-Ministri Mehaj dhe gjeneral Rama vazhdojnë vizitën në ngjarje dhe takime të suksesshme në SHBA/
PRISHTINË, 12 Tetor 2021-Gazeta DIELLI/ Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, i shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takohet me autoritetet më të larta të Departamentin të Mbrojtjes në Pentagon dhe në Departamentin e Shtetit.
Gjithashtu, gjatë kësaj vizite njëjavore, ministri Mehaj do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Byrosë së Gardës Kombëtare Amerikane, Këshillit Atlantik, Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Agjencisë për Bashkëpunim të Sigurisë së Mbrojtjes. Më pas, ministri Mehaj do të marrë pjesë në Panairin e Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.
Në përfundim të vizitës, ministri Mehaj do të takohet edhe me përfaqësuesit e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës si dhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptaro-amerikan, thekson njoftmi i dëruar dje nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, e cila sot dërgoi edhe këtë kmunikatë:
Ministri Mehaj dhe gjeneral Rama vazhdojnë vizitën në ngjarje dhe takime të suksesshme në SHBA
Gjatë vizitës që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i shoqëruar me Komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës Vjetore të Shoqatës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (The Association of the United States Army ) – “AUSA 2021”.
Ministri Mehaj dhe gjenral Rama, të cilët janë të ftuar zyrtarisht nga presidenti i AUSA-së, gjeneral Carter F. Ham, patën mundësinë të njihen me produktet e ekspozitës ushtarake dhe shumë prezantime të tjera të zhvillimit profesional, të ofruara nga liderë ushtarakë të Ushtrisë Amerikane dhe të Departamentin Amerikan të Mbrojtjes.
Në po të njëjtën ditë, ministri Mehaj dhe gjeneral Rama nderuan dhe përkujtuan me respektin më të lartë, të gjithë ushtarakët amerikanë –dëshmorë të lirisë dhe paqes kudo në botë.
Pas nderimit me kurorë lulesh pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare në Arlington, ata vizituan edhe Muzeun e Kompleksit Memorial, ku ministri Mehaj dhuroi një replikë të helmetës iliro-dardane.
Kjo helmetë u vendos në vend të rëndësishëm të Muzeut, si simbol i mirënjohjes, nderit dhe respektit të përjetshëm të kombit tonë për SHBA-në, kombin amerikan dhe ushtarët e saj.
Në po të njëjtën ditë, ministri Mehaj së bashku me gjeneral Ramën, takuan Drejtoreshën e Agjencisë së Bashkëpunimit të Sigurisë së Mbrojtjes të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, znj. Heidi Grant.
Me znj. Grant ata vazhduan diskutimet e nisura nga takimi i fundit në Split, lidhur me format e thellimit të bashkëpunimit dhe zbatimit sa më të suksesshëm dhe efektiv të konceptit të blerjeve ushtarake, përmes Programit të Shitjeve të Jashtme Ushtarake të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së.
Ministri Mehaj dhe znj. Grant u pajtuan se bashkëpunimi midis SHBA-së dhe Republikës së Kosovës udhëhiqet nga vlera dhe interesa të përbashkëta, andaj theksuan se do të intensifikojnë edhe më shumë angazhimet në mënyrë që të përmbushen qëllimet e përbashkëta të mbrojtjes.
Gjatë ditës së dytë të ekspozitës “AUSA 2021”, ministri Mehaj takoi edhe gjeneralin amerikan në pension Randal Dragon, drejtor i Kompanisë Këshilluese të Agjencitë Federale Civile dhe të Mbrojtjes (LMI).
Me gjeneral Dragon ata diskutuan, përveç tjerash, edhe për prokurimin dhe blerjet ushtarake si dhe shkëmbyen eksperiencat e ndërsjella lidhur me këto çështje.