaj e dashur, me mosardhjen tënde më ndihmove më shumë, se sa po të vije. Po të vije, ka rrezik që do të gjeje si Vet Mohim dhe kjo do të ishte një humbje kohe për të dy. Tani e dashur, të pres në kohën time – në kohën tonë…”

 

Filed Under: Komente Tagged With: Demokraci, koment, Zyba Hysa

Artikujt e fundit

  • NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…
  • VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…
  • Shkollimi i femrës shqiptare në vitet 1913–1939: përpjekje, pengesa dhe arritje
  • Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?
  • Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”
  • 34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar
  • Thank you Congressman George Latimer…
  • “Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!
  • Festivali Shqiptar në Michigan
  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT