ENVER KUSHI/
NË VEND TË HYRJES – Nuk e kam të lehtë të flas, pasi kam lexuar dhe rilexuar “ Vepra të zgjedhura”,vëllimi i tetë, të Mid’hat Frashërit, hulumtuar dhe përgatitur për botim me përkushtim dhe pasion nga Uran Butka, që drejton Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, një botim shumë cilësor i shtypshkronjës “Onufri”, nën kujdesin e botuesit të mirënjohur Bujar Hudhri. Është përgjegjësi të shkruash për malin e madh të historisë, albanologjisë, letërsisë, eseistikës, diplomatit dhe burrështetit me emrin Mid’hat Frashëri. Ai është nga ato male dijesh dhe kulture, që madhështinë nuk e shfaq menjëherë, si p.sh. Tomorri, mali i shenjtë i bektashinjve e shqiptarëve. Nuk e di pse më ngjason më shumë me Gramozin e Uran Butkës, madhështia e të cilit nuk shfaqet menjëherë së largu, por duhet ta prekësh, të ecësh, ta shijosh duke lëvizur, që nga pllajat poshtë e deri në majë.
Nuk e kam të lehtë edhe për një arsye tjetër, sepse kam edhe një peshë të madhe mbi supet e mia, që do të flas për Mid’hat Frashërin si diplomat misionar i Shqipërisë në Athinë në mbrojtje të Çamërisë dhe popullit të saj martir, si dhe shqiptarëve të Follorinës, Kosturit, apo atyre të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare. Është pesha e amaneteve të të parëve të mi këtej dhe andej brigjeve të lumenjve Kalama e Akeron, amaneti i të vdekurve pa varre në trojet çame dhe çamëve në hapësirat e Anadollit të largët, Izmir e Stamboll që u larguan me dhunë në vitet 1923-1926 e më pas. Mid’hat Frashëri me fjalën dhe veprimtarinë e tij si diplomat ngriti zërin e protestës në Athinë dhe organizmat ndërkombëtare të kohës, që projekti makabër i shpopullimit dhe zhbërjes së Çamërisë dhe krahinave të tjera shqiptare, të mos realizohej. Ai pengoi verbimin e Çamërisë, synxjerjen e shqiptarëve, siç shkruhet në një nga kronikat e vitit 1379, kur Janina ishte marrë nga Preluboviçi dhe princi im Gjin Bua Shpata e kishte rrethuar atë. Për ta demoralizuar Gjin Bua Shpatën, Preluboviçi i dërgonte shportë me sy të nxjerrë shqiptarësh. Ja ç’thotë kronika:
“Pra, kur ishte duke kaluar pranvera, në muajin maj (1379) Spata erdhi prapë kundër Janinës dhe shkatërroi të gjithë arat e vreshtat, ndërsa Thomai i tiranizonte shqiptarët gjithmonë fuqimisht, herë duke i rrëzuar ata prej kullave, herë duke u prerë pjesët e trupit ose duke iu nxjerrë sytë dhe i dërgonte Spatës si kanisk të vogël derisa Spata tërhiqej në vendin e tij.(“Burime tregimtare Bizantine për historinë e Shqipërisë”, Tiranë 1975, f.235).
