Nga Keze Kozeta Zylo/
Zoti Eric Adamas, Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut mblodhi shqiptarët së bashku për të festuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Mansion Gracie që quhet ndryshe rezidenca zyrtare e Kryetarit të Bashkisë, ndërtuar qysh në vitin 1799 nga Archibald Gracie një manjat i anijeve me origjinë skoceze.
Z.Mark Gjonaj Nderi i Kombit, ish ansambleist I shtetit dhe Këshilltar i Bashkisë së Nju Jorkut i vuri kurorën gjithë paradës marramendëse, të mahnitshme të festimeve nga Diaspora Shqiptaro Amerikane duke moderuar këtë aktivitet të rëndësishëm në Mansion Gracie, në shtëpinë e kryetarëve të Bashkisë të Nju Jorkut, një shtëpi historike, monument kulture.
Zoti Mark Gjonaj është një lider i jashtëzakonshëm për lidhjet midis Diasporës, politikanëve të lartë amerikanë dhe Kombit. Ajo që më bën përshtypje dhe krenare është kur thotë në cdo fjalim se: “Ne shqiptarët nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për ta lëshuar, ajo është e florinjtë, na e kanë lënë të parët tanë dhe ne duhet ta mbajmë fort”.
Që në hyrje të mirëprisnin z. Ismet Kurti një activist i shquar i Komunitetit dhe dy të rinj të veshur me kostumet kombëtare duke i dhuruar çdo pjesëmarrësi nga një Flamur Kombëtar.
Salla e mikpritjes mbushur plot e përplot me shqiptarë të suksesshëm në art, kulturë, shkencë, ushtri, bizenesmenë, kryetar shoqatash, deputetë të Shqipërisë si z. Shpëtim Idrizi, personalitete nga Kosova, Mali i Zi si Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptar z. Faik Nika, diplomatë etj, pritën me brohorritje të pandërprera Kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut z. Eric Adams.
Kryebashkiaku nga foltorja tha se i çmoj shumë besën, traditat shqiptare etj. Ju jeni një komunitet vital që i keni dhënë shtetit të Nju Jorkut dhe ne e vlerësojmë këtë pamasë. Ai falënderoi mikun e tij të hershëm z. Mark Gjonaj dhe shtoi me sens humori se Marku nuk të linte pa bërë shqiponjën me dy duart, ndërkohë i bashkoi duart si shqiponjë nga podiumi. Në flyer-in e shpërndarë shkruhej se do mbahej ceremoni pë Ditën e Trashëgimisë Shqiptare, ndaj dhe Kryebashkiaku i mëshoi fort trashëgimisë dhe kulturës shqiptare.
Ai tha se ky shtet inkurajon ruajtjen e kulturës etnike dhe në harmoni të plotë me trashëgiminë amerikane. Ne llogarine e tij ne F/B me nje status te vecante shkruan: “Më shumë se 100,000 shqiptarë jetojnë në qytetin e Nju Jorkut dhe të hënën, ne ngritëm Flamurin Shqiptar për të njohur kontributin e tyre dhe gjithçka që ata kanë për t’i ofruar qytetit tone”.
Në këtë ditë të shenjtë të shqiptarëve përshëndetën nga podiumi si Senatorja e shtetit të Nju Jorkut Natalia Fernandez një suportuese e madhe e bashkësisë shqiptare, ku më duhet të shtoj se kjo zonjë politikane amerikane e gjeti kohën të vinte të vizitonte Shkollën Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në Bronx.
Shumë emocionuese ishte fjala e Imamit të Xhamisë në Staten Island z. Tahir Kuka. Fjalimet e tij gjithmone japin mesazhe bashkimi nëpërmjet një oratorie të shkëlqyer. Imami shqiptar nga Kosova është i zgjedhur si përfaqësuesi kryesor në policinë e Nju Jorkut, i detyrave islame ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.
Përshëndetën në këtë aktivitet gjithashtu z. Ferit Hoxha Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara etj.
Pjesëmarrësit u argëtuan duke dëgjuar dhe shikuar grupet artistike të quajtura “Nora Kelmendi” dhe “Barbana” të cilët nëpërmjet intepretimit të shkëlqyer të valleve popullore të veshur me kostumet shumëngjyrëshe kombëtare e bënë dhe më domethënëse këtë darkë për të cilën dhe ishim mbledhur.
Kryebashkiakut z. Eric Adams iu dhurua statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut Heroit Kombëtar. Ai bëri fotografi me të gjithë valltarët duke i vendosur në kokë plisin e bardhë.
U larguam me një respekt të veçantë nga kjo shtëpi historike dhe me detyra speciale në zemër për të realizuar ëndrrat tona të kahershme për vehte dhe mbi të gjitha pë Kombin.
Ndërsa zbrisja shkallët e kësaj shtëpie të famshme, ëndërroja se një ditë do ta ketë fatin ndonjë shqiptar për të qenë Kryebashkiaku i Nju Jorkut.
Të rrojë përjetësisht Flamuri ynë Kombëtar sepse është siç shkruan Fan Noli:
Flamur që lind Shën Kostandinin,
Pajton Islamin e Krishtërimin,
Shpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
TV “Alba Life” së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur rreth ketij aktiviteti historik dhe do ta transmetojë në kanalet televizive.
29 Nëntor, 2022
Manhattan, New York