-U zgjodh kryesia e re e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë/
Nga Adnan Mehmeti/
Stamford,Connecticut, 16 prill 2019
(Mëhill Velaj u zgjodh kryetar, Dr. Yllka Filipi nënkryetare dhe Veneta Çallpani sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)
Anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë votuan për zgjedhjet e reja 2019. Me përfundimin e mandatit të kryetares pararendëse, Raimonda Moisiu, u hap procedura për votime të reja, të propozuar nga anëtarët e Shoqatës.
Votimet rezoltuan se pjesa dërrmuese kishin votuar për shkrimtarin Mëhill Velaj, i cili është anëtar i Shoqatës që nga themelimi i saj. Ai, si një anëtar i devotshëm, nuk mungoi në asnjë aktivitet të Shoqatës, i cili ka mbajtur postin e nënkryetarit për dy mandate (2005-2007/2007-2010). Mëhill Velaj është autor i 20 librave me poezi, tregime, publicistikë dhe romane. Dr. Yllka Filipi, që ishte më parë sekretare e Shoqatës, në këtë mandat u zgjodh nënkryetare, ndërsa Veneta Çallpani, sekretare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Duhet theksuar se Shoqata e Shkrimtarëve u themelua në vitin 2001 nga Gjekë Marinaj, i cili ishte njëherit edhe president. Ndërkaq, në vitin 2009 President i Shoqatës u zgjodh Adnan Mehmeti, pozitë të cilën e mban aktualisht. Kryetari i parë i Shoqatës ka qenë Naum Prifti, ndërsa nga dy mandate radhazi, u zgjodhën, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj dhe Raimonda Moisiu.
Sot Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë inkurajon dhe mbështet shkrimtarë, poetë dhe artistë, që prezantojnë letërsinë e Diasporës, i përkasin periudhës së shtrirjes kombëtare jashtë kufijve të atdheut dhe idealizmit, pasionit dhe shprehjes, të gjithë ata, që e jetojnë jetën me të vërtetat e saj.
Fjala falëndëruese dhe mirënjohja e kryetarit të zgjedhur. Z Mëhill Velaj
Të nderuar e të dashur kolegë dhe kolege, Anëtarë të Shoqates se Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,
Uroj të jeni gjithmonë mirë me shëndet në jetë bashkë me familjet tuaja të shtrenjta,
Qofshi gjithmonë të suksesshëm dhe të vlerësuar në këtë mision të madh që ju e kryeni me qytetari të lartë, për integrimin e kulturës, letrave shqipe, letërsisë, artit dhe identitetit shqiptar në këtë tokë të bekuar amerikane.
Ju falënderoj për ndjenjën e respektit dhe vlerësimit, për atë memorje kulture që ju karakterizon mes hyjnores, krijueses e njerëzores. Shumë mirënjohje dhe falënderime që me votat tuaja më dhatë besimin dhe respektin, duke më zgjedhur Kryetar të Shoqatës.
Këto janë vlerat që mbajnë gjallë dhe të vazhdueshme miqësinë, bashkëpunimin mes shkrimtarëve dhe shoqatave të ndryshme, veç besimit, ndershmëria dhe një pikë të rëndësishme e zë respekti reciprok. Derisa dikush na zgjedh si mik e koleg, në rastin konkret si Kryetar të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e ka një arsye pasi beson në ndershmërinë, punën dhe kontributin tim, njerëzor, intelektual, krijues e qytetar. Të respektosh do të thotë të bashkëjetosh me mendimin tuaj, të dëgjosh pa paragjykuar, dhe ta pranojmë njëri-tjetrin kundrejt besimit e respektit, vlerë thelbësore në angazhimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin mes vedit.
Me respekt e dashuri,
Sinqerisht, i juaji
Mëhill Velaj