VENDIMI I QEVERISË SHQIPTARE. MID’HAT FRASHËRI NË ATHINË
Këshilli i Ministrave i Shqipërisë, më 9 janar 1923, me vendimin nr.8, për dërgimin e Mid’hat Frashërit në Athinë “me mision special me qëllim që t’i hapni marrëdhëniet diplomatike midis Shqipëris dhe Graqis”, mori një nga aktet më të rëndësishme e të përgjegjshme, do të shtoja edhe historike. Më ka bërë përshtypje, që mes rreshtave të shkresës burokratike, që ministri i Punëve të Jashtme, Pandeli Evangjeli i ka dërguar Mid’hat Frashërit, nënvizohen dy gjëra:
. . . “Dërgimin e Zotni suaj n’Athinë me mision special, pra qi të hapni marrëdhënien dhiplomatike midis Shqipnis dhe Greqis. . . “
Pra Mid’hat Frashëri nuk do të jetë në Athinë thjeshtë si diplomat, një burokrat i dërguar në fqinjin tonë jugor, por me mision special pra misionar edhe në kuptimin mistik që ka kjo fjalë. Ai i ka të gjitha cilësitë që e dallojnë, zellin dhe përkushtimin, siç shkruan Pandeli Evangjeli. Edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Aleksandër shpreh bindjen dhe kënaqësinë që ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, do ta realizojë misionin e posaçëm. Mid’hat Frashëri ishte i vetëdijshëm për misionin e tij në Greqi, për dëshirën e shqiptarëve për fqinjësi të mirë me popullin grek. Engjëlli mbrojtës i shqiptarëve, Naim Frashëri, që ishte ungji i Mid’hat Frashërit, kishte shkruar poemën “ Dëshir’e vërtetë e shqiptarëvet”, ku mes të tjerave u drejtohet grekëve:
Në thoni pra si fqinjë, në mes tënë të rrojmë,
Në paqësi të sosur, në vllazëri të shkojmë,
Fort na pëlqen kjo mëndje, emir’ edh’ e e dëshëruar,
Të rrojmë posi fqinjë, si miq e të gëzuar . . .
Ministri Pandeli Evangjeliu nënvizon edhe detyrën e ambasadorit “se këtë barrë do t’a pranoni dhe do të mund të niseni sa më shpejt për Athinë”. Pse barrë? Në gjuhën shqipe fjala “Barrë” ka edhe këtë kuptim: “Detyrë e vështirë, që i ngarkohet dikujt dhe që do mund për t’u kryer, përgjegjësi e rëndë, diçka që sjell kokëçarje e mundime, peshë e rëndë”. Siç do ta shohim edhe në këtë trajtesë, ajo ishte vërtetë barrë, një barrë shumë e madhe, që vetëm Mid’hat Frashëri mund ta mbante dhe kryente. Ai e pranon këtë mision, barrë apo sfidë dhe me 13 shkurt 1923 përgjigjet se “me gëzim të madh pranoj Misionin që më ngarkoni
në Athinë. . . “. Ai arriti në kryeqytetin e Greqisë më 24 shkurt 1923. (ndoshta nuk është rastësi, që vëllimi i tetë, botohet 100 vjet pasi ai nis detyrën si ambasador, ngjarje që ministria e Jashtme e Shqipërisë duhej ta përkujtonte ose mund ta përkujtonin edhe institucione të tjera shkencore).
Ka qenë ditë e shtunë dhe ora 2 mbasdreke. Në njoftimin që i dërgon ministrisë së Punëve të Jashtme, Mid’hat Frashëri, nuk shkruan si ka qenë koha atë pasdite në Athinë, me diell, re apo me shi. Dhe në një shkresë zyrtare nuk mund të shkruheshin detaje të tilla . . . Jam i bindur që vështimi i tij, ndoshta disi i menduar ose melankolik dhe i zgjuar e i mprehtë, ka parë qiellin e bukur mbi Athinë, pamjet e kodrave dhe mbi të gjitha Akropolin, një nga kryeveprat e qytetërimit helen, që grekëve dhe atyre që vizitojnë kryeqendrën e tyre, u kujton lavdinë e dikurshme. Ai e donte këtë vend. Edhe popullin e zgjuar grek. Ai e njihte mirë kulturën e lashtë helene. E njihte ndoshta më mirë se burokratët e qeverisë dhe dikastereve greke, këtë kulturë. Ndoshta retë gri dhe herë-herë të zeza, të qiellit të Athinës, që i shtynin erërat e Egjeut, metaforikisht i kujtonin edhe një pamje tjetër të historisë së shtetit grek, pas kryengritjeve për pavarësi, të vitit 1821 dhe konsolidimit të këtij shteti, Kryeninistri i Greqisë në vitin 1844 Jorgos Koleti, paraqiti programin poilitik “Megali Idea”.
Ai ishte i qartë dhe i ngërgjegjshëm për misionin dhe barrën e rëndë në Greqi. Çamëria me plagët e saj të hapura nga realizimi i ideve të “Megali Idesë”, do të ishte një barrë e tillë. Ishte viti 1923. Muaji i dytë i këtij viti. Përpara do të kishte jo ditë, javë dhe shumë muaj, ku Mid’hat Frashëri do të jetë në qendër të vëmendjes në Athinë, Stamboll, Paris, Londër, Lozanë, etj. Që në takimin e parë me ministrin e Jashtëm të Greqisë Aleksandër, që sipas Mid’hat Frashërit është 45 vjeç. Mësova se i ati qënka shqiptar nga Llaka e Sulit, ai shkruan: “ … i thashë se idetë e luftës u ç’dukunë dhe që është koha për të punuar për prosperitetin material të Ballkanit…”.
Kështu çelet sipari i misionit të Mid’hat Frashërit si ministër Fuqiplotë në Athinë.
MID’HAT FRASHËRI DHE PËRPJEKJET E TIJ PËR TË NDALUR SPASTRIMIN ETNIK NË ÇAMËRI DHE TROJET E TJERA SHQIPTARE
Jemi në vitin 2023 dhe nuk kam asnjë statistikë se sa ambasadorë nga Shqipëria, kanë qenë në Athinë. Nuk kam asnjë të dhënë për emrat apo veprimtarinë e tyre në shtetin fqinj. Mund të përmend ndonjë të kohës së disktaturës ose pas viteve 1992. Nuk dua të mohoj edhe ndonjë arritje të tyre, por e them me bindje se në këto 100 vjet të marrëdhënieve diplomatike të Shqipësirë me Greqinë, Mid’hat Frashëri si ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, në vitet 1923-1926 ka bërë më shumë për Çamërinë dhe çeshtjen çame, sa të gjithë ambasadorët dhe ministrat e jashtëm e administratat e tyre. Kjo sepse ai mbetet nga ambasadorët më me kulturë, më të ditur, një enciklopedi e vërtetë. Ka edhe një epërsi tjetër, pinjoll i denjë i Frashëllinjve: është njohës i historisë dhe kulturës të Greqisë. E njeh me thellësi antikitetin grek dhe historinë e shtetit fqinj. Ai asnjëherë nuk e ndjen veten inferior në takimet me shtetarët grekë. Po të lexoni me vëmendje letrat e përmbledhura në këtë vëllim, ku ai shkruan dhe informon eprorët e tij në Tiranë për këto tkime, do të shihni Mid’hat Frashërin diplomat dhe përfaqësues dinjitos të Shqipërisë në shtetin fqinj. Unë, përtej frazave, që rëndom shkruhen në çdo letër, si “kam nderin t’ju dërgoj këtu lidhur kopjen e letrës . . . “, “Jam informuar se shqiptarët me origjinë. . . “ ose “kam nderin të ju njoftoj marrjen e letrës. . . “ etj.etj. dëgjoj zërin e shqetësuar, zërin e dhimbjes, zërin e revoltës, zërin e mëmëdhetarit, zërin e misionarit Mid’hat Frashëri, që mban mbi shpatullat e tij dramën e shqiptarëve të Çamërisë, Follorinës e Kosturit dhe akoma më tutje, dramën e shqiptarëve të Kosovës. Mid’hat Frashëri e mori detyrën e ministrit Fuqioplotë të Shqipërisë në Athinë gati një muaj pas Traktatit të Lozanës të 30 janarit 1923. Qeveritë greke dhe turke, pas këtij Traktati, përfshinë që në shkëmbimin e popullsisë mes tyre, djallëzisht dhe në shkelje ligjore, edhe shqiptarët e Çamërisë. Në mars të vitit 1924, kur nisin letrat e këtij vëllimi, situata e popullsisë çame në Epir, është tejet e rëndë. Në verën e vitit 1923 emigrantët grekë janë vendosur në pronat e çamëve.
Atij ( Mid’hat Frashërit) i shkruajnë njerëz të thjeshtë, pronarë tokash nga Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlleçi. “Sikundër ju kesha shkruar më parë, këtu në Gumenicë erdhën për të dytën herë 1.500 refugjatë të Pontit dhe për t’i vendosur këta në Çamëri erdhi vetë Nomashi i Prevezës, i cili mbeti tri ditë këtu dhe i vendosi pranë kopshtirat tona dhe iku . . . Këtu refugjatët janë shumë të ashpëruar kundër shqiptarëve të Çamërisë, na rrëmbejnë arat, kopshtirat. . . .”.
Me interes janë marrëdhëniet e tij me krerët e parisë së Çamërisë, figurat dhe personalitetet me zë të kësaj krahine, si Musa Demi, Rasih Dino, Ali Dino, Haki Musai, Rexhep Demi, Qenan Mesareja që ishte me origjinë nga Kolonja etj. Do të duhej një studim i veçantë për të shpalosur këto marrëdhënie, si dhe kontributin e krerëve të Çamërisë, që popullsia çame të mos binte pre e propogandes greke dhe turke që çamët janë turq e si të tillë, duhet të shkojnë në Turqi.
Krahas dhjetëra letrave, që përfshihen në këtë vëllim, dua të ndalem në dy promemorie të Mid’hat Frashërit. Promemoria e parë “Gjendja e shqiptarëve myslimanë në Greqi”, e 25 nëntorit 1924, ndërsa e dyta “Gjendja e shqiptarëve n’Epir”, është e datës 17 shkurt 1925.
Në të parën, Mid’hat Frashëri, jep një kronikë të saktë se ç’ka ndodhur në Greqi, në zbatim të Traktatit të Lozanës, veprimtarinë e njëanshme të Komisionit Mikst etj.
Kështu ai akuzon “Qeverinë helenike se në zbatim të Traktatit të Lozanës, shfaqi opinionin e saj mbi shqiptarët myslimanë të Greqisë, duke njoftuar që vetëm pesëmbëdhjetë familje do të përjashtoheshin nga shkëmbimi. Gjithë të tjerët do të përziheshin si turq . . . Tre të deleguar të Komisionit Mikst, zotërinjtë Ekstrand, Hamdi Bej dhe Metaxa, ndërmorën një turne studimor në krahinat e Greqisë të populluara me shqiptarë myslimanë, në Epir dhe Maqedoni. . . I deleguari turk Hamdi bej deklaronte haptazi që të gjithë myslimanët do t’i nënshtroheshin shkëmbimit . . . Organet e autoriteteve helenike ushtronin presion për t’i bërë shqiptarët të thoshin se ishin turq . . . Prefektët kërcënonin ata që guxonin të thoshin se ishin shqiptarë. . . Telegrame të rreme u telegrafuan nga nën-prefektet grekë në emër të shqiptarëve . . . Në Maqedoni, ashtu si në Epir, Komisioni nuk e njeh karakterin shqiptar të shqiptarëve”.
Mid’hat Frashëri ndalet në mekanizmat që përdor Greqia për të demoralizuar shqiptarët, si rrahje të kthyer në art, sekuestrimin e detyruar të shtëpive që u përkisnin shqiptarëve myslimanë dhe vendosjen e refugjatëve nga Azia e Vogël.
Në fshatrat e Epirit kjo vendosje u bë vetëm te shqiptarët myslimanë. E njejta gjë ndodhi edhe në fshatrat dhe qytetet e Maqedonisë, ku ka shqiptarë, ndërkohë që asnjë shtëpi që u përkiste grekëve, vllehëve, izraelitëve dhe bullgarëve nuk u sekuestrua.
Më tej, në këtë promemorie, ai denoncon dhunën, ofendimet dhe plaçkitjet e xhandarmërisë, policisë dhe oficerëve, ndaj popullsisë së pafajshme në Epir. Këtyre keqtrajtimeve apo burgosjeve nuk i kanë shpëtuar disa prej krerëve të Çamërisë: Musa Demi, Haki Sejko, Haxhi Braho, Adem Braho, Mazar Dino . . . u burgosën, sepse kishin guxuar të deklaroheshin shqiptarë.
Në promemorien e dytë, atë të datës 17 Shkurt 1925, të bën përshtypje edhe një fakt tjetër: shkatërrimi i xhamive. Refugjatët grekë, shkruan Mid’hat Frashëri, kanë rrënuar çatinë, dritaret, dyert e xhamisë në Luarat dhe në Karbunarë, nga mesi i muajit janar të këtij viti. Shqiptarët kanë shkuar të ankohen te autoritetet heleneike, të cilat nuk i kanë ndjekur aspak ankesat e tyre.
MID’HAT FRASHËRI EDHE PËRTEJ DETYRËS SI AMBASADOR
KRITIKAT E TIJ PËR EPRORËT NË TIRANË
Duke lexuar me vëmendje letrat e vëllimit të tetë, krahas detyrës si ambasador, ai me veprimet e tij diplomatike, bën detyrën edhe të ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Kështu shkon nga Athina në Stamboll, ku bisedon me zotin Widing, kryetarin e Komisionit Miks për Turqinë. Shkon edhe në Rumani, ku takon z.Colban, drejtorin e Seksionit të Minoriteteve të Lidhjes së Kombeve, që e informon dhe e bind plotësisht për t’u okupuar me këtë çeshtje. Më pas le edhe një herë Athinën, për një mision tjetër në Gjenevë, në Këshillin e Kombeve, ku kundërshton me argumente ligjore ndërkombëtare, dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet dhe pasuritë e tyre. Në letrën që i dërgon nga Stambolli Sulejman Delvinës, ministër i Punëve të Jashtme, më 13 nëntor 1924, ai shkruan: “Këtu do të kujtoj, zoti Ministër, se kjo tragjedi e Kosturit ka mbetur fare e panjohur. Për shembull, z.Colban, as e dinte fare mirë, gjer në orën që ia rrëfeu z.Poppa në Athinë”.
Mid’hat Frashëri i tërheq vëmendjen eprorit të tij në Tiranë: “Me gjithë këtë kam pasur nderin t’ju lutem kaq herë që të bëhet një komuniatë në agjencit’e huaja dhe botime te shtypi ynë”. E informon se “Te Komisioni Mikst mësova se z.Colban, Direktor i Seksionit të Minoriteteve në SDN (Lidhja e Kombeve) shkoi në Bukuresht dhe s’ka për të ardhur në Stamboll . . . Me të kuptuar këtë, të nesërmen, e premte, u nisa që në mëngjes për në Rumani . . . Pata një pjekje të madhe me të; e kupton të keqen q’u bë për shqiptarët në Kostur dhe në Follorinë…”
Më 22 nëntor 1924, takon prap z.Colban. Është me interes që në letrën për Sulejman Delvinën, ai shkruan: “I eksponova gjerë e gjatë vuajtjet e shqiptarëve të Greqisë dhe sidomos të çamëve, për veprimin e nënkomisionit Mikst në Epir dhe në Maqedoni, si dhe për intrigat të delegatëve grekë dhe turq. . . I thashtë që s’kujtoj në shtetet e tjera që minoritetet të gëzojnë aq të drejta, sa gëzojnë grekofonët në Shqipëri . . . Kanë edhe shkollat e tyre, ku mësimet jepen greqisht, kurse shqiptarit të Greqisë s’u njihet as e drejta që të jetojnë . . . Në fund z.Colban më bëri aluzion për punën e Himarës, duke thënë se ishte ankue në Gjenevë delegati grek, z.Politis, për incidentin e fundit dhe për presionet që gjoja qeveria shqiptare u bëka himariotëve. I thashë se zelli dhe interesi që rrëfen Greqia për himariotët kujtoj se është fare e pathemeltë dhe mund të konsiderohet si një intervenim në punët e Shqipërisë, se himariotët s’formojnë minoritet për arsye se as nga gjuha, (përveç nja 1-2 fshatrave), as nga zakonet, as nga ndjenjat, s’kanë ndonjë diferencë nga shqiptarët e tjerë . . . “
Mid’hat Frashëri ka kurajon që nga Athina, në letrën e datës 23 mars 1925, siç shkruan ai “të heq vërejtjen Shkëlqesisë suaj mbi disa çeshtje”. Fjala është për ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Myfit Libohovën, i cili nuk i është drejtuar me memorandum Konferencës ë Ambasadorëve dhe Gjykatës së Hagës, për të ndaluar genocidin grek dhe serb mbi popullsinë shqiptare. Të njetin qendrim kritik ka edhe për ministrin tjetër të Punëve të Jashtme, Hysen Vrionin, që në letrën e 21 nëntorit 1925, i shkruan: “ Gjithë, zoti Ministër, kanë për shkak të vërtetë mëfeshtësinë dhe dobësinë e pacilësueshme të Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtme, e cila gjer më sot s’ka dashur të marrë një atitudë dhe të bëjë një veprim kombiar dhe patriotik . . . “
KRONIKË E NJË DORËHEQJE TË DETYRUAR
Në letrën e datës 17 nëntor 1925 dërguar Hysen Vrionit, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Mid’hat Frashëri vazhdon të informojë me të njejtin shqetësim për gjendjen e popullsisë çame, “ shtrëngimin në të cilën gjendet populli dhe qysh me shkak të hetimit, mundohet njerëzia ose të vdesë, ose të deklarohet turke . . .” Dhe më poshtë: “Pasi Shqipëria i dha Serbisë Shën Naumin, edhe Greqia kërkon që të sigurojë një situatë me venome në Shqipëri të Jugut . . . Mjerisht, gjer më sot, kemi punuar si armiq të kombit dhe të shtetit; as në Turqi kemi dashur që të çojmë njeri, as në Genevë, as që edhe masa reciproke s’kemi dashur që të marrim kundër grekofonëvet.
Nuk di kjo që bëmë gjer më sot, politikë është, apo tradhëti kundër mëmëdheut?”
Katër ditë pas kësaj letre, pra më 21 nëntor 1925, ai i shkruan prap të njejtit ministër të Punëve të Jashtme, me të njejtin ton kritik: “Gjithë, Zoti Ministër, kanë për shkak të vërtetë mefshtësinë dhe dobësinë e pacilësueshme të Ministrisë Shqiptare të Punëve të Jashtme, e cila gjer më sot s’ka dashur të marrë një antitudë dhe të bëjë një veprim kombiar dhe patriotik…”
Pas këtyre vërejtjeve serioze, të shkruara edhe më parë, vjen përgjigja e ministrit të Jashtëm Hysen Vrioni. Është data 25 nëntor. Ministri i Jashtëm i shkruan Mid’hat Frashërit:
“Me shkresën tuaj nr.1533 me datën 17 të këti moti, shihet se disaprovonj politikën e çeshtjeve të jashtme. Siç e dini, funksionarët dhe orgaanet e shtetit janë të detyruar t’ekzekutojnë direktivat e politikës së caktuar nga Qeveria Qendrore. Pra, në qoftë se Zotëia Juaj nuk jeni dispozë të ekzekutoni këto direktiva, ahere mundeni me dhënë dorëheqjen. . . “
Pritej kjo përgjigje e Hysen Vrionit, këtij zyrtari të lartë dhe burokrati të Ministrisë së Jashtme. Në këtë tekst, siç shkruhet në shënimin sqarues të redaksisë të këtij botimi “ Shihet qartazi mediokriteti dhe miopia e tij politike ( e Hysen Vrionit), akoma më tepër edhe jokorrektësia zyrtare, kur me një letër të tillë nuk vendos emrin e mbiemrin e tij, siç e kërkon etika zyrtare, por inicialet HV”.
Më 16 dhjetor 1925 Mid’Hat Frashëri jep dorëheqjen. Në letrën e datës 31 mars 1926, nga Athina, që ia dërgon Qemal Frashërit, konsull i Shqipërisë në Korfuz, ai shkruan: “ Duke ju konfirmuar telegramin tim të sotmë, kam nderin t’ju lajmëroj se qeveria jonë më njofton me telegramin e 28 marsit, që dorëheqja ime e dhënë më 16 dhjetor 1925, me nr.1713, u pranua”.
Ka një brengë, që lexohet dukshëm në rreshtat e kësaj letre. Edhe një pikëllim të brendshëm. “Sikundër që fort mirë e dini, shkruan ai, ato që janë caktuar prej ligjit dhe gjenden të shkruara mbi kartë dhe ato detyra që nuk përmendën kurkund.
Këto të dyja do t’i gjeni në librat e ndërgjegjes suaj, ndjenjësisë patriotike të zemrës suaj. Dhe padyshim, kjo kategori e fundit është më e rëndësishme se ajo do të sigurojë ngadhnjimin e mëmëdheut tonë dhe do të realizojë naltësimin e Tij”.
Kështu dhe vetëm kështu, mund të shkruante Mid’hat Frashëri, idealisti i kulluar, që i dha aq shumë edhe diplomacisë dhe politikës shqiptare. Këto fjalë të dalë prej shpirtit, do të duhej të shkruheshin me gërma të mëdha në hollin e Ministrrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe në çdo ambasadë të vendit tonë.
Kur ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, u largua nga qyteti helen, ishte stinë tjetër. E megjithatë qielli i kryeqytetit grek ishte i njëjtë: me re që i shtynin erërat. Pas mbetej Akropoli. Mbeteshin dikasteret e Qeverisë Greke, veçanërisht Ministria e Jashtme, ku Mid’hat Frashëri kishte hyrë dhe dalë apo debatuar ose dorëzuar nota verbale. Vështrimi i tij, ka kapur për herë të fundit pamjet e rrugëve dhe kafeneve të zhurmëshme të Athinës. . . Edhe retë e zeza që era i shtynte drejt veriut, ku shtriheshin hapësirat e bukura të Epirit ose Çamërisë. . . Ai si askush tjetër, bëri të pamundurën që Çamëria e bukur të mos braktisej dhe ajo të mos lotonte më nga brengat, hallet, plagët e shkaktuara nga politikat e mbrapshta antishqiptare të qarqeve nacionaliste të fqinjit tonë Jugor. Mid’hat Frashëri bëri të pamundurën, që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë të ishin miqësore dhe reciproke, që silogjet vorio-epirote të mos i helmonin këto marrëdhënie. Krahas kundërshtarëve, ai bëri edhe shumë miq në Athinë. Por misioni dhe barra e rëndë që mori përsipër, ishin ndërprerë befasisht. Burokratët në Tiranë dhe Ahmet Zogu, nuk u pajtuan me qëndrimet e prera të tij për Çamërinë, Çështjen Çame. Shtypi shqiptar i kohës i bëri jehonë dorëheqjes së Ministrit Fuqiplotë në Athinë: “Vrioni, një pinjoll i familjes së njohur të bejlerëve të mëdhenj Vrionas, do të merrej më shumë me çifligjet e tij në Greqi, ndërsa Shqipëria kishte nevojë për një përfaqësues si Mid’hat Frashëri, për të mbrojtur interesat kombëtare”. (cituar sipas Prf.Dr. Luan Malltezit). Mid’hat Frashëri do të vazhdonte në Tiranë jeten prej intelektuali dhe eruditi, por me siguri nuk i është ndarë asnjë çast brenga e madhe për Çamërinë